Biblioteka
Mësimi 149: 2 Gjon – 3 Gjon


Mësimi 149

2 Gjon3 Gjon

Hyrje

Gjoni i paralajmëroi shenjtorët për njerëzit që mashtrojnë dhe predikojnë se Jezu Krishti nuk erdhi në mish. Ai gjithashtu e lavdëroi Gajin për besnikërinë e tij.

Shënim: Ky mësim përfshin një sugjerim për mësimdhënien për 3 Gjonin, që përfshin marrjen e letrave nga studentët prej prindërve ose udhëheqësve të Kishës. Nëse zgjidhni ta përdorni këtë sugjerim për mësimdhënien, juve do t’ju duhet të përgatiteni disa ditë përpara. Ftojini prindërit ose, nëse është e nevojshme, udhëheqësit vendorë të Kishës të çdo studenti që t’i shkruajnë një letër të shkurtër studentit duke i shprehur gëzimin që kanë ndier ndërsa kanë parë përpjekjet e studentit për ta jetuar ungjillin. Sigurohuni që të merrni nga një letër për çdo student nga prindërit e tij ose të saj ose nga një udhëheqës i Kishës ditën që do ta jepni këtë mësim.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Gjon

Gjoni paralajmëron për njerëzit që japin mësim doktrinë të rreme

Përmendni një atlet të famshëm, i cili njihet nga shumica e studentëve.

  • Çfarë mund të bëjë ky atlet për të qenë në formën më të mirë fizike që të dalë mirë?

  • Çfarë mund të ndodhë nëse ky atlet, pasi ka punuar fort që të vijë në formë, të reshtë së shkuari në stërvitje dhe të fillojë të hajë ushqim të pashëndetshëm, të shohë shumë televizor, të luajë lojëra kompjuterike dhe të marrë substanca që janë të dëmshme për trupin?

Ftojini studentët të marrin parasysh se si mund të krahasohet puna që duhet të bëjnë atletët e suksesshëm për të ruajtur formën më të mirë fizike, me punën që duhet të bëjnë anëtarët e Kishës për të ruajtur bekimet që kanë marrë nëpërmjet ungjillit. Ftojini ata të kërkojnë një parim teksa studiojnë 2 Gjonin, që mund t’i ndihmojë ata t’i ruajnë bekimet që kanë marrë si anëtarë të Kishës.

Përmblidheni 2 Gjonin 1:1–4 duke shpjeguar se Apostulli Gjon e filloi letrën e tij duke iu drejtuar “zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj”, e cila mund të ketë qenë qoftë në adresë të drejtpërdrejtë të një anëtareje femër të Kishës dhe bijve të saj ose një gjuhë simbolike për të përshkruar një bashkësi të Kishës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Gjonin 1:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar urdhërimin që Gjoni u kujtoi shenjtorëve.

  • Cilin urdhërim u kujtoi Gjoni shenjtorëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Gjonin 1:7. Vëreni klasën të kërkojë arsyen përse Gjoni i këshilloi anëtarët e Kishës që të “ec[nin] sipas” (2 Gjon 1:6) urdhërimeve ose t’u bindeshin atyre.

  • Përse i këshilloi Gjoni anëtarët e Kishës që t’u bindeshin urdhërimeve?

  • Çfarë po jepnin mësim “mashtrues[it]” (vargu 7)?

Shpjegoni se kur Gjoni e shkroi këtë letër, një filozofi e njohur si docetizëm [doktrinë se Krishti është substancë qiellore] po fitonte popullaritet. Docetistët besonin se Perëndia ishte kaq i ekzaltuar saqë Ai nuk mund të provonte dhembje, vdekje apo ndonjë përvojë tjetër të vdekshme. Si rrjedhim, ata arritën në përfundimin se Jezu Krishti, si Bir i Perëndisë, nuk erdhi me të vërtetë në mish por vetëm që Shpirti i Tij dukej sikur bënte gjërat që bën apo provon një i vdekshëm.

  • Cilët janë disa shembuj të mësimeve të rreme në ditët tona që bien në kundërshtim me të vërtetat e ungjillit?

  • Përse këto mësime janë të rrezikshme nga ana shpirtërore?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Gjonin 1:8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Gjoni u këshilloi anëtarëve të Kishës të bënin duke marrë parasysh këto mësime të rreme. Shpjegoni se të “bë[sh] kujdes” do të thotë të jesh vigjilent ose i vëmendshëm për të mos i përvetësuar mësimet e rreme dhe se kryej mund të nënkuptojë të përmbushësh ose të marrësh (shih 2 Gjon 1:8, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Gjonit në vargjet 6–8 rreth mënyrës se si ne mund të vazhdojmë t’i gëzojmë bekimet e ungjillit që kemi marrë? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur i zbatojmë urdhërimet dhe jemi vigjilentë, ne mund të vazhdojmë t’i gëzojmë bekimet e ungjillit që kemi marrë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e tyre të klasës apo ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta, një listë me bekime të ungjillit që i kanë marrë tashmë ose shpresojnë t’i marrin. Kërkojuni atyre t’ia tregojnë klasës atë që shkruan. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë.

