Biblioteka
Mësimi 99: Romakëve 1–3


Mësimi 99

Romakëve 1–3

Hyrje

Pali u shkroi një letër shenjtorëve në Romë, duke shpallur se ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Ai shpjegoi se asnjë njeri nuk mund të shpëtohet nga veprat e tij; ai duhet të shpëtohet me anë të hirit të Jezu Krishtit, të bërë të mundur nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Romakëve 1:1–17

Pali shpall se ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim

Lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Leri Eko Houk, i Të Shtatëdhjetëve. Shpjegoni se kur ishte i ri, Plaku Eko Houk u regjistrua vullnetarisht në Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara.

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

“E takova instruktorin tim të stërvitjes, një veteran i kalitur nga lufta, kur ai me shqelm hapi derën e kazermës dhe hyri duke shprehur me britma fjalë të mbushura me përdhosje.

Pas këtij prezantimi tmerrues, ai filloi nga njëri cep i kazermës dhe e sfidoi çdo rekrut me pyetje. Pa përjashtim, instruktori i stërvitjes metodikisht gjeti diçka për t’u tallur me çdo rekrut, me një gjuhë të fortë e vulgare. Teksa kalonte rreshtin, sipas urdhrit, çdo marins i përgjigjej duke bërtitur: ‘Po’ ose ‘Jo, Instruktor Rreshter’. … Kur erdhi radha ime, mund ta dalloja që ai e mori çantën time prej doku dhe e zbrazi brendinë në dyshekun prapa meje. Ai pa përmes gjërave të mia personale, pastaj u kthye për t’u përballur me mua. U përgatita për sulmin e tij. Në dorën e tij ishte Libri im i Mormonit” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 32).

  • Si do të ndiheshit nëse do të ishit në situatën e Plakut Eko Houk?

  • Si mendoni ju, çfarë do të bënte instruktori i stërvitjes?

  • A keni qenë ndonjëherë në situata ku ishit të shqetësuar se bindjet tuaja do të talleshin? (Merreni parasysh që t’i ftoni disa studentë t’ia tregojnë përvojat e tyre klasës.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Romakëve 1, të kërkojnë të vërteta të cilat mund t’i ndihmojnë ata kur përballen me tallje ose përndjekje për bindjet dhe standardet e tyre.

Paraqiteni shkurtimisht librin e Romakëve, duke e ftuar një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Libri i Romakëve është një letër që Pali ua shkroi shenjtorëve në Romë pranë fundit të udhëtimeve të tij misionare. Ai u shkroi shenjtorëve romakë që t’i përgatiste ata për mbërritjen e tij, që t’i qartësonte dhe mbronte mësimet e tij dhe të nxiste unitetin midis anëtarëve judenj dhe johebrenj të Kishës. Roma – kryeqyteti i Perandorisë Romake – qe e bombarduar me filozofitë e botës dhe do të ketë qenë një vend i vështirë për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Përmblidheni Romakëve 1:1–14, duke shpjeguar se Pali e filloi letrën e tij duke dëshmuar për Jezu Krishtin dhe duke shprehur dëshirën e tij për t’i vizituar shenjtorët në Romë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 1:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve romakë rreth ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Çfarë tha Pali se është ungjilli i Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Jezu Krishtin. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta fjalët ose frazat që e japin mësim këtë të vërtetë.)

  • Nga çfarë na lejon ungjilli i Jezu Krishtit që të shpëtojmë? (Vdekja fizike dhe shpirtërore.)

  • Përse duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti me qëllim që t’i marrim bekimet e shpëtimit nëpërmjet ungjillit? (Jezu Krishti kreu Shlyerjen, e cila bën të mundur shpëtimin tonë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues të asaj që do të thotë të besosh në Jezu Krisht dhe të ushtrosh besim në Të:

Ashtu siç u përdorën nga Pali, termat bindje dhe besim nënkuptojnë jo vetëm një marrëveshje mendore se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, por pranimin e Tij me plot zemër dhe mirëbesimin tek Ai, si i Vetmi që e dha Veten e Tij në Shlyerje për mëkatet tona. Ky mirëbesim i thellë na çon drejt një jete besnike, që tregohet duke u penduar për mëkatet, duke u pagëzuar dhe duke u përpjekur për të jetuar ashtu siç dha mësim Jezu Krishti (shih Veprat e Apostujve 16:30–33; Romakëve 6:1–11; 1 Korintasve 6:9–11). “Besimi në Jezu Krishtin … shfaqet në një jetë bindjeje ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit dhe një jetë shërbimi për Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”, scriptures.lds.org).

