Biblioteka
Mësimi 18: Mateu 15


Mësimi 18

Mateu 15

Hyrje

Ndërsa ishte në Galile, Jezusi shpjegoi arsyen përse dishepujt e Tij nuk e zbatonin traditën e pastrimit ritual të vetes para se të hanin. Ai më pas udhëtoi për në bregdetin mesdhetar, ku shëroi vajzën e një gruaje johebrease. Atëherë Jezusi u kthye në Galile, ku Ai shëroi shumë vetë dhe ushqeu mrekullisht më shumë se katër mijë njerëz.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 15:1–20

Skribët dhe farisenjtë pyesin përse dishepujt e Jezusit nuk i lajnë duart e tyre para se të hanë

Ftojini tri studentë t’i lexojnë me zë të lartë skenarët vijues. Kërkojini klasës të mbajë vesh se çfarë kanë të përbashkët skenarët.

  1. Një e re nxitet nga miqtë e saj që të veshi një veshje të papërshtatshme në një vallëzim shkolle. E reja e di se veshja nuk i plotëson standardet e Zotit për thjeshtësinë, edhe pse në kulturën e saj përgjithësisht është e pranueshme të veshësh veshje të atilla.

  2. Një i ri i përket një familjeje të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që i pëlqen ngjarjet sportive. Kur ngjarje të njohura sportive shfaqen në televizion, familja zakonisht e lë mënjanë lutjen familjare, studimin e shkrimeve të shenjta, mbrëmjen familjare dhe mbledhjet e së Dielës të Kishës në mënyrë që të shikojë ngjarjet.

  3. Një çift i ri është duke u përgatitur për martesë. Ata jetojnë në një vend ku është e pranuar gjerësisht marrja pjesë në marrëdhënie seksuale paramartesore. Shumë njerëz i kanë thënë këtij çifti që ata janë të dalë mode dhe të çuditshëm ngaqë po presin të martohen përpara se të përfshihen në intimitet seksual.

  • Çfarë kanë të përbashkët këta skenarë? (Çdo skenar paraqet një konflikt midis bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të vepruarit sipas traditave apo zakoneve.)

Shpjegoni se traditat ose zakonet përfshijnë bindjet dhe praktikat e një kulture, komuniteti, familjeje apo grupi miqsh.

Kërkojuni studentëve të përmendin një ose më shumë tradita apo zakone që mund t’i pengojnë ata t’u binden urdhërimeve të Perëndisë. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta te Mateu 15 që mund t’i ndihmojnë ata kur duhet të zgjedhin midis bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe pjesëmarrjes në tradita e zakone.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 15:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar traditën për të cilën e pyetën Jezusin skribët dhe farisenjtë.

  • Cilën traditë nuk po zbatonin dishepujt e Jezusit?

Shpjegoni që larja e duarve e përmendur nga skribët dhe farisenjtë i referohet një larjeje ceremoniale për hir të pastërtisë rituale dhe nuk i referohet larjes për higjienë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 15:3 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Jezusit ndaj pyetjes së skribëve dhe farisenjve.

  • Çfarë tha Shpëtimtari se po bënin skribët dhe farisenjtë duke marrë pjesë në traditat e tyre?

Përmblidheni Mateun 15:4–6, duke shpjeguar se Jezusi përcaktoi një shembull të mënyrës se si skribët dhe farisenjtë e shkelnin një urdhërim të Perëndisë duke marrë pjesë në traditat e tyre. Ata jepnin mësim që njerëzit “nuk [kanë] detyr[im]” (vargu 6) ndaj angazhimit të tyre për t’u kujdesur për prindërit e tyre të moshuar duke shpallur se paratë e tyre ruheshin si një dhuratë për Perëndinë ose kurban (shih Marku 7:10–12). Megjithatë, Jezusi dha mësim se duke vepruar kështu, ata shkelnin urdhërimin për të nderuar atin dhe nënën e vet.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 15:7–9 dhe vëreni klasën të kërkojë se çfarë i kishin shtyrë skribët dhe farisenjtë njerëzit që të bënin duke i përdorur traditat e tyre si një shfajësim për të mos iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.

  • Çfarë i kishin shtyrë njerëzit që të bënin skribët dhe farisenjtë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë nëse dëshirojmë t’i afrohemi pranë Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me vijuesin: Në qoftë se ne dëshirojmë t’i afrohemi pranë Perëndisë, ne duhet t’i vendosim urdhërimet e Tij mbi çdo traditë e zakon që mund të kemi.)

Ftojini studentët t’i rilexojnë me zë të lartë skenarët e fillimit të mësimit. Pasi të lexohet çdo skenar, pyesni:

  • Çfarë mund të bëjë individi ose individët në këtë skenar për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë?

  • Si mund ta ndihmojë të bërit e kësaj individin apo individët që t’i afrohen më pranë Perëndisë?

Pasi të keni diskutuar për secilin skenar, pyeteni klasën:

  • Kur keni zgjedhur t’u bindeshit urdhërimeve të Perëndisë në vend që të merrnit pjesë në një traditë ose zakon të pranuar në mënyrë të përgjithshme? Si ju ka ndihmuar kjo t’i afroheni më pranë Atit Qiellor? (Ju mund të doni të tregoni një përvojë tuajën gjithashtu.)

Ftojini studentët të marrin parasysh traditat dhe zakonet që përmendën më herët. Nxitini ata të zgjedhin t’u binden urdhërimeve të Perëndisë në vend që t’u binden këtyre traditave ose zakoneve në mënyrë që të mund t’i afrohen më pranë Perëndisë.

Kujtojuni studentëve që skribët dhe farisenjtë besonin se ngrënia me duar të palara do ta ndotte një person ose do ta bënte atë person të papastër shpirtërisht. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 15:10–11 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari dha mësim se na ndot me të vërtetë.

  • Çfarë tha Shpëtimtari se na ndot neve?

Vini në dukje që Shpëtimtari tha: “Ajo që del nga goja … e ndot njeriun” (vargu 11). Pasi u tha dishepujve të Tij të mos merakoseshin për farisenjtë, që ishin fyer nga fjalët e Tij (shih Mateu 15:12–16), Ai shpjegoi më tej në lidhje me atë që na ndot me të vërtetë.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 15:17–20. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që nënkuptoi Shpëtimtari kur Ai tha: “Ajo që del nga goja … e ndot njeriun” (vargu 11).

  • Çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur tha: “Ajo që del nga goja … e ndot njeriun”?

Vini në dukje që në shkrimet e shenjta, zemra shpesh paraqet mendimet dhe dëshirat tona. Shkruajeni thënien vijuese në tabelë: Nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga, atëherë …

  • Si do ta plotësonit këtë parim bazuar te mësimet e Shpëtimtarit të shënuara te vargjet 19–20? (Përdorni fjalët e studentëve për ta plotësuar parimin në mënyrë që të përçojë të vërtetën vijuese: Nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga ose të papërshtatshme, atëherë ato mendime e dëshira do të na ndotin.)

  • Në çfarë mënyrash mund të bëhemi të ndotur ose shpirtërisht të papastër, nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga ose të papërshtatshme?

  • Në çfarë mënyre fjalët që dalin nga gojët tona, si edhe veprimet tona, pasqyrojnë mendimet dhe dëshirat e zemrave tona?

Ju mund të doni të dëshmoni për këtë parim dhe t’i ftoni studentët të zgjedhin të kenë mendime dhe dëshira të pastra.

Mateu 15:21–28

Shpëtimtari shëron vajzën e një gruaje johebrease

Kërkojuni studentëve të vijnë në tabelë dhe të renditin një ose më shumë prej dëshirave të tyre të drejta.

