Biblioteka
Hyrje te Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re


Hyrje te Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re

Qëllimi Ynë

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë shpall:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 1).

Për të arritur qëllimin tonë, ne u mësojmë studentëve doktrinat dhe parimet e ungjillit siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Këto doktrina e parime u jepen mësim në një mënyrë që çon drejt kuptueshmërisë dhe ngritjes shpirtërore. Ne i ndihmojmë studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të mësuarit dhe i përgatitim ata t’ua mësojnë ungjillin të tjerëve.

Për t’i përmbushur këto synime, ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, nxiteni që të përfshini Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Nxënit të Ungjillit në vijim ndërsa i studioni shkrimet e shenjta bashkë:

  • Të japin mësim dhe të mësojnë me anë të Shpirtit.

  • Të kultivojnë një mjedis të të mësuarit, të mbushur me dashuri, respekt dhe qëllimshmëri.

  • Të studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin e kursit. [Grafikët e gjurmimit të leximit të shkrimeve të shenjta për të gjithë Dhiatën e Re mund të gjenden me Kartat e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë për Dhiatën e Re te LDS.org dhe te store.lds.org (artikulli nr. 10480).]

  • Të kuptojnë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve.

  • Të dallojnë, të kuptojnë, të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e saj, si dhe t’i zbatojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të shpjegojnë, të tregojnë e të dëshmojnë për doktrinat dhe parimet e ungjillit.

  • Të zotërojnë fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta dhe Doktrinat Bazë” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 12).

Përveç përmbushjes së këtyre synimeve, ju duhet t’i ndihmoni studentët që të jenë besnikë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit dhe të mësojnë të dallojnë të vërtetën nga gabimi. Studentët mund të kenë pyetje rreth doktrinës së Kishës, historisë ose pozicionit të saj për çështje shoqërore. Ju mund t’i përgatitni studentët për t’iu drejtuar pyetjeve të tilla duke i ndihmuar ata të “kërko[jnë] të mëso[jnë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118) dhe duke përdorur burimet te nënndarja Seek Truth [Kërkoni të Vërtetën] e si.lds.org.

Ky manual i mësuesit është përgatitur për t’ju ndihmuar të jeni të suksesshëm në përmbushjen e këtyre synimeve.

Përgatitja e Mësimit

Zoti i urdhëroi ata që e japin mësim ungjillin e Tij, që të japin “mës[im] parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit” (DeB 42:12). Ai udhëzoi më tej që këto të vërteta duhet të jepen mësim siç “drejtohen me anë të Shpirtit”, i cili “do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit” (DeB 42:13–14). Ndërsa përgatitni çdo mësim, kërkoni me lutje udhërrëfimin e Shpirtit për t’ju ndihmuar t’i kuptoni shkrimet e shenjta dhe doktrinat e parimet që ato përmbajnë. Në të njëjtën mënyrë, ndiqni nxitjet e Shpirtit teksa planifikoni mënyrën se si t’i ndihmoni studentët tuaj që t’i kuptojnë shkrimet e shenjta, të mësojnë se si t’u jepet mësim nga Fryma e Shenjtë dhe të ndiejnë dëshirën për ta zbatuar atë që mësojnë.

Në këtë kurs, Dhiata e Re është materiali juaj parësor ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim. Studiojini me lutje kapitujt apo vargjet që do të jepni mësim. Përpiquni që ta kuptoni kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë, përfshirë radhën e ngjarjeve, njerëzit, vendet dhe ndodhitë. Ndërsa njiheni me kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë, përpiquni që të dalloni doktrinat dhe parimet që ai përmban, si dhe të vendosni se cilat të vërteta janë më të rëndësishmet për studentët tuaj që t’i kuptojnë e t’i zbatojnë. Pasi të keni përcaktuar se ku do të përqendroheni, vendosni se cilat metoda, qasje dhe veprimtari do t’i ndihmojnë më mirë studentët tuaj që t’i mësojnë e t’i zbatojnë të vërtetat e shenjta që gjenden në shkrimet e shenjta.

