Biblioteka
Mësimi 47: Lluka 6:1–7:18


Mësimi 47

Lluka 6:1–7:18

Hyrje

Jezusi dha mësim për rëndësinë e të bërit mirë ndaj të tjerëve, përfshirë edhe në Shabat. Pasi kaloi një natë duke u lutur, Ai i thirri të Dymbëdhjetë Apostujt dhe pastaj u dha mësim atyre dhe një turme njerëzish. Ai gjithashtu shëroi shërbëtorin e një centurioni dhe ngriti nga vdekja të birin e një të veje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 6

Jezusi shëron në Shabat, zgjedh Dymbëdhjetë Apostujt dhe i jep mësim turmës

(Shënim: Pjesa më e madhe e përmbajtjes te Lluka 6 u përfshi te mësimet mbi Mateun 5–7; 10:1–4; dhe Markun 3:1–6. Kjo pjesë e mësimit do të përqendrohet te Lluka 6:31–38.)

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur në mbledhjet e Kishës të dielën ata dëgjojnë një lajmërim rreth një projekti shërbimi për një familje që jeton afër. Pasi bëhet lajmërimi, ata dëgjojnë padashur katër përgjigje të ndryshme. Ftoni katër studentë që të lexojnë me zë të lartë përgjigjet vijuese hipotetike:

  1. “Ajo familje ka kaluar shumë vështirësi së fundmi. Jam i lumtur ta ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem.”

  2. “Do të ishte mirë që më pas të kishte pije freskuese, sepse nëse nuk ka, nuk do të shkoj.”

  3. “Në fakt nuk dua të shkoj, por do të më duhet ndihmë javës që vjen me një projekt që po organizoj, kështu që më duhet ta ndihmoj tani.”

  4. “Nëse shoku/shoqja ime shkon, do të shkoj edhe unë.”

  • Çfarë sugjerojnë këta shembuj rreth arsyeve përse njerëzit ndonjëherë shërbejnë?

Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim mundësitë që kanë pasur për të shërbyer dhe mënyrën se si u ndien rreth shërbimit. Ftojini ata që ndërsa studiojnë Llukën 6–7, të kërkojnë parime që mund t’i ndihmojnë për të dhënë shërbim në mënyra më kuptimplota.

Përmblidheni Llukën 6, duke shpjeguar se ndërsa Jezusi ishte në Galile në fillim të shërbesës së Tij, Ai e shëroi dorën e tharë të një burri në ditën e Shabatit, kaloi një natë në lutje dhe thirri Dymbëdhjetë Apostujt. Më pas Jezusi filloi t’u mësonte atyre dhe “një num[ri] të madh njerëzish” (vargu 17) se si të merrnin shpërblime qiellore.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 6:19, duke kërkuar atë që bëri Jezusi përpara se të fillonte t’i mësonte ata. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 6:31–35. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar këshillën që i dha Jezusi dishepujve të Tij.

  • Çfarë këshille i dha Jezusi dishepujve të Tij?

  • Sipas vargut 35, çfarë duhet të presim në këmbim kur u bëjmë mirë të tjerëve? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenojnë frazën “pa pasur shpresë për asgjë”.)

  • Për çfarë shpërblimesh materiale mund të shpresojnë njerëzit kur ata japin shërbim?

  • Nëse ne u bëjmë gjëra të mira të tjerëve pa pritur ndonjë gjë në këmbim, çfarë premton Zoti se do të ndodhë? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse ne u bëjmë gjëra të mira të tjerëve pa pritur ndonjë gjë në këmbim, shpërblimi ynë do të jetë i madh dhe ne do të jemi bijtë e Shumë të Lartit.)

Shpjegoni që megjithëse ne jemi të gjithë bij të Perëndisë, ata që u bëjnë mirë të tjerëve e përmbushin potencialin e tyre hyjnor duke u bërë si Ati Qiellor.

  • Përse ky premtim është shpërblimi më i mirë për t’i dashur dhe për t’u bërë mirë të tjerëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 6:36–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar shembujt që dha Jezusi për mënyrat me anë të të cilave ne mund t’u bëjmë mirë të tjerëve.

  • Sipas vargjeve 36–37, çfarë shembujsh dha Jezusi për mënyrat me anë të të cilave ne mund t’u bëjmë mirë të tjerëve? (Ju mund të doni të shpjegoni se ata që bëjnë mirë në këto mënyra do të marrin mëshirën dhe faljen e Perëndisë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vargun 38, sillni në klasë një kovë, kosh ose kuti dhe disa artikuj të tjerë, të tilla si veshje, ushqim dhe shishe uji. Sigurohuni që të sillni më shumë artikuj nga sa mund të nxërë mbajtësja që ju sollët. Ftojeni një student/e që të dalë përpara klasës dhe kërkojini atij apo asaj që të përpiqet të vendosë sa më shumë artikuj që të jetë e mundur në mbajtëse. Kur studenti/ja të ketë mbaruar, pyeteni atë:

  • Si i përshkruan fraza “një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur gufuese do t’ju derdhet në gji” (vargu 38) përpjekjet tuaja për ta mbushur këtë mbajtëse? (Falënderojeni studentin/en dhe ftojeni atë të ulet.)

