Biblioteka
Mësimi 104: 1 Korintasve 3–4


Mësimi 104

1 Korintasve 3–4

Hyrje

Pali u shpjegoi shenjtorëve korintas rolet e misionarëve në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ai dha mësim se bashkësitë e tyre ishin vende ku Shpirti mund të banonte dhe i nxiti që të mos mendonin se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët. (Shënim: Doktrina se trupi ynë fizik është si një tempull do të trajtohet në mësimin mbi 1 Korintasve 6.)

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 3

Pali shpjegon rolet e misionarëve dhe të anëtarëve të Kishës në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok regjistrohet në një klasë të matematikës së thelluar, si kalkulus, por nuk i ka bërë klasat e kërkuara, si për shembull algjebrën bazë.

  • Si mendoni ju, sa i suksesshëm do të jetë shoku juaj në klasën e matematikës së thelluar? Përse?

  • Përse është e nevojshme që të kuptoni idetë bazë të një lënde përpara se të përvetësoni konceptet më të thelluara?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 3:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar analogjinë që përdori Pali për t’u treguar shenjtorëve në Korint se ata nuk ishin ende gati për të vërtetat më të thelluara të ungjillit. Shpjegoni se fraza “por … si njerëz të mishit” në vargun 1, i referohet njeriut natyror ose “një personi i cili zgjedh të ndikohet prej pasioneve, dëshirave, orekseve dhe ndjesive të mishit më shumë sesa prej pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë. Një njeri i tillë mund të kuptojë gjëra trupore, por jo gjëra shpirtërore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Njeri i Natyrshëm”, scriptures.lds.org).

Shkruani në tabelë fjalët qumësht dhe mish.

  • Cilin prej këtyre ushqimeve do t’i jepnit një foshnjeje? Përse?

  • Çfarë sugjeron fraza “foshnja në Krisht” në vargun 1 rreth maturisë shpirtërore të shenjtorëve korintas?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se shenjtorët nuk ishin ende gati për të marrë të vërteta më të mëdha, kujtojuni atyre se shenjtorët në Korint nuk ishin të bashkuar dhe se disa prej tyre përfshinë bindje dhe zakone pagane (të paperëndishme) në zbatimin e ungjillit. Shpjegoni se Pali përdori disa metafora për t’u mësuar këtyre shenjtorëve rëndësinë e të qenit të bashkuar, për të korrigjuar bindje dhe zakone të rreme dhe për ta forcuar besimin e tyre në ungjillin e Jezu Krishtit.

Ndajini studentët në grupe me nga tre veta. Caktojini secilit person në grup një prej përmbledhjeve mësimdhënëse vijuese. Jepini çdo studenti/je një fletushkë me përmbledhjen mësimdhënëse që i është caktuar atij apo asaj dhe lërini studentët ta lexojnë atë për disa minuta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni çdo student që ta përdorë përmbledhjen për të mësuar dy pjesëtarët e tjerë të grupit. (Nëse nuk është e mundur që të keni grupe me nga tre veta, ju mund t’i ndani studentët në dyshe dhe t’i caktoni njërit prej studentëve në secilën dyshe dy përmbledhje mësimdhënëse.)

Pamja
fletushkë

Studenti 1

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 104

Ftojeni grupin tuaj që të përfytyrojnë sikur morën pjesë në një mbledhje sakramenti, ku një misionar i kthyer foli për misionin e tij. Gjatë bisedës së tij, ai tregoi se kishte pagëzuar disa njerëz. Një javë më vonë, një tjetër misionare e kthyer dha bisedë në mbledhjen e sakramentit rreth misionit të saj dhe tregoi se kishte mësuar shumë njerëz, të cilët më në fund u pagëzuan pasi ajo qe transferuar në zona të tjera.

  • Si do të reagonit nëse dikush do të thoshte se misionari që pagëzoi disa njerëz në misionin e tij ishte më i suksesshëm sesa misionarja, kërkuesit e të cilës nuk u pagëzuan deri pasi ajo u largua nga zona?

Shkruani në një copë letër fjalët mbjell dhe ujit, dhe tregojani grupit tuaj. Shpjegoni se Pali i krahasoi misionarët me njerëz që mbjellin fara dhe ujitin të lashtat. Kujtojini grupit tuaj se shenjtorët në Korint kishin filluar të ndaheshin në grupe në bazë të atij që i kishte pagëzuar. Ata besonin se pozita e tyre në Kishë bazohej te rëndësia e personit që i kishte pagëzuar ata. (Shih 1 Korintasve 1:10–16.)

Me pjesëtarët e grupit tuaj lexoni me radhë me zë të lartë prej 1 Korintasve 3:4–9. Vëreni grupin t’ju ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pali rreth misionarëve që i kishin mësuar dhe pagëzuar njerëzit në Korint.

  • Sipas vargut 5, kush tha Pali se ishin ai dhe Apoli? (Vini në dukje vargun 5, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht] dhe shpjegoni se shërbëtor do të thotë shërbestar.)

  • Sipas vargjeve 6–7, çfarë tha Pali për misionarët që i mbjellin farat e ungjillit dhe për misionarët që i ndihmojnë ato fara të rriten?

Nëse është e nevojshme, vini në dukje frazat “as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë” në vargun 7, dhe shpjegoni se Pali i përdori këto fraza për të dhënë mësim se asnjëri prej këtyre roleve nuk është më i rëndësishëm se roli i Perëndisë.

  • Çfarë do të thotë fraza “Perëndia që rrit” (vargu 7)? (Është Perëndia, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që shkakton ndryshime në zemrat e njerëzve të cilat çojnë në kthimin në besim, dhe jo ata që japin mësim e pagëzojnë.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga 1 Korintasve 3:6–7 rreth rolit tonë dhe rolit të Perëndisë për t’i ndihmuar të tjerët që të kthehen në besim në ungjillin e Jezu Krishtit? (Pasi grupi juaj të përgjigjet, ftojini ata që ta shkruajnë të vërtetën vijuese në shkrimet e tyre të shenjta pranë 1 Korintasve 3:6–7: Ndërkohë që ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që njerëzit kthehen në besim.)

Sqaroni se me qëllim që njerëzit ta marrin Frymën e Shenjtë dhe të kthehen në besim, ata duhet të bëjnë pjesën e tyre duke ushtruar besim dhe duke i ndjekur urdhërimet e Perëndisë.

  • Si mendoni ju, në ç’mënyrë të diturit e kësaj të vërtete mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët korintas që të bëheshin më të bashkuar?

Pyeteni grupin tuaj se si mund t’i ndihmojë kjo e vërtetë për t’u përgjigjur në skenarin rreth dy misionarëve të kthyer.

  • Përse është e rëndësishme që ne të kuptojmë se është Fryma e Shenjtë, jo vetë fuqia jonë, që kthen në besim?

Pamja
fletushkë

Studenti 2

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 104

Shkruani në një copë letër fjalën themel dhe tregojani grupit tuaj.

  • Përse themeli është një pjesë e rëndësishme e një ndërtese?

  • Çfarë mund të ndodhë nëse ka një problem me themelin?

Ftojeni një pjesëtar të grupit tuaj të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 3:10 dhe vëreni pjesën tjetër të grupit të kërkojë atë që tha Pali rreth punëve të tij misionare midis korintasve.

  • Çfarë tha Pali se bëri ndërkohë që punonte si misionar në Korint?

  • Si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Pali kur tha se “një tjetër ndërton mbi të”?

Ftojeni një pjesëtar tjetër të grupit tuaj të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 3:11, dhe vëreni pjesën tjetër të grupit që të kërkojë themelin që hodhi Pali për shenjtorët në Korint.

  • Çfarë themeli hodhi Pali ndërkohë që jepte mësim në Korint?

  • Sipas vargut 11, kush duhet të jetë themeli i jetës sonë? (Sigurohuni që grupi juaj të përcaktojë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti është themeli mbi të cilin ne duhet të ndërtojmë. Merreni parasysh që ta ftoni grupin tuaj ta shenjojë këtë të vërtetë në vargun 11.)

  • Si mund të na ndihmojë ndërtimi mbi themelin e Jezu Krishtit për t’i duruar tundimet dhe sprovat? (Shih edhe Helamanin 5:12.)

  • Si mund të sigurohemi se jeta jonë është ndërtuar mbi themelin e Jezu Krishtit?

Ftojeni një pjesëtar/e të grupit tuaj të tregojë për dikë që ai ose ajo e njeh, jeta e të/së cilit/ës pasqyron se është ndërtuar mbi themelin e Jezu Krishtit. Kërkojini këtij/kësaj studenti/je që të shpjegojë mënyrën se si është bekuar ky person ngaqë ka ndërtuar mbi Krishtin.

Ftojeni secilin pjesëtar të grupit të vendosë një synim që do ta ndihmojë atë të ndërtojë mbi themelin e Jezu Krishtit.

Pamja
fletushkë

Studenti 3

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 104

Shkruani në një copë letër fjalën tempull dhe tregojani grupit tuaj. Shpjegoni se Pali shpesh iu referua tempullit në mënyrë figurative. Siç shënohet te 1 Korintasve 3:16–17, ai përdori fjalën tempull për t’iu referuar bashkësive të Kishës.