Ky manual hartohet që t’ju ndihmojë në këtë proces. Shqyrtojeni me kujdes materialin mësimor që përputhet me bllokun e shkrimit të shenjtë që do të jepni mësim. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha sugjerimet ose një pjesë të tyre për një bllok të shkrimit të shenjtë, apo t’ua përshtatni idetë e sugjeruara nevojave dhe rrethanave të studentëve që iu jepni mësim.

Është e rëndësishme që ju t’i ndihmoni studentët ta studiojnë të gjithë bllokun e shkrimit të shenjtë në secilin mësim. Bërja e kësaj do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë mesazhin e plotë që shkruesi i shkrimit të shenjtë kishte për qëllim të përçonte. Megjithatë, teksa e planifikoni mësimin tuaj, ju mund të zbuloni se nuk keni kohë të mjaftueshme në një orë mësimore për t’i përdorur të gjitha sugjerimet për mësimdhënien në manual. Kërkoni udhëzimin e Shpirtit dhe me lutje merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj ndërkohë që përcaktoni cilat pjesë të bllokut të shkrimit të shenjtë t’i theksoni, me qëllim që t’i ndihmoni studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e të vërtetave të ungjillit dhe që t’i zbatojnë ato në jetën e tyre. Nëse keni pak kohë, mund t’ju nevojitet t’i përshtatni fragmentet e tjera të mësimit duke i përmbledhur shkurtimisht një grup vargjesh ose duke i udhëzuar studentët të përcaktojnë me të shpejtë një parim ose doktrinë përpara kalimit te grupi tjetër i vargjeve.

Ndërsa merrni parasysh mënyrën se si t’i përshtatni materialet mësimore, sigurohuni që ta ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse ngulitemi tërësisht në mësimin e përshkruar që duhet të japim, atëherë ne mund ta ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë” (“4.3.4 Decide through Inspiration”, nga “A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetimi satelitor i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, 7 gusht 2012]; LDS.org).

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i ndihmoni ata t’ia dalin mbanë. Bashkëbisedimi me prindërit dhe udhëheqësit do t’ju ndihmojë të ndërgjegjësoheni për nevojat e studentëve dhe do t’ju ndihmojë t’ia dilni me sukses në sigurimin e një përvoje kuptimplote dhe lartësuese për studentët.

Gjatë përgatitjes suaj për mësimin, ju mund të zgjidhni për të përdorur Notes and Journal tools [Mjetet e Shënimeve dhe Ditarit] në LDS.org ose në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për pajisje elektronike. Ju mund t’i përdorni këto mjete për të shenjuar shkrimet e shenjta, bisedat e konferencave, artikujt e revistave të Kishës dhe mësimet. Ju gjithashtu mund të shtoni dhe ruani shënime për përdorim gjatë mësimeve tuaja. Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si t’i përdorni këto mjete, shihni faqen Notes and Journal Help [Ndihma për Shënimet dhe Ditarin] te LDS.org.

Disa materiale në këtë manual u përshtatën nga New Testament Student Manual (Church Educational System Manual, 2014).

Përdorimi i Manualit të Mësuesit që Jep Mësim Përditë

Hyrje te Libri

Hyrjet te librat japin një vështrim të përgjithshëm për secilin libër. Mes të tjerash, ato shpjegojnë se kush e shkroi secilin libër, përshkruajnë disa tipare të dallueshme të secilit libër dhe japin një përmbledhje të përmbajtjes të secilit libër.

Hyrje te Blloku i Shkrimit të Shenjtë

Hyrjet te blloku i shkrimit të shenjtë japin një vështrim të përgjithshëm, të shkurtër mbi kontekstin dhe përmbajtjen e bllokut të shkrimit të shenjtë për secilin mësim.

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Blloqet e shkrimit të shenjtë shpesh ndahen në segmente më të vogla ose grupe vargjesh që përqendrohen mbi një temë ose veprim të veçantë. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose mësimeve brenda atij grupi vargjesh.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shpjegojnë parime dhe metoda të mësimdhënies së ungjillit. Ato mund t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për t’u përmirësuar si mësues.