  • Për shkak se Pali e dinte që ungjilli i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, si u ndje ai kur e predikoi këtë? (Ai nuk kishte turp [shih Romakëve 1:16].)

  • Si mund të ndikojë të paturit e një dëshmie për fuqinë e ungjillit në dëshirën tuaj për ta ndarë ungjillin me të tjerët? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Kur ne fitojmë një dëshmi se ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqi për të na shëruar, atëherë ne nuk do të kemi turp ta ndajmë atë me të tjerët.)

  • Si mund t’ju ndihmojë ky parim kur përballeni me përndjekje apo tallje për bindjet tuaja?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën tjetër të historisë së Plakut Eko Houk dhe kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si iu përgjigj ai instruktorit të stërvitjes.

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

“Prisja që të më bërtiste; në vend të kësaj, ai u afrua tek unë dhe pëshpëriti: ‘A je ti mormon?’

Sipas urdhrit, unë bërtita: ‘Po, Instruktor Rreshter’.

Përsëri prisja më të keqen. Përkundrazi, ai ndaloi dhe e ngriti dorën e tij që mbante Librin tim të Mormonit, dhe me një zë shumë të qetë tha: ‘A beson në këtë libër?’

Unë përsëri thashë me zë të lartë: ‘Po, Instruktor Rreshter’” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, f. 32).

  • Në ç’mënyrë është përgjigjja e Plakut Eko Houk një shembull i mirë i parimit të dhënë mësim te Romakët 1:16?

Shpjegoni se në vend që ta tallte Plakun Eko Houk, instruktori i stërvitjes e uli me kujdes Librin e Mormonit dhe vazhdoi të ecte përgjatë rreshtit të rekrutëve. Lexojeni me zë të lartë pjesën tjetër të thënies së Plakut Eko Houk:

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

“E kam pyetur shpesh veten përse ai rreshter i ashpër i Korpusit të Marinsave u tregua i mëshirshëm me mua atë ditë. Por jam mirënjohës që munda të thosha pa hezitim: ‘Po, unë jam një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’ dhe ‘Po, unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë’. Kjo dëshmi është një dhuratë e çmuar që më është dhënë përmes Frymës së Shenjtë” (“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”, f. 32).

  • Kur keni treguar ju (apo dikush që e njihni) se nuk keni turp ta ndani ungjillin e Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të përsiatin se sa e fortë është dëshmia e tyre për ungjillin e Jezu Krishtit dhe çfarë mund të bëjnë për ta forcuar atë dëshmi. Nxitini ata që të vendosin një synim për ta bërë këtë.

Romakëve 1:18–3:23.

Pali jep mësim se i gjithë njerëzimi mëkaton dhe privohet nga lavdia e Perëndisë

Shpjegoni se në kohën e Palit, disa të krishterë johebreas u përpoqën që ta shfajësonin pamoralshmërinë ose sjelljen mëkatare duke e vënë theksin te mëshira e Perëndisë dhe duke e shpërfillur drejtësinë e Tij të përsosur. Gjithashtu, disa të krishterë judeas besonin se respektimi i ligjit të Moisiut ishte i nevojshëm për shpëtimin e tyre. Pali u përpoq t’i korrigjonte të dyja këto ide të gabuara.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Romakëve 1:18–32. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mëkatet që Pali tha se mbizotëronin në kohën e tij. Ju mund të doni t’i ndihmoni studentët që të përkufizojnë fjalët dhe frazat në vargjet 18–32 për t’i ndihmuar ata të kuptojnë paralajmërimet që Pali u dha shenjtorëve romakë. Për shembull, merreni parasysh të bëni pyetjen vijuese:

  • vargun 25, si mendoni ju, çfarë do të thotë fraza “adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit”?

Vini në dukje se prej Romakëve 1:18–32, ne mësojmë se profetët dhe apostujt na mësojnë rreth sjelljeve dhe qëndrimeve që janë fyese për Perëndinë.

Shpjegoni se frazat “i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës” në vargun 26 dhe “duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan” në vargun 27 i referohen sjelljes homoseksuale. Ju mund të doni të shpjegoni se që prej fillimit dhe vazhdimisht nëpërmjet shkrimeve të shenjta, Zoti i ka dënuar shkeljet e ligjit të dëlirësisë, përfshirë sjelljen homoseksuale.

