Biblioteka
Mësimi 39: Marku 9:1–29


Mësimi 39

Marku 9:1–29

Hyrje

Jezusi shpërfytyrohet në prani të Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Më pas, Ai u mësoi atyre për rolin e Gjon Pagëzorit si një Elia, i cili duhej të përgatiste udhën për Mesian. Pasi Jezusi u kthye te dishepujt e Tij të tjerë, një burrë iu përgjërua Atij që ta dëbonte frymën e ligë nga djali i tij. Jezusi e dëboi frymën e ligë dhe u mësoi dishepujve të Tij rreth nevojës për lutje dhe agjërim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 9:1–13

Jezusi shpërfytyrohet në prani të Pjetrit, Jakobit e Gjonit dhe jep mësim rreth Elias

Ftojini disa vullnetarë që të vijnë përpara klasës dhe të bëjnë shkurtimisht një veprimtari që e shton forcën fizike.

  • Përse dikush do të donte ta shtonte forcën e tij apo të saj fizike?

  • Si mund të krahasohet forca fizike me forcën shpirtërore, apo besimin në Jezu Krisht?

  • Cilat janë disa situata në të cilat besimi ynë në Jezu Krisht mund të provohet, dhe në nevoja të veçanta, të forcohet? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 9:1–29, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ta forcojnë besimin e tyre në Jezu Krisht.

Përmblidheni Markun 9:1–13, duke shpjeguar se ai përmban një rrëfim të shpërfytyrimit të Jezusit në prani të Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në malin e Shpërfytyrimit. Ky fragment ritregon gjithashtu se Jezusi u mësoi këtyre Apostujve se Gjon Pagëzori e kishte përmbushur rolin e profetizuar të një Eliasi, apo të atij që përgatit udhën për ardhjen e Shpëtimtarit (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Marku 9:10 [te Marku 9:12, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Marku 9:14–29

Jezusi dëbon një frymë të ndyrë nga djali i një burri

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar skenën me të cilën u ndesh Shpëtimtari kur u kthye nga mali për te dishepujt e Tij të tjerë. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë fjalët e Shpëtimtarit dhe një student tjetër të lexojë fjalët e babait në rrëfimin që vijon te Marku 9:16–24 (ju mund t’i caktoni këto pjesë përpara orës mësimore dhe t’i ftoni këta studentë që të gjejnë rreshtat e tyre përkatës). Merrni parasysh të bëni rolin e tregimtarit ose ftojeni një student të tretë që ta bëjë këtë. Kërkojuni studentëve të caktuar që t’i lexojnë me zë të lartë pjesët e tyre te Marku 9:16–18. Vëreni klasën t’i ndjekë, për të parë atë që kërkoi babai nga dishepujt e Shpëtimtarit.

  • Çfarë po kërkonte ky baba për birin e tij? (Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se djali ishte pushtuar nga një frymë e ligë, e cila shkaktonte humbjen e aftësisë për të folur, shurdhësinë [shih Marku 9:17, 25] dhe sëmundje të tjera. Sa herë që fryma e ligë e pushtonte djalin, djali dridhej, i dilte shkumë nga goja, i kërcëllinin dhëmbët dhe i ngrinin gjymtyrët.)

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur të jenë ky baba dhe të përsiatin se si besimi i tyre te Shpëtimtari dhe fuqia e Tij mund të jetë ndikuar kur dishepujt nuk mund ta shëronin djalin e tyre.

Ftojini studentët e caktuar që të vazhdojnë të lexojnë me zë të lartë pjesët e tyre te Marku 9:19–22. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke përfytyruar se si mund të jetë ndier ky baba ndërsa bisedonte me Shpëtimtarin.

  • Çfarë mendoni se mund të ketë ndier ky baba ndërsa bisedonte me Shpëtimtarin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për atë që Plaku Holland i shton kuptueshmërisë sonë lidhur me ndjenjat dhe përgjërimet e këtij babai.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Pa asnjë shpresë tjetër të mbetur, ky baba pohon atë besim që ka dhe i përgjërohet Shpëtimtarit të botës: ‘Nëse [ti] mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo’ [Marku 9:22; kursivet e shtuara]. Nuk mund t’i lexoj këto fjalë pa u përlotur. Përemri në shumës ne përdoret qartësisht me qëllim. Në fakt, ky burrë po thotë: ‘E tërë familja jonë po përgjërohet. Mundimi ynë nuk rresht kurrë. Jemi të dërrmuar. Djali ynë bie në ujë. Bie në zjarr. Ai është vazhdimisht në rrezik dhe ne kemi vazhdimisht frikë për të. Nuk dimë se kujt tjetër t’i drejtohemi. A mundesh ti të na ndihmosh? Do të të jemi mirënjohës për gjithçka – një bekim të pjesshëm, për një grimcë shprese, një lehtësim sadopak të barrës që mbahet nga nëna e këtij djali çdo ditë të jetës së saj’” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93).

Ftojeni studentin që i është caktuar pjesa e Shpëtimtarit të lexojë me zë të lartë Markun 9:23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi këtij babai.

