Biblioteka
Mësimi 5: Konteksti dhe Vështrimi i Përgjithshëm i Dhiatës së Re


Mësimi 5

Konteksti dhe Vështrimi i Përgjithshëm i Dhiatës së Re

Hyrje

Në këtë mësim, studentët do të mësojnë rreth kontekstit historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, përfshirë faktorët që dhanë ndihmesë te fakti që shumë judenj nuk e pranuan Jezusin si Mesia dhe Shpëtimtar. Studentët gjithashtu do të mësojnë rreth strukturës së Dhiatës së Re.

Sugjerime për Mësimdhënien

Konteksti i Dhiatës së Re

Pamja
hollësi të pikturës, Stefani
Pamja
Stefani Sheh Jezusin në të Djathtë të Perëndisë

Paraqitni një pjesë të figurës Stefani Sheh Jezusin në të Djathtë të Perëndisë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 63; shih edhe LDS.org), duke përdorur letër ose ndonjë material tjetër për të mbuluar çdo gjë në figurë përveç Stefanit (burrit me cohën blu në kokë).

Ftojini studentët të përshkruajnë atë që po ndodh në figurë. Pyetini ata se përse mendojnë se burri është në tokë dhe po e zgjat dorën. Pasi studentët të përgjigjen, zbuloni pjesën tjetër të figurës.

  • Si ju ndihmon të parit e të gjithë figurës për të kuptuar atë që po ndodh?

Ftojini studentët të lexojnë Veprat e Apostujve 7:56–59, për të kuptuar se kjo figurë tregon Stefanin, një dishepull të Jezu Krishtit, duke u goditur me gurë deri në vdekje dhe duke parë Jezusin që qëndronte në të djathtë të Perëndisë.

  • Si mund ta krahasojmë ne zbulimin e kësaj figure me të kuptuarin e shkrimeve të shenjta?

Shpjegoni se kjo veprimtari ilustron rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit të shkrimeve të shenjta. Fjala kontekst ka të bëjë me rrethanat që e shoqërojnë apo i japin sfond fragmentit, ngjarjes ose historisë në shkrimet e shenjta. Vini në dukje se kur studentët njihen me kontekstin historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, ata mund t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë mësimet në të.

Udhëheqësit fetarë judenj gjatë shërbesës së Shpëtimtarit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 10:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalët ose frazat që përdori profeti Jakob për të përshkruar gjendjen shpirtërore midis disa judenjve gjatë shërbesës së Shpëtimtarit.

  • Çfarë fjalësh ose frazash përdori Jakobi për të përshkruar gjendjen shpirtërore midis disa judenjve? (Shpjegoni se fjalët intrigat e priftërinjve te vargu 5, i referohen predikimit që kërkon “fitime dhe të ke[të] lëvdata nga bota” më tepër sesa mirëqenien e popullit të Perëndisë [2 Nefi 26:29]. Ata të cilët ishin fajtorë për intrigat e priftërinjve, ishin së pari udhëheqës fetarë të ligj midis judenjve që po i çonin njerëzit në rrugë të gabuar.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 23:16, 24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Shpëtimtari këta udhëheqës fetarë judenj gjatës shërbesës së Tij.

  • Si i përshkroi Shpëtimtari këta udhëheqës fetarë judenj?

  • Çfarë na mësoi Shpëtimtari rreth këtyre udhëheqësve duke i thirrur ata “udhëheqës të verbër”?

Informacione shtesë për ligjin e Moisiut dhe filozofi të tjera të rreme

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se si udhëheqësit fetarë i çonin njerëzit në rrugë të gabuar, vizatoni një rreth në tabelë dhe shkruani Ligji i Moisiut në qendër të tij. Vizatoni një rreth tjetër rrotull rrethit të parë dhe emërtojeni Ligji Gojor.

Shpjegoni se në mungesë të profetëve, mësuesit dhe udhëheqësit judenj i shtuan ligjit vetë rregullat dhe interpretimet e tyre. I njohur ndryshe si ligji gojor, tradita gojore, apo traditat e pleqve, këto rregulla dhe interpretime të shtuara kishin për qëllim të parandalonin shkeljen e ligjit të Perëndisë. Për të treguar me shembull një nga këto rregulla, ftojini dy studentë të vijnë përpara klasës. Jepini secilit prej tyre një litar me një nyjë. Kërkojini një studenti që ta zgjidhë nyjën duke përdorur vetëm njërën dorë dhe kërkojini studentit tjetër që ta zgjidhë nyjën duke i përdorur të dyja duart. Pasi ta bëjnë këtë përpjekje, ftojini ata të kthehen në karriget e tyre.