Struktura e Mësimit

Struktura e mësimit përmban udhëzim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ajo sugjeron ide për mësimdhënie, duke përfshirë pyetje, veprimtari, citate, skica dhe grafikë.

Doktrinat dhe Parimet

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me shkronja të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i dalloni e të përqendroheni tek ato në diskutimin tuaj me studentët.

Fotografitë

Fotografitë e udhëheqësve të Kishës dhe të ngjarjeve nga shkrimet e shenjta përbëjnë mjete ndihmëse pamore që mund t’i paraqitni, nëse i keni në dispozicion, teksa jepni mësim.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë

25 fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që gjenden te Dhiata e Re, janë theksuar te konteksti në mësimet në të cilat shfaqen. Secili nga këto mësime përmban edhe një ide për mësimdhënien për këto fragmente. Për t’ju ndihmuar që të jeni të qëndrueshëm në mësimdhënien e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, veprimtaritë e përsëritjes së zotërimit të shkrimit të shenjtë gjenden të shpërndara nëpër të gjithë manualin. Për ide shtesë për mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë, shihni shtojcën në këtë manual ose Seminary Student Resources [Burimet për Studentin e Seminarit] te LDS.org.

Hapësira e Kolonës Bosh

Hapësira e kolonës bosh në manualin e shtypur të mësuesit mund të përdoret për përgatitjen e mësimit, përfshirë shkrimin e shënimeve, parimeve, përvojave ose ideve të tjera, siç ndiheni të nxitur nga Fryma e Shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Citate dhe shpjegime shtesë jepen në fund të disa mësimeve për ta shtuar kuptueshmërinë tuaj për kontekstin historik, konceptet e veçanta ose fragmentet e shkrimit të shenjtë. Përdoreni informacionin në këtë nënndarje për t’u përgatitur që t’u përgjigjeni pyetjeve ose të jepni ide shtesë teksa jepni mësim. Artikuj komentues shtesë mund të gjenden në variantet dixhitale të këtij manuali te LDS.org dhe në programin për pajisjet elektronike Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Ide Shtesë për Mësimdhënien

Idetë shtesë për mësimdhënien shfaqen në fund të disa mësimeve. Ato japin sugjerime për mësimdhënien e doktrinave dhe parimeve që mund të mos përcaktohen ose theksohen në strukturën e mësimit. Ato gjithashtu mund të sigurojnë sugjerime për përdorimin e mjeteve pamore, të tilla si paraqitjet me DVD dhe materialet filmike te LDS.org. Idetë shtesë për mësimdhënien mund të gjenden në variantet dixhitale të këtij manuali te LDS.org dhe në programin për pajisje elektronike Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Programi i Përditshëm i Seminarit (Gjatë Orëve të Lira Mësimore dhe Herët në Mëngjes)

Ky manual përmban elementet vijuese për mësuesit e seminarit që japin mësim përditë: 160 mësimet për mësuesit që japin mësim përditë, ndihmat për mësimdhënien, hyrjet te librat dhe burimet për mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të Doktrinave Bazë.

Hyrjet te Librat

Hyrjet te librat vendosen përpara mësimit të parë të secilit libër të shkrimit të shenjtë. Hyrjet te librat japin një vështrim të përgjithshëm për secilin libër duke u dhënë përgjigje pyetjeve vijuese: Përse të studiohet ky libër? Kush e shkroi këtë libër? Kur dhe ku u shkrua ai? Për kë u shkrua ai dhe përse? dhe Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri? Hyrjet gjithashtu përvijojnë shkurtimisht përmbajtjen e secilit libër. Mësuesit duhet ta ndërthurin në mësimet kontekstin dhe informacionin për rrethanat nga hyrjet te librat sipas nevojës.

Mësimet e Mësuesit që Jep Mësim Përditë

Formati i Mësimit

Çdo mësim në këtë manual përqendrohet te një bllok i shkrimit të shenjtë në vend që të përqendrohet te një koncept, doktrinë apo parim i veçantë. Ky format do t’ju ndihmojë ju dhe studentët tuaj që t’i studioni shkrimet e shenjta në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të diskutoni për doktrinat dhe parimet ndërsa ato dalin natyrshëm nga teksti i shkrimit të shenjtë. Teksa studentët e mësojnë kontekstin në të cilin gjendet një doktrinë apo parim, kuptueshmëria e tyre për atë të vërtetë mund të thellohet. Përveç kësaj, studentët do të jenë akoma më në gjendje ta shohin dhe ta kuptojnë qëllimin e plotë të mesazheve që kishin ndërmend të përçonin shkruesit e frymëzuar të shkrimit të shenjtë. Mësimdhënia e shkrimeve të shenjta në këtë mënyrë gjithashtu do t’i ndihmojë studentët që të mësojnë se si t’i zbulojnë e zbatojnë të vërtetat e përjetshme gjatë studimit të tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Në secilin mësim, nuk theksohen të gjitha segmentet e një blloku të shkrimit të shenjtë. Disa segmenteve iu kushtohet më pak vëmendje ngaqë janë më pak thelbësore kundrejt mesazhit të përgjithshëm të shkruesit të frymëzuar ose ngaqë mund të gjejnë më pak zbatim për rininë. Ju keni përgjegjësinë që t’i përshtatni këto materiale në përputhje me nevojat dhe interesat e studentëve që u jepni mësim. Ju mund t’i përshtatni idetë mësimore në këtë manual duke zgjedhur që t’i vini më shumë theks një doktrine apo parimi të veçantë, nga sa i është vënë në materialin mësimor, ose duke zgjedhur që t’i vini më pak theks një segmenti të bllokut të shkrimit të shenjtë i cili është shtjelluar me thellësi në manual. Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë t’i bëni këto përshtatje ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim.

Doktrinat dhe Parimet

Në strukturën e secilit mësim, ju do të zbuloni që disa doktrina dhe parime kyçe janë vënë në dukje me shkronja të theksuara. Këto doktrina e parime përcaktohen te programi mësimor pasi 1) ato pasqyrojnë një mesazh kryesor të bllokut të shkrimit të shenjtë, 2) ato gjejnë veçanërisht zbatim për nevojat dhe rrethanat e studentëve ose 3) ato janë të vërteta kyçe që mund t’i ndihmojnë studentët t’i thellojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin. Kini parasysh që Dhiata e Re jep mësim mjaft të vërteta veç atyre të përcaktuara në programin mësimor. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se shkrimet e shenjta përmbajnë “ndërthurje të pafundme të vërtetash që do të përputhen me nevojën e çdo individi në çdo rrethanë” (“The Great Plan of Happiness” [CES Symposium on the Doctrine and Covenants/Church History, 10 gusht 1993], si.lds.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 69, LDS.org).

Ndërsa jepni mësim, jepuni vazhdimisht mundësi studentëve t’i përcaktojnë doktrinat e parimet në shkrimet e shenjta. Ndërsa studentët i shprehin të vërtetat që zbulojnë, ata shpesh mund të përdorin fjalë që ndryshojnë nga mënyra se si një doktrinë apo parim përmendet në këtë manual. Ata gjithashtu mund të zbulojnë të vërteta që nuk përcaktohen në planin mësimor. Kini kujdes të mos sugjeroni që përgjigjet e studentëve janë të gabuara thjesht ngaqë fjalët që ata përdorin për t’i shprehur ato, ndryshojnë nga fjalët e përdorura në manual ose ngaqë ata përcaktojnë një të vërtetë që nuk përmendet në programin mësimor. Gjithsesi, nëse thënia e një studenti është e pasaktë nga ana doktrinore, është përgjegjësia juaj ta ndihmoni studentin me të butë që ta korrigjojë thënien e tij ose të saj, ndërkohë që ruani një mjedis dashurie e mirëbesimi. Bërja e kësaj mund të sigurojë një përvojë të rëndësishme të mësuari për studentët në klasën tuaj.