  • Te kush duhet të besonte ky baba?

  • Çfarë parimi i mësoi Shpëtimtari këtij babai? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëse besojmë te Jezu Krishti, të gjitha gjërat do të jenë të mundura për ne. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët te vargu 23 që e japin mësim këtë parim.)

Vini në dukje se [fraza] “çdo gjë” lidhet me të gjitha bekimet e drejta që janë në përputhje me vullnetin, qëllimet dhe kohën e Perëndisë.

  • Si mund ta ndihmojë të besuarit e këtij parimi dikë që përballet me vështirësi, të cilat duken të pamundura për t’u kaluar?

Ftojeni studentin që i është caktuar pjesa e babait të lexojë me zë të lartë Markun 9:24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e babait ndaj parimit që dha mësim Shpëtimtari.

  • Si do ta përshkruanit besimin e këtij babai në atë çast?

Kërkojuni studentëve të vërejnë dy pjesët e përgjigjes së babait. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland. Vëreni klasën të mbajë vesh për atë që ilustron deklarata e babait rreth asaj që ne mund të bëjmë në raste “mosbesimi”, apo në raste dyshimi ose frike.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Kur ndodhet përballë sfidës së besimit, babai fillimisht vë në pah forcën e tij dhe vetëm më pas e pranon kufizimin e tij. Deklarimi i tij fillestar është pohues dhe pa ngurrim: ‘Unë Besoj, o Zot’. Do t’iu thoja të gjithë atyre që dëshirojnë më shumë besim, kujtoni këtë burrë! Në çaste frike ose dyshimi, apo në kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. Gjatë rritjes që ne të gjithë duhet të përjetojmë në vdekshmëri, të gjithëve ne do të na ndodhin gjëra të ngjashme shpirtërore me mundimin e këtij djali apo dëshpërimin e këtij prindi. … Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa të vijë njohuria e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, f. 93–94).

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky baba rreth asaj që mund të bëjmë në raste mosbesimi? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse mbahemi tek ajo që ne besojmë …)

  • Çfarë mund të mësojmë rreth përballjes me mosbesimin nga pjesa tjetër e deklaratës së këtij babai në vargun 24? (Pasi studentët të përgjigjen, shtojani frazën vijuese thënies në tabelë: dhe e kërkojmë ndihmën e Zotit, …)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:25–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari në përgjigje të lutjeve të babait.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari në përgjigje të lutjeve të babait?

  • Si do ta plotësonit thënien në tabelë, bazuar në atë që keni mësuar nga ky rrëfim? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni fjalinë në tabelë në mënyrë që ajo të përçojë parimin vijues: Nëse mbahemi tek ajo që ne besojmë dhe e kërkojmë ndihmën e Zotit, Ai do të na ndihmojë për ta forcuar besimin tonë.)

Referojuni situatave të renditura në tabelë, të cilat ju i diskutuat në fillim të mësimit.

  • Si mund të përdoret ky parim në situata të tilla?

  • Kur keni marrë ndihmë nga Zoti ju apo dikush që ju njihni në një kohë mosbesimi, duke u mbajtur te besimi dhe duke e kërkuar ndihmën e Tij? (Ju mund të doni të tregoni edhe një përvojë.)

Nxitini studentët ta zbatojnë këtë parim gjatë kohëve të mosbesimit.

Kujtojuni studentëve se ky baba fillimisht e solli të birin te disa nga dishepujt e Jezusit për ta shëruar. Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur ata të jenë këta dishepuj.

  • Çfarë mund të keni menduar apo ndier pasi dështuat ta dëbonit frymën e ligë nga djali?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:28, dhe vëreni klasën të kërkojë pyetjen që dishepujt i bënë Jezusit.

  • Ç’pyetje i bënë dishepujt Jezusit?

Vërini studentët të rishikojnë Markun 9:19, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Shpëtimtari njerëzit, përfshirë dishepujt e Tij, të cilët ishin të pranishëm. (Ata ishin “[pa] bes[im]”.) Shpjegoni se [pa] bes[im] këtu, i referohet mungesës së besimit në Jezu Krisht. Besimi në Jezu Krisht është i nevojshëm që bekimet e priftërisë të jenë të efektshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj pyetjes së dishepujve të Tij.

  • Çfarë u mësoi Shpëtimtari dishepujve të Tij?

  • Si mund të ndikojnë në besimin e një personi lutja dhe agjërimi? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të kuptojnë të vërtetën vijuese: Ne mund ta shtojmë besimin tonë te Jezu Krishti nëpërmjet lutjes dhe agjërimit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga libri Të Vërtetë ndaj Besimit. Vëreni klasën të dëgjojë për situatat e ndryshme në të cilat mund të zbatohet kjo e vërtetë:

“Ky rrëfim [i Jezusit që dëbon një frymë të ligë nga djali i një burri] na mëson se lutja dhe agjërimi mund t’u japin forcë të shtuar atyre që japin dhe marrin bekime priftërie. Rrëfimi mund të gjejë zbatim edhe në përpjekjet tuaja vetjake për ta jetuar ungjillin. Në rast se keni një dobësi ose mëkat të cilin jeni munduar ta mposhtni, mund t’ju nevojitet të agjëroni dhe të luteni për të marrë ndihmën ose faljen që dëshironi. Ashtu si djalli që Krishti e dëboi, vështirësia juaj mund të jetë e atij lloji që do të ikë vetëm nëpërmjet lutjes dhe agjërimit” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 11).

