Biblioteka
Mësimi 56: Lluka 18–21


Mësimi 56

Lluka 18–21

Hyrje

Kur Jezu Krishti udhëtoi drejt Jeruzalemit për herë të fundit në vdekshmëri, Ai dha mësim ungjillin e Tij dhe kreu mrekulli midis njerëzve. Ai hyri me ngadhnjim në Jeruzalem, e pastroi sërish tempullin dhe u dha mësim njerëzve atje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 18–21

Shpëtimtari jep mësim rrugës për në Jeruzalem

Pamja
Krishti dhe i Riu i Pasur
Pamja
Ardhja Triumfuese

Shpjegojuni studentëve se nga studimi i tyre i [librave] të Mateut dhe Markut, ata kanë mësuar tashmë për shumë prej ngjarjeve të shënuara te Lluka 18–21. Për të rishikuar dy nga këto ngjarje, paraqitni fotografitë e mëposhtme: Krishti dhe i Riu i Pasur (Libri i Figurave Artistike [2009], nr. 48; shih edhe LDS.org) dhe Ardhja Triumfuese (Libri i Figurave Artistike, nr. 50). Ftojini studentët t’i përmbledhin këto histori për klasën dhe të shpjegojnë atë që mbajnë mend se kanë mësuar nga rrëfimet.

Ju mund të doni ta përdorni përmbledhjen vijuese të Llukës 18–21 nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që t’i kujtojnë këto histori. (Shënim: Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se kur ndodhën ngjarjet e këtij mësimi në jetën e Shpëtimtarit, ju mund të doni t’u tregoni studentëve përshkrimin grafik Një Vështrim i Shpejtë mbi Shërbesën në Vdekshmëri të Jezu Krishtit në shtojcën e këtij manuali.)

Kur Jezu Krishti udhëtoi drejt Jeruzalemit për herë të fundit në vdekshmëri, Ai dha mësim një numër shëmbëlltyrash dhe shëroi shumë njerëz. Ai e ftoi të riun pasanik që t’i jepte gjithçka të varfërve dhe ta ndiqte Atë. Ai shëroi një burrë të verbër. Pavarësisht nga përqeshja, Ai darkoi me kryetarin e tagrambledhësve në Jeriko.

Ai mbërriti në Jeruzalem dhe, midis thurjes së lëvdatave, ngau një kërriç kur hyri në qytet. Ai i nxori sërish përjashta këmbyesit e parave nga tempulli, u dha mësim njerëzve atje dhe iu përgjigj pyetjeve të krerëve të priftërinjve dhe skribëve. Ai lëvdoi një të ve që ia dha dy monedhat e saj të vogla arkës së thesarit të tempullit. Ai u dha mësim dishepujve edhe për Ardhjen e Tij të Dytë.

Shpjegoni se pjesa më e madhe e rrëfimeve që studentët do të studiojnë në këtë mësim janë të veçanta për ungjillin e Llukës.

Për t’i përgatitur studentët që t’i studiojnë këto rrëfime, shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Cilat veprime mund të tregojnë se një person dëshiron me sinqeritet të afrohet me Zotin?

Cilat sjellje tregojnë se ai ose ajo me të vërtetë do që të falet, apo e dëshiron ndihmën e Zotit?

Ftojini studentët që t’i marrin parasysh këto pyetje ndërsa studiojnë rrëfimet vijuese nga shkrimet e Llukës.

Shkruajini në tabelë referencat vijuese nga shkrimet e shenjta: Lluka 18:1–8; Lluka 18:9–14; Lluka 18:35–43; Lluka 19:1–10. Shpjegoni se këto fragmente të shkrimeve të shenjta përfshijnë shëmbëlltyra dhe ngjarje nga udhëtimi i fundit i Shpëtimtarit drejt Jeruzalemit gjatë jetës së Tij të vdekshme.

