Biblioteka
Mësimi 151: Zbulesa 1


Mësimi 151

Zbulesa 1

Hyrje

Ndërkohë që ishte në ishullin e Patmosit, Gjoni i shkroi një letër kurajëdhënëse shtatë bashkësive të Kishës duke përshkruar zbulesën që ai kishte marrë. Gjoni dha dëshmi për atë që i ishte dhënë atij nga një engjëll dhe nga Jezu Krishti. Gjoni shënoi edhe hollësi rreth vegimit të tij për Zotin Jezu Krisht.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 1:1–11

Gjoni jep dëshmi për vegimin e tij

Përpara orës mësimore, vendosni një objekt mbi tavolinë ose karrige, përballë klasës. Mbulojeni objektin, me qëllim që studentët të mos e dinë se çfarë është. Kur të fillojë ora mësimore, ftojini studentët të hamendësojnë se çfarë objekti është. Pas disa hamendësimeve, ftojeni një student të vijë përpara klasës dhe t’i kërkojë atij ose asaj ta ngrejë një pjesë të mbulesës nga objekti, me qëllim që vetëm ai ose ajo të mund ta shohë objektin. Kërkojini këtij studenti t’ia përshkruajë objektin klasës.

  • Si mund të përfaqësojë studenti që përshkroi objektin, një rol të profetëve dhe apostujve?

Kërkojini studentit të ulet. Ftojini studentët t’i kthehen librit të Zbulesës. Shpjegoni se ky libër është i njohur edhe si Apokalipsi, i cili në greqisht do të thotë zbulesë, shpalosje ose heqje e velit e asaj që është fshehur. Në këtë libër, Apostulli Gjon shënoi të vërtetat që iu zbuluan ose shpalosën atij rreth Zotit Jezu Krisht, rolit të Tij në planin e shpëtimit të Atit Qiellor, ngjarjeve që çojnë në Ardhjen e Tij të Dytë dhe mbretërimit të Tij Mijëvjeçar.

Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat që iu zbuluan Gjonit teksa studiojnë librin e Zbulesës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 1:1–3 që gjendet në kombinimin tresh. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar se çfarë dha mësim Gjoni për zbulesën që kishte marrë.

  • Përse iu dha kjo zbulesë Gjonit?

  • Çfarë donte Gjoni që të bënin shenjtorët me këtë zbulesë?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë arsyen përse Gjoni i përmendi si ata që i dëgjojnë fjalët e tij edhe ata që i lexojnë fjalët e tij, shpjegoni se në ditët e Gjonit shumë shenjtorë nuk mund të lexonin, kështu që ata u njohën me librin e Zbulesës duke dëgjuar të tjerët, të cilët e lexonin me zë të lartë.

  • Çfarë tha Gjoni për njerëzit që lexonin, përpiqeshin të kuptonin dhe të zbatonin (ose t’u bindeshin) mësimeve të shënuara në librin e Zbulesës?

  • Si do t’i përmblidhnit mësimet e Gjonit te Zbulesa 1:3 si një parim? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne lexojmë, përpiqemi t’i kuptojmë dhe t’u bindemi fjalëve të Zotit, ne do të bekohemi.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 1:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kujt iu drejtua Gjoni në letrën e tij.

  • Kujt iu drejtua Gjoni në letrën e tij? (Shpjegoni se “shtatë kisha[t] që janë në Azi”, iu referohen shtatë bashkësive në Kishë, si lagjet ose degët sot, që ndodheshin në vendin ku tani është zona perëndimore e Turqisë së ditëve të sotme. “Shtatë frymërat” iu referohen udhëheqësve të atyre bashkësive.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 1:5–8. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë donte Gjoni që shtatë bashkësitë të dinin rreth Jezu Krishtit. Merrni parasysh t’i ftoni studentët të shenjojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë donte Gjoni që shtatë bashkësitë të dinin rreth Jezu Krishtit?

  • Cila frazë për Shpëtimtarin në këto vargje është veçanërisht kuptimplote për ju? Përse? (Ju mund të doni të nxirrni në pah se Alfa dhe Omega janë germat e para dhe të fundit të alfabetit grek. Ky titull tregon se roli i Jezu Krishtit në planin e shpëtimit të Atit Qiellor përmbledh gjithçka nga fillimi e deri në fund. [Shih edhe Zbulesa 22:13.])

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 1:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se ku ishte Gjoni kur ai e mori këtë zbulesë dhe se ku ndodheshin shtatë kishat.

  • Ku ishte Gjoni kur e mori këtë zbulesë? Ku ndodheshin shtatë bashkësitë?

