Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Marku 4–9 (Njësia 8)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Marku 4–9 (Njësia 8)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët tuaj mësuan ndërsa studiuan Markun 4–9 (njësia 8), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Marku 4–5)

Studentët mësuan që nëse ne e kërkojmë ndihmën e Zotit në kohë shqetësimi apo frike, Ai mund të na sjellë paqe. Ata gjithashtu mësuan se kur ne e përjetojmë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë, ne mund t’u dëshmojmë të tjerëve për bekimet dhe dhembshurinë e Tij. Nga historitë e bijës së Jairit dhe të gruas me fluks gjaku, studentët mësuan që nëse ne e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti nëpërmjet përpjekjeve tona për të ardhur tek Ai, Ai mund të na shërojë, dhe se ushtrimi i besimit në Jezu Krisht kërkon nga ne që të vazhdojmë të besojmë tek Ai edhe në kohë pasigurie.

Dita 2 (Marku 6–8)

Nga mrekullia e të ushqyerit të më shumë se 5.000 njerëzve, studentët mësuan se kur ne i japim Shpëtimtarit gjithçka që kemi, Ai mund ta lartësojë ofertën tonë për t’i përmbushur qëllimet e Tij. Studentët mësuan gjithashtu se ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i kuptuar nevojat e të tjerëve dhe më pas duke ndihmuar për t’i përmbushur ato nevoja.

Dita 3 (Marku 9:1–29)

Nga rrëfimi i Jezusit që dëboi shpirtin e lig nga një djalë, studentët mësuan se nëse besojmë te Jezu Krishti, të gjitha gjërat do të jenë të mundura për ne. Parime të tjera nga ky mësim përfshijnë sa vijon: Nëse mbahemi tek ajo që ne besojmë dhe e kërkojmë ndihmën e Zotit, Ai do të na ndihmojë ta forcojmë besimin tonë. Ne mund ta shtojmë besimin tonë te Jezu Krishti nëpërmjet lutjes e agjërimit.

Dita 4 (Marku 9:30–50)

Kur studentët e studiuan Markun 9:30–50, ata mësuan se nëse ne ndikojmë te njerëzit që besojnë në Jezu Krisht për të mëkatuar, ne do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë. Nga mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje, studentët mësuan se është më mirë ta veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta sesa të përfundojmë të veçuar nga Perëndia.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se dëshira për t’u pëlqyer të tjerëve në vend që të bëjmë atë që ne e dimë se është e vërtetë, mund të na çojë në zgjedhje të gabuara, pikëllim dhe keqardhje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 6:1–29

Jezusi nuk pranohet në Nazaret dhe dërgon Dymbëdhjetë Apostujt; ritregohet vdekja e Gjon Pagëzorit

Fillojeni orën e mësimit duke i ftuar studentët të mendojnë rreth herës së fundit që ata u ndien nën trysni për të bërë diçka që e dinin se nuk ishte e drejtë.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë (kjo thënie gjendet te “Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 37):

“Individët që veprojnë gabim duan që ju të bashkoheni me ta, sepse ata ndihen më rehat në atë që po bëjnë kur e bëjnë edhe të tjerët” (Plaku Riçard G. Skot).

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrave se si të tjerët mund të përpiqen t’ju shtyjnë për të bërë diçka që ju e dini se është e gabuar?

Ftojini studentët që teksa studiojnë Markun 6, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë për t’iu shmangur nënshtrimit ndaj trysnisë negative të bashkëmoshatarëve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 6:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Herodi i kishte bërë Gjon Pagëzorit. Vërini studentët që të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë i kishte bërë Herodi Gjonit dhe përse?

Herodi qe ndarë nga gruaja e tij dhe ishte martuar me Herodiadën, gruan e vëllait të tij, Filipit. Ky veprim ishte një shkelje e dukshme e ligjit judeas (shih Levitiku 18:16) dhe Gjon Pagëzori e kishte dënuar atë haptazi. Kundërshtimi i Gjonit ndaj kësaj martese e zemëroi Herodiadën, kështu që Herodi e burgosi Gjonin për ta qetësuar atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 6:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Herodiada donte të bënte me Gjon Pagëzorin.