Ritmi

Ky manual përmban 160 mësime të përditshme të seminarit. Ju mund t’i përshtatni mësimet dhe ritmin sipas nevojës për periudhën e kohës që duhet ta jepni mësim këtë kurs. Shihni shtojcën në këtë manual për një model të udhëzuesit të ritmit. Udhëzuesi i ritmit bazohet mbi një vit shkollor me 36 javë ose 180 ditë dhe përfshin 20 “ditë të ndryshueshme” që ju mund t’i përdorni për t’i përshtatur mësimet e përditshme, për t’i ndihmuar studentët që t’i zotërojnë fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta dhe Doktrinat Bazë, për ta rishikuar materialin e mëparshëm, për të administruar e rishikuar detyrat e kërkuara të të mësuarit dhe për të lejuar ndërprerje të programit mësimor.

Detyra për Shlyerje

Udhëzuesi i Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi mund të përdoret në programet e përditshme të seminarit si burim për t’u dhënë studentëve detyra për shlyerje. Mësimet tek udhëzuesi i studimit për studentët e studimit në shtëpi shkojnë paralel me ato të paraqitura në këtë manual. Studentëve që kanë tepër mungesa, mund t’u caktohet që të plotësojnë detyrat tek udhëzuesi i studimit, të cilat përputhen me përmbajtjen e orës mësimore ku munguan. Detyrat mund të printohen nga LDS.org, kështu që nuk ju nevojitet t’ua jepni të gjithë manualin studentëve të cilët duhet të bëjnë detyra për shlyerje. Më shumë informacion lidhur me Udhëzuesin e Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi jepet te pjesa e titulluar “Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi” në këtë manual.

Ndihmat për Mësimdhënien

Ndihmat për mësimdhënien shfaqen në anët e fletëve të këtij manuali. Këto ndihma për mësimdhënien shpjegojnë dhe paraqesin mënyrën se si ju dhe studentët të cilëve u jepni mësim, mund t’i zbatoni Bazat e Mësimdhënies dhe të Të Nxënit të Ungjillit gjatë studimit të Dhiatës së Re prej jush. Ato gjithashtu japin sugjerime mbi mënyrën se si të përdorni me efektshmëri një mori metodash, aftësish dhe drejtimesh të mësimdhënies. Ndërsa arrini t’i kuptoni parimet e përmbajtura te ndihmat për mësimdhënien, kërkoni mënyra se si t’i praktikoni e zbatoni vazhdimisht gjatë mësimdhënies suaj.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë dhe Doktrinat Bazë

Për t’i ndihmuar studentët që t’i ruajnë si thesar të vërtetat e përjetshme dhe të rritin vetëbesimin e tyre në të mësuarin e shkrimeve të shenjta dhe mësimdhënien prej tyre, Seminaret dhe Institutet e Fesë (SeI) kanë përzgjedhur një numër fragmentesh të shkrimit të shenjtë që studentët t’i zotërojnë gjatë secilit kurs studimi. Përveç kësaj, një listë e Doktrinave Bazë është përfshirë për të vënë në dukje doktrinat kyçe që studentët duhet të arrijnë t’i kuptojnë, t’i besojnë dhe t’i jetojnë gjatë katër viteve të tyre në seminar dhe gjatë gjithë jetës së tyre. Manuali për secilin kurs të seminarit u përgatit për të vënë në dukje Doktrinat Bazë ndërsa ato shfaqen gjatë studimit të njëpasnjëshëm të shkrimeve të shenjta nga studenti. Shumë nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë u zgjodhën duke pasur në mendje Doktrinat Bazë, kështu që ndërsa u mësoni studentëve fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju do të jepni mësim edhe Doktrinat Bazë.

Kur studentët i ruajnë si thesar në mendje dhe në zemër të vërtetat e përjetshme, Fryma e Shenjtë do t’i sjellë këto të vërteta në kujtesën e tyre në kohë nevoje dhe do t’iu japë atyre guxim për të vepruar me besim (shih Gjoni 14:26). Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim:

“Unë ju nxit fort që t’i përdorni shkrimet e shenjta në mësimdhënien tuaj dhe të bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj për t’i ndihmuar studentët që t’i përdorin ato dhe të mësohen me to. Do të doja që të rinjtë tanë të kenë vetëbesim në shkrimet e shenjta. …

