Biblioteka
Mësimi 16: Mateu 13:24–58


Mësimi 16

Mateu 13:24–58

Hyrje

Shpëtimtari dha shëmbëlltyra për të dhënë mësim për mbretërinë e qiejve, Rivendosjen dhe rritjen e Kishës së Tij në ditët e mëvonshme, mbledhjen e të drejtëve dhe shkatërrimin e të ligjve në Ardhjen e Tij të Dytë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 13:24–30, 36–43

Shpëtimtari jep mësim dhe shpjegon shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave

Përpara orës mësimore, shkruajini pyetjet vijuese në tabelë:

A keni qenë ndonjëherë të acaruar apo të mërzitur ngaqë ka kaq shumë ligësi në botë?

Përse Zoti thjesht nuk e largon të ligën që na rrethon?

Përse duhet të zgjedh të jem i drejtë kur disa njerëz rreth meje nuk duket që përjetojnë pasoja negative nga zgjedhjet e tyre të padrejta?

Në fillim të mësimit, kërkojini studentëve që të përsiatin pyetjet në tabelë dhe pastaj ftojini ata t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës. Teksa studentët e studiojnë Mateun 13:24–30, 36–43, ftojini të kërkojnë një të vërtetë që do t’i ndihmojë ata të gjejnë ngushëllim ndërsa përpiqen të jetojnë me drejtësi në një botë të ligë.

Pamja
grurë, egjra

Paraqitni figurën shoqëruese të grurit dhe të egjrës ose vizatojeni atë në tabelë. Shpjegoni se egjra është një lloj bari i keq helmues. Gruri dhe egjra duken pothuajse njëlloj kur janë të njomë, por ata mund të dallohen kur piqen.

Shpjegoni se Shpëtimtari dha mësim një shëmbëlltyrë për grurin dhe egjrën. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 13:24–30 dhe nga pjesa e Përkthimit prej Joseph Smith-it, Mateu 13:29, që ndryshon pjesë të vargut 20 duke thënë: “Mblidheni më parë grurin tok në hambarin tim; dhe egjra ndodhet në duaj për t’u djegur”. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që i ndodhi grurit dhe egjrës.

  • Çfarë ndodhi me grurin dhe egjrën? (Ata u mbollën [hodhën në tokë] dhe u lejuan të rriten së bashku. Pastaj gruri u fut në hambar dhe egjra u mblodh në duaj e u dogj.)

  • Përse mendoni që mbjellësi i farës së mirë u tha shërbëtorëve të tij që ta lejonin grurin dhe egjrën të “rrite[shin] bashkë deri në të korra”? (Nëse korrësit përpiqeshin ta shkulnin egjrën përpara se gruri dhe egjra të piqeshin, ata ka të ngjarë do të shkatërronin edhe shumicën e grurit.)

  • Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Mateu 13:29, cili u mblodh i pari – gruri apo egjra?

Shpjegoni se pasi Shpëtimtari dha shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrës, dishepujt e Tij i kërkuan t’u shpjegonte kuptimin e saj. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 13:36–43. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar shpjegimin e Shpëtimtarit për shëmbëlltyrën.

  • Kush e mbolli apo hodhi farën e mirë? (Shpëtimtari.)

  • Kush e mbolli apo hodhi egjrën? (Djalli.)

  • Çfarë përfaqësonin gruri dhe egjra? (Të drejtët dhe të ligjtë. Shpjegoni se të ligjtë janë ata që nuk zgjedhin të pendohen [shih Doktrina dhe Besëlidhje 29:17].)

Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron se “korrja” apo “fundi i botës” i përmendur te vargu 39 i referohet shkatërrimit të të ligjve në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Përkthimi prej Joseph Smith-it gjithashtu na ndihmon të kuptojmë se në ditët e fundit Zoti do të dërgojë engjëj dhe lajmëtarë për të ndihmuar në ndarjen e të drejtëve nga të ligjtë (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 13:39–44 [te Fjalori Biblik i variantit SHDM në anglisht të Biblës]).

  • Sipas kësaj shëmbëlltyre, çfarë do t’u ndodhë të drejtëve dhe të ligjve në ditët e fundit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti do t’i mbledhë të drejtët gjatë ditëve të fundit dhe më pas do t’i shkatërrojë të ligjtë në ardhjen e Tij. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mund të na sjellë kjo e vërtetë ngushëllim, ndërsa jetojmë në një botë të ligë? (Zoti përfundimisht do ta heqë ligësinë nga toka dhe do të shpërblejë besnikët.)

