Biblioteka
Mësimi 43: Lluka 1


Mësimi 43

Lluka 1

Hyrje

Engjëlli Gabriel iu shfaq Zakarias dhe lajmëroi se Zakaria dhe gruaja e tij, Elizabeta, do të kishin një djalë, të cilit duhet t’ia vinin emrin Gjon. Gjashtë muaj më vonë, i njëjti engjëll iu shfaq Maries dhe e lajmëroi se ajo do të ishte nëna e Birit të Perëndisë. Maria e vizitoi Elizabetën dhe ato u gëzuan në ardhjen e Shpëtimtarit. Tre muaj më vonë, Elizabeta lindi Gjonin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 1:1–4

Lluka shpjegon arsyet përse e shkroi Ungjillin e tij

Paraqitni figurat vijuese dhe u kërkoni studentëve të shpjegojnë atë që po ndodh në secilën prej tyre: Jozefi dhe Maria Udhëtojnë për në Bethlehem (Libri i Figurave Artistike [2009], nr. 29; shih edhe LDS.org), Engjëlli u Shfaqet Barinjve (nr. 31), Simeoni Nderon Krishtin Foshnjë (nr. 32), Jezusi Fëmijë në Tempull (nr. 34), Samaritani i Mirë (nr. 44), Maria dhe Marta (nr. 45) dhe Dhjetë Lebrozët (nr. 46). Vini në dukje se këto dhe shumë ngjarje e mësime të tjera nga shërbesa në vdekshmëri e Shpëtimtarit u shënuan nga Lluka, por nuk janë në ungjijtë e Mateut, Markut dhe Gjonit.

Pamja
Jozefi dhe Maria Udhëtojnë për në Bethlehem
Pamja
Engjëlli iu Shfaqet Barinjve
Pamja
Simeoni Nderon Krishtin Foshnjë
Pamja
Krishti në Tempull

Krishti në Tempull, nga Heinrich Hofmann; me mirësinë e C. Harrison Conroy Co., Inc.

Pamja
Samaritani i Mirë
Pamja
Maria dhe Marta
Pamja
Dhjetë Lebrozët

© Providence Collection/Licensed from GoodSalt.com

Paraqitni shkurtimisht Ungjillin e Llukës, duke shpjeguar që Lluka e filloi Ungjillin e tij duke iu drejtuar dikujt të quajtur “Teofil” (vargu 3) dhe shpjegoi arsyet përse e shkroi atë. Teofil do të thotë “mik i Perëndisë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Theophilus” [“Teofil”]). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyet e Llukës përse e shkroi atë.

  • Cilat janë disa nga arsyet e Llukës përse e shkroi këtë rrëfim?

  • Bazuar te Lluka 1:4, çfarë mund të bëjë për ne studimi i Ungjillit të Llukës?

Sigurojini studentët që ndërsa e studiojnë Ungjillin e Llukës, ata mund të arrijnë ta “njoh[in] vërtetësinë” (vargu 4) e të vërtetave që iu janë mësuar për Jezu Krishtin.

Lluka 1:5–25

Engjëlli Gabriel i shpall Zakarias lindjen e ardhshme të Gjonit dhe Elizabeta ngjizet

Kërkojuni studentëve të përsiatin për një bekim ose një përgjigje nga Perëndia për të cilën po presin apo shpresojnë. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 1, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë kur presin një bekim ose përgjigje nga Perëndia.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:5–7 dhe ftojeni klasën të kërkojë se kush kishte pritur një bekim të veçantë për pjesën më të madhe të jetës së tyre.

  • Çfarë hollësish mësojmë nga këto vargje për Zakarian dhe Elizabetën?

Përmblidheni Llukën 1:8–10, duke shpjeguar se Zakaria qe caktuar të digjte temjan në tempullin e Jeruzalemit, nder që i jepej një prifti ndoshta vetëm një herë në jetën e tij.

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 1:11–13, duke kërkuar atë që ndodhi ndërsa Zakaria ishte në tempull.

  • Sipas vargut 13, cila lutje do të merrte përgjigje për Zakarian dhe Elizabetën? (Vini në dukje se Zakaria dhe Elizabeta ka gjasa të jenë lutur për shumë vite që të kishin një fëmijë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “lutja jote u plotësua” në këtë varg.)

  • Si mund të jetë ndier Zakaria kur dëgjoi se ai dhe Elizabeta do të kishin një djalë, edhe pse ata ishin “të kaluar në moshë”? (vargu 7).

Përmblidheni Llukën 1:14–17, duke shpjeguar që engjëlli Gabriel i tha Zakarias se ai dhe Elizabeta do të “[kishin] gëzim dhe hare” (vargu 14), dhe se djali i tyre do të përgatiste shumë njerëz për Zotin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:18–20, dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si iu përgjigj Zakaria engjëllit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë i ndodhi Zakarias për shkak se dyshoi te fjalët e engjëllit?

