Biblioteka
Mësimi 55: Lluka 17


Mësimi 55

Lluka 17

Hyrje

Jezusi u mësoi dishepujve të Tij rreth nevojës për t’i falur të tjerët. Më pas, Apostujt i kërkuan Jezusit ta shtonte besimin e tyre. Në përgjigje, Shpëtimtari u mësoi atyre shëmbëlltyrën e shërbëtorit të padobishëm. Më vonë, Jezusi shëroi dhjetë lebrosë, por vetëm njëri u kthye për ta falënderuar Atë. Shpëtimtari u përball me farisenjtë dhe dha mësim rreth ardhjes së mbretërisë së Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 17:1–10

Apostujt i kërkojnë Jezusit ta shtojë besimin e tyre

Ftojini studentët të mendojnë për situata të veçanta të cilat mund t’u kërkojnë atyre të ushtrojnë besim (të tilla si kërkimi i një bekimi priftërie, pagimi i së dhjetës, apo dhënia e një bisede ose mësimi në kishë). Ftojini disa studentë të raportojnë atë për të cilën menduan dhe t’i renditin përgjigjet e tyre në tabelë.

Kërkojuni studentëve të meditojnë në heshtje pyetjet vijuese:

  • A keni dëshiruar ndonjëherë të keni një besim më të madh? Nëse është kështu, çfarë përvojash ju kanë bërë të ndiheni në këtë mënyrë?

Ftojini studentët që teksa studiojnë Llukën 17, të kërkojnë parime të cilat mund t’i ndihmojnë ta shtojnë besimin e tyre.

Përmblidheni Llukën 17:1–2, duke shpjeguar që Shpëtimtari paralajmëroi se ata që i çojnë të tjerët në rrugë të gabuar apo i bindin për të mëkatuar, do të mbahen përgjegjës.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 17:3–4, duke kërkuar një urdhërim që Shpëtimtari u dha dishepujve të Tij, i cili mund të kërkojë besim.

  • Sipas vargut 3, çfarë i urdhëroi Jezusi dishepujt e Tij të bënin nëse dikush u bënte keq?

  • Sipas vargut 4, sa herë duhet të falnin dishepujt? (Merrni parasysh të shpjegoni se përgjigjja e Shpëtimtarit është një mënyrë për të thënë se ne duhet të falim pavarësisht se sa herë lëndohemi nga dikush që është penduar.)

  • Përse mund të jetë e vështirë ta falësh dikë që ju ka lënduar vazhdimisht?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 17:5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Apostujt dëshironin nga Shpëtimtari, pasi Ai u tha dishepujve t’i falnin personat që i kishin fyer ata.

  • Çfarë dëshironin Apostujt nga Shpëtimtari? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët ta shenjojnë frazën “na e shto besimin” në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Në ç’mënyrë të kërkuarit e një besimi më të madh te Zoti i ndihmon Apostujt që t’i binden urdhërimit për t’i falur të tjerët?

Përmblidheni Llukën 17:6, duke shpjeguar se më pas Shpëtimtari u mësoi Apostujve të Tij se besimi në masën e një kokrre sinapi mund të prodhojë mrekulli. Për t’i ndihmuar Apostujt që të dinin se si ta shtonin besimin e tyre, Jezusi më pas u dha një shëmbëlltyrë që përshkruan marrëdhënien e një zotërie dhe të një shërbëtori.

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Besimi ynë do të shtohet kur …

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 17:7–10. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar atë që një zotëri priste nga shërbëtori i tij.

  • Çfarë priste zotëria nga shërbëtori i tij?

Shpjegoni se në kohët biblike, një zotëri siguronte të gjitha gjërat e nevojshme të jetës për shërbëtorin e tij, ndërkohë që shërbëtori përmbushte besnikërisht detyrat që priteshin prej tij. Për shkak të kësaj, nuk kishte nevojë që zotëria t’i jepte falënderime të veçanta shërbëtorit të tij apo të ndihej borxhli ndaj tij për kryerjen e detyrave të tij.

  • Në ç’mënyrë është Ati ynë Qiellor si zotëria në këtë shëmbëlltyrë? Çfarë pret Ai nga ne? (Të bëjmë “të gjitha ato gjëra që [na] urdhërohen” [vargu 10].)

Shtojini thënies në tabelë në mënyrë që ajo të lexohet: Besimi ynë do të shtohet kur përpiqemi të bëjmë gjithçka që urdhëron Ati Qiellor.

Për t’i ndihmuar studentët të shohin se çfarë tjetër mund ta shtojë besimin e tyre, pyetini:

  • Sipas vargut 10, çfarë duhet të thonë shërbëtorët pas mbajtjes së urdhërimeve të zotërisë së tyre?

  • Çfarë do të thotë të jesh “shërbëtor… [i] padobishëm”? (Do të thotë që pavarësisht se sa mirë njerëzit i mbajnë urdhërimet, ata janë gjithmonë në borxh ndaj Perëndisë.)

  • Përse jemi përherë në borxh ndaj Atit Qiellor, edhe kur jemi të bindur dhe po jetojmë me drejtësi? (Për shkak se Ati Qiellor na bekon gjithmonë, ne kurrë nuk mund t’ia shpërblejmë Atij [shih Mosia 2:20–26].)

Plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që ajo të përçojë parimin vijues: Besimi ynë do të shtohet kur përpiqemi të bëjmë gjithçka që urdhëron Ati Qiellor dhe kur ne kujtojmë se jemi gjithmonë në borxh ndaj Tij. Ju mund të doni t’i nxitni studentët që ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Si na e shton besimin përpjekja për të bërë gjithçka që urdhëron Ati Qiellor?

Ftojini studentët të përsiatin për një rast kur ata i mbajtën urdhërimet ose e kryen me bindje detyrën e tyre dhe si rrjedhim ndien një shtim të besimit. Ftojini ata që t’i shënojnë mendimet e tyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që t’i tregojnë një studenti tjetër atë që shkruan. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.

Lluka 17:11–19

Jezusi shëron dhjetë lebrosë

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Gjatë kohëve biblike, duhet të ketë qenë një sfidë e madhe të vuaje nga lebra sepse 

Ndihmojini studentët të rishikojnë atë që dinë rreth lebrës, duke u kërkuar atyre që t’i thonë klasës se si do ta plotësonin thënien. Për shembull, studentët mund të përmendin që lebra mund të çonte në shpërfytyrim dhe vdekje; se lebrosët veçoheshin nga pjesa tjetër e shoqërisë për të mbrojtur shëndetin e të tjerëve; dhe se atyre u kërkohej të thërritnin “I papastër!” për të paralajmëruar çdokënd që u afrohej atyre (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Leper” [“Lebros”]).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 5:11–12. Vëreni klasën të kërkojë se kë takoi Jezusi kur ndaloi në një fshat teksa po udhëtonte drejt Jeruzalemit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Në qoftë se do të ishit njëri prej atyre lebrosëve, çfarë ndjenjash mund të kishit pasur kur patë Jezusin?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 17:13–14. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që lebrosët i thanë Shpëtimtarit dhe cila qe përgjigjja e Tij për ta.

  • Çfarë kërkuan lebrosët nga Jezusi?

  • Çfarë i udhëzoi Jezusi ata që të bënin?

Shpjegoni se ligji i Moisiut udhëzonte që lebrosët, pasi të shëroheshin, t’ia tregonin veten e tyre priftërinjve me qëllim që të pranoheshin sërish në shoqëri (shih Levitiku 14).

  • Çfarë ndodhi kur ikën lebrosët?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 14 lidhur me atë që ne duhet të bëjmë për t’i marrë bekimet e Zotit? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne i marrim bekimet e Zotit kur bëjmë atë që Ai na ka udhëzuar të bëjmë.)

Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim se si do të kishte qenë po të ishin një nga lebrosët që u pastruan.

  • Çfarë mendoni se do të kishit bërë sapo të kuptonit se ishit pastruar nga lebra?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 17:15–19. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar mënyrën se si një nga lebrosët reagoi ndryshe nga të tjerët.

  • Çfarë bëri lebrosi samaritan që tregoi mirënjohjen e tij përkundrejt Shpëtimtarit?

  • Përse mund ta ketë përmendur Lluka se lebrosi mirënjohës ishte një samaritan – dikush që shumica e judenjve do ta kishte përçmuar? Çfarë i shton kjo hollësi të kuptuarit tonë për këtë rrëfim?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga lebrosi që u kthye për t’i dhënë falënderime Zotit? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Është e rëndësishme që të shprehim mirënjohje për bekimet që ne marrim.)

  • Përse është e rëndësishme që t’i shprehim mirënjohjen tonë Perëndisë për bekimet që ne marrim?

  • Si mund të jemi ne si nëntë lebrosët ndonjëherë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Vëllezërit dhe motra e mia, a kujtohemi të japim falënderime për bekimet që marrim? Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm që na ndihmon t’i njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë” (“Dhurata Hyjnore e Mirënjohjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 87).

  • Sipas vargut 19, çfarë tha Shpëtimtari se i kishte ndodhur këtij lebrosi për shkak të veprimeve të tij? (Ai u shërua.)

  • Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë të shërohemi shprehja e falënderimevet tona ndaj Zotit për bekimet tona?

Ftojini studentët të shënojnë në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta bekime të veçanta nga Ati Qiellor, për të cilat ata janë mirënjohës. Ftojini ata të shkruajnë mbi mënyrën se si mund të jetojnë në mirënjohje për këto bekime.

Lluka 17:20–37

Jezusi jep mësim lidhur me ardhjen e mbretërisë së Perëndisë

Përmblidheni Llukën 17:20–37, duke shpjeguar që Jezusi dha mësim rreth Ardhjes së Tij të Dytë. (Shënim: Mësime të ngjashme u trajtuan në materialin e mësimit për Mateun 24 dhe Joseph Smith — Mateun.)

Ju mund të doni të përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e përcaktuara në këtë mësim. Ftojini studentët t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Kjo veprimtari mund të përdoret për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Ndajeni klasën në grupe me nga katër ose pesