Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Plani i Shpëtimit – Hyrje te Dhiata e Re dhe Konteksti i Saj (Njësia 1)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Plani i Shpëtimit – Hyrje te Dhiata e Re dhe Konteksti i Saj (Njësia 1)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Pjesa në vijim është një përmbledhje e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan katër mësimet e studentit për studimin në shtëpi për njësinë 1. Dijenia mbi atë që studentët kanë studiuar, do t’ju ndihmojë të përgatiteni për orën mësimore. Përmbledhja nuk është pjesë e mësimit dhe nuk ka për qëllim të ndahet me studentët. Për shkak se mësimi që ju do të jepni për njësinë 1 përqendrohet vetëm te disa prej doktrinave dhe parimeve që renditen te përmbledhja, ndonjëherë ju do të keni mbresa për të shqyrtuar apo diskutuar doktrina ose parime të tjera sipas nxitjeve të Shpirtit dhe nevojave të studentëve tuaj.

Dita 1 (Plani i Shpëtimit)

Gjatë studimit të tyre të planit të shpëtimit, studentët mësuan se Jezu Krishti u zgjodh në jetën para lindjes për të qenë Shëlbuesi i njerëzimit dhe se nën drejtimin e Atit Qiellor, Ai krijoi këtë tokë. Ata gjithashtu mësuan të vërtetat vijuese: Jezu Krishti erdhi për të na shpëtuar nga mëkatet tona. Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen. Jezu Krishti do ta gjykojë të gjithë njerëzimin. Nëse ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe jetojmë sipas ungjillit të Tij, atëherë ne mund të marrim jetë të përjetshme.

Dita 2 (Roli i Nxënësit)

Studentët mësuan se Fryma e Shenjtë jep mësim të vërtetën. Ata gjithashtu përcaktuan se, nëse kërkojmë të mësojmë me anë të besimit, atëherë ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për të vërtetën.

Dita 3 (Studimi i Shkrimeve të Shenjta)

Studentët mësuan rëndësinë e leximit të të gjithë Dhiatës së Re dhe të studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë. Veç këtyre, studentët zbuluan se nevoja jonë për shkrimet e shenjta është më e madhe sot sesa në çdo kohë të mëparshme dhe se kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të marrim urtësi, dritë, të vërtetë, korrigjim dhe udhëzim që do të na udhëheqin drejt shpëtimit. Ata gjithashtu përcaktuan se, kur i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, ne marrim “uji[n e] gjallë”, apo ushqimin shpirtëror, për të cilin kemi nevojë.

Dita 4 (Hyrje te Dhiata e Re dhe Konteksti i Saj)

Studentët mësuan se, ndërsa njihen me kontekstin historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, ata mund t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë mësimet në të. Ata gjithashtu mësuan se Jezu Krishti u dërgua për t’u sjellë shpëtim të gjithë njerëzve dhe se, ndërsa vijmë te Jezu Krishti, ne do të kemi një dëshirë më të madhe për t’i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai.

Hyrje

Ky mësim synon t’i përgatitë dhe nxitë studentët që ta studiojnë Dhiatën e Re, duke u paraqitur atyre një temë madhore që gjendet te mësimet e Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij të hershëm. Ndërkohë që studentët e studiojnë Dhiatën e Re, ata do të mësojnë se si t’i përgjigjen ftesës së përsëritur të Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai dhe për të marrë ndihmën dhe drejtimin e Tij në jetën e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hyrje te Dhiata e Re

Dhiata e Re na ndihmon të vijmë te Jezu Krishti

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Cilat janë disa barrë të vështira që përjeton rinia në kohën tonë?

Sillni në klasë një kuti bosh ose një çantë shpine, dhe objekte të rënda që t’i vendosni në kuti apo në çantën e shpinës, të tillë si gurë të mëdhenj ose libra. Ftojeni një student të vijë përpara dhomës dhe kërkojini atij ose asaj ta mbajë kutinë bosh ose të vërë çantën e shpinës. Vëreni klasën t’i përgjigjet pyetjes së shkruar në tabelë dhe kërkojini një studenti tjetër t’i renditë përgjigjet e studentëve në tabelë. Pas çdo përgjigjeje, vendoseni një objekt të rëndë në kuti ose në çantën e shpinës derisa të jetë plot.

  • Si do të ndiheshit nëse do t’u duhej ta mbanit gjithë ditën këtë barrë?

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë sfidat apo vështirësitë që disa nga barrët e renditura në tabelë mund t’i shkaktojnë dikujt.

Shpjegoni se Dhiata e Re jep mësim rreth shërbesave të Jezu Krishtit në vdekshmëri dhe pas ringjalljes, përfshirë mësimet, mrekullitë, flijimin shlyes dhe vizitat e Tij te dishepujt e hershëm të kishës. Gjatë gjithë mësimeve dhe ndërveprimeve të Tij me të tjerët ka një të vërtetë që përsëritet, e cila mund të na ndihmojë për barrët që mbajmë.

Shpjegoni se Mateu 11 përfshin një shembull të kësaj teme madhore që studentët do ta shohin shpesh gjatë studimit të tyre të Dhiatës së Re këtë vit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 11:28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit për ata që mbajnë barrë të vështira.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë i munduar dhe i rënduar?

  • Çfarë tha Shpëtimtari se duhet të bëjmë për të marrë çlodhjen e Tij? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë parimin në vijim: Kur vijmë te Jezu Krishti me barrët tona, Ai do të na japë çlodhje.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të vish te Jezu Krishti?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të vish te Krishti, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 11:29–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar udhëzimet e Shpëtimtarit për ata që dëshirojnë të vijnë tek Ai.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë ne që të vijmë te Krishti?

Vizatoni në tabelë figurën e një zgjedhe për qe, ose tregoni figurën e një zgjedhe.

Pamja
zgjedhë prej druri

Shpjegoni se zgjedha është një binar prej druri që lidh ose bashkon një pendë qesh apo kafshësh të tjera, duke bërë të mundur që ato ta tërheqin së bashku një ngarkesë.

  • Cili është qëllimi i një zgjedhe dhe dobia e saj? (Ndonëse zgjedha është një peshë ose një barrë, ajo i lejon të dyja kafshët ta bashkojnë fuqinë dhe forcën e tyre, duke rritur në këtë mënyrë prodhimtarinë e tyre.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të marrësh mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si ne mund ta marrim mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit dhe çfarë bekimesh mund të marrim duke e bërë këtë.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Një zgjedhë i vendos kafshët krah për krah, që të mund të lëvizin së bashku me qëllim që ta përmbushin një detyrë.

Merrni parasysh ftesën veçanërisht individuale të Zotit për të ‘[marrë] mbi vete zgjedhën time’. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të. Në thelb, Shpëtimtari po na bën thirrje që të mbështetemi tek Ai dhe të tërheqim së bashku me Të, edhe pse përpjekjet tona më të mira nuk janë të barabarta dhe as që mund të krahasohen me përpjekjet e Tij. Kur i mirëbesojmë Atij dhe e tërheqim barrën tonë me Të gjatë udhëtimit të vdekshmërisë, me të vërtetë zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë.

Ne nuk jemi dhe kurrë nuk na duhet të jemi vetëm. Ne mund të shtyjmë përpara në jetën tonë të përditshme me ndihmën qiellore. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit ne mund të marrim aftësi dhe ‘forcë përtej vetvetes’ (‘Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek’, Himne, nr. 137)” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 88).

  • Çfarë “[zgjedhe] na lidh” ne me Shpëtimtarin Jezu Krisht?

  • Sipas Plakut Bednar, cilat janë bekimet e të qenit i lidhur me zgjedhën e Shpëtimtarit?