  • Çfarë donte të bënte Herodiada me Gjon Pagëzorin?

  • Përse ajo nuk mund ta vriste atë? (Për shkak se Herodi kishte frikë nga Gjoni dhe e dinte se ai ishte një njeri i Perëndisë.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 6:21–29. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar atë që Herodi i bëri Gjon Pagëzorit.

  • Sipas vargut 26, si u ndie Herodi rreth vrasjes së Gjon Pagëzorit?

  • Përse Herodi bëri që Gjon Pagëzorit t’i pritej koka edhe pse e dinte që ishte e gabuar dhe nuk donte ta bënte atë? (Herodi u shqetësua për mendimin e atyre që ishin ulur me të.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga zgjedhjet e Herodit rreth asaj që ndodh kur ne përpiqemi t’u pëlqejmë të tjerëve në vend që të bëjmë atë që është e drejtë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë parimin vijues: Kur ne dëshirojmë t’u pëlqejmë të tjerëve në vend që të bëjmë atë që është e drejtë, kjo mund të na çojë në zgjedhje të gabuara, pikëllim dhe keqardhje.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë, vendosini ata në grupe me nga dy deri në katër veta dhe u kërkoni atyre të sjellin disa shembuj të situatave në të cilat të rinjtë duhet të zgjedhin midis dëshirës që t’u pëlqejnë të tjerëve dhe të bërit e asaj që ata e dinë se është e drejtë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilin grup që të raportojë. Ndërsa ata përgjigjen, shkruajini disa nga shembujt e tyre në tabelë.

  • Në ç’mënyra e keni parë se nënshtrimi ndaj trysnisë si në këto shembuj sjell pikëllim dhe keqardhje?

  • Kur e keni parë dikë të zgjedhë të bëjë atë që është e drejtë në vend që të përpiqet t’u pëlqejë të tjerëve?

  • Çfarë mund të na ndihmojë që të zgjedhim të bëjmë atë që ne e dimë se është e drejtë, në vend që të përpiqemi t’u pëlqejmë të tjerëve?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball rreth marrjes së vendimeve të drejta:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Vendimet e drejta janë më të thjeshta për t’u marrë kur ne i marrim ato shumë më herët … ; kjo shmang ankthin e tepërt gjatë zgjedhjes së kaheve [në çastin e vendimit], kur ne jemi të lodhur dhe të tunduar së tepërmi” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 108).

Ftojini studentët të përsiatin mbi javën e ardhshme dhe të përcaktojnë situata të mundshme në të cilat atyre mund t’u duhet të zgjedhin midis asaj që t’u pëlqejnë të tjerëve dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Nxitini ata të planifikojnë se si do të reagojnë ndaj kësaj trysnie nëse e përjetojnë atë.

Shpjegoni se kur Herodi dëgjoi rreth shumë mrekullive që kreu Jezusi në Galile, ai pati frikë se mos Gjon Pagëzori ishte ngritur nga të vdekurit dhe po i kryente këto mrekulli (shih Marku 6:14–16).

Marku 7–8

Jezusi shëron dy njerëz dhe i mëson dishepujt e Tij

Shpjegoni se Marku 7–8 përmban dy rrëfime të Shpëtimtarit duke shëruar dikë. Ndajini studentët në dyshe. Caktojeni një student në çdo dyshe të lexojë Markun 7:31–35 dhe studentin tjetër të lexojë Markun 8:22–25. Pastaj ftojini studentët që t’i përshkruajnë partnerit të tyre mrekullinë shëruese në vargjet që lexuan.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të shpjegojnë mënyrën se si i shëroi Shpëtimtari këta dy njerëz.

  • Çfarë mësimesh mund të mësojmë nga fakti se i verbëri nuk u shërua plotësisht që herën e parë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë arsyet përse Jezusi mund ta ketë shëruar burrin gradualisht ose me faza.

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Kjo mrekulli është e veçantë; është i vetmi shembull i shënuar ku Jezusi e shëroi një person me faza. Mund të ketë ndodhur që Zoti ynë e ndoqi këtë drejtim për të forcuar besimin e dobët, por në rritje të burrit të verbër. Me sa duket rastet e njëpasnjëshme të kontaktit fizik me Jezusin patën ndikimin e shtimit të shpresës, sigurisë dhe besimit për të verbërin. Jezusi personalisht 1) e çoi burrin e verbër jashtë qytetit duke e marrë për dore, 2) përdori pështymën e tij për sytë e të verbërit, 3) kreu ordinancën e vendosjes së duarve dhe 4) i vendosi duart e tij për të dytën herë mbi sytë e burrit.

Sigurisht, mënyra se si ndodhi ky shërim na mëson se njerëzit duhet ta kërkojnë hirin shërues të Zotit me gjithë forcën dhe besimin e tyre, megjithëse një gjë e tillë është e mjaftueshme vetëm për një kurim të pjesshëm, duke vijuar me recetën me anë të së cilës, sidoqoftë, ata më pas mund të fitojnë sigurinë dhe besimin e shtuar për t’u shëruar plotësisht dhe tërësisht. Njerëzit shpesh shërohen edhe me faza nga sëmundjet e tyre shpirtërore, hap pas hapi, ndërsa e vënë jetën e tyre në harmoni me planet dhe qëllimet e Hyjnisë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:379–380).

  • Në ç’mënyrë të shëruarit gradualisht mund ta shtojë besimin e dikujt te Jezu Krishti?

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë se disa bekime, të tilla si fitimi e një dëshmie për ungjillin apo marrja e një shërimi fizik ose shpirtëror, shpesh vjen gradualisht ose me faza, në vend që të vijë përnjëherë apo menjëherë?

Përmblidheni Markun 8:27–28, duke shpjeguar që Jezusi i pyeti dishepujt e Tij se kush thoshin të tjerët se ishte Ai. Ata u përgjigjën duke thënë që disa thoshin se Ai ishte Gjon Pagëzori ose një profet tjetër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 8:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që shpalli Pjetri rreth Jezusit.

  • Kush tha Pjetri se ishte Jezusi? (Fjala Krisht është fjala greke e barasvlershme me Mesia.)

Përmblidheni Markun 8:30–31, duke shpjeguar që Jezusi u mësoi dishepujve se Ai nuk do të pranohej nga judenjtë dhe do të vritej. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 8:32–33. Vëreni klasës ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Pjetri ndaj këtij lajmi.

Shpjegoni që për shkak të pritshmërive të njohura judease për një Mesia pushtues, ishte e vështirë për Pjetrin, si edhe për shumë judenj në atë kohë, që të kuptonin dhe pranonin idenë e një Mesie që do të vuante dhe do të vdiste.

  • Në ç’mënyrë ishte Pjetri si i verbëri që përshkruhet te Marku 8:22–25? (Pjetri arriti ta “sh[ihte]” të vërtetën gradualisht. Ai kishte besim te Shpëtimtari, por kuptueshmëria e Tij për misionin e Shpëtimtarit u zhvillua hap pas hapi.)

  • Si ju ka ndihmuar Zoti juve ose dikë që ju njihni ta shihni të vërtetën gradualisht më qartësisht?

Përfundojeni mësimin e sotëm duke i ftuar studentët të lexojnë në heshtje Markun 8:34–38, duke përsiatur se si mund t’i ndihmojë mësimi i sotëm për ta vendosur Zotin të parin në jetën e tyre.

Njësia Tjetër (Marku 10Lluka 4)

Shpjegoni se studentët do ta përfundojnë studimin e tyre të ungjillit të Markut dhe do të fillojnë të studiojnë shkrimet e Llukës. Ftojini ata të kërkojnë hollësi të reja ndërsa lexojnë sërish rreth ngjarjeve të fundit të jetës së Jezu Krishtit e të Shlyerjes së Tij, dhe të vënë re komentet tallëse që iu bënë Jezusit ndërsa Ai ishte në kryq. Në ungjillin e Llukës ata do të lexojnë një nga kapitujt më të dëgjuar në Bibël – Llukën 2 – dhe rrëfimet e të shtypurve, të dëbuarve dhe mëkatarëve.