Shpjegojuni studentëve se për shkak të lirisë sonë të zgjedhjes, ne përcaktojmë me anë të zgjedhjeve tona nëse ne do të mblidhemi me të drejtët apo do të vuajmë me të ligjtë.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne që të mblidhemi nga Zoti?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që duhet të bëjmë që të mblidhemi nga Zoti, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zoti e mbledh popullin e Tij kur ata e pranojnë Atë dhe i mbajnë urdhërimet e Tij. …

… Zoti e mbledh popullin e Tij për ta adhuruar, për të ndërtuar Kishën, për një mbrojtje, dhe për të marrë këshillë dhe udhëzim. …

Profeti Jozef Smith shpalli se në të gjitha periudhat qëllimi hyjnor i mbledhjes është të ndërtojë tempuj, që fëmijët e Zotit të mund të marrin ordinancat më të larta dhe në këtë mënyrë të fitojnë jetë të përjetshme [shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 444–445]” (“The Spirit and Purposes of Gathering” [takim shpirtëror i universitetit “Brigam Jang” në Ajdaho, 31 tetor 2006], byui.edu).

  • Sipas Plakut Bednar, çfarë duhet të bëjmë që të mblidhemi nga Zoti?

  • Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj teksa jeni mbledhur nga Zoti?

Pamja
misionarë: elldëra (pleq)
Pamja
misionare: motra
Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut

Paraqitni fotografitë Misionarë: Elldëra (Pleq); Misionaret: Motra; dhe Tempulli i Solt Lejkut (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 109, 110, 119; shih edhe LDS.org).

  • Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar Shpëtimtarin në mbledhjen e fëmijëve të Atit Qiellor?

  • Çfarë bekimesh keni marrë ju teksa e keni ndihmuar Zotin të mbledhë të drejtët përmes punës misionare apo punës në tempull?

Sigurojini studentët se meqenëse ne të gjithë bëjmë gabime, Shpëtimtari na fton të pendohemi në mënyrë që ne të mund të mblidhemi me të drejtët. Ftojini studentët të përsiatin atë që mund të bëjnë për të mbledhur veten, familjet e tyre dhe të tjerët te Shpëtimtari dhe Kisha e Tij. Ftojini studentët të veprojnë sipas çdo nxitjeje që marrin.

Mateu 13:31–35, 44–52

Jezusi përdor shëmbëlltyra për të dhënë mësim për mbretërinë e qiejve

Paraqitni figura të sendeve vijues ose vizatojini ato në tabelë: një farë sinapi, tharm ose maja (ose bukë – shpjegoni se majaja përdoret në gatim dhe i shtohet brumit të bukës për ta ndihmuar që të vijë para pjekjes), një margaritar, një sënduk të vogël thesari dhe një rrjetë.

Pamja
farë sinapi, maja, margaritar, sënduk thesari, rrjetë

Shpjegoni se në disa shëmbëlltyra të ndryshme Shpëtimtari e krahasoi secilin prej këtyre sendeve me mbretërinë e qiejve. Kujtojuni studentëve se mbretëria e qiejve përfaqëson Kishën dhe ungjillin e Shpëtimtarit. Shkruajini referencat vijuese në tabelë: Mateu 13:31–32; Mateu 13:33; Mateu 13:44; Mateu 13:45–46; Mateu 13:47–50. Ndajini studentët në dyshe ose grupe të vogla dhe caktojini secilës dyshe ose grupi një nga referencat në tabelë. Ftojeni secilën dyshe ose grup që të plotësojë veprimtaritë vijuese (ju mund të doni që ta jepni këtë listë si një fletushkë):

  1. Lexojini së bashku vargjet e caktuara juve.

  2. Diskutoni se me çfarë objekti/esh e krahasoi Shpëtimtari Kishën e Tij dhe ungjillin e Tij.

  3. Diskutoni se çfarë të vërtete mendoni se po jepte mësim Shpëtimtari në këtë shëmbëlltyrë për Kishën e Tij dhe ungjillin e Tij. Shkruajeni atë të vërtetë në fletoret tuaja të klasës ose në ditarët tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student të cilit i ishte caktuar shëmbëlltyra e majasë, dhe një student të cilit i ishte caktuar shëmbëlltyra e farës së sinapit, që t’ia lexojnë shëmbëlltyrat e tyre me zë të lartë klasës.