Caktojini secilit student një nga referencat e shkrimeve të shenjta të shkruara në tabelë, ose merrni parasysh ndarjen e klasës në katër grupe dhe caktojini secilit grup një nga referencat e shkrimeve të shenjta në tabelë. Ftojeni secilin student ose grup të lexojë fragmentin e caktuar të shkrimit të shenjtë dhe të përgatitet për ta interpretuar rrëfimin ose shëmbëlltyrën që ajo përmban. (Nëse nuk i ndani studentët në grupe, merrni parasysh ta dramatizoni secilën prej rrëfimeve si klasë. Nëse zgjidhni të mos i dramatizoni këto rrëfime, ju mund t’i ftoni studentët që t’i studiojnë referencat e shkrimeve të shenjta individualisht duke përdorur pyetjet vijuese dhe pastaj t’ia mësojnë njëri-tjetrit atë që mësuan.) Shpjegoni se një student në klasë ose në çdo grup duhet të jetë tregimtari dhe të lexojë rrëfimin e shkrimit të shenjtë ndërsa pjesa tjetër e klasës apo e grupit e interpreton atë. Për shkak të nderimit dhe respektit për Shpëtimtarin, udhëzojini ata që interpretojnë Llukën 18:35–43 dhe Llukën 19:1–10 që ta bëjnë këtë pa pasur dikë që të përfaqësojë Jezu Krishtin. Udhëzojeni tregimtarin që t’i lexojë fjalët e Jezusit dhe u kërkoni aktorëve që të përgjigjen sikur Ai të ishte në skenë.

Ndërsa grupet përgatiten, ftojini ata që t’i diskutojnë së bashku pyetjet vijuese dhe të jenë gati t’ia raportojnë përgjigjet e tyre klasës pasi ta interpretojnë ngjarjen. (Merrni parasysh t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’ua jepni në një fletushkë.)

  • Çfarë dëshironte personazhi kryesor (e veja, tagrambledhësi, burri i verbër apo Zakeu) në këtë rrëfim?

  • Çfarë bëri personazhi kryesor që tregoi se dëshira e tij apo e saj ishte i/e sinqertë?

  • Çfarë ndodhi për shkak të veprimeve besnike të personazhit kryesor?

  • Çfarë parimesh apo doktrinash mund të dalloni në histori?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni klasën apo secilin grup që ta dramatizojnë rrëfimin e tyre ndërsa tregimtari lexon vargjet. Ndërsa klasa shikon ose ndjek në shkrimet e tyre të shenjta, u kërkoni studentëve të marrin në shqyrtim atë që çdo rrëfim mund të na mësojë rreth ushtrimit të besimit në Zot. Pas çdo interpretimi, kërkojini klasës apo grupit të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e mësipërme. Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë parimet ose doktrinat që përcaktuan.

Pasi grupet t’i kenë raportuar përgjigjet e tyre për pyetjet, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë ngjashmërish vutë re te veprimet e secilit prej personazheve kryesorë? (Secili prej tyre tregoi këmbëngulje ose sinqeritet ndërsa kërkoi të realizonte dëshirat e tij/të saj.)

  • Çfarë mund të na mësojnë këto veprime rreth ushtrimit të besimit në Zot?

  • Çfarë ngjashmërish vutë re rreth asaj që mori çdo personazh kryesor si rrjedhim i veprimeve të tij apo të saj? (Secili mori ndihmë ose mëshirë.)

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë një parim nga ngjashmëritë në rrëfime. Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë se, nëse jemi të sinqertë dhe këmbëngulës kur ushtrojmë besim te Zoti, ne mund ta marrim mëshirën e Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për atë çka tregon se një person po ushtron besim te Zoti.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Besimi i vërtetë përqendrohet në dhe te Zoti Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim të drejtë” (“Kërkoni me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 95).

Drejtojini studentët te pyetjet e shkruara në tabelë në fillim të mësimit. Kërkojuni studentëve t’i drejtohen një partneri dhe të diskutojnë përgjigjet për pyetjet.