Merrni parasysh t’u kërkoni studentëve të shkojnë te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” [te shtojca e kombinimit tresh], për të gjetur vendndodhjen e Patmosit dhe disa nga shtatë qytetet e renditura te Zbulesa 1:11.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë pamje ka Patmosi, merrni parasysh t’i ftoni ata të shkojnë te Fotografi të Biblës nr. 32, “Ishulli i Patmosit” [te shtojca e kombinimit tresh].

  • Sipas Zbulesës 1:9, përse Gjoni ndodhej në ishullin e Patmosit?

Shpjegoni se Gjoni e mori këtë zbulesë gjatë një kohe të vështirë për anëtarët e Kishës. Gjatë kësaj kohe, pati një përndjekje të ashpër kundrejt shenjtorëve dhe braktisje e përçarje midis anëtarëve të Kishës. Përveç këtyre, të gjithë Apostujt me përjashtim të Gjonit ishin vrarë. Libri i Zbulesës mund të jetë shkruar gjatë kohës së perandorit romak Domicianit, i cili kishte rikthyer adhurimin e perandorit në mbarë perandorinë romake dhe kishte dëbuar ose ekzekutuar ata që nuk adhuronin perëndi të miratuara nga qeveria romake. Shumë njerëz besojnë se Gjoni ishte dëbuar në ishullin e Patmosit për atë arsye.

  • Sipas Zbulesës 1:10, si i përshkroi Gjoni rrethanat e tij kur ai e mori këtë zbulesë?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë fraza “isha në Frymë”?

  • Sipas vargut 11, çfarë e urdhëroi Jezu Krishti Gjonin që të bënte?

Shpjegoni se ne mësojmë në Librin e Mormonit që Nefi pati një vegim të ngjashëm me vegimin e Gjonit. Nefi pa ngjarjet e ditëve të fundit (përfshirë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, Mijëvjeçarin dhe përfundimin e veprës së Perëndisë mbi tokë), por ai u urdhërua që të mos shkruante për ato sepse Gjoni ishte i parashuguruar për ta bërë këtë (shih 1 Nefi 14:24–29).

  • Përse është e rëndësishme për ne që t’i studiojmë fjalët e Gjonit te Zbulesa?

Ftojini studentët që teksa vazhdojnë ta studiojnë librin e Zbulesës, të kërkojnë të vërteta për ditët e fundit, Ardhjen e Dytë, Mijëvjeçarin dhe përfundimin e veprës së Perëndisë mbi tokë.

Zbulesa 1:12–20

Gjoni e sheh Zotin Jezu Krisht në një vegim

Për të paraqitur idenë e simbolikës, tregoni (ose vizatoni në tabelë) figurat e disa shenjave të zakonshme në kulturën tuaj që mund të kuptohen lehtë pa fjalë. Për shembull, ju mund të tregoni shenja të trafikut ose shenja paralajmëruese. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë qëllimin e këtyre shenjave.

Shpjegoni se në librin e Zbulesës, Gjoni përdori simbole dhe figura për të dhënë mësim mesazhe të rëndësishme për ungjillin. Simbolet mund të jenë mjete të fuqishme mësimdhënieje sepse ato mund t’u kumtojnë njerëzve ndër breza dhe kultura të ndryshme. Ato mund të kumtojnë edhe disa mesazhe të ndryshme.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojë së bashku me zë të lartë Zbulesën 1:12–18, duke kërkuar simbolet që përdori Gjoni për të përshkruar zbulesën e tij. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë simbolet për të cilat lexojnë.

  • Çfarë simbolesh përdori Gjoni për të përshkruar zbulesën e tij?

Jepuni studentëve një fletushkë të tabelës vijuese (ose rikrijojeni tabelën në dërrasë). Ftojeni secilën dyshe të studentëve që të lexojë referencat e shkrimeve të shenjta te kolona në anën e djathtë të tabelës dhe të shkruajë në atë kolonë kuptimin e mundshëm të çdo simboli që përdori Gjoni.

Pamja
fletushkë, Zbulesa 1

Simbolika te Zbulesa 1

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 151

Simboli

Kuptimi i Mundshëm

Zbulesa 1:12 – Shtatë shandanë ari

Zbulesa 1:20; 3 Nefi 18:24

Zbulesa 1:16–17 – Dora e djathtë

Marku 16:19

Zbulesa 1:16 – Shtatë yje

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 1:20 (te Zbulesa 1:20, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]) –