… Ne dëshirojmë që studentët të kenë vetëbesim në forcën dhe të vërtetat e shkrimeve të shenjta, vetëbesim se Ati i tyre Qiellor vërtet po u flet atyre nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe vetëbesim se ata mund t’u drejtohen shkrimeve të shenjta dhe të gjejnë përgjigje për problemet dhe lutjet e tyre. …

… Ne do të shpresonim që asnjëri prej studentëve tuaj nuk do të largohet nga klasa i frikësuar ose i bezdisur apo i turpëruar që nuk mund ta gjejë ndihmën për të cilën ka nevojë, sepse nuk i di shkrimet e shenjta aq mirë sa të gjejë fragmentet e duhura” (“Eternal Investments” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 shkurt 1989], f. 2, si.lds.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 20, LDS.org).

Shihni shtojcën e këtij manuali për më tepër informacion rreth zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinave Bazë.

Përdorimi i Mësimeve të Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studentit

Përmbledhja do t’ju ndihmojë të njiheni vetë me kontekstin dhe doktrinat e parimet që studentët i studiuan gjatë javës tek udhëzuesi i studimit të studentëve.

Hyrja e Mësimit

Hyrja e mësimit do t’ju ndihmojë të dini se cilat pjesë të bllokut të shkrimit të shenjtë do të theksohen në mësim.

Grupimi i Vargjeve dhe Përmbledhja e Kontekstit

Vargjet grupohen sipas vendit ku ndodhin ndryshimet në kontekst apo përmbajtje përgjatë bllokut të shkrimeve të shenjta. Referenca për secilin grupim të vargjeve ndiqet nga një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve ose e mësimeve brenda atij grupi vargjesh.

Struktura e Mësimit

Struktura e mësimit siguron udhërrëfim për ju ndërsa studioni dhe jepni mësim. Ajo sugjeron ide për mësimdhënie, duke përfshirë pyetje, veprimtari, citate, skica dhe grafikë.

Doktrinat dhe Parimet

Ndërsa doktrinat dhe parimet dalin natyrshëm nga studimi i tekstit të shkrimit të shenjtë, ato vihen në dukje me shkronja të theksuara për t’ju ndihmuar që t’i dalloni e të përqendroheni tek ato në diskutimin tuaj me studentët.

Hyrje në Njësinë Tjetër

Paragrafi i fundit i secilit mësim jep një paraqitje të shkurtër të njësisë tjetër. Tregojuani këtë paragraf studentëve tuaj në përfundim të secilit mësim që t’i ndihmoni të presin plot dëshirë studimin e shkrimeve të shenjta gjatë javës së ardhshme.

Programi i Studimit të Seminarit në Shtëpi

Nën drejtimin e udhëheqësve vendorë të priftërisë dhe përfaqësuesve të SeI-së, klasat e studimit të seminarit në shtëpi mund të organizohen në vende ku studentët nuk mund ta ndjekin një klasë të përditshme për shkak të largësisë ose faktorëve të tjerë (të tillë si një paaftësi fizike). Klasat e studimit të seminarit në shtëpi në përgjithësi nuk janë në dispozicion atje ku klasat e përditshme (gjatë ditëve të javës) sigurohen nëpërmjet seminarit herët në mëngjes ose seminarit në orët e lira mësimore.

Programi i studimit në shtëpi i lejon studentët që të marrin kredite në seminar nëpërmjet plotësimit të mësimeve të veçanta në shtëpi në vend që të marrin pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Këto mësime gjenden në një manual të veçantë, të titulluar Udhëzuesi i Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi. Një herë në javë, studentët takohen me një instruktor seminari për të paraqitur punën e tyre dhe për të marrë pjesë në një orë mësimore në klasë. Udhëzuesi i studimit të studentëve dhe mësimet e orës së përjavshme në klasë shpjegohen më tej në vijim.

Udhëzuesi i Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi

Udhëzuesi i Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi ka si qëllim ta ndihmojë studentin që studion në shtëpi, të fitojë një përvojë gjatë studimit të Dhiatës së Re të ngjashme me atë të studentit të seminarit që merr pjesë në orët mësimore të ditëve të javës. Si rrjedhim, ritmi që ndjek udhëzuesi i studimit të studentëve, si edhe doktrinat dhe parimet që i thekson, korrespondojnë me materialin në këtë manual. Udhëzuesi i studimit të studentëve përfshin edhe udhëzim për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë përmenden në kontekst ndërsa shfaqen në tekstin e shkrimit të shenjtë dhe shpesh jepen veprimtari për të shkruar në mësimet ku flitet për fragmentet.