  • Sipas vargut 20, çfarë tha engjëlli se do t’u ndodhte fjalëve që i tha Zakarias? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Fjalët e Zotit, të thëna nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, do të përmbushen në kohën e tyre. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Çfarë do të thotë fraza “në kohën e tyre”? (Sipas kohës së Zotit.)

Referojuni fjalisë në tabelë dhe bëni pyetjen:

  • Si mund të ndikojë njohuria për këtë të vërtetë në mënyrën se si reagojmë ndaj premtimeve të Zotit? (Pasi studentët të përgjigjen, rishikojeni të vërtetën në tabelë për të krijuar thënien vijuese: Ne mund t’u mirëbesojmë premtimeve të Zotit, për shkak se fjalët e Tij do të përmbushen në kohën e tyre.)

  • Si mund ta ndihmojë kjo e vërtetë një person, i cili mezi pret që një premtim hyjnor të përmbushet?

Përmblidheni Llukën 1:21–24, duke shpjeguar se kur Zakaria u largua nga tempulli, ai nuk mund të fliste. Elizabeta më vonë ngeli shtatzënë, ashtu siç kishte premtuar engjëlli.

Kërkojini një studenti (më mirë një të reje) që të lexojë me zë të lartë fjalët e Elizabetës te Lluka 1:25. Ftojeni klasën të marrë parasysh se si mund të jetë ndier Elizabeta ndërkohë që përgatitej për të lindur një fëmijë. Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni që thënia e Elizabetës se Zoti e kishte “hequr turpin [e saj] përpara njerëzve” mund t’i referohet turpit që ajo kishte përjetuar për shkak të një pikëpamjeje të gabuar të zakonshme në kulturat e lashta, se të qenit pa fëmijë ishte një ndëshkim nga Perëndia.

Lluka 1:26–38

Engjëlli Gabriel i shpall Maries lindjen e ardhshme të Jezusit

Pamja
Engjëlli Gabriel i shfaqet Maries

Engjëlli Gabriel i shfaqet Maries

Paraqitni figurën Lajmërimi i Lindjes së Jezusit: Engjëlli Gabriel i Shfaqet Maries (Libri i Figurave Artistike, nr. 28; shih edhe LDS.org) dhe u kërkoni studentëve të përfytyrojnë se si do të ndiheshin nëse një engjëll do t’u shfaqej atyre papritur. Përmblidheni Llukën 1:26–27, duke shpjeguar se në muajin e gjashtë të shtatzënisë së Elizabetës, engjëlli Gabriel u dërgua te Maria, një e re në Nazaret.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:28–33. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë frazat që mund ta kenë ndihmuar Marien të kuptonte rëndësinë e detyrës që Perëndia po i jepte asaj.

  • Cilat fraza mund ta kenë ndihmuar Marien të kuptonte rëndësinë e detyrës që Perëndia po i jepte asaj?

  • Çfarë do të thotë titulli “Biri i Shumë të Lartit” (vargu 32)? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Atit.)

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 1:34, duke kërkuar pyetjen e Maries. Ftojini ata të raportojnë për atë që gjejnë. Shpjegoni se thënia e Maries “unë nuk njoh burrë” do të thotë se ajo ishte e virgjër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:35–37 dhe vërini studentët të kërkojnë përgjigjen e engjëllit për pyetjen e Maries.

Shpjegoni se ne nuk e dimë, përtej rrëfimeve në shkrimet e shenjta, se si ndodhi mrekullia e ngjizjes së Jezu Krishtit; neve thjesht na thuhet se ishte një mrekulli dhe se fëmija që do të lindej do të ishte Biri i Perëndisë.

  • Siç shënohet te Lluka 1:37, çfarë të vërtete tha engjëlli që ndihmon për të shpjeguar këtë ngjarje të mrekullueshme? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Me Perëndinë asgjë s’është e pamundur. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mendoni ju, çfarë mund të thonë Maria ose Elizabeta për të na nxitur, nëse mendojmë se diçka për të cilën shpresojmë është e pamundur?

  • A keni një përvojë që e ka forcuar bindjen tuaj se asgjë nuk është e pamundur me Perëndinë?

Ftojini studentët të lexojnë me zë të lartë Llukën 1:38, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Maria engjëllit.

  • Çfarë prove shihni në këtë varg që tregon se Maria i besoi fjalët e engjëllit?

  • Si ndryshonte pranimi nga ana e Maries të fjalëve të engjëllit nga reagimi i Zakarias ndaj lajmërimit të engjëllit në tempull?

Nxitini studentët të ndjekin shembujt e Maries dhe të Elizabetës, duke besuar se në jetën e tyre vetjake gjithçka që Zoti do të kërkojë prej tyre nuk do të jetë e pamundur me ndihmën e Tij.