  • Si e përshkruajnë këto fraza mënyrën se si na shpërblen Ati Qiellor kur ne u japim të tjerëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur ne u japim të tjerëve bujarisht, Ati Qiellor na bekon më bujarisht.)

  • Në çfarë mënyrash ne mund të jemi bujarë kur u japim të tjerëve?

Ftojini studentët të përsiatin për një rast kur ata ose dikush që ata e njohin u ka dhënë të tjerëve bujarisht. Paraqitni pyetjet vijuese (ose jepuni studentëve kopje të tyre) dhe ftojini studentët t’i përgjigjen atyre në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta (ose në fletushkën që u dhatë juve):

  • Si u bekuat nga Zoti ju apo dikush që e njihni ngaqë dhatë me bujari?

  • Çfarë do të bëni ju që të jeni më bujarë ndaj të tjerëve?

Pas një kohe të mjaftueshme, merrni parasysh të ftoni çdo student që është i gatshëm të tregojë atë që shkroi. Nxitini studentët të luten për ndihmën e Zotit ndërsa përpiqen të jenë më bujarë ndaj të tjerëve.

Lluka 7:1–10

Jezusi shëron shërbëtorin e centurionit

Shpjegoni se pasi i dha mësim turmës, Jezusi hyri në një qytet të quajtur Kapernaum.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 7:2–5. Vëreni klasën ta ndjekë, për të parë se kush e kërkoi ndihmën e Jezusit pasi dëgjoi se Ai kishte hyrë në qytet.

  • Kush e kërkoi ndihmën e Jezusit?

Shpjegoni se një centurion ishte një drejtues ushtarak romak në krye të një kompanie prej 50 deri në 100 burra.

  • Çfarë e shqetësonte centurionin?

Vini në dukje se judenjtë në përgjithësi nuk i pëlqenin centurionët sepse ata përfaqësonin fuqinë politike dhe ushtarake romake mbi judenjtë dhe tokën e tyre (shih New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 153).

  • Çfarë lloj njeriu ishte ky centurion?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si tregoi centurioni besim të madh te Jezu Krishti.

  • Si tregoi centurioni besim të madh te Jezu Krishti?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 7:9–10. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u shpërblye besimi i centurionit. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky rrëfim? (Studentët mund të përcaktojnë disa parime, duke përfshirë sa më poshtë: Duke ushtruar besim te Jezu Krishti, ne mund të ndihmojmë për të sjellë bekime në jetën e të tjerëve.)

Lluka 7:11–18

Jezusi ngre nga vdekja të birin e një të veje

Shpjegoni se ditën pasi Shpëtimtari shëroi shërbëtorin e centurionit, Ai kreu një mrekulli tjetër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndeshën Jezusi dhe dishepujt e Tij ndërsa iu afruan një qyteti të quajtur Nain.

Në vend që ta vini një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:11–12, ju mund të shfaqni një pjesë nga videoja “The Widow of Nain” [“E Veja e Nainit”] (0:00–0:45) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], e cila gjendet në LDS.org.

  • Çfarë panë Jezusi dhe dishepujt e Tij ndërsa iu afruan hyrjes së qytetit?

  • Sipas vargut 12, përse qe tragjike vdekja e këtij të riu, veçanërisht për këtë grua?

Vini në dukje se kësaj gruaje i kishte vdekur jo vetëm biri i saj i vetëm, por ajo më parë kishte humbur edhe bashkëshortin e saj. Përveç pikëllimit të madh që ajo mund të ketë ndier, ajo mund të mos ketë pasur askënd që ta mbështeste financiarisht.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 7:13–15 ose shfaqni pjesën e mbetur të videos (0:45–2:23). Ftojeni klasën që të kërkojë se çfarë bëri Shpëtimtari kur e pa këtë grua të vajtonte. (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se një qivur është një arkivol, apo mbajtësja në të cilën vendoset një arkivol.)

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për këtë grua?

  • Sipas vargut 13, përse Jezusi e shëroi të birin e kësaj gruaje? (Ju mund të doni të vini në dukje se e veja nuk i kërkoi Atij që ta shëronte të birin, por Ai e vuri re nevojën e saj dhe pastaj ndihmoi për ta plotësuar atë.)

  • Çfarë ndjenjash mund të kishit pasur nëse do të kishit qenë në situatën e kësaj të veje dhe do ta kishit parë Shpëtimtarin të ngrinte nga të vdekurit birin tuaj të vetëm?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj se si mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke treguar dhembshuri për të tjerët dhe duke u shërbyer nevojave të tyre të pashprehura.)

  • Si mund t’i dallojmë nevojat e të tjerëve kur ata nuk na i kanë treguar ato?

