Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Hebrenjve


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Hebrenjve

Përse të studiohet ky libër?

Libri i Hebrenjve dëshmon për epërsinë e Jezu Krishtit. Ai është më i madh se engjëjt dhe ka një emër më të mrekullueshëm e një thirrje më të lartë. Engjëjt janë shërbëtorë të Perëndisë, por Jezu Krishti është Biri i Tij. Ky libër na mëson gjithashtu që Jezusi është më i madh se Moisiu dhe se shërbesa e Tij solli një besëlidhje të re që ka epërsi ndaj besëlidhjes së vjetër nën ligjin e Moisiut. Si Prifti i Lartë i Madh i Priftërisë Melkizedeke, priftëria e Tij është më e madhe se ajo e priftërinjve të lartë nën ligjin e Moisiut.

Ndërkohë që shkrimet e shenjta janë të mbushura me referenca për flijimin shlyes të Jezu Krishtit, të Ringjalljes së Tij dhe të Ngjitjes së Tij në qiell, [libri i] Hebrenjve thekson punën e vazhdueshme të Shëlbuesit në jetën e të gjithë atyre që kthehen tek Ai në bindje dhe besim. Studimi i librit të Hebrenjve mund t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë doktrinën e Shlyerjes dhe t’i frymëzojë ata për të jetuar me besim në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Kush e shkroi këtë libër?

Shumica e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme e pranojnë Palin si autorin e [librit të] Hebrenjve (shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”). Sidoqoftë, ka disa njerëz që e vënë në pikëpyetje nëse ishte Pali ai që e shkroi këtë letër, sepse stili dhe gjuha e saj janë të ndryshme nga letrat e tjera të Palit. Pranohet gjerësisht që edhe nëse pena nuk ishte e Palit, idetë ishin, sepse doktrinat te Hebrenjve përputhen me ato që gjenden në letrat e tjera të Palit. Profeti Jozef Smith ia ngarkoi Apostullit Pal thëniet nga [libri i] Hebrenjve (shih Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 109). Për qëllimet e këtij manuali, ne e pranojmë Palin si autorin.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë se ku u shkrua letra e Palit drejtuar Hebrenjve. Ne gjithashtu nuk e dimë me saktësi se kur u shkrua ajo. Sidoqoftë, shumica hamendësojnë se ajo u shkrua rreth viteve 60–62 ps.K., gati në të njëjtën kohë si letrat e Palit drejtuar Filipianëve, Kolosianëve, Efesianëve dhe Filemonit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, scriptures.lds.org).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Pali e shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve për t’i nxitur anëtarët judeas të Kishës që ta ruanin besimin e tyre në Jezu Krisht dhe të mos ktheheshin në udhët e tyre të mëparshme (shih Hebrenjve 10:32–38).

Nën trysninë e pikëllimeve të ndryshme, shumë nga këta të krishterë judeas me sa duket po largoheshin nga Kisha dhe po ktheheshin te siguria e përkohshme e adhurimit judeas në sinagogë (shih Hebrenjve 10:25, 38–39). Pali dëshironte që t’u tregonte këtyre të krishterëve judeas se vetë ligji i Moisiut të drejtonte te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij si burimi i vërtetë i shpëtimit.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Në vend që të jetë vetëm një letër, Hebrenjve është më shumë një ligjëratë e zgjeruar që i referohet vazhdimisht shkrimeve të shenjta dhe praktikave të Izraelit. Ajo është ligjërata më e gjatë në shkrimet e shenjta rreth arsyes dhe mënyrës se si Jezu Krishti ka epërsi mbi të gjitha gjërat.

Hebrenjve na mëson që Jezu Krishti është më i madh se ligji, sepse ishte Ai që e dha ligjin. Hebrenjve na mëson gjithashtu se profetët morën fuqi me anë të besimit në Të, se Ai ishte Prifti i Lartë i madh, në të cilin u përmbushën flijimet e kohëve të Dhiatës së Vjetër, se Ai është më i madh se engjëjt, dhe se është nëpërmjet flijimit të Tij shlyes që ne mund të marrim një heqje të mëkateve.

Libri i Hebrenjve është një nga vendet e pakta në Bibël ku ne mund të lexojmë rreth profetit Melkizedek (shih Hebrenjve 7:1–4) dhe priftërisë që u quajt sipas tij (shih Hebrenjve 5:5–6, 10; 6:20; 7:11–17). Hebrenjve na mëson që Priftëria Melkizedeke është më e madhe se Priftëria Aarone, dhe tregon se shpëtimi nuk gjendet në ligjin e Moisiut apo në ordinancat e administruara nga priftërinjtë Levitë, por në Jezu Krishtin dhe ordinancat e Priftërisë Melkizedeke (shih Hebrenjve 7:5–28). Hebrenjve 11:1–12:4 jep një ligjëratë të rëndësishme mbi besimin dhe na mëson mbi mënyrën se si individët mund t’i mirëbesojnë Jezu Krishtit. (Shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Pauline Epistle: Epistle to the Hebrews” [“Letra të Palit: Letër drejtuar Hebrenjve.”])

Përmbledhje

Hebrenjve 1–6 Jezu Krishti është vula e Atit. Ai është më i madh se engjëjt dhe se të gjithë profetët që e paraprinë, përfshirë Moisiun. Izraelitët e lashtë që u nxorën nga Egjipti nuk arritën të hynin në prehjen e Zotit, ngaqë i ngurtësuan zemrat e tyre ndaj Jezu Krishtit dhe shërbëtorit të Tij, Moisiut. Si Prifti i Lartë i Madh, Jezusi ka epërsi ndaj të gjithë priftërinjve të lartë në ligjin e Moisiut. Nëpërmjet vuajtjes së Tij, Krishti u përsos. Ne mund të hyjmë në prehjen e Zotit dhe “të synojmë përkryerjen” nëpërmjet doktrinave dhe ordinancave të ungjillit (Hebrenjve 6:1).

Hebrenjve 7–13 Priftëria Melkizedeke administron ungjillin dhe është më e madhe se Priftëria Aarone. Tabernakulli dhe ordinancat e ligjit të Moisiut paralajmëruan shërbesën e Krishtit. Jezu Krishti e përmbushi ligjin e Moisiut nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij, me anë të të cilit ne mund të marrim shpëtim dhe heqje të mëkateve. Me anë të besimit, profetët dhe burra e gra të tjera kryen vepra të drejta dhe mrekulli.