Shpjegoni se sipas ligjit gojor, ishte e ndaluar të zgjidhje një nyje me të dyja duart në Shabat. Bërja e kësaj konsiderohej punë, dhe si rrjedhojë, shkelje e ditës së Shabatit. Megjithatë, lejohej zgjidhja e një nyjeje vetëm me njërën dorë.

  • Cili mund të ishte rreziku i shtimit të rregullave të krijuara nga njeriu tek urdhërimet e Perëndisë?

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, lidhur me disa udhëheqës fetarë judenj:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ata i morën gjërat e qarta dhe të thjeshta të fesë së pastër dhe u shtuan atyre një mori interpretimesh vetjake; ata i zbukuruan ato me rite dhe shfaqje të tjera; dhe morën një mënyrë të lumtur e të gëzueshme adhurimi dhe e kthyen në një sistem kufizues, të mangët e të mërzitshëm ritesh dhe shfaqjesh. Shpirti i gjallë i ligjit të Zotit u bë në duart e tyre shkronja e vdekur e ritualizmit të judenjve” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 1:238).

  • Sipas Plakut Mek-Konki, çfarë i kishin bërë udhëheqësit fetarë judenj ligjit të Perëndisë me interpretimet e tyre të shtuara?

Vini në dukje se judenjtë në kohën e Jezusit ishin në një gjendje braktisjeje. Ndonëse autoriteti dhe ordinancat e Priftërisë Aarone vazhduan midis tyre, shumë prej judenjve ishin larguar nga ushtrimi i vërtetë i fesë së tyre, siç iu zbulua Moisiut nga Perëndia (shih DeB 84:25–28). Tradita e pleqve kishte marrë përparësi mbi fenë e pastër dhe fjalën e shkruar të Perëndisë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 12:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që farisenjtë donin të bënin ndaj Jezusit ngaqë Ai nuk pajtohej me autoritetin e tyre dhe disa nga traditat e tyre gojore.

  • Çfarë komplotuan t’i bënin Jezusit këta udhëheqës fetarë?

Shpjegoni se përveç traditave braktisëse të judenjve, filozofi të tjera të rreme ndikuan në mospranimin e Jezu Krishtit nga njerëzit pas Ringjalljes së Tij. Për shembull, përhapja e kulturës greke i çoi shumë njerëz në mospranimin e realitetit të një ringjalljeje fizike (shih 1 Korintasve 15:12). Si rrjedhojë, kur Apostujt dëshmuan për Shpëtimtarin e ringjallur pas Kryqëzimit të Tij, shumë njerëz i hodhën poshtë dëshmitë e tyre.

Sundimi i huaj dhe pritja e një Mesie për ta çliruar Izraelin

Shkruajini fjalët vijuese në tabelë: Babiloni, Persi, Maqedoni (Greqi) dhe Romë.

  • Lidhur me judenjtë, çfarë kishin të përbashkët këto perandori të lashta? (Ata i kishin pushtuar dhe sunduar judenjtë.)

Ndajini studentët në grupe dhe jepini secilit grup fletushkën e mëposhtme:

Përveç një periudhe të shkurtër pavarësie, deri në kohët e Dhiatës së Re, judenjtë kishin jetuar si një popull i pushtuar për më shumë se 500 vjet. Një revoltë e drejtuar nga makabenjtë, një familje patriotësh judease, çoi drejt pavarësisë rreth 160 vjet përpara lindjes së Krishtit. Megjithatë, deri në kohën e lindjes së Krishtit, Izraeli ishte i pushtuar nga Roma. Mbreti Herod (i njohur edhe si Herodi i Madh), i cili ishte martuar në familjen e Makabenjve, u caktua nga Roma për të sunduar mbi Izraelin. Judenjtë e kundërshtuan sundimin romak dhe pritën me padurim për Mesian e premtuar, për të cilin ata besonin se do t’i çlironte nga romakët. Për shkak se shumë judenj prisnin një Mesia që do t’i çlironte nga sundimi i huaj, ata nuk e pranuan Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tyre.

Kërkojuni studentëve të lexojnë fletushkën dhe të diskutojnë mbi pyetjet vijuese si një grup (ju mund të doni t’i kopjoni këto pyetje në tabelë):

  • Çfarë prisnin shumë judenj nga Mesia që do të vinte?

  • Si mendoni ju, përse kjo pritje e rreme i shtyu shumë judenj të mos e pranonin Jezusin si Mesia?

Shpjegoni se ndërkohë që shumë judenj nuk e pranuan Krishtin, të tjerë që ishin të përulur dhe të ndjeshëm shpirtërisht, e pranuan Atë si Mesia dhe Shpëtimtar.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 2:25–33. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që një burrë i drejtë i quajtur Simeon bëri dhe tha kur Jozefi dhe Maria e sollën Jezusin në tempull kur ishte foshnjë.