  • Sipas kësaj thënie, cilat janë disa situata në të cilat mund të gjejë zbatim kjo e vërtetë?

  • Kur ju kanë ndihmuar lutja dhe agjërimi për ta shtuar besimin tuaj në Krisht, dhe ju kanë lejuar t’i merrni bekimet e drejta që kërkuat?

Kërkojuni studentëve të mendojnë mbi bekimet që ata kërkojnë për veten e tyre ose të tjerët, të cilat mund të merren duke e shtuar besimin e tyre te Jezu Krishti nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Ftojini ata të shkruajnë një synim që të luten dhe agjërojnë për këto bekime të dielën e ardhshme të agjërimit.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Merrni parasysh që t’i hidhni një sy përpara disa prej fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, të cilat mund të mos jenë të njohura për studentët. Ftojini ata t’i lexojnë dhe shenjojnë ato. Ju mund t’i caktoni çdo studenti apo çifti studentësh një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë, dhe kërkojuni atyre të vizatojnë në copa letrash figura që përshkruajnë të vërtetat e mësuara në fragmentet e tyre. Ftojini ata që t’i shpjegojnë klasës figurat e tyre. Ju mund t’i paraqitni figurat për referime te ardhshme.

(Shënim: Ju mund ta përdorni këtë veprimtari në fillim ose në fund të orës mësimore, ashtu si koha e lejon.)

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 9:22–24. Të mbajturit te ajo që ne besojmë dhe kërkimi i ndihmës për ta forcuar besimin tonë

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën vijuese lidhur me forcimin e besimit tonë:

“Kur problemet vijnë dhe pyetjet dalin, mos e filloni kërkimin tuaj për besim duke thënë sa shumë nuk keni, duke u udhëhequr sikur të ishte nga ‘mosbesimi’ juaj. … Nuk po ju kërkoj të shtireni për besimin që nuk e keni. Unë jam duke ju kërkuar të jeni të vërtetë ndaj besimit që vërtet e keni. Nganjëherë ne veprojmë sikur një shprehje e ndershme e dyshimit është një shfaqje më e lartë e kurajës morale sesa është një shpallje e ndershme e besimit. Nuk është! Prandaj le të kujtojmë të gjithë mesazhin e qartë të këtij rrëfimi të shkrimit të shenjtë: Jini aq i sinqertë me pyetjet tuaja sa është e nevojshme të jini; jeta është plot me pyetje për një temë apo një tjetër. Por nëse ju dhe familja juaj dëshironi të shëroheni, mos i lejoni ato pyetje t’i zënë udhën besimit për të mos e kryer mrekullinë e tij. …

… Kur afrohet dyshimi ose vështirësia, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Nëse e dëshirojmë ndihmën me po aq përulësi e ndershmëri, sa e deshi ky baba, ne mund ta marrim atë. Shkrimet e shenjta e quajnë një dëshirë të tillë të zellshme si të qenit me ‘bindje të vërtetë’, e ndjekur ‘me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë’ [2 Nefi 31:13]. Unë dëshmoj se në përgjigje të atij lloj kërkimi të ngutshëm, Perëndia do të dërgojë gjithmonë ndihmë nga të dy anët e velit për ta forcuar besimin tonë” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94).

Nëse ndonjë nga studentët tuaj po përballet me dyshime ose frikëra që ngrihen nga pyetjet për doktrinën apo historinë e Kishës së Shpëtimtarit, ju mund t’i ftoni ata të studiojnë materiale të përshtatshme nga faqet Gospel Topics [Temat e Ungjillit] të Kishës (shih lds.org/topics).

Marku 9:28–29. Agjërimi i ndërthurur me lutje

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon:

“Ne vëmë re se në shkrimet e shenjta, agjërimi është pothuaj gjithmonë i lidhur me lutjen. Pa lutje, agjërimi nuk është një agjërim i plotë; është thjesht të jesh i uritur. Nëse duam që agjërimi ynë të jetë më shumë se sa thjesht të qenit i pangrënë, ne duhet ta ngremë zemrën, mendjen dhe zërin tonë në komunikim me Atin tonë Qiellor. Agjërimi, i shoqëruar me lutje të fuqishme, është i jashtëzakonshëm” (“The Law of the Fast”, Ensign, maj 2001, f. 73).

Për më shumë udhëzim rreth ndërthurjes së agjërimit me lutje, përfshirë ndikimin e tij për të sjellë fuqi shpirtërore të shtuar në jetën tonë, shih [bisedën] e Plakut Karl B. Prat “The Blessings of a Proper Fast”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 47–49.