Ftojini disa studentë t’ia lexojnë klasës të vërtetat që shkruan. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit do të rritet nga një fillesë e vogël për të mbushur të tërë tokën. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student ta lexojë thënien vijuese nga Presidenti Jozef F. Smith, i cili dha mësim se si pasuesit e Jezu Krishtit mund të krahasohen me majanë:

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

“Ndërsa mund të thuhet, dhe është në një farë mase e vërtetë, se ne nuk jemi veç një grusht në krahasim me njerëzit e tjerë në botë, përsëri ne mund të krahasohemi me majanë për të cilën foli Shpëtimtari, e cila përfundimisht do të mbrujë gjithë botën” (Gospel Doctrine, bot. i 5-të [1939], f. 74).

  • Çfarë mund të bëjmë ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme për ta ndihmuar Kishën e Shpëtimtarit të rritet?

Ftojeni një student të cilit i ishte caktuar shëmbëlltyra e thesarit në arë, një student të cilit i ishte caktuar shëmbëlltyra e margaritarit me vlerë të madhe dhe një student të cilit i ishte caktuar shëmbëlltyra e rrjetës që t’ia lexojnë shëmbëlltyrat e tyre me zë të lartë klasës. Ftojini disa studentë t’ia lexojnë klasës të vërtetat që shkruan. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Për shkak se bekimet e ungjillit janë me vlerë të përjetshme, për ato ia vlen çdo sakrificë. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, shkruajini titujt vijues në tabelë:

Bekimet e ungjillit

Sakrificat për të marrë bekime

Kërkojuni studentëve të renditin disa nga bekimet e ungjillit (shembuj mund të përfshijnë njohuri nga shkrimet e shenjta, udhërrëfim nga profetët e gjallë, ordinancat shpëtuese dhe martesën e përjetshme). Për çdo bekim të renditur, kërkojuni studentëve të shpjegojnë se çfarë sakrificash mund t’ju duhet që të bëjnë për ta marrë atë bekim. Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.

Kërkojuni studentëve të zgjedhin një bekim të renditur në tabelë dhe të shpjegojnë arsyen përse marrja e atij bekimi ia vlen çdo sakrificë.

  • Kur keni sakrifikuar diçka ju ose dikush që ju njihni për të marrë një bekim të ungjillit?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe ftojini studentët t’i përgjigjen atyre në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Cilin bekim të ungjillit dëshironi të merrni?

Përse e dëshironi atë bekim?

Si mund t’ju duhet të sakrifikoni për ta marrë atë bekim?

Mateu 13:53–58

Jezusi jep mësim në Nazaret dhe nuk pranohet nga vetë njerëzit e Tij

Përmblidheni Mateun 13:53–58 duke shpjeguar se populli i Nazaretit nuk e pranoi Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij. Për shkak të mosbesimit të tyre, Shpëtimtari nuk kreu shumë mrekulli mes tyre (shih edhe Moroni 7:37).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 13. Mbledhja e Izraelit

Profeti Jozef Smith e përmblodhi temën e Mateut 13 kur dha mësim sa vijon:

“Thëniet e Shpëtimtarit, të shënuara në kapitullin e 13-të të Ungjillit të Tij sipas Shën Mateut, … na japin një kuptim aq të qartë mbi temën e rëndësishme të mbledhjes, sa çdo gjë tjetër e shënuar në Bibël” (në History of the Church, 2:264).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim që ne mund të ndihmojmë në mbledhjen e Izraelit në të dy anët e velit:

“Kjo doktrinë e mbledhjes është një nga mësimet e rëndësishme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Ne jo vetëm ua mësojmë këtë doktrinë të tjerëve, por edhe vetë marrim pjesë në të. Ne e bëjmë këtë kur ndihmojmë të mblidhen të zgjedhurit e Zotit nga të dy anët e velit. …

… Ne mbledhim tabela të prejardhjes familjare, bëjmë fletë të grupeve familjare dhe bëjmë në mënyrë mëkëmbëse punën e tempullit për të mbledhur individë tek Zoti dhe tek familjet e tyre” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 80–81; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006; nr. artikullit 01637101, f. 107, 108]).