Ftojini studentët të kërkojnë parime te Mateu 15 që mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë atë që duhet të bëjnë për të marrë një plotësim të dëshirave të tyre të drejta.

Kërkojuni studentëve t’i drejtohen Hartës së Biblës nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhjatës së Re” [Harta e Fotografi të Biblës tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Kërkojuni që të gjejnë qytetet e Tiros dhe të Sidonit në hartë. Shpjegoni që kur Jezusi udhëtoi nga Galilea për në bregdetet e Tiros dhe Sidonit, Ai takoi një grua kananease. Ashtu si shumë njerëz të tjerë në atë rajon, kjo grua ishte johebrease – që do të thotë se ajo nuk ishte judease. Në atë kohë, Jezusi dhe dishepujt e Tij ia shpallnin ungjillin vetëm judenjve dhe ende jo johebrenjve (shih Mateu 10:5–6). Dyert do të hapeshin më vonë për johebrenjtë që ta merrnin mesazhin e shpëtimit (shih Veprat e Apostujve 10).

Ftojini studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 15:21–27 bashkë me një partner. Vërini që të kërkojnë përgjigje për pyetjet vijuese (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Çfarë dëshire të drejtë kishte gruaja kananease?

  • Çfarë bëri dhe tha gruaja që tregoi besimin e saj te Jezu Krishti?

Kërkojuni studentëve të raportojnë përgjigjet e tyre.

  • Si e tregoi më tej besimin e saj te Jezu Krishti përgjigja e gruas ndaj kësaj analogjie?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 15:28 dhe vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që bëri Shpëtimtari për këtë grua.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për këtë grua? Përse?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim për atë që mund të ndodhë kur e ushtrojmë besimin tonë te Jezu Krishti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me vijuesin: Ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim bekime në përputhje me dëshirat tona të drejta.)

  • Përveçse t’i kërkojmë besnikërisht Zotit që të na bekojë në përputhje me dëshirat tona të drejta, çfarë tjetër mund të bëjmë për të ushtruar besim te Jezu Krishti?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej atë që mund të bëjnë për të ushtruar besim te Jezu Krishti, kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Kur ne kemi besim në Zotin Jezu Krisht, ne duhet të kemi mirëbesim tek ai. Ne duhet t’i mirëbesojmë atij mjaftueshëm që të jemi të kënaqur të pranojmë vullnetin e tij, duke e ditur se ai e di atë që është më e mira për ne. …

… Besimi, pavarësisht se sa i fortë është, nuk mund të prodhojë një rezultat në kundërshtim me vullnetin e atij të cilit i takon pushteti. … Ne nuk mund të kemi besim të vërtetë te Zoti pa pasur edhe një mirëbesim të plotë në vullnetin e Zotit dhe në kohën e caktuar nga Zoti” (“Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 99, 100).

  • Si mundet të na ndihmojë shpjegimi i Plakut Ouks për çfarë kuptimi ka të ushtrosh besim te Jezu Krishti, kur Zoti nuk na bekon menjëherë në përputhje me dëshirat tona të drejta?

Ftojini studentët të përsëritin listën e dëshirave të drejta në tabelë dhe të shpjegojnë atë që mund të bëjnë për të ushtruar besim te Jezu Krishti ndërsa përpiqen t’i arrijnë ato dëshira.

  • Kur morët juve (ose dikush që ju njihni) një plotësim të dëshirave tuaja të drejta (në përputhje me vullnetin dhe kohën e caktuar të Zotit) ndërsa ushtruat besim te Jezu Krishti?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për të ushtruar besim te Jezu Krishti, ndërsa përpiqen të marrin një plotësim të dëshirave të tyre të drejta nga Ai. Nxitini studentët që të veprojnë sipas asaj që shkruan.