Çdo javë, studentët e seminarit që studiojnë në shtëpi, duhet të plotësojnë katër mësime nga udhëzuesi i studimit të studentëve dhe të marrin pjesë në një mësim të përjavshëm që jepet nga mësuesi i tyre i seminarit. Studentët i plotësojnë detyrat me numër të caktuar nga udhëzuesi i studimit në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Studentët duhet të kenë dy ditarë të studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë që të mund t’ia lënë njërin mësuesit të tyre dhe të vazhdojnë të punojnë me tjetrin. Ndërsa studentët takohen me mësuesin e tyre çdo javë, një ditar i dorëzohet mësuesit të studimit në shtëpi dhe tjetri i kthehet studentit për ta përdorur për mësimet e javës së ardhshme. (Për shembull, gjatë një jave, studenti plotëson detyrat në ditarin numër një. Pastaj studenti e sjell këtë ditar në klasë dhe ia jep mësuesit. Gjatë javës pasuese, studenti plotëson detyrat te ditari numër dy. Kur studenti dorëzon ditarin numër dy, mësuesi do t’ia kthejë ditarin numër një. Atëherë studenti përdor ditarin numër një për të plotësuar detyrat e javës pasuese.)

Të gjithë studentët e seminarit nxiten t’i studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe ta lexojnë tekstin për kursin, por studentët që studiojnë në shtëpi, duhet të kuptojnë që prej tyre pritet të harxhojnë 30 deri 40 minuta shtesë me secilin nga katër mësimet e studimit në shtëpi në secilën njësi dhe të marrin pjesë në mësimin e përjavshëm të studimit në shtëpi.

Mësimet e Përjavshme të Mësuesit të Studimit në Shtëpi

Secila njësi tek Udhëzuesi i Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi, përputhet me pesë mësime te manuali i mësuesit që jep mësim përditë. Pas çdo mësimi të pestë në këtë manual, do të gjeni një mësim të përjavshëm të mësuesit të studimit në shtëpi. Mësimet e studimit në shtëpi do t’i ndihmojnë studentët t’i përsëritin doktrinat e parimet që mësuan gjatë javës kur plotësuan mësimet tek udhëzuesi i studimit të studentëve, ta thellojnë të kuptuarin e tyre dhe t’i zbatojnë ato. Këto mësime mund të shqyrtojnë edhe të vërteta shtesë që nuk trajtohen tek udhëzuesi i studimit të studentëve. (Për ndihmë për planifikimin e programit tuaj mësimor, shihni udhëzuesin e ritmit për mësuesit e studimit në shtëpi te shtojca e këtij manuali.)

Si mësues i studimit në shtëpi, duhet të zotëroni një kuptim tërësor të asaj që studentët tuaj po studiojnë në shtëpi çdo javë, në mënyrë që të mund t’u përgjigjeni pyetjeve dhe të krijoni diskutime kuptimplote kur të takoheni me ta. Kërkojuni studentëve t’i sjellin me vete shkrimet e tyre të shenjta, ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta dhe udhëzuesit e studimit të studentëve në orën e përjavshme mësimore në mënyrë që t’iu drejtohen atyre gjatë mësimit. Përshtatini mësimet sipas nevojave të studentëve, të cilëve u jepni mësim, dhe sipas udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë. Ju mund të dëshironi edhe t’u drejtoheni mësimeve të mësuesit që jep mësim përditë në këtë manual, teksa përgatiteni dhe jepni mësim. Një studim i ndihmave dhe metodave për mësimdhënien, të përdorura në mësimet e përditshme mund të ndihmojë në pasurimin e mësimdhënies suaj të përjavshme. Bëni përshtatjet për ndonjë nevojë të veçantë të studentëve që u jepni mësim. Për shembull, nëse një student ka vështirësi në të shkruar, lejojeni atë të përdorë një mjet të regjistrimit të zërit ose t’ia diktojë mendimet një pjesëtari të familjes apo një shoku, që mund t’i shkruajë përgjigjet e tij ose të saj.

Në fund të çdo mësimi të përjavshëm, mblidhni ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve dhe nxitini ata që ta vazhdojnë studimin e tyre. Jepuni një ditar të studimit të shkrimeve të shenjta për detyrat e javës së ardhshme, siç shpjegohet më lart në pjesën e titulluar “Udhëzuesi i Studimit për Studentët që Studiojnë në Shtëpi”. (Nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë dhe të prindërve, mësuesit e seminarit [të thirrur nga] kunji mund të komunikojnë në mënyrë elektronike me studentët e seminarit të regjistruar në seminarin e studimit në shtëpi.)

Ndërsa i lexoni detyrat në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta të studentëve, reagoni herë pas here për punën e tyre duke shkruar një shënim të vogël ose duke komentuar herën e ardhshme që i takoni. Ju gjithashtu mund të dëshironi të kërkoni mënyra të tjera për të dhënë mbështetje dhe përshtypje kuptimplote. Kjo do t’i ndihmojë studentët të dinë që ju kujdeseni për punën e tyre dhe do të ndihmojë për t’i motivuar ata të jenë tërësorë në përgjigjet e tyre.

Shumica e përpjekjeve të studentëve për t’i zotëruar fragmentet kyçe të shkrimeve të shenjta do të bëhet teksa ata i përfundojnë mësimet e tyre të studimit në shtëpi. Mësuesit e studimit në shtëpi mund t’i ndjekin përpjekjet e studentëve gjatë mësimeve të studimit në shtëpi duke i ftuar studentët që të recitojnë ose përsëritin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që dalin në tekst për njësinë e studimit të asaj jave.

Burime të Tjera

LDS.org

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re (nttm.lds.org) dhe Udhëzuesi i Studimit të Dhiatës së Re për Studentët e Seminarit që Studiojnë në Shtëpi janë në dispozicion te LDS.org dhe te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për pajisjet elektronike. Variantet dixhitale të manualit të mësuesit përmbajnë Komente dhe Informacion shtesë për Rrethanat, Ide Shtesë për Mësimdhënien dhe burime shtesë të medias, të cilat nuk përfshihen në këtë manual të shtypur për shkak të kufizimeve të hapësirës.

si.lds.org

Mësuesit mund të vizitojnë faqen e internetit Seminaret dhe Institutet e Fesë (si.lds.org) për të marrë ndihmë për përgatitjen e mësimeve dhe për të gjetur ide shtesë për mësimdhënien.

Mjetet e Shënimeve dhe të Ditarit

Mësuesit dhe studentët mund të përdorin mjetet e internetit dhe celularët për Notes and Journal [Shënimet dhe Ditari] që të shenjojnë e shtojnë shënime në variantet dixhitale të këtyre manualeve teksa përgatitin mësimet dhe i studiojnë shkrimet e shenjta. Manualet e mësuesit dhe udhëzuesit e studimit për studentët janë gjithashtu në dispozicion te LDS.org për t’u shkarkuar në formate alternative (të tilla si dosje PDF, ePub dhe mobi [Kindle]).

Artikuj Shtesë

Burimet në vijim janë në dispozicion në internet, nëpërmjet mbikëqyrësit tuaj, nëpërmjet qendrave vendore të shpërndarjes së Kishës dhe nëpërmjet dyqanit në internet të Kishës (store.lds.org):

  • Media Library [Biblioteka Mediatike] te LDS.org

  • Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (artikulli nr. 06048)

  • Scripture Study Journal [Ditari i Studimit të Shkrimeve të Shenjta] (artikulli nr. 13256)

  • Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (artikulli nr. 36863)

  • Gospel Topics [Temat e Ungjillit] te LDS.org

  • Broshura Për Forcën e Rinisë (artikulli nr. 09403)

  • New Testament Student Manual [Manual i Studentit për Dhiatën e Re] (Church Educational System manual, 2014) (artikulli nr. 10734)