Biblioteka
Hyrje te Letra e Dytë e Apostullit Pjetër


Hyrje te Letra e Dytë e Apostullit Pjetër

Përse të studiohet ky libër?

Profeti Jozef Smith shënoi se “Pjetri derdhi në penë gjuhën më madhështore nga të gjithë apostujt” (në History of the Church, 5:392). Madhështor do të thotë i ekzaltuar në mendim, me vlerë të dukshme dhe me prirjen për të frymëzuar admirim.

Si një dëshmitar okular i shpërfytyrimit të Jezu Krishtit (shih 2 Pjetër 1:16–18), Pjetri i nxiti lexuesit e tij që të rriteshin në njohurinë për Jezu Krishtin dhe të përpiqeshin të fitonin cilësi të perëndishme që të mund të merrnin nga “natyr[a] hyjnore” (shih 2 Pjetër 1:4–8). Ai i siguroi lexuesit e tij se kjo rritje shpirtërore do t’i ndihmonte që ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10). “Pjetri ripohon se Zoti do të vijë nga qielli me lavdi dhe gjykim të madh mbi tokë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”). Duke studiuar Letrën e Dytë të Pjetrit, studentët mund të zhvillojnë një besim më të madh në Jezu Krishtin dhe të marrin udhëzim e frymëzim që mund t’i ndihmojë ata të bëhen më shumë si Ai.

Kush e shkroi këtë libër?

Autori i Letrës së Dytë të Pjetrit është Simon Pjetri, kryeapostulli i Jezu Krishtit (shih 2 Pjetër 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë me saktësi se kur dhe ku u shkrua kjo letër. Përgjithësisht hamendësohet se Pjetri e shkroi këtë letër në Romë, pas letrës së njohur si 1 Pjetër, e cila ka gjasa të jetë shkruar rreth vitit 64 ps.K. (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”]).

Për kë u shkrua dhe përse?

Pjetri tha se ai po u shkruante “atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne” (2 Pjetër 1:1). Kjo mund të tregojë se publiku i Pjetrit ishin të njëjtët të krishterë johebrenj që morën Letrën e Parë të Pjetrit (shih 2 Pjetër 3:1). Përmbajtja e 2 Pjetrit 1:12–15 tregon se Pjetri kishte për qëllim që kjo letër të ishte një mesazh lamtumire për lexuesit e tij.

Ndryshe nga Letra e Parë e Pjetrit, e cila i ndihmoi shenjtorët që të përballeshin me përndjekjen nga jashtë, Letra e Dytë e Pjetrit trajtoi braktisjen e brendshme që e kërcënonte të ardhmen e Kishës. Profetët dhe mësuesit e rremë po përhapnin “herezi shkatërruese [mësime të rreme] dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata” (2 Pjetër 2:1). Pjetri e shkroi letrën për t’i nxitur shenjtorët që të rriteshin në njohurinë e tyre për Zotin dhe ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

“Letra e dytë me sa duket iu drejtua të njëjtave kishave si letra e parë ([2 Pjetër] 3:1). Ajo u shkrua pranë kohës së vdekjes ([2 Pjetër] 1:14)” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”]). Ajo përmban gjithashtu disa nga fjalët më të fuqishme të Pjetrit dhe një nga dëshmitë e fundit të tij.

Një temë mbizotëruese te 2 Pjetri është rëndësia e të fituarit njohuri rreth Jezu Krishtit. Pjetri u premtoi lexuesve të tij se nëse ata do të kërkonin cilësi të perëndishme dhe do të zhvillonin një natyrë hyjnore, ata nuk do të ishin “përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetër 1:8) dhe do ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10).

Pjetri e krahasoi njohurinë e vërtetë të Jezu Krishtit me njohurinë dhe mësimet e rreme që ishin përhapur nga braktisësit (shih 2 Pjetër 2). Në përfundim të kësaj letre, Pjetri bëri një ftesë të fundit për shenjtorët që të “rrit[eshin], në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetër 3:18).

Përmbledhje

2 Pjetër 1 Pjetri shpjegon se premtimet e Jezu Krishtit u lejojnë shenjtorëve që të bëhen “pjesëtarë të natyrës hyjnore” (2 Pjetër 1:4). Ai i nxit ata që ta “përforco[jnë] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10). Pjetri kujton përvojën e tij në malin e Shpërfytyrimit, kur ai dëshmoi Krishtin e lëvduar dhe dëgjoi zërin e Atit. Pjetri thotë se ai e ka “më të vërtetuar fjalën profetike” (2 Pjetër 1:19).

2 Pjetër 2 Pjetri i paralajmëron anëtarët e Kishës për profetët e rremë dhe mësuesit e rremë që do të vijnë midis tyre dhe do të përpiqen t’i çojnë shenjtorët në udhë të gabuar. Këta mësues të ligj do ta mohojnë Zotin dhe do të flasin keq për “udh[ën] e së vërtetës” (2 Pjetër 2:2). Pjetri jep mësim se është më mirë të mos e pranosh ungjillin se sa të bësh besëlidhje dhe të mos jetosh sipas tyre.

2 Pjetër 3 Pjetri pohon sigurinë se Krishti do të vijë në kohën e Tij, do ta pastrojë tokën me zjarr, do t’i shkatërrojë të ligjtë dhe do t’i shpëtojë të zellshmit e besnikët. Pjetri i nxit shenjtorët që të “rrit[en], në hirin dhe në njohjen e … Jezu Krisht[tit]” (2 Pjetër 3:18).