  • Sipas vargjeve 30–32, përse u dërgua Jezusi në tokë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti u dërgua për t’u sjellë shpëtim të gjithë njerëzve.)

  • Çfarë bëri Jezu Krishti për t’i lejuar të gjithë njerëzit që të shpëtohen?

Paraqitni figurën e Stefanit që u tregua në fillim të mësimit. Nxitini studentët të kujtojnë kontekstin kulturor dhe historik që keni diskutuar ndërsa studiojnë Dhiatën e Re. Teksa e bëjnë këtë, ata do t’i kuptojnë më mirë mësimet e Shpëtimtarit dhe të Apostujve të Tij. (Për informacion shtesë rreth kontekstit historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, shih “The Intertestamental Period” [“Periudha Midis Dy Dhiatave”] dhe “The New Testament Setting” [“Kuadri i Dhiatës së Re”] te New Testament Student Manual ([manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 1–3). Ky material përfshin shpjegime të shkurtra të grupeve të tilla si samaritanët, farisenjtë, saducenjtë, pjesëtarët e sinedrit dhe skribët).

Një rishikim i shkurtër i Dhiatës së Re

Pamja
Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda

Thuajuni studentëve se do t’u tregoni një figurë për 10 sekonda dhe më pas do t’i ftoni ata të shkruajnë një përshkrim të hollësishëm të asaj që panë. Tregojuni studentëve figurën Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 42; shih edhe LDS.org). Pasi 10 sekondash, lëreni mënjanë figurën dhe ftojini studentët të shkruajnë përshkrimet e tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve që t’ia lexojnë përshkrimet e tyre klasës.

  • Ndonëse ju të gjithë patë të njëjtën figurë, përse ndryshojnë përshkrimet tuaja?

  • Përse është e dobishme të kesh më shumë se një dëshmitar për një ngjarje?

Shkruajini në tabelë emrat e shkruesve të katër Ungjijve: Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni. Shpjegoni që secili prej këtyre dishepujve të Jezu Krishtit shënoi ngjarje dhe mësime nga jeta e Shpëtimtarit. Analet e tyre quhen Ungjijtë. Fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it e ndryshoi titullin e secilit Ungjill në dëshmi, si te “Dëshmia e Shën Mateut”.

  • Përse është e dobishme të kemi më shumë se një ungjill apo dëshmi për jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit?

Shpjegoni që edhe pse të katër Ungjijtë ndryshojnë në disa hollësi dhe këndvështrime, ata të gjithë tregojnë ngjarjet e jetës dhe të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit midis judenjve. Që të katër Ungjijtë dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjijtë”).

Ju mund të doni t’u jepni studentëve kopje të variantit të shkurtuar të diagramit “Një Vështrim i Shpejtë i Jetës në Vdekshmëri të Jezu Krishtit” në fund të këtij mësimi. Varianti i plotë i këtij diagrami ndodhet në shtojcën e këtij manuali. Ftojini studentët ta përdorin diagramin për të përcaktuar disa ngjarje madhore gjatë shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri.

  • Sipas diagramit, sa e gjatë ishte shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri?

  • Ku ishte Shpëtimtari gjatë pjesës më të madhe të shërbesës së Tij?

Ftojini studentët ta përdorin këtë diagram për të kuptuar më mirë kontekstin e katër Ungjijve ndërsa e studiojnë Dhiatën e Re.

Kërkojuni studentëve të hapin tabelën e përmbajtjes së Biblës. Shpjegoni se ndërsa Ungjijtë japin një rrëfim të shërbesës së Shpëtimtarit, librat nga Veprat e Apostujve deri te Zbulesa shënojnë shërbesën e Apostujve të lashtë të Krishtit pas Kryqëzimit, Ringjalljes dhe Ngjitjes së Tij në qiell. Këta Apostuj udhëtuan nëpër të gjithë tokën e Izraelit dhe Perandorinë Romake duke predikuar ungjillin dhe duke krijuar degë të Kishës. Duke i studiuar këto vepra dhe shkrime të Apostujve, ne mund ta forcojmë besimin tonë te Shpëtimtari dhe të mësojmë se si t’i marrim bekimet e Shlyerjes së Tij. Ne gjithashtu mund të shohim se sa shumë ngjason Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me kishën e lashtë të Jezu Krishtit.