Zbulesa 1:16 – Një shpatë e mprehtë me dy tehe

Hebrenjve 4:12

Zbulesa 1:18 – Çelësat e vdekjes e të Hadesit

2 Nefi 9:10–13

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të raportojnë kuptimin e mundshëm të çdo simboli që përdori Gjoni. Sipas nevojës, ndihmojini ata të përcaktojnë se shtatë shandanët përfaqësojnë shtatë kishat që duhet të mbajnë lart dritën e ungjillit; dora e djathtë përfaqëson fuqinë dhe miratimin hyjnor; shtatë yjet simbolizojnë shërbëtorët ose udhëheqësit e shtatë kishave që përkrahen nga Zoti; shpata përfaqëson fjalën e Perëndisë që shpall gjykimin mbi të ligjtë dhe çlirimin e të pafajshmëve; dhe çelësat e vdekjes dhe të Hadesit përfaqësojnë fuqinë e Zotit për të mposhtur vdekjen shpirtërore dhe fizike.

  • Bazuar në mesazhin e Zotit që iu zbulua shenjtorëve të Tij nëpërmjet Gjonit, çfarë të vërtete mund të mësojmë ne rreth Jezu Krishtit dhe marrëdhënies së Tij me pasuesit e Tij besnikë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti kujdeset dhe shqetësohet për pasuesit e Tij besnikë.)

Kujtojuni studentëve sfidat me të cilat po përballeshin anëtarët e Kishës në ditët e Gjonit.

  • Përse do të kishte qenë e rëndësishme për anëtarët e Kishës në ditët e Gjonit që të dinin se Jezu Krishti vazhdonte të kujdesej e të shqetësohej për ta?

  • Përse është e rëndësishme për ne që ta kujtojmë po këtë të vërtetë?

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur e kanë ndier Jezu Krishtin të kujdeset dhe të shqetësohet për ta. Ftojini disa prej tyre që t’ia tregojnë klasës përvojat e tyre. Merrni parasysh të tregoni po ashtu një nga përvojat tuaja.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 1:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i tha Gjonit.

  • Çfarë doktrine mund të mësojmë rreth Jezu Krishtit bazuar tek ajo që Ai i tha Gjonit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është një qenie e lavdishme, e ringjallur që ka fuqi mbi vdekjen dhe ferrin.)

  • Çfarë shprese mund t’u ketë sjellë kjo doktrinë shenjtorëve në ditët e Gjonit?

  • Çfarë shprese mund të na japë ne kjo doktrinë?

  • Çfarë na mëson kjo doktrinë rreth rezultatit përfundimtar të betejës midis së mirës dhe së ligës që ekziston në mbarë tokën?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese për librin e Zbulesës:

“Mesazhi i Zbulesës është i njëjtë me atë të të gjithë shkrimit të shenjtë: do të ketë një ngadhënjim përfundimtar të Perëndisë mbi djallin në këtë tokë; një fitore të patundshme të së mirës mbi të ligën, të shenjtorëve mbi përndjekësit e tyre, të mbretërisë së Perëndisë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”]).

Nxirrni në pah se, ngaqë e dimë se e mira do të triumfojë përfundimisht mbi të ligën, ajo që mbetet për t’u parë, është se në cilën anë ne zgjedhim që të jemi, në anën e Satanit apo të Perëndisë. Ju mund të doni të dëshmoni për fitoren e Shpëtimtarit mbi vdekjen dhe ferrin dhe për faktin se prej Tij ne mund të zgjedhim të mbajmë anën e Perëndisë në betejën midis së mirës dhe së ligës.

Ftojini studentët të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për të zgjedhur më plotësisht që të jenë në anën e Perëndisë. Nxitini ata të veprojnë ndaj çdo mbrese që mund të marrin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 1:19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i tha Gjonit që të shkruante. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se Zbulesa 1 shënon atë që shkroi Gjoni për vegimin e tij rreth Shpëtimtarit. Siç shënohet te Zbulesa 2–3, Gjoni shkroi për “gjërat … që janë” (Zbulesa 1:19), ose gjendjen e Kishës në ditët e tij. Zbulesa 4–22 shënon atë që Gjoni shkroi për “gjërat … që do të ndodhin pas atyre” (Zbulesa 1:19), ose të ardhmen.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 1:12. Shtatë shandanët e artë

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth shtatë shandanëve të artë që pa Gjoni:

“Shandanët mbajnë dritë; ata nuk e krijojnë atë. Funksioni i tyre është ta bëjnë të disponueshme, jo ta formojnë atë. Ndaj, duke përdorur shtatë shandanët për të përshkruar shtatë kishat, të cilave Gjoni tani duhet t’u japë këshillë, Zoti po tregon se bashkësitë e Tij në tokë duhet ta shpërndajnë dritën e Tij në botë. Krishti është Drita e botës. (Gjoni 8:12.) ‘Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë’ (3 Nefi 18:24; Mateu 5:14–16.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:442).