Biblioteka
Mësimi 4: Studimi i Shkrimeve të Shenjta


Mësimi 4

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Hyrje

Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë rëndësinë e studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë dhe leximit të gjithë Dhiatës së Re si pjesë e këtij kursi studimi. Studentët gjithashtu mund të mësojnë mënyra për ta përmirësuar studimin e tyre të shkrimeve të shenjta.

Sugjerime për Mësimdhënien

Nevoja për një studim të efektshëm të shkrimeve të shenjta çdo ditë

Jepini secilit student një kopje të anketës së mëposhtme. Ftojini studentët t’i marrin në shqyrtim thëniet dhe t’i shenjojnë përgjigjet e tyre në vizën e zgjatur. Sigurojini studentët se ju nuk do t’u kërkoni atyre t’i tregojnë përgjigjet e tyre.

Pamja
fletushkë, anketë

Pasi studentët ta plotësojnë anketën, ftojini ata të përsiatin gjatë mësimit se si mund ta përmirësojnë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Shkrimet e shenjta përmbajnë fjalët e Krishtit dhe janë një burim uji i gjallë tek i cili mund të qasemi lehtë dhe nga i cili ne mund të pimë thellësisht dhe për një kohë të gjatë. …

Çdo ditë gjatë veprimtarive të zakonshme, ju dhe unë humbasim një sasi të konsiderueshme uji, i cili është një pjesë kaq e madhe përbërëse e trupave tanë fizikë. Etja është një kërkesë nga qelizat e trupit për ujë, dhe uji në trupat tanë duhet të plotësohet çdo ditë. Sinqerisht nuk ka kuptim të ‘mbushesh’ me raste me ujë, me periudha të gjata tharjeje ndërmjet tyre. E njëjta gjë është e vërtetë nga ana shpirtërore. Etja shpirtërore është nevoja për ujë të gjallë. Një rrjedhë e vazhdueshme e ujit të gjallë është shumë herë më e mirë sesa gllënjkat e rastësishme” (“A Reservoir of Living Water” [mbrëmje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 4 shkurt 2007], f. 1, 7, broadcast.lds.org).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Plaku Bednar rreth asaj që mund të marrim nga studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, ne marrim “uj[in e] gjallë” për të cilin kemi nevojë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Vlera e shkrimeve të shenjta në kohën tonë

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e shkrimeve të shenjta në kohën tonë, ju mund të dëshironi të shfaqni videon “The Blessings of Scripture” [“Bekimet prej Shkrimeve të Shenjta”] (03:04), që gjendet në LDS.org. Në këtë video, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon sakrificën që bëri një burrë që t’ua bënte të mundur leximin e Biblës më shumë njerëzve. Nëse e shfaqni videon, merrni parasysh të ndaleni pasi Plaku Kristoferson pyet: “Çfarë kuptuan ata që duhet ta kuptojmë edhe ne?” (kodi kohor 01:56), për t’i pyetur studentët se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së tij. Më pas vazhdoni të shfaqni videon. Në mbyllje të videos, vazhdojeni mësimin në paragrafin që fillon: “Pas videos …”

Nëse nuk e shfaqni videon, ftoni katër studentë të vijnë përpara klasës dhe të lexojnë pjesët vijuese të një bisede të dhënë nga Plaku Kristoferson.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson.

1. “Më 6 tetor të vitit 1536, një person në një gjendje të mjerueshme u nxor nga një birucë e kështjellës Vilvorde, pranë Brukselit në Belgjikë. Prej afro një viti e gjysmë ai njeri kishte vuajtur izolimin në një qeli të errët e të lagësht. Tashmë jashtë murit të kështjellës, të burgosurin e lidhën në një shtyllë. Ai pati kohë të thoshte me zë të lartë lutjen e tij të fundit: ‘Zot! Hapja sytë mbretit të Anglisë’ dhe më pas atë e mbytën. Menjëherë trupin e tij e dogjën tek shtylla e turrës së druve. Kush ishte ky njeri dhe cila qe shkelja … ?” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 32).

2. “Emrin e kishte Uiliam Tindel dhe krimi i tij qe se kishte përkthyer dhe botuar në anglisht Biblën.

… Në një debat të nxehtë me një klerik i cili kundërshtonte vënien e shkrimeve të shenjta në duart e njeriut të thjeshtë, Tindeli u betua: ‘Në më kurseftë jetën Perëndia, shumë vite para se të vdes, unë do të bëj që një djalë i cili nget parmendën, të dijë më shumë nga shkrimi i shenjtë, sesa di ti!’ …

Uiliam Tindeli nuk ishte as i pari, as i fundit, i atyre të cilët në shumë vende dhe gjuhë kanë sakrifikuar, madje deri në pikën e vdekjes, për ta nxjerrë nga terri fjalën e Perëndisë. … Çfarë dinin ata për rëndësinë e shkrimeve të shenjta, që duhet ta dimë edhe ne? Çfarë kuptuan njerëzit në Anglinë e shekullit të 16-të, të cilët paguan shuma mjaft të mëdha parash dhe morën përsipër rreziqe serioze që të arrinin të përdornin Biblën, gjë që duhet ta kuptojmë edhe ne?” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, f. 32).