Ftojeni një pjesëtar të grupit tuaj që të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 3:16–17. Vëreni grupin ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pali se duhej të kuptonin anëtarët e Kishës në Korint. Shpjegoni se ju (vargu 16) i referohet bashkësive të Kishës, dhe se fraza “në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë” (vargu 17) i referohet dikujt që përpiqet ta shkatërrojë popullin e Perëndisë.

  • Sipas vargut 16, çfarë donte Pali që anëtarët e Kishës të kuptonin rreth bashkësive të tyre?

Megjithëse 1 Korintasve 3:16–17 ka gjasa që t’i referohet trupit të Kishës si një bashkësi, këto vargje mund të gjejnë zbatim edhe për trupin tonë fizik.

  • Si mund të gjejë zbatim 1 Korintasve 3:16–17 edhe për trupin tonë fizik? Cilat janë pasojat e prishjes së trupit tonë?

Përmblidheni 1 Korintasve 3:18–23, duke i shpjeguar grupit tuaj se Pali u mësoi shenjtorëve që dituria e vërtetë gjendet te Jezu Krishti dhe se dituria e botës është “marrëzi pranë Perëndisë” (vargu 19).

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të raportojnë atë që mësuan në grupet e tyre dhe atë që do të bëjnë si rrjedhojë e asaj që mësuan.

1 Korintasve 4

Pali u thotë shenjtorëve në Korint që të mos mendojnë se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët

Shpjegoni se bazuar te këshillat e Palit të shënuara te 1 Korintasve 4:1–3, me sa duket disa anëtarë të Kishës në Korint e kishin gjykuar rendimentin e punës së Palit si misionar dhe udhëheqës i Kishës. Ata mund të kenë vënë në pikëpyetje gjykimin e tij apo të kenë menduar se dikush tjetër mund të kishte bërë një punë më të mirë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 4:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Pali ndaj gjykimeve të tyre.

  • Si reagoi Pali ndaj gjykimeve të tyre?

  • Përse Pali nuk ishte i shqetësuar për gjykimin e të tjerëve?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 5 rreth mënyrës se si do të na gjykojë Zoti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti do të na gjykojë me drejtësi për shkak se Ai i di të gjitha gjërat, përfshirë mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë.)

  • Si mund ta ndihmojë të besuarit e kësaj të vërtete dikë që po gjykohet padrejtësisht?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 4:6–7 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Pali u mësoi shenjtorëve rreth marrëdhënies së tyre me anëtarët e tjerë të Kishës, përfshirë udhëheqësit e Kishës.

  • Sipas vargut 6, çfarë u tha Pali shenjtorëve që të mos bënin kur vërenin dallime te misionarët dhe udhëheqësit e Kishës? (Ata nuk duhej të “krekose[shin]” në krenari dhe të mendonin se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët.)

  • Bazuar te pyetjet e Palit të shënuara në vargun 7, kush u jepte njerëzve talente dhe aftësi të ndryshme?

  • Si mund të na ndihmojë këshilla e Palit kur mendojmë për udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës?

Përmblidheni 1 Korintasve 4:8–21, duke shpjeguar që Pali u tha shenjtorëve në Korint se Apostujt e Jezu Krishtit thirren që të vuajnë për shkak të ligësisë së botës. Bota i gjykon Apostujt dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës sikur janë të “marrë” (vargu 10) ngaqë kërkojnë të ndjekin Krishtin.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e shpjeguara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 3:16–17. “Ju … jeni tempulli i Perëndisë”

“Pali dha mësim: ‘A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë?’ (1 Korintasve 3:16). Në këtë varg, Pali përdori ju, një përemër në shumës, për t’iu drejtuar shenjtorëve korintas në mënyrë kolektive si tempulli i Perëndisë. Argumenti i Palit ishte se bashkësitë e Kishës funksiononin si tempuj ku mund të banonte Shpirti i Perëndisë (shih 2 Korintasve 6:16; Efesianëve 2:21). Kjo analogji është pak më e ndryshme nga ajo që përdori Pali më vonë te 1 Korintasve 6:19, në të cilën ai e krahasoi trupin fizik të një personi me një tempull” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 365).

1 Korintasve 4:9–10. Vdekja e Apostujve

“Kur Pali dha mësim se Apostujt ishin ‘të dënuar për vdekje’ (1 Korintasve 4:9), ai la të kuptonte se thirrja e tij si Apostull do ta çonte atë drejt vdekjes. Ai gjithashtu tha se shumë njerëz në Korint e shikonin veten e tyre si të mençur dhe të fortë, ndërkohë që Palin dhe Apostujt e tjerë i konsideronin si të marrë, të dobët dhe të përçmuar (shih 1 Korintasve 4:10). Këta dy faktorë – vdekja e Apostujve dhe mospranimi i autoritetit apostolik nga ana e anëtarëve të Kishës – do të ndikonin përfundimisht në Braktisjen e Madhe” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 365).