Merrni parasysh të dëshmoni për të vërtetat që keni zbuluar nga studimi i Dhiatës së Re. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta që do t’i bekojnë ata ndërsa e studiojnë këtë vit Dhiatën e Re.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Periudha midis Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re

Për informacion shtesë rreth sfondit historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, shih S. Kent Brown dhe Richard Neitzel Holzapfel, “The Lost 500 Years: From Malachi to John the Baptist”, Ensign, dhjetor 2014, f. 56–60; Robert L. Millet, “Looking beyond the Mark: Why Many Did Not Accept the Messiah”, Ensign, korrik 1987, f. 60–64; dhe Richard D. Draper, “The Reality of the Resurrection”, Ensign, prill 1994, f. 32–40.

Katër Ungjijtë

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si u shkruan Ungjijtë për lexues të ndryshëm, por që i shërbyen të njëjtit qëllim, për të dhënë mësim rreth karakterit hyjnor të Jezu Krishtit:

“Është e vërtetë se të katër ungjijtë e Dhiatës së Re përfaqësojnë njëmend aspekte të ndryshme të personalitetit dhe mësimeve të Zotit tonë. Është e dukshme që Mateu po ua drejtonte ungjillin e tij judenjve. Ai e paraqit Krishtin si Mesian e premtuar dhe krishterimin si përmbushjen e judaizmit. Marku me sa duket shkroi me qëllimin për t’i bindur romakët apo johebrenjtë. Ungjilli i Llukës e prezanton Mësuesin te grekët, tek ata njerëz me kulturë e qytetari. Dhe ungjilli i Gjonit është rrëfimi për shenjtorët; ai është mbi të gjitha ungjilli për Kishën, për ata të cilët i kuptojnë shkrimet e shenjta dhe simbolikat e tyre, dhe që shqetësohen për gjërat shpirtërore dhe të përjetshme. Me sa duket të tilla qasje të shumëllojshme kanë epërsinë e madhe të paraqitjes së të vërtetave të shpëtimit njerëzve të kulturave, rrethanave dhe përvojave të ndryshme. Por fakti i thjeshtë është se të gjithë autorët e ungjillit shkruan me anë të frymëzimit dhe të gjithë kishin të njëjtat qëllime: 1. Të dëshmonin për Birërinë hyjnore të Zotit tonë; dhe 2. Të dëshmonin për të vërtetat e planit të shpëtimit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 336).

Libri i Veprave të Apostujve deri te libri i Zbulesës

Libri i Veprave të Apostujve shënon disa nga veprimtaritë madhore të punës misionare të Apostujve. Librat nga Romakëve deri te Juda janë letra, ose shkresa, të shkruara nga Pali dhe udhëheqës të tjerë të Kishës për t’i udhëzuar dhe lartësuar shenjtorët. Letrat e Palit janë përshtatur “sipas gjatësisë, në rend zbritës nga më i gjati (Romakëve) deri tek më i shkurtri (Filemoni). Ky është rasti, me përjashtim të letrës së Hebrenjve, e cila u vendos e fundit ngaqë disa e vunë në dyshim nëse ishte shkruar apo jo nga Pali” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Pauline Epistles” [“Letra të Palit]”). Letrat nga Jakobi deri te Juda janë quajtur si Letra të Përgjithshme “sepse nuk i janë drejtuar një personi apo dege të veçantë të Kishës” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “General Epistles” [“Letra të Përgjithshme”]). Libri i Zbulesës, i quajtur gjithashtu Apokalipsi, përmban këshillën e posaçme të Gjonit të Dashur ndaj shtatë degëve të Kishës në Azi, si dhe një zbulesë dhënë Gjonit që përmban në parim historinë e botës, sidomos ditët e fundit.

Çfarë janë katër Ungjijtë?

Katër Ungjijtë janë katër librat e parë të Dhiatës së Re. Të shkruara nga Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni, ata përmbajnë katër dëshmitë për jetën e Jezusit në vdekshmëri dhe ngjarjet që lidhen me shërbesën e Tij. Në shumë mënyra, libri i 3 Nefit në Librin e Mormonit është i ngjashëm me Ungjijtë dhe ndonjëherë quhet si “Ungjilli i Pestë”.

“Librat e Dhjatës së Re në fillim u shkruan në greqisht. Fjala greke për ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’. Lajmi i mirë është se Jezu Krishti ka bërë një shlyerje që do ta shëlbejë tërë njerëzimin prej vdekjes dhe do ta shpërblejë çdo njeri sipas veprave të tij [apo të saj]” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjijtë”, scriptures.lds.org).

Ku mund ta gjej një harmoni të ngjarjeve në katër Ungjijtë?

Një harmoni e ngjarjeve të katër ungjijve, me një tabelë që krahason mësimet e Jezu Krishtit siç shënohen te Mateu, Marku, Lluka, Gjoni dhe zbulesa e ditëve të mëvonshme, mund të gjendet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
boshti kohor i jetës në vdekshmëri të Krishtit