Tabela vijuese tregon se si shëmbëlltyrat e Mateut 13 na mësojnë për mbledhjen e Izraelit dhe rritjen e Kishës së Shpëtimtarit nga koha e shërbesës së Tij në vdekshmëri deri në Ardhjen e Tij të Dytë.

Shëmbëlltyra te Mateu 13

Mbledhja

Mbjellësi (vargjet 3–23)

Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij mbollën farat e ungjillit në kohën e tyre.

Gruri dhe egjra (vargjet 24–30, 36–43)

Të drejtët dhe të ligjtë u rritën së bashku në kohët e Dhiatës së Re, duke çuar përfundimisht në Braktisjen e Madhe. Në ditët e mëvonshme, të drejtët do të mblidhen në Kishë dhe të ligjtë do të shkatërrohen.

Fara e sinapit (vargjet 31–32)

Kisha e Jezu Krishtit do të rivendoset. Nga fillesa të vogla ajo do të rritet, përhapet dhe bëhet një Kishë madhështore mbarëbotërore.

Majaja (vargu 33)

Kisha e ditëve të mëvonshme do të përhapet anembanë tokës me ndihmën e majasë së dëshmive të Tre Dëshmitarëve dhe shkrimeve të shenjta të ditëve të mëvonshme.

Thesari i fshehur (vargu 44) dhe margaritari me vlerë të madhe (vargjet 45–46)

Të drejtët do të mblidhen në mbretërinë e Perëndisë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të sakrifikojnë e punojnë për të ndërtuar Sionin.

Rrjeta (vargjet 47–50)

Gjithë llojet e njerëzve do të mblidhen në Kishë. Në fund të botës, të ligjtë do të dëbohen e shkatërrohen.

(Përshtatur nga New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 43–44.)

Mateu 13:31–32. Shëmbëlltyrat e farës së sinapit dhe majasë

Profeti Jozef Smith dha shpjegimin vijues për shëmbëlltyrat e farës së sinapit dhe majasë:

“‘Mbretëria e Qiellit i ngjan një kokrre sinapi. …’ [Mateu 13:31.] Tani mund të zbulojmë qartë se kjo shëmbëlltyrë është dhënë për të përfaqësuar Kishën ashtu si do të vijë në ditët e fundit. …

Le të marrim Librin e Mormonit, që një burrë e mori dhe e fshehu në fushën e tij, duke e siguruar me besimin e tij, që të lindte në ditët e fundit, apo në kohën e duhur; le ta vëmë re ndërsa del nga toka, që vërtet llogaritet si më e vogla nga të gjitha farat, por vini re si degëzohet më tej, po, madje lartësohet me degë të larta dhe madhështi si e Perëndisë, derisa, ashtu si fara e sinapit, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet. Dhe është e vërtetë, dhe ajo ka mbirë e dalë nga toka, dhe drejtësia fillon të dërgohet nga qielli [shih Psalmi 85:11; Moisiu 7:62], dhe Perëndia po dërgon fuqitë, dhuratat dhe engjëjt e Tij që të gjejnë strehë në degët e saj. …

‘… Mbretëria e qiejve i ngjan majasë. …’ [Mateu 13:33.] Mund të kuptohet se Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka marrë fillimin e saj nga një sasi e vogël majaje që u vendos në tre dëshmitarë. Vini re, sa shumë i ngjan kjo shëmbëlltyrës! Shpejt ajo po e bën të vijë pjesën dhe së shpejti do të bëjë të vijë e gjitha” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 320, 322).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si pasuesit e Jezu Krishtit mund të krahasohen me majanë:

“Ne duhet të jetojmë botë por të mos jemi nga bota. Ne duhet të jetojmë në botë sepse, ashtu si dha mësim Jezusi në një shëmbëlltyrë, mbretëria e Tij i ‘ngjan majasë’, funksioni i të cilës është ta shtojë të gjithë masën me anë të ndikimit të saj (shih Lluka 13:21; Mateu 13:33; shih edhe 1 Korintasve 5:6–8). Pasuesit e Tij nuk mund ta bëjnë atë nëse shoqërohen vetëm me ata që kanë të njëjtat bindje e praktika me ta” (“Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 25).