Biblioteka
Mësimi 52: Lluka 13–14


Mësimi 52

Lluka 13–14

Hyrje

Jezusi dha mësim rreth pendimit dhe mbretërisë së Perëndisë, dhe shëroi në Shabat. Ai gjithashtu përdori shëmbëlltyra për të dhënë mësim rreth përulësisë dhe çmimit të dishepullimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 13:1–14:14

Jezusi shëron në Shabat dhe jep mësim rreth përulësisë dhe përkujdesjes për ata që janë me më pak fat

Lexoni me zë të lartë skenarin vijues: Jeni ulur për drekë me disa miq dhe ata vënë re një student të veshur keq që është ulur vetëm. Një person në grupin tuaj bën një koment jo të hijshëm rreth paraqitjes së studentit dhe miqtë tuaj qeshin.

Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si do të ndiheshin në këtë situatë.

  • Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si ju mund të reagoni në këtë situatë?

Ftojini studentët të kërkojnë te Lluka 13–14 atë që dha mësim Shpëtimtari rreth ndërveprimit me njerëzit që janë me më pak fat se ne.

Përmblidheni Llukën 13:1–14:6, duke shpjeguar që Shpëtimtari tregoi një shëmbëlltyrë për një pemë fiku që do të pritej nëse nuk arrinte të jepte fryt, e cila na mëson se ne do të vdesim nëse nuk pendohemi. Ai shëroi një grua në Shabat dhe dha mësim rreth mbretërisë së Perëndisë dhe për ata që do të lejohen të hyjnë në të. Ai vajtoi edhe për shkatërrimin e pashmangshëm të Jeruzalemit. Te Lluka 14:1–6, ne lexojmë se Shpëtimtari u ftua për të ngrënë darkë në shtëpinë e një kryetari të farisenjve në Shabat. Përpara vaktit, Shpëtimtari shëroi një burrë që vuante nga hidropizia, e cila ishte një sëmundje që e bënte trupin e burrit të fryhej me lëngje.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni një student në çdo dyshe që të lexojë në heshtje Llukën 13:15–16 dhe studentin tjetër që të lexojë në heshtje Llukën 14:5–6. Vërini studentët të kërkojnë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj farisenjve, të cilët e akuzuan Atë për shkelje të Shabatit ngaqë i shëroi këta individë. Ftojini studentët t’u raportojnë partnerëve të tyre për atë që gjejnë.

Pas një kohe të mjaftueshme, pyeteni klasën:

  • Cilat fraza përshkruajnë gjërat që farisenjtë do të bënin për kafshët e tyre në Shabat? (I zgjidhnin nga litarët dhe i nxirrnin nga gropat.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit për respektimin e ditës së Shabatit dhe të mbajtjes së tij të shenjtë? (Shërbesa ndaj njerëzve në nevojë është e përshtatshme në ditën e Shabatit. Shembulli i drejtë i Shpëtimtarit dallon nga qëndrimet e disa farisenjve, të cilët e shfajësonin ndihmën ndaj kafshëve, por jo ndaj njerëzve në Shabat.)

Përmblidheni Llukën 14:7–11, duke shpjeguar se pasi e shëroi burrin që vuante nga hidropizia, Shpëtimtari i qortoi miqtë e tjerë të ftuar për darkë që u përpoqën ta lartësonin veten e tyre duke u ulur në vendet më të respektuara, të cilat ishin më afër mikpritësit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 14:12–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi fariseut, i cili e kishte ftuar Atë për darkë.

  • Çfarë këshille i dha Shpëtimtari këtij fariseu?

  • Cilat janë disa arsye të mundshme përse njerëzit i ftojnë miqtë e tyre dhe fqinjët e pasur për darkë?

Shpjegoni se në kohën e Shpëtimtarit, ata që ishin të gjymtuar, të çalë ose të verbër shpesh hasnin vështirësi që të siguronin të ardhura për veten e tyre dhe si rrjedhojë, ishin të varfër. Disa farisenj i përçmonin këta njerëz (shih Lluka 16:14–31).

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit sot mund t’i përçmojnë të tjerët?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Lluka 14:14 rreth përpjekjes për t’i ndihmuar njerëzit që janë me më pak fat se ne? (Sa vijon është një parim që studentët mund të përcaktojnë: Në qoftë se përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne, Zoti do të na e shpërblejë në Ringjallje.)

Vini në dukje se përveç shpërblimit në Ringjallje, Zoti do të na bekojë edhe në këtë jetë kur ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne.

  • Në çfarë mënyrash mund t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne?

  • Kur jeni bekuar ju apo dikush që e njihni, ngaqë u përpoqët të ndihmoni njerëz që janë me më pak fat?