Pyeteni klasën:

  • Si mendoni ju, përse njerëzit bënë të tilla sakrifica të mëdha për të pasur qasje te shkrimet e shenjta?

Kërkojini lexuesit të tretë të vazhdojë leximin e deklaratës së Plakut Kristoferson.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson.

3. “Në kohën e Tindelit, padituria mbi shkrimet e shenjta gëlonte sepse njerëzit nuk mund ta gjenin Biblën, sidomos në një gjuhë që mund ta kuptonin. Sot Biblën dhe shkrime të shenjta të tjera i kemi gati në duart tona, por ende ka një analfabetizëm në rritje lidhur me to, ngaqë njerëzit nuk i hapin librat. Rrjedhimisht, ata kanë harruar gjëra që gjyshërit e tyre i dinin” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, f. 33).

Pyeteni klasën:

  • Si mendoni ju, përse disa njerëzit në kohën tonë nuk po i lexojnë shkrimet e shenjta siç duhet t’i lexojnë?

Kërkojini lexuesit të katërt ta vazhdojë leximin e deklaratës së Plakut Kristoferson.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson.

4. “Merrni në konsideratë madhësinë e bekimit tonë që kemi Biblën e Shenjtë dhe afro 900 faqe të tjera shkrimi të shenjtë, që përfshijnë Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. … Me siguri, me këtë bekim Zoti po na thotë se nevoja që kemi për përdorimin e vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, është më e madhe se në çdo kohë të mëparshme” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, f. 35).

Pas videos (ose pasi lexuesi i katërt ta ketë përfunduar leximin e deklaratës së Plakut Kristoferson), ftojini studentët të shpjegojnë atë që besojnë se po thotë Plaku Kristoferson rreth nevojës sonë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Nevoja jonë për shkrimet e shenjta është më e madhe sot sesa në çdo kohë të mëparshme.

  • Si mendoni ju, përse nevoja jonë për shkrimet e shenjta është më e madhe sot sesa në çdo kohë të mëparshme?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si mund të përfitojmë nga studimi i shkrimeve të shenjta në kohën tonë, shpjegoni se Apostulli Pal shkroi një letër në të cilën përshkroi disa kushte të botës në ditët e fundit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteun 3:1–5, 13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar disa nga mëkatet dhe qëndrimet që do të jenë të ngjashme në kohën tonë. (Ju mund të doni t’i drejtoni studentët te poshtëshënimet që ndihmojnë për t’i shpjeguar fjalët dhe frazat e vështira në këto vargje.)

  • Cilat janë disa nga mëkatet dhe qëndrimet e renditura në këto vargje që i keni dëshmuar në shoqërinë tonë sot?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Timoteun 3:14–17. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si mund të gjejmë siguri gjatë këtyre kohëve të vështira.

  • Si mund të gjejmë siguri në këto kohë të vështira?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të marrim 

  • Sipas 2 Timoteut 3:15–17, cilat bekime janë në dispozicion për ne kur i studiojmë shkrimet e shenjta dhe i jetojmë mësimet e tyre? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në dërrasë që të lexohet si më poshtë: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të marrim urtësi, korrigjim dhe udhëzim që do të na udhëheqin drejt shpëtimit.)

Shpjegoni se thënia në tabelë është një shembull i një parimi. Parimet dhe doktrinat e ungjillit të Jezu Krishtit janë të vërteta themelore, të pandryshueshme, që japin udhërrëfim për jetën tonë. Një nga qëllimet kryesore të shkrimeve të shenjta është të na mësojë doktrinat dhe parimet e ungjillit. Ne mund ta bëjmë studimin vetjak të shkrimeve të shenjta më domethënës duke i hetuar doktrinat dhe parimet, duke e përsiatur kuptimin e tyre dhe duke i zbatuar ato në jetën tonë.

Referojuni sërish parimit që shkruat në tabelë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ne mund të marrim urtësi, korrigjim dhe udhëzim kur i studiojmë shkrimet e shenjta?

  • Kur e keni ndier se ju morët urtësi, korrigjim apo udhëzim si pasojë e studimit të shkrimeve të shenjta? (Ju mund të doni të tregoni edhe një përvojë.)

Leximi i Dhiatës së Re çdo ditë

Shpjegoni se një nga pritshmëritë për këtë kurs të studimit në seminar është që studentët ta lexojnë të gjithë Dhiatën e Re. Kjo është një kërkesë për të marrë diplomën e seminarit.