Mateu 15:29–39

Jezusi ushqen më shumë se katër mijë pasues me shtatë bukë dhe pak peshq

Përmblidheni Mateun 15:29–39 duke shpjeguar se Jezusi u kthye në Galile. Ndërkohë që ishte atje, mbi katër mijë njerëz u mblodhën tek Ai, duke sjellë me vete njerëz që vuanin nga sëmundje dhe paaftësi të ndryshme fizike. Shpëtimtari i shëroi ata, dhe pasi njerëzit kaluan tri ditë me Të, Ai kreu një mrekulli tjetër duke i ushqyer të gjithë ata me vetëm shtatë bukë dhe disa peshq të vegjël. (Shënim: Mrekullia e ushqyerjes së katër mijë vetëve do të trajtohet me hollësi më të madhe te mësimi mbi Markun 8.)

Ju mund të doni ta mbyllni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat dhe parimet që studentët përcaktuan te Mateu 15.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 15:1–9. “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i dha këshillën vijuese atyre që përpiqen t’i largohen traditave ose zakoneve që i pengojnë ata nga të adhuruarit plotësisht të Zotit:

“Të ndryshuarit e një modeli jete të ngulitur thellësisht mund të jetë tepër i vështirë. Miqtë e mëparshëm mund të tallin, kritikojnë dhe madje përndjekin. Besimi i vazhduar te Shpëtimtari dhe bindja do t’ju shoqërojnë nga këto vështirësi për në bekime më të mëdha. Shkrimet e shenjta ilustrojnë se si bindja dhe besimi mund të mposhtin tradita në kundërshtim me planin e Perëndisë, duke u sjellë bekime individëve dhe madje brezave të njerëzve. Vendosmëria e patundur e Abrahamit për të qenë besnik ndaj të vërtetës dhe për të hedhur poshtë tradita të rreme e bekoi mjaft atë. Besnikëria e tij do t’i kurorëzojë me shpërblime të çmuara të gjithë të bindurit e shtëpisë së Izraelit. Një shembull tjetër dramatik i heqjes dorë nga tradita të rrënjosura për shumë kohë është ndryshimi i lamanitëve luftëdashës në pasues të përulur të Krishtit, të gatshëm të vdisnin se sa të shkelnin besëlidhjet e bëra si anëtarë të mbretërisë së Tij” (“Removing Barriers to Happiness”, Ensign, maj 1998, f. 86).

Mateu 15:21–28. “Këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”

Analogjia e Zotit tek i krahasoi johebrenjtë me qentë e shtëpisë kishte qëllim të na mësonte që ungjilli në atë kohë po i jepej vetëm shtëpisë së Izraelit. Johebrenjtë do ta merrnin mesazhin e shpëtimit më vonë, në përputhje me kohën e caktuar hyjnore të Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 10).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se shërimi nga Jezusi i të bijës së gruas kananease qe një provë e besimit të gruas dhe një shembull udhëzues për dishepujt e Tij:

“Ungjilli (me të gjithë fuqitë dhe hiret e tij shëruese) ishte caktuar që t’u ofrohej hebrenjve përpara se t’u shkonte johebrenjve. Shërbesa tokësore e Jezusit ishte në lidhje me Izraelin, jo me kombe të tjera. Shërimi prej Tij i këtij personi apo cilitdo personi johebre erdhi nga një përjashtim i veçantë për shkak të besimit të madh. Më parë, Ai i kishte urdhëruar apostujt të shkonin vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit dhe të mos ua predikonin mesazhin e shpëtimit johebrenjve. (Mateu 10:5–6.) Sigurisht drejtimi që Ai ndoqi në këtë rast ishte udhërrëfyes për dishepujt e Tij, vuri në provë besimin e gruas johebrease, dha mësim që vendosmëria dhe këmbëngulja në lutje do të sjellin shpërblim dhe tregoi që ndonjëherë besim më i madh gjendet mes paganëve sesa në linjën e përzgjedhur të prejardhjes së Izraelit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:371).