Lluka 1:39–56

Maria e viziton Elizabetën dhe të dyja gratë dëshmojnë për Shpëtimtarin

Pamja
Maria dhe Elizabeta

Maria viziton Elizabetën

Nëse është e mundur, paraqitni një figurë të Maries që e viziton Elizabetën gjatë shtatzënisë së Elizabetës. Pyetini studentët nëse ata mund të përcaktojnë se kush është portretizuar dhe çfarë po ndodh në figurë.

  • Maria dhe Elizabeta mund të duken si gra të zakonshme, por në çfarë mënyrash ato po përmbushnin role të rëndësishme që do ta ndryshonin botën?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 1:41–45. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dëshminë që Elizabeta i dha Maries.

  • Çfarë kuptonte tashmë Elizabeta për Marien?

Ftojeni një student (më mirë një të re) që të lexojë me zë të lartë Llukën 1:46–49. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Maria e përlëvdoi Zotin.

  • Çfarë fraze të shënuar te vargu 49 përdori Maria, për të përshkruar atë që Zoti kishte bërë për të? (“Gjëra të mëdha.”)

Ftojini studentët të rilexojnë në heshtje Llukën 1:38, 45–46, për të parë atë që kishte bërë Maria, që e lejoi Zotin të bënte “gjëra të mëdha” për të.

  • Çfarë kishte bërë Maria që e lejoi Zotin të bënte “gjëra të mëdha” për të?

Vini në dukje që ashtu si Zakaria, Elizabeta dhe Maria duhej të luanin rolin e tyre në planin hyjnor, edhe ne kemi role të rëndësishme të caktuara nga Zoti.

  • Bazuar në shembullin e Maries, çfarë do të ndodhë në jetën tonë nëse përpiqemi besnikërisht për t’i përmbushur rolet që Zoti ka për ne? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse përpiqemi besnikërisht për t’i përmbushur rolet që Zoti ka për ne, Ai mund të bëjë gjëra të mëdha në jetën tonë.)

  • Cilat janë disa nga rolet që Zoti do që ju të përmbushni në planin e Tij?

  • Çfarë mund të ndodhë në jetën tuaj nëse ju i përgjigjeni Zotit ashtu siç bëri Maria?

Lluka 1:57–80

Gjon Pagëzori u lind

Përmblidheni Llukën 1:57–80, duke shpjeguar që pasi Elizabeta lindi, Zakaria pohoi se fëmija duhej të quhej Gjon. Kur e bëri këtë, ai e rifitoi menjëherë aftësinë për të folur dhe profetizoi rreth misionit të Jezu Krishtit dhe Gjonit.

Dëshmoni se kur ne i përmbushim me besnikëri rolet tona hyjnore, ashtu siç bëri Zakaria, Elizabeta dhe Maria, Zoti mund të bëjë gjëra të mëdha për ne dhe nëpërmjet nesh. Nxitini studentët të përmbushin vetë rolet e tyre në planin e Zotit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 1:34–35. Ngjizja e Jezu Krishtit

Ndërsa ju jepni mësim Llukën 1:34–35, mund të ngrihen pyetje lidhur me ngjizjen e Jezu Krishtit. Nëse ngrihen pyetje, mbani në mendje këtë këshillë nga Presidenti Li:

“Nëse mësuesit do të ishin të mençur kur flasin për [ngjizjen e Jezu Krishtit], rreth së cilës Zoti ka thënë veçse pak, ata do ta mbështetnin diskutimin e tyre për këtë temë thjesht me fjalët që janë shënuar për këtë temë te Lluka 1:34–35. …

Lëreni Zotin ta mbështetë çështjen e Tij me këtë shpallje dhe prisni gjersa Ai ta shohë të përshtatshme të na tregojë më shumë” (The Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams [1996], f. 14).

Lluka 1:38. “Le të më ndodhë sipas fjalës sate”

Përkthimi grek i Llukës të fjalëve të Maries, reflektojnë forcën e vendimit të saj. Ajo nuk u nënshtrua pa dëshirë, por e pranoi vendosmërisht rolin e saj në planin e shpëtimit, sikur të thoshte, “Patjetër që po. Unë do të jem shërbëtorja e Zotit, siç e the edhe ti”. (Për më tepër ide mbi përgjigjen e Maries, shihni seksionin për Llukën 1:38New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 142.)

Lluka 1:76. “Profet nga Shumë i Larti”

Zakaria dhe Elizabeta ishin të dy pasardhës të Aaronit, nga prejardhja e të cilit vinin të gjithë priftërinjtë dhe priftërinjtë e lartë të Izraelit. Prandaj Gjoni ishte një trashëgimtar nga gjaku i Priftërisë Aarone dhe i udhëheqjes së saj. Profeti Jozef Smith dha mësim se “Gjoni ishte një prift si ati i tij dhe mbante çelësat e Priftërisë Aarone” [në History of the Church, 5:257].