Ftojini studentët të përsiatin mbi mënyrat se si mund t’i ndihmojnë njerëzit që janë me më pak fat se ata vetë. Nxitini ata që të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e klasës një synim për t’u shërbyer atyre që janë me më pak fat se ata vetë.

Lluka 14:15–35

Jezusi jep shëmbëlltyrën e gostisë së madhe dhe jep mësim rreth çmimit të dishepullimit

Ftojini studentët të shkruajnë në tabelë disa nga gjërat që mund t’u kërkohen të sakrifikojnë apo të heqin dorë si dishepuj të Jezu Krishtit.

  • Cilat janë disa shfajësime që dikush mund të tundohet të përdorë për të shmangur bërjen e këtyre sakrificave?

Ftojeni klasën që ndërsa vazhdojnë të studiojnë Llukën 14, të kërkojnë parime të cilat na mësojnë atë që Jezu Krishti kërkon nga dishepujt e Tij.

Shpjegoni që pasi Shpëtimtari e këshilloi fariseun t’i ftonte për vakte ata me më pak fat, dikush në dhomë i tha Atij: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 14:15). Në përgjigje ndaj kësaj deklarate, Shpëtimtari tregoi shëmbëlltyrën e darkës së madhe.

Ftojini studentët që me partnerët e caktuar që nga fillimi i mësimit të lexojnë me zë të lartë Llukën 14:16–24. Vëreni një student në secilën dyshe të kërkojë ftesën që morën njerëzit në shëmbëlltyrë. Ftojeni studentin tjetër në secilën dyshe të kërkojë shfajësimet e bëra nga njerëzit që nuk e pranuan ofertën. Pas një kohe të mjaftueshme, pyeteni klasën:

  • Në ç’mënyrë është ungjilli i Jezu Krishtit si një gosti e madhe? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa më poshtë: ungjilli është një dhuratë që është përgatitur për ne; ai mund të na mbushë dhe t’i plotësojë nevojat tona; ne jemi ftuar të marrim prej tij; dhe ne mund ta pranojmë ose të mos e pranojmë ftesën për të marrë prej tij.)

  • Çfarë shfajësimesh u dhanë nga njerëzit që nuk e pranuan ftesën për darkën e madhe?

  • Çfarë na mësojnë këto shfajësime rreth përparësive të këtyre njerëzve?

Sipas vargut 24, cila është pasoja e vendosjes së përparësive të tjera mbi Zotin dhe ungjillin e Tij? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të tillë si më poshtë: Nëse vendosim përparësi të tjera mbi Zotin dhe ungjillin e Tij, ne do të humbasim bekimet që mund t’i kishim marrë.)

Ftojini studentët të shohin te lista në tabelë sakrificat që mund t’u kërkohen të bëjnë si dishepuj të Jezu Krishtit.

  • Çfarë bekimesh mund të humbasim nëse nuk jemi të gatshëm për t’i bërë këto sakrifica?

Shpjegoni që pasi e dha mësim këtë shëmbëlltyrë, Shpëtimtari i foli turmës rreth asaj që Ai kërkon nga dishepujt e Tij. Ftojeni një student/e të lexojë me zë të lartë Llukën 14:25–27. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it qartëson mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 14:25–27. Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha: “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, apo bashkëshortin, madje edhe jetën e vet; ose me fjalë të tjera, ka frikë ta japë jetën e vet për hirin tim, ai nuk mund të jetë dishepulli im. Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im. Prandaj, vëreni këtë në zemrën tuaj, që ju do të bëni gjërat që unë do të jap mësim dhe do t’ju urdhëroj.”

  • Çfarë tha Shpëtimtari se dishepujt e Tij duhej të jenë të gatshëm të bëjnë?

Shpjegoni se një përkufizim i fjalës greke të përkthyer si urrejtje është të “duash më pak” (James Strong, The Exhaustive Concordance of the Bible [1890], “misĕō”, f. 48). Shpëtimtari po shpjegonte se për dishepujt e Tij, përkushtimi ndaj familjes apo edhe vetë jetës së tyre duhet të vijë pas përkushtimit ndaj Tij (shih edhe Mateu 10:37). Të marrësh kryqin i referohet kryqëzimit dhe përfaqëson një gatishmëri të kërkuar për të dhënë jetën për Krishtin, i cili dha jetën e Tij për ne (shih edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it, Mateu 16:26, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth të qenit dishepuj të Jezu Krishtit? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për ta ndjekur Atë. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që ta shkruajnë këtë të vërtetë në anë të faqes, pranë Llukës 14:25–27.)