Shënim: Tema e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini kërkon ndjeshmëri të madhe. Ndërkohë që klasa e diskuton këtë çështje, sigurohuni që ajo të bëhet me dashamirësi, dhembshuri dhe qytetari.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë pozicionin e Kishës për sjelljen homoseksuale, lexojini thëniet vijuese me zë të lartë:

“Sjellja homoseksuale dhe lezbike është një mëkat i rëndë. Nëse e gjeni veten duke luftuar me tërheqjen ndaj personave të së njëjtës gjini ose po ju mbushet mendja për të marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme, kërkoni këshillë nga prindërit dhe peshkopi juaj. Ata do t’ju ndihmojnë” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 36).

“Qëndrimi doktrinor i Kishës është i qartë: Marrëdhëniet seksuale duhet të ndodhin vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Megjithatë, kjo nuk duhet të përdoret kurrë si justifikim për sjellje të ashpër. Jezu Krishti, të cilin ne e ndjekim, ishte i qartë në dënimin nga ana e Tij të pamoralshmërisë seksuale, por nuk ishte kurrsesi mizor. Interesi i Tij ishte që ta lartësonte gjithmonë individin, kurrsesi që ta poshtëronte. …

Kisha bën dallim mes tërheqjes dhe sjelljes ndaj së njëjtës gjini. Ndërsa pohojmë se ndjenjat dhe prirjet drejt së njëjtës gjini nuk janë në thelb mëkatare, përfshirja në sjellje homoseksuale bie ndesh me ‘parimet doktrinore, të bazuara te shkrimet e shenjta e të shenjtëruara … se martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore për planin e Krijuesit, për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij’ [“First Presidency Statement on Same-Gender Marriage”, mormonnewsroom.org]” (“Same-Sex Attraction” [Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], lds.org/topics).

  • Përse është e rëndësishme që ne t’i kuptojmë mësimet e profetëve dhe të apostujve të Zotit lidhur me sjelljen homoseksuale?

  • Si mund të tregojmë dashamirësi dhe dhembshuri ndaj atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ndërkohë që e përkrahim qëndrimin e Kishës mbi sjelljen homoseksuale?

Përmblidheni Romakëve 2:1–3:8, duke shpjeguar që Pali dha mësim se të gjithë njerëzit do të gjykohen sipas veprave të tyre dhe ai tregoi se padrejtësia e judenjve vinte nga të jetuarit e ligjit të Moisiut në mënyrë sipërfaqësore, por jo së brendshmi.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 3:9–12, 23 dhe vëreni klasën të kërkojë se kush, tha Pali, ndikohet nga mëkati.

  • Kush tha Pali se ndikohet nga mëkati? Çfarë ndikimi kanë te ne mëkatet tona? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Të gjithë njerëzit e përgjegjshëm mëkatojnë dhe kanë nevojë për faljen e Perëndisë.)

  • Si na ndihmon kjo e vërtetë për ta kuptuar më mirë arsyen përse kemi nevojë për Jezu Krishtin?

Romakëve 3:24–31

I gjithë njerëzimi mund të shfajësohet nëpërmjet pranimit të plotë të Shlyerjes së Krishtit

Shpjegoni se në vargjet e mbetura të Romakëve 3, Pali dha mësim se si Jezu Krishti e mposht problemin me të cilin përballemi – domethënë, që Perëndia nuk mund ta pranojë mëkatin dhe se çdo njeri i përgjegjshëm kryen mëkat. Me qëllim që t’i kuptojnë këto vargje, studentët do të duhen të kuptojnë kuptimin e fjalëve vijuese: shfajësim (të qenit i “fal[ur] nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj” scriptures.lds.org]), pajtim (sakrificë shlyese dhe burim i mëshirës) dhe hir (“një ndihmë ose forcë e tillë hyjnore jepet nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së [Jezu Krishtit]” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”]). Merreni parasysh t’i shkruani përkufizimet e këtyre fjalëve në tabelë përpara orës së mësimit ose jepini secilit student një fletushkë me këto terma.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Romakëve 3:24–26. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si mund të bëhemi të denjë për të qenë në prani të Perëndisë.

  • Sipas Romakëve 3:24, si shfajësohemi ose shpallemi të denjë për të qenë në prani të Perëndisë?

Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 3:24 e ndryshon fjalën falasvetëm (shih poshtëshënimin a në variantin shdm të Biblës në anglisht). Shpjegoni se pavarësisht nga gjërat e mira që bëjmë në këtë jetë, ne nuk mund ta fitojmë ose meritojmë shpëtimin vetë sepse, ashtu siç dha mësim Pali, ne të gjithë kemi mëkatuar dhe prandaj jemi privuar nga shpëtimi (shih Romakëve 3:23). Është vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë – forcës dhe fuqisë mundësuese të Tij hyjnore – që ne shpëtohemi (shih edhe Moroni 10:32–33).

  • Sipas vargut 26, kë shfajëson Perëndia me anë të hirit? (Ata që besojnë në Jezusin.)

Kujtojuni studentëve mënyrën se si i përdori Pali termat bindje dhe besim, siç u diskutua më parë në klasë.

  • Çfarë parimi na mësojnë këto vargje si rrjedhojë e pranimit të Shlyerjes së Jezu Krishtit me besim? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të tillë si më poshtë: Nëpërmjet të pranuarit me besim të Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shfajësohet dhe të marrë shpëtimin.)

  • Si mund ta tregojmë që ne e pranojmë me besim Shlyerjen e Shpëtimtarit?

Ftojini studentët të përsiatin mbi nevojën që kanë për Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe çfarë mund të bëjnë për ta pranuar më me besim Shlyerjen e Tij. Ftojini ata që t’i shkruajnë ndjenjat e tyre në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë ndjenjat dhe dëshminë e tyre për Shpëtimtarin.

Përmblidheni Romakëve 3:27–30, duke shpjeguar që Pali ritheksoi se një individ shfajësohet me anë të besimit në Jezu Krisht sesa me anë të respektimit të ligjit të Moisiut prej tij apo prej saj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Romakëve 1:1. “Ungjilli [i] Perëndisë”

Ungjilli i Jezu Krishtit është, në fakt, ungjilli i Perëndisë, që nënkupton ungjilli i Perëndisë, Atit. Ai u bë i njohur si “ungjilli i Jezu Krishtit”, kur Krishti u bë avokati dhe mbrojtësi kryesor i planit të Atit.

Romakëve 1:16. “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti se një mënyrë që ne mund të tregojmë se nuk kemi turp për ungjillin është duke e ndarë atë me të tjerët:

“Secili prej nesh ka shumë mundësi që t’ia shpallë bindjen e tij miqve dhe fqinjëve, bashkëpunëtorëve dhe të njohurve të rastësishëm. Shpresoj se ne do t’i rrokim këto mundësi për të shprehur dashurinë tonë për Shpëtimtarin, dëshminë tonë për misionin e tij hyjnor dhe vendosmërinë tonë për t’i shërbyer atij.

Nëse i bëjmë të gjitha këto, ne mund të themi sikurse Apostulli Pal: ‘Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson’. (Romakëve 1:16.)” (“Witnesses of Christ”, Ensign, nëntor 1990, f. 32).

Si një shembull të dikujt që nuk ka turp për ungjillin e Jezu Krishtit, shihni rrëfimin për Plakun Riçard G. Skot kur u intervistua nga kapiteni Hajmën G. Rikover (në Marvin K. Gardner, “Elder Richard G. Scott: ‘The Real Power Comes from the Lord’”, Ensign, janar 1989, f. 8–9).

Romakëve 1:26–32. Sjellja homoseksuale është një mëkat i rëndë

Për më shumë informacion mbi qëndrimin e Kishës lidhur me sjelljen homoseksuale dhe tërheqjen ndaj së njëjtës gjini, shihni “Same-Sex Attraction” [Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini] në lds.org/topics.

Romakëve 3:24. “[Të] shfajësuar falas me anë të hirit të tij”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon për fjalën shfajësim:

“Për shkak të ‘fuqisë së pafundme të flijimit të Tij të madh shlyes’, Jezu Krishti mund të kënaqë ose t’i ‘përgjigj[et] kërkesave të ligjit’ në emrin tonë. Falja vjen nga hiri i Atij që i ka kënaqur kërkesat e drejtësisë me anë të vetë vuajtjes së Tij. … Ai e heq ndëshkimin tonë pa e hequr ligjin. Ne falemi dhe vihemi në një gjendje drejtësie me Të. Ne bëhemi si Ai, pa mëkat. Ne mbështetemi dhe mbrohemi nga ligji, nga drejtësia. Ne jemi, me një fjalë, të shfajësuar.

Pra, ne mund të flasim në mënyrë të përshtatshme për dikë që është shfajësuar si i falur, pa mëkat, ose i pafajshëm” (“Justification and Sanctification”, Ensign, qershor 2001, f. 20).