Shpjegoni se leximi i të gjithë Dhiatës së Re do të kërkojë vendosmëri të qëndrueshme, por përpjekja ia vlen. Për ta ilustruar këtë, paraqitni dy gota të tejdukshme të mbushura me ujë (ose me një pije të lehtë). Ftoni dy studentë ku secili të qëndrojë afër njërës gotë. Jepini njërit student një pipëz. Jepini studentit tjetër shtatë pipëza të lidhura së bashku në një tufë. Udhëzojini ata që ta pinë të gjithë ujin sa më shpejt të munden duke përdorur pipëzën ose pipëzat. (Studenti që përdor një pipëz duhet të jetë në gjendje ta pijë me vendosmëri ujin dhe ta mbarojë i pari; studenti tjetër duhet të hasë vështirësi që ta nxjerrë të gjithë ujin nga pipëzat.) Ftojini të dy studentët të ulen dhe pyeteni klasën:

  • Si do ta lidhnit këtë veprimtari me synimin tuaj për ta lexuar të gjithë Dhiatën e Re gjatë këtij kursi studimi? (Studenti me shtatë pipëza është si dikush që përpiqet të lexojë pjesë të mëdha nga shkrimi i shenjtë përnjëherësh. Studenti me një pipëz është si dikush që lexon një pjesë më të vogël çdo ditë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si mund ta lexojnë të gjithë Dhiatën e Re duke lexuar vazhdimisht pjesë të vogla, ftojini ata ta ndajnë numrin e faqeve të Dhiatës së Re (303 faqe sipas Biblës) me numrin e ditëve në total deri në fund të kursit. Për shembull, nëse kursi do të jepej mësim në një vit shkollor prej 280 ditësh, studentëve do t’u duhet të lexojnë rreth 1 faqe e gjysmë në ditë për ta përfunduar Dhiatën e Re deri në fund të kursit.

Dëshmoni për bekimet që mund t’u vijnë studentëve ndërsa e studiojnë me zell Dhiatën e Re. Studentët do të marrin urtësi, korrigjim dhe udhëzim nga shkrimet e shenjta dhe do të bekohen me shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Referojuni sërish parimeve në tabelë dhe dëshmoni se, duke i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë, studentët do të përjetojnë bekimet e përshkruara nga Pali te 2 Timoteut 3:15–17. Nxitini studentët që të vendosin synime për të gjetur kohë çdo ditë për studimin vetjak të shkrimeve të shenjta dhe për ta lexuar të gjithë Dhiatën e Re. Ftojini studentët që t’i shkruajnë synimet e veta në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Bekime vijnë ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:

“Perëndia e përdor shkrimin e shenjtë për të ndrequr mendimin e gabuar, traditat e pavërteta dhe mëkatin tok me ndikimet e tij rrënuese. Ai është një prind i dhimbsur, i cili na kursen vuajtjen dhe pikëllimin e panevojshëm dhe njëkohësisht na ndihmon të arrijmë potencialin tonë hyjnor. …

Në fund, qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që ta mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 33–34).

Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

“Nëse nuk e keni zhvilluar tashmë zakonin e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta, filloni tani dhe vazhdoni që të studioni, në mënyrë që të jeni të përgatitura për përgjegjësitë tuaja në këtë jetë dhe në përjetësitë. …

… Çelësi për të shpalosur njohuri të rëndësishme është të vazhdoni të studioni. … Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Krishtin (shih Gjoni 5:39). Ato na tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë (shih 2 Nefi 32:3). Ato ‘[na] bëjnë të ditur për shpëtimin’ (2 Timoteut 3:15).

… Nëpërmjet zakonit tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë, ju do të ‘drejt[oheni] të beso[ni] në shkrimet e shenjta, po, në profecitë e profetëve të shenjtë, të cilat janë shkruar’ (Helamani 15:7). Ju do të jeni nënat [dhe baballarët], dhe udhëheqësit që do të ndihmoni për ta përgatitur brezin e ardhshëm me njohuri dhe dëshmi për ungjillin” (“My Soul Delighteth in the Scriptures”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 108–109).

Mrekullia e Biblës së Shenjtë

Në një fjalim të konferencës së përgjithshme të titulluar “Mrekullia e Biblës së Shenjtë” (Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 80–82), Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për rëndësinë dhe vlerën e Biblës së Shenjtë, dhe pohoi përpjekjet e martirëve dhe themeluesve të krishterë që ndihmuan për ta bërë Biblën të ishte në dispozicion të të gjithëve. Ai na nxiti që të jemi mirënjohës për Biblën e Shenjtë dhe të dëshmojmë se “nuk ishte ndodhi apo rastësi që ne e kemi Biblën sot” (“Mrekullia e Biblës së Shenjtë”, f. 96).