Biblioteka
Mësimi 142: Jakob 3


Mësimi 142

Jakob 3

Hyrje

Jakobi u dha mësim shenjtorëve mbi rëndësinë e kontrollimit të të folurit të tyre. Ai më pas e krahasoi diturinë e botës me diturinë që vjen nga Perëndia.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakob 3:1–12

Jakobi u jep mësim shenjtorëve mbi rëndësinë e kontrollimit të të folurit të tyre

Sillni në klasë një tubet paste dhëmbësh. Ftojeni një student ta shtrydhë të gjithë pastën e dhëmbëve nga tubeti (ose kërkojuni studentëve ta përfytyrojnë këtë skenar). Kërkojini një studenti tjetër që të përpiqet ta futë të gjithë pastën e dhëmbëve sërish në tubet. Pasi studenti i dytë has vështirësi për ta bërë këtë, bëni pyetjen:

  • Si mund të krahasohet pasta e dhëmbëve në këtë skenar me fjalët që ne themi?

Ftojini studentët të përsiatin nëse kanë thënë ndonjëherë ndonjë gjë për të cilën më vonë u ka ardhur keq. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Jakobin 3:1–12, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë ata për t’i zgjedhur me mençuri fjalët e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 3:2–4 dhe fjalinë e parë të Jakobit 3:5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Jakobi ata që nuk i fyejnë të tjerët me fjalët e tyre. Shpjegoni se fraza “të gjithë gabojmë” në vargun 2 do të thotë që të gjithë ne e kalojmë cakun, dhe shpjegoni se Jakobi e përdori fjalën gjuhë për t’iu referuar fjalëve që ne themi.

  • Si i përshkroi Jakobi ata që mund t’i kontrollojnë fjalët e tyre?

Pamja
vizatim, kalë me fre
Pamja
vizatim, barkë dhe levë e pasme komanduese

Merreni parasysh të paraqitni ose të vizatoni në tabelë figurën e frerëve të kalit dhe atë të levës së pasme komanduese të një anijeje. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se freri (vargu 3) është një copë e vogël metali që vendoset në gojën e kalit, e cila lidhet me kapistrën, duke e lejuar kalorësin që ta drejtojë kalin. Në këtë varg, fjala timon (vargu 4) i referohet levës së pasme komanduese të një anije, që e ndihmon dikë ta drejtojë apo ta kthejë anijen.

  • Sipas Jakobit, çfarë kanë të përbashkët freri i kalit me timonin e një anijeje? (Të dy janë pak a shumë të vegjël, dhe të dy drejtojnë apo kontrollojnë gjërat e mëdha tek të cilët janë të bashkangjitur.)

  • Si na ndihmon krahasimi i Jakobit të këtyre objekteve me gjuhën apo fjalët që ne themi, për të kuptuar fuqinë e fjalëve tona?

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth asaj që mund të ndodhë kur ne mësojmë ta kontrollojmë të folurin tonë? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne mësojmë ta kontrollojmë të folurin tonë, ne mund të mësojmë ta kontrollojmë pjesën tjetër të veprimeve tona.)

  • Përse kontrollimi i të folurit tonë mund të na ndihmojë të kontrollojmë pjesën tjetër të veprimeve tona?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 3:5 dhe gjithashtu Jakobin 3:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se me çfarë tjetër e krahasoi Jakobi të folurin tonë. Shpjegoni se fjala pyll i referohet një tangalle (shih vargun 5, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Me çfarë tjetër e krahasoi Jakobi të folurin tonë?

  • Cilat aspekte të jetës sonë mund të “ndize[n]” (vargu 6) apo të vihen në rrezik, nga përdorimi jo i mençur i fjalëve nga ana jonë?

Shpjegoni se fraza “ecj[a] e natyrës” në vargun 6 mund t’i referohet rrjedhës së jetës së dikujt.

  • Në ç’mënyra mund të ndikojnë në rrjedhën e jetës sonë fjalët që ne themi?

  • Si mund të ndikojë pozitivisht në rrjedhën e jetës sonë bërja e ndryshimeve të vogla në fjalët që themi? Po në jetën e të tjerëve?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Jakobi 3:7–12. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se me çfarë tjetër e krahasoi Jakobi të folurin tonë.

  • Me çfarë tjetër e krahasoi Jakobi të folurin tonë? (Një kafshë që duhet zbutur [shih vargjet 7–8], “helm vdekjeprurës” [vargu 8], një burim që “j[ep] ujë të kripur dhe [ujë] të ëmbël” “nga e njëjta vrimë” [vargjet 11–12], një pemë fiku që prodhon ullinj në vend të fiqve, dhe një hardhi që prodhon fiq [shih vargun 12].)

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë përmbajtjen e këtyre vargjeve, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Është e dukshme se Jakobi nuk do të thotë se gjuha jonë është gjithmonë e paudhë dhe as se gjithçka që themi është ‘plot me helm vdekjeprurës’. Por ai e thotë qartë se të paktën disa gjëra që themi mund të jenë shkatërrimtare, madje helmuese – dhe kjo është një fjalë drithëruese për një shenjtor të ditëve të mëvonshme! Zëri që jep një dëshmi të thellë, që shqipton lutje të zjarrta dhe këndon himne të Sionit mund të jetë i njëjti zë që qorton dhe kritikon, turpëron dhe poshtëron, që shkakton dhembje dhe shkatërron shpirtin e dikujt dhe të të tjerëve gjatë procesit. …

… U përpjekshim për të qenë burra dhe gra ‘të përsosur[a]’ tani, në të paktën këtë mënyrë – duke mos fyer me fjalë ose e thënë më pozitivisht, duke folur me një gjuhë të re, me gjuhën e engjëjve. Fjalët tona, ashtu si veprat tona, duhet të mbushen me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, tri detyrimet e mëdha të krishtera që nevojiten aq shumë në botën tonë sot. Me fjalë të tilla, të thëna nën ndikimin e Shpirtit, lotë mund të thahen, zemra mund të shërohen, jetë mund të inkurajohen, shpresa mund të kthehet dhe besimi në vetvete mund të triumfojë” (“Gjuha e Engjëjve”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 16, 18; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 16–18).

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si duhet të flasin pasuesit e Perëndisë? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Pasuesit e Perëndisë përpiqen ta përdorin gjuhën e tyre për qëllime të drejta, jo për të përhapur të ligën.)

  • Përse është një problem i madh nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme e përdorin gjuhën e tyre për qëllime të liga apo për t’i lënduar ose dëmtuar të tjerët?

  • Cilat janë disa nga gjërat që ne mund të bëjmë për të qenë pak më të “përsosur” (Jakob 3:2) në zgjedhjen e fjalëve tona?

Ftojini studentët të shpjegojnë mënyrën se si të jetuarit e së vërtetës që përcaktuan te Jakobi 3:9–10 do t’i drejtonte veprimet e tyre në situatat vijuese:

  1. Ju jeni duke dërguar një mesazh apo duke përdorur mjetet e komunikimit shoqëror.

  2. Ju jeni një prift që e bekon sakramentin të dielave. Në shkollë, miqtë tuaj fillojnë të tallin një student tjetër.

  3. Ju jeni një e re që në të shkuarën ka folur keq për një të re tjetër në lagjen apo degën tuaj.

  4. Shokët e ekipit tuaj përdorin gjuhë të pisët.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë.

“Mënyra se si flisni duhet të tregojë se kush jeni si një bir ose bijë e Perëndisë. Gjuha e pastër dhe e mençur është provë e një mendjeje të mprehtë dhe të shëndetshme. Gjuha e mirë që ngre shpirtërisht, që nxit dhe përgëzon të tjerët, e fton Shpirtin që të jetë me ju. Fjalët tona, sikurse veprimet tona duhet të jenë të mbushura me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 20).

  • Kur ju kanë ngritur shpirtërisht apo ju kanë dhënë kurajë fjalët e një personi tjetër?