  • Cilat janë disa mënyra që ne mund të ushtrojmë besim te Perëndia sot?

Ftojeni një student që të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Bednar dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për atë çka do të thotë të përjetosh mëshirat e Zotit:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Mëshirat e dhembshura të Zotit janë bekimet tepër personale dhe individuale, forca, mbrojtja, siguria, drejtimi, dashamirësia, ngushëllimi, mbështetja dhe dhuratat shpirtërore të cilat i marrim nga Zoti Jezu Krisht dhe për shkak të Tij e nëpërmjet Tij” (“Mëshirat e Dhembshura të Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 99; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 119).

Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i shkruani pyetjet në tabelë.)

  • Në çfarë mënyrash ju apo dikush që ju njihni ka ushtruar besim në Jezu Krisht? Si rrjedhim, çfarë mëshire përjetuat juve ose ata?

  • Merrni në shqyrtim se në çfarë mënyrash ju e dëshironi ndihmën apo mëshirën e Zotit në jetën tuaj. Çfarë do të bëni për të ushtruar besim te Zoti me qëllim që të merrni mëshirën e Tij?

Ftojini disa studentë që ndihen rehat për të treguar, që të raportojnë atë që shkruan. Kujtojuni atyre të mos tregojnë ndonjë gjë që është tepër vetjake. Ju gjithashtu mund të doni ta tregoni përvojën tuaj me parimin dhe të dëshmoni për vërtetësinë e tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 18:1–8. Shëmbëlltyra e së vesë që kërkoi me ngulm dhe e gjykatësit të padrejtë

“Lluka shpalli mesazhin qendror të shëmbëlltyrës së gruas ngulmuese dhe të gjykatësit të padrejtë – ‘[njerëzit] duhet të lute[n] vazhdimisht pa u lodhur’ (Lluka 18:1). Fjala greke e përkthyer ‘lodhur’ do të thotë të shkurajohesh ose të këputesh, apo të mundohesh për diçka. Në shëmbëlltyrë, të luturit pa u dorëzuar përfaqësohet nga një e ve që i apelon vazhdimisht një gjykatësi për të ndrequr një padrejtësi. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“‘Kur vijnë kohët e vetmuara, të acarta e të vështira, ne duhet të durojmë, ne duhet të vazhdojmë, ne duhet të këmbëngulim. Ky ishte mesazhi i Shpëtimtarit në shëmbëlltyrën e së vesë ngulmuese. … Vazhdoni të trokitni te dera. Vazhdoni të përgjëroheni. Ndërkohë, dijeni se Perëndia i dëgjon lutjet tuaja dhe e di ankthin tuaj. Ai është Ati juaj dhe ju jeni fëmija i Tij’ (‘Lessons from Liberty Jail’, Ensign, shtator 2009, f. 30).

Këmbëngulja i ka rrënjët te parimet themelore të ungjillit të besimit dhe shpresës. Këmbëngulja pasqyron besimin tonë se veprimet tona do t’i sjellin bekimet e Zotit në jetën tonë” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 177).

Lluka 18:9–14. Shëmbëlltyra e fariseut dhe tagrambledhësit

Presidenti Hauard W. Hanter shpjegoi ndryshimin midis lutjes së fariseut dhe lutjes së tagrambledhësit:

“A mund të ketë dallim më të madh në lutjen e të dy burrave? Fariseu qëndroi mënjanë ngaqë ai besonte se ishte më i mirë se njerëzit e tjerë, të cilët ai i konsideronte si të rëndomtë. Edhe tagrambledhësi qëndroi mënjanë, por e bëri sepse u ndie i padenjë. Fariseu nuk mendonte për askënd tjetër veçse për veten e tij dhe e konsideronte çdokënd si mëkatar, ndërsa tagrambledhësi e mendonte çdokënd si të drejtë kur e krahasonte me veten e tij, një mëkatar. Fariseu nuk kërkoi asgjë nga Perëndia, por u mbështet në vetëkënaqësinë e tij. Tagrambledhësi iu lut Perëndisë për mëshirë dhe faljen e mëkateve të tij.