Vini në dukje se premtimi i Shpëtimtarit për “çlodhje” te Mateu 11:28–29, nuk do të thotë domosdoshmërisht se Ai do t’i largojë problemet apo sfidat tona. Shpesh Shpëtimtari do të na japë paqen dhe forcën që na nevojiten për t’i kapërcyer ose duruar sprovat tona, duke i bërë në këtë mënyrë më të lehta barrët tona. Nëse jemi besnikë gjatë sfidave të vdekshmërisë, çlodhja përfundimtare që do të marrim, është ekzaltimi me Perëndinë (shih DeB 84:23–24).

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si Shpëtimtari u ka dhënë atyre çlodhje kur kanë ardhur tek Ai. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës përvojat e tyre.

Ftojini studentët të vendosin synime të posaçme lidhur me mënyrat se si mund të vijnë te Jezu Krishti gjatë gjithë këtij viti të studimit të Dhiatës së Re. Nxitini ata që të përfshijnë në synimet e tyre studimin e shkrimeve të shenjta çdo ditë dhe leximin e të gjithë Dhiatës së Re këtë vit.

Një Vështrim i Shkurtër i Dhiatës së Re

Librat te Dhiata e Re dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari ynë

Shkruajini në tabelë emrat e shkruesve të katër Ungjijve: Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni. Shpjegoni që secili prej këtyre dishepujve të Jezu Krishtit shënoi ngjarje dhe mësime nga jeta e Shpëtimtarit. Analet e tyre quhen Ungjijtë. Fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it e ndryshoi titullin e secilit Ungjill në dëshmi, si te “Dëshmia e Shën Mateut”.

  • Përse është e dobishme që kemi më shumë se një ungjill ose dëshmi për jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit?

Shpjegoni që edhe pse të katër Ungjijtë ndryshojnë në disa hollësi dhe këndvështrime, ata të gjithë tregojnë ngjarjet e jetës dhe të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit midis judenjve. Që të katër Ungjijtë dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Drejtojini studentët te diagrami “Një Vështrim i Shpejtë i Jetës në Vdekshmëri të Jezu Krishtit”, në fund të Njësisë 1: Mësimi i ditës 4. Ftojini ata që ta përdorin diagramin për të përcaktuar disa ngjarje madhore në shërbesën e Shpëtimtarit në vdekshmëri.

  • Sipas diagramit, sa e gjatë ishte shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri?

  • Ku ishte Shpëtimtari gjatë pjesës më të madhe të shërbesës së Tij?

Ftojini studentët ta përdorin këtë diagram për të kuptuar më mirë kontekstin e katër Ungjijve ndërsa e studiojnë Dhiatën e Re.

Ftojini studentët të hapin tabelën e përmbajtjes së Biblës. Shpjegoni se, ndërsa Ungjijtë japin një rrëfim të shërbesës së Shpëtimtarit, librat nga Veprat e Apostujve deri te Zbulesa shënojnë shërbesën e Apostujve të lashtë të Krishtit pas Kryqëzimit, Ringjalljes dhe Ngjitjes së Tij në qiell. Këta Apostuj udhëtuan nëpër të gjithë tokën e Izraelit dhe Perandorinë Romake duke predikuar ungjillin dhe duke krijuar degë të Kishës. Duke i studiuar këto vepra dhe shkrime të Apostujve, ne mund ta forcojmë besimin tonë te Shpëtimtari dhe të mësojmë se si t’i marrim bekimet e Shlyerjes së Tij. Ne gjithashtu mund të shohim se sa shumë ngjason Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me kishën e lashtë të Jezu Krishtit.

Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj për Dhiatën e Re dhe ftojini studentët të kërkojnë të vërteta që do t’i bekojnë ata ndërsa e studiojnë jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij në Dhiatën e Re.

Njësia Tjetër (Mateu 1–5)

Shpjegoni se në njësinë tjetër studentët do të mësojnë disa nga hollësitë rreth lindjes së Birit të Perëndisë. Ata gjithashtu do të studiojnë mësimet e Jezu Krishtit rreth mënyrës se si të jesh vërtet i lumtur në këtë jetë dhe të bëhesh i përsosur si Ati Qiellor.