  • Si jeni bekuar ju kur jeni përpjekur t’i ngrini shpirtërisht apo t’u jepni kurajë të tjerëve me fjalët tuaja?

Ftojini studentët të shkruajnë një synim në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta lidhur me atë që do të bëjnë për ta kontrolluar më mirë të folurin e tyre dhe për ta përdorur gjuhën e tyre për qëllime të drejta. Ftojini ata që gjatë javës së ardhshme të veprojnë sipas asaj që shkruan.

Jakob 3:13–18

Jakobi e krahasoi diturinë e botës me diturinë që vjen nga Perëndia

Përmblidheni Jakobin 3:13–18, duke shpjeguar se Jakobi e krahasoi diturinë e botës me diturinë që vjen nga Perëndia. Dituria e botës çon drejt “trazirë[s]” (vargu 16) dhe “grindje[s]” (vargu 14), ndërkohë që dituria “nga lart” është “e pastër” dhe “plot mëshirë” (vargu 17).

Dëshmoni për parimet që u shpjeguan në mësimin e sotëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakob 3:2. “Nuk gabon në të folur”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi për rreziqet e të folurit negativisht dhe foli për nevojën e të qenit më pozitiv në të folurin tonë:

“Mendoj se kuptohet vetë që e folura negative rrjedh shpesh nga të menduarit negativisht, përfshirë të menduarit negativisht për veten tonë. Ne shohim të metat tona, ne flasim – ose të paktën mendojmë – në mënyrë kritike për veten tonë dhe shumë shpejt, ajo është mënyra se si i shohim të gjithë dhe gjithçka. Pa rreze dielli, pa trëndafila, pa premtime shprese apo lumturie. Shpejt, ne dhe të gjithë përreth nesh janë të mjeruar.

… Ne duhet ta nderojmë thënien e Shpëtimtarit: ‘merrni zemër’ [Mateu 14:27; Marku 6:50; Gjoni 16:33]. (Vërtet, më duket se ne mund të jemi më fajtorë për thyerjen e atij urdhërimi se të pothuajse çdo urdhërimi tjetër!) Flisni me shpresë. Flisni në mënyrë nxitëse, përfshirë veten tuaj. Mundohuni të mos ankoheni dhe qaheni papushim” (“Gjuha e Engjëjve”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 17–18; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 16–18).

Jakob 3:10. “Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi”

Plaku Robert S. Ud, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim rreth fuqisë së fjalëve tona për t’i bekuar të tjerët dhe veten tonë:

“Fjalët tona dhe shprehjet tona të jashtme nuk janë asnjanëse, sepse ato pasqyrojnë si atë që jemi edhe formën që po marrim. …

Ajo që themi dhe mënyra se si e paraqesim veten tonë jo vetëm që e tradhtojnë personin tonë të brendshëm, por edhe e formojnë atë person, ata që janë përreth nesh dhe përfundimisht, të gjithë shoqërinë tonë. Çdo ditë, secili prej nesh përfshihet në errësimin e dritës apo në largimin e errësirës. Ne jemi thirrur ta ftojmë dritën dhe të jemi një dritë, për ta shenjtëruar veten tonë dhe për t’i lartësuar të tjerët. …

Kur flasim e veprojmë, ne duhet të bëjmë pyetjen nëse fjalët dhe shprehjet tona kanë për qëllim që të ftojnë fuqitë e qiellit në jetën tonë dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti. Ne duhet t’i trajtojmë gjërat e shenjta me nderim. Ne duhet ta largojmë nga bisedat tona të paturpshmen dhe të ndyrën, të dhunshmen dhe kërcënuesen, poshtëruesen dhe të rremen. Ashtu siç shkroi Apostulli Pjetër: ‘Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj’ (1 Pjetër 1:15). Shprehja sjellje këtu i referohet jo vetëm të folurit, por edhe gjithë qëndrimit tonë” (“The Tongue of Angels”, Ensign, nëntor 1999, f. 83, 84).