… Tagrambledhësi, mbledhësi i përçmuar i taksave, ‘u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar’. (Lluka 18:14.) Me fjalë të tjera, Zoti tha se ai ishte i shpenguar, i falur ose i përligjur. …

Përulësia është një cilësi e perëndishmërisë që zotërohet nga shenjtorët e vërtetë. Është e thjeshtë të kuptosh përse dështon një njeri krenar. Ai kënaqet të mbështetet vetëm te vetja e tij. … Njeriu krenar e izolon veten e tij nga Perëndia dhe kur e bën, nuk jeton më në dritë. …

… Historia shënon se ata që e kanë lartësuar veten e tyre janë poshtëruar, por të përulurit janë lartësuar. Në çdo rrugë të populluar ka farisenj dhe tagrambledhës. Mund të ndodhë që njëri prej tyre mban emrin tonë” (“The Pharisee and the Publican”, Ensign, maj 1984, f. 65–66).

Lluka 18:35–43. Shërimi i të verbërit

Besimi dhe këmbëngulja e burrit të verbër, të quajtur Bartimeu, mund të shikohen nga mënyra se si ai i thirri Jezu Krishtit për mëshirë – ai vazhdoi ta thërriste edhe pasi shumë njerëz e urdhëruan që të heshtte (shih Marku 10:47–48).

Lluka 18:1–8, 35–43. Këmbëngulja në besim

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një shembull për rëndësinë e këmbënguljes gjatë sprovave të besimit tonë:

“Disa vite më parë një familje udhëtoi për në Europë nga Shtetet e Bashkuara. Pak pasi arritën në vendmbërritjen e tyre, biri 13-vjeçar u sëmur rëndë. Nëna dhe babai fillimisht menduan se dhimbja e stomakut u shkaktua nga lodhja prej udhëtimit të gjatë dhe familja vazhdoi rëndom udhëtimin e saj.

Ndërsa dita kalonte, gjendja e djalit u përkeqësua. Humbja e lëngjeve po shtohej. Babai i dha të birit një bekim priftërie, por asnjë përmirësim nuk po dukej menjëherë.

Kaluan disa orë dhe nëna u gjunjëzua pranë të birit, duke iu përgjëruar në lutje Atit Qiellor për mirëqenien e djalit. Ata ishin larg nga shtëpia në një vend të panjohur dhe nuk dinin se si të merrnin ndihmë mjekësore.

Nëna e pyeti të birin nëse ai do të donte të lutej me të. Ajo e dinte se thjesht pritja për bekimin e shumëpritur nuk do të mjaftonte; ata duhet të vazhdonin të vepronin. Duke i shpjeguar se bekimi që ai kishte marrë ishte ende nën veprim, ajo i sugjeroi përsëri që të përgjëroheshin në lutje, ashtu siç bënë Apostujt e lashtë: ‘[Zot], na e shto besimin’ (Lluka 17:5). Lutja përfshiu një shprehje mirëbesimi në fuqinë e priftërisë dhe një zotim për të këmbëngulur në bërjen e çdo gjëje që mund të kërkohej në mënyrë që bekimi të nderohej – nëse ai bekim në atë kohë ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Pak pasi e dhanë këtë lutje të thjeshtë, gjendja e djalit u përmirësua.

Veprimi besnik i nënës dhe i djalit të saj ndihmoi që të ftohej fuqia e premtuar e priftërisë. … Shërimi i këtij djali 13-vjeçar nuk ndodhi deri pas besimit të tyre dhe u përmbush ‘sipas besimit të tyre në lutjet e tyre’ (DeB 10:47)” (“Kërkoni me Besim”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 96).

Lluka 19:1–10. Zakeu, kryetar midis tagrambledhësve

Për më shumë informacion rreth Zakeut, drejtojuni New Testament Student Manual ([manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 177).