Shpjegoni që ndërsa studentët kërkojnë shoqërimin e Frymës së Shenjtë, ata mund të marrin nxitje rreth mënyrave se si mund t’u përgjigjen nevojave të fshehta të të tjerëve. Për më tepër, studentët mund të përsiatin këshillën që mori një herë Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë: “Kur ju takoni dikë, trajtojeni atë sikur të kishte halle të mëdha dhe do të keni të drejtë në më shumë se gjysmën e rasteve” (“In the Strength of the Lord”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 16).

Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e parimit që përcaktuan, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Pak rrëfime të shërbesës së Mësuesit më prekin më shumë se sa shembulli i Tij i dhembshurisë së treguar ndaj të vesë që vajtonte në Nain. …

Çfarë fuqie, çfarë butësie, çfarë dhembshurie që tregoi Mësuesi ynë! Edhe ne mund ta bekojmë jetën e të tjerëve në qoftë se do ta ndjekim shembullin e Tij fisnik. Mundësitë janë kudo. Janë të nevojshme sy për të parë gjendjen fatkeqe dhe veshë për të dëgjuar përgjërimet e heshtura të një zemre të thyer. Po, dhe një shpirt i mbushur me dhembshuri, që ne të mund të komunikojmë jo vetëm sy më sy apo vesh më vesh, por me stilin madhështor të Shpëtimtarit, madje zemër me zemër” (“Meeting Life’s Challenges”, Ensign, nëntor 1993, f. 71).

  • Kur keni marrë ju apo familja juaj dhembshuri apo shërbim nga të tjerët, madje edhe kur nuk e kërkuat atë?

  • Si mund të na ndihmojë ndjekja e shembullit të Krishtit për ta zhvilluar aftësinë që t’i dallojmë nevojat e pashprehura të të tjerëve?

Nëse nuk e shfaqët videon, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan njerëzit ndaj mrekullisë së ringjalljes të birit të së vesë.

  • Si reaguan njerëzit pasi Jezusi e ringjalli të birin e së vesë?

Shpjegoni se njerëzit mund të kenë thënë se “midis nesh doli një profet i madh” (vargu 16), për shkak të ngjashmërive midis shërimit të birit të së vesë së Nainit dhe rasteve kur profetët Elia dhe Eliseu të Dhiatës së Vjetër kishin ngritur bij nga vdekja (shih 1 Mbretërve 17:17–24; 2 Mbretërve 4:17–22, 32–37; New Testament Student Manual, f. 154).

Përfundoni duke i ftuar studentët që të kërkojnë mundësi për të plotësuar nevojat e pashprehura të të tjerëve. Nxitini ata të shërbejnë me bujari dhe pa pritur ndonjë gjë në këmbim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 6:31–38. Përse u shërbejmë të tjerëve

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, renditi disa arsye të mundshme përse ne shërbejmë dhe përcaktoi arsyen përse ne duhet të shërbejmë:

“Njerëzit i shërbejnë njëri-tjetrit për arsye të ndryshme dhe disa arsye janë më të mira se të tjerat. Ndoshta asnjëri prej nesh nuk shërben me të gjitha aftësitë gjatë gjithë kohës vetëm për një arsye të vetme. Meqenëse ne jemi qenie të papërsosura, ka gjasa që shumica prej nesh shërben për një ndërthurje arsyesh dhe ndërthurjet mund të jenë të ndryshme herë pas here ndërsa ne rritemi shpirtërisht. Por ne të gjithë duhet të përpiqemi të shërbejmë për arsye që janë më të larta dhe më të mira.

Cilat janë disa nga arsyet për shërbim? Unë do të sugjeroj gjashtë arsye, nga më e vogla deri te më e madhja.

Disa mund të shërbejnë për shpërblim tokësor. …

Një arsye tjetër për shërbim – ndoshta më e denjë se e para, por ende nën kategorinë e shërbimit në kërkim të shpërblimit tokësor – është që nxitet nga dëshira vetjake për të pasur shoqëri të mirë. …

Disa mund të shërbejnë nga frika e ndëshkimit. …

Persona të tjerë mund të shërbejnë për shkak të ndjenjës së detyrimit, ose nga besnikëria ndaj miqve, apo familjes, ose traditave. …

Një arsye e tillë e lartë për shërbim është shpresa për një shpërblim të përjetshëm. …

Motivi i fundit për të cilin do të diskutoj është, për mendimin tim, arsyeja më e lartë nga të gjitha. Në raport me shërbimin, është ajo që shkrimet e shenjta e quajnë ‘një udhë shumë më e lartë’ (1 Korintasve 12:31).

‘Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit’ (Moroni 7:47). …

Ky parim – që shërbimi ynë duhet të jetë për dashurinë e Perëndisë dhe dashurinë e bashkëqenieve më tepër se sa për epërsi vetjake apo ndonjë motiv tjetër më të vogël – është pa dyshim një standard i lartë. Shpëtimtari duhet ta ketë parë në këtë mënyrë, përderisa ai e lidhi drejtpërdrejtë urdhërimin e tij për dashuri joegoiste dhe të plotë me idealin e përsosurisë” (“Why Do We Serve?” New Era, mars 1988, f. 6, 7; shih edhe Dallin H. Oaks, “Why Do We Serve?” Ensign nëntor 1984, f. 12–15).