  • Në ç’mënyrë të përvetësuarit e mësimeve të rreme mund të na pengojë që t’i marrim dhe të vazhdojmë t’i gëzojmë këto bekime të ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Gjonin 1:9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Gjoni se do t’u ndodhte atyre që qëndrojnë në doktrinën e Krishtit ose i mbeten pranë ungjillit dhe durojnë në të.

  • Çfarë kanë me vete ata që qëndrojnë në doktrinën e Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse qëndrojmë në doktrinën e Krishtit, ne do ta kemi Atin dhe Birin me ne.)

Nxirrni në pah se një mënyrë se si e kemi Atin dhe Birin me ne, është nëpërmjet shoqërimit të Frymës së Shenjtë.

Kërkojuni studentëve të përsiatin përpjekjet e tyre për t’i zbatuar urdhërimet, për të qenë vigjilentë dhe për të qëndruar në ungjill. Ftojini ata të shkruajnë arsyen përse duan t’i ruajnë bekimet që kanë marrë nëpërmjet ungjillit, dhe një gjë që do të bëjnë sot për të qenë më besnikë dhe më të qëndrueshëm në zbatimin e urdhërimeve.

Përmblidheni 2 Gjonin 1:10–13, duke shpjeguar se Gjoni i nxiti shenjtorët t’i shmangnin njerëzit që përhapnin doktrinë të rreme. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e tij për t’i vizituar personalisht shenjtorët, të cilëve po u shkruante.

3 Gjon

Gjoni e lavdëron Gajin për besnikërinë e tij

Sillni në klasë një guralec të vogël dhe një tas të madh plot me ujë. Kërkojini një studenti ta hedhë guralecin brenda në ujë pa krijuar valëzime.

  • Përse është e pamundur për ujin që të mbesë i patrazuar për shkak të guralecit?

  • Kush tjetër përveç vetes suaj mund të ndikohet pozitivisht nga zgjedhja juaj për ta jetuar ungjillin?

Shpjegoni se, siç shënohet te 3 Gjoni, Gjoni iu drejtua një anëtari besnik të Kishës, i quajtur Gaji.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Gjonin 1:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Gjoni u ndikua nga besnikëria e Gajit për ta jetuar ungjillin. Shpjegoni se bijtëvargun 4 mund t’iu referohet anëtarëve të Kishës, të cilët Gjoni i kishte ndihmuar të ktheheshin në besim në ungjill.

  • Si u ndikua Gjoni nga besnikëria e Gajit për ta jetuar ungjillin?

  • Si do ta përmblidhnit një të vërtetë nga këto vargje rreth mënyrës se si të jetuarit e ungjillit mund të ndikojë te vetja jonë dhe të tjerët? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Të jetuarit e ungjillit sjell gëzim jo vetëm për veten tonë por edhe për të tjerët.)

  • Kur keni përjetuar gëzim për shkak se dikush tjetër e jetoi me besnikëri ungjillin?

Për ta ilustruar më tej këtë të vërtetë, nëse zgjidhni që prindër ose udhëheqës të Kishës t’u shkruajnë letra studentëve, jepuani ato letra gjatë kësaj kohe. Sigurohuni që çdo student të marrë një letër nga prindërit e tij ose të saj apo nga një udhëheqës i Kishës dhe jepuni kohë studentëve për t’i lexuar letrat.

Përmblidheni 3 Gjonin 1:5–14 duke shpjeguar se Gjoni e lavdëroi Gajin për gatishmërinë e tij për të mirëpritur udhëheqës udhëtues ose misionarë të Kishës dhe ai e qortoi një udhëheqës vendor, të quajtur Diotrefi, i cili nuk i mirëpriti Gjonin dhe shokët e tij [të misionit].

Rishikojini të vërtetat e përcaktuara në këtë mësim. Dëshmoni për këto të vërteta dhe ftojini studentët t’i zbatojnë ato në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Gjon 1:1–5. “Zonjës së zgjedhur”

“Gjoni e përshkroi veten si ‘plaku’; ‘zonjës së zgjedhur’, të cilës ai po i shkruante (shih 2 Gjon 1:1) është ose një referencë letrare drejtuar një dege të Kishës ose një referencë e drejtpërdrejtë drejtuar një anëtareje femër, ndoshta madje gruas së tij. Në periudhën tonë ungjillore, Ema Smith, bashkëshortja e Profetit Jozef Smith, u quajt ‘zonjë e zgjedhur’ (DeB 25:3). Gjoni u gëzua që i gjeti fëmijët e zonjës së zgjedhur duke ecur në të vërtetë dhe duke ndjekur ungjillin e Jezu Krishtit” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 519).

3 Gjon 1:9–10. “Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se kush ishte Diotrefi dhe çfarë bëri ai:

“Ja ku kemi Diotrefin, një udhëheqës vendor të Kishës, ndër të parët dhe me influencë: 1) I cili refuzon të lejojë doktrinën dhe udhëzimet e një anëtari të Presidencës së Parë të Kishës që të lexohen në bashkësinë e tij; 2) I cili predikon kundër kryesuesve apostolikë të Kishës; 3) I cili refuzon të mirëpresë përfaqësuesit e Kishës që u dërguan tek ai; 4) I cili refuzon të lejojë të tjerët në bashkësi të përkujdesen për autoritetet e Kishës ose t’u kushtojnë vëmendje atyre; dhe 5) I cili i përzë (me sa duket i shkishëron) anëtarët e denjë të Kishës” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:413–414).