  • Si mendoni ju, përse dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë të gatshëm ta vënë Atë përpara të gjitha gjërave, përfshirë pjesëtarëve të familjes së tyre dhe të vetë jetës së tyre?

Shkruani në tabelë frazën Vëreni këtë në zemrën tuaj (shih Përkthimin prej Joseph Smith-it, Lluka 14:27).

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “vëreni këtë në zemrën tuaj”? (Shpjegoni se në këtë kontekst, të vësh do të thotë të marrësh një vendim ose të vendosësh në mënyrë të qëndrueshme.)

  • Çfarë do Zoti që ne të vëmë në zemrën tonë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] të Llukës 14:27? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne vëmë në zemrën tonë të bëjmë atë që Jezu Krishti na mëson dhe urdhëron, ne bëhemi dishepujt e Tij.)

Jepuni studentëve kopje të thënies vijuese nga Plaku Lerri W. Gibons, i Të Shtatëdhjetëve. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të bëjmë ne për ta jetuar këtë parim.

Pamja
Plaku Lerri W. Gibons

“Kur ju të filloni të vini përparësi në jetë, mbani mend se, e vetmja siguri e vërtetë në jetë gjendet në të jetuarin e urdhërimeve. …

… Sa gjë e mrekullueshme është të vendosni një herë e mirë herët në jetë atë që do të bëni dhe atë që nuk do të bëni për sa i takon ndershmërisë, thjeshtësisë, dëlirësisë, Fjalës së Urtësisë dhe martesës në tempull.

Vëllezër e motra, qëndroni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Jo, qëndroni në mes të shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar. Mos u endni; mos u sorollatni; mos shkoni andej-këndej; jini të kujdesshëm.

… Të jetuarit e urdhërimeve do t’ju sjellë lumturinë, të cilën shumë njerëz e kërkojnë në vende të tjera” (“Ta Vini, Pra, në Zemrën Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 103, 104; Konferenca e Përgjithshme, nëntor 2006, f. 140).

  • Cili është një urdhërim që ju keni vendosur me qëndrueshmëri për t’iu bindur? Si jeni bekuar nga marrja e vendimit për t’iu bindur atij urdhërimi?

Nxitini studentët të vënë në zemrën e tyre “atë që [ata] do të … dhe … nuk do të bë[jnë] për sa i takon ndershmërisë, thjeshtësisë, dëlirësisë, Fjalës së Urtësisë dhe martesës në tempull”. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’i shkruajnë vendimet e tyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Shpjegoni se pasi dha mësim këto parime rreth dishepullimit, Shpëtimtari dha dy analogji. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 14:28–30 dhe një student tjetër të lexojë me zë të lartë Llukën 14:31–33. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të marrë në shqyrtim atë që ilustrojnë këto dy analogji.

  • Çfarë mendoni se ilustrojnë këto dy analogji?

Shpjegoni se të dyja analogjitë ilustrojnë rëndësinë e llogaritjes ose përcaktimit të çmimit të një drejtimi të caktuar përpara se të fillohet, për të vendosur nëse do të jeni në gjendje ta përfundoni atë. Shpëtimtari donte që ndjekësit e Tij të merrnin parasysh me maturi nëse ata ishin të gatshëm të sakrifikonin çfarëdo gjëje që ishte e nevojshme, që të mund të vazhdonin deri në fund si dishepuj të Tij. (Shih edhe Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Lluka 14:31 [te Lluka 14:30, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht].)

Kërkojuni studentëve që të rimarrin në shqyrtim listën e sakrificave në tabelë. Ftojini disa prej tyre që të shpjegojnë se përse ata janë të gatshëm t’i bëjnë këto sakrifica si dishepuj të Jezu Krishtit.

Merrni parasysh që t’i ftoni studentët të shenjojnë vargun 33, i cili jep një përmbledhje të thjeshtë të mësimeve të Shpëtimtarit në këtë kapitull. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 14:12–14. Nëse përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne, Zoti do të na bekojë

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, shpjegoi disa nga bekimet që mund të marrim si rrjedhojë e ndihmës që u japim të tjerëve:

“Kur i zgjasim duart dhe zemrën tonë drejt të tjerëve me dashuri si të Krishtit, diçka e mrekullueshme na ndodh. Vetë shpirtrat tanë shërohen, bëhen më të pastër e më të fortë. Ne bëhemi më të lumtur, më të qetë dhe më pranues ndaj pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë” (“Ju Jeni Duart e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 75).

Lluka 14:15–24. Shëmbëlltyra e darkës së madhe

Për të mësuar më shumë rreth shëmbëlltyrës së darkës së madhe, shihni komentin në New Testament Student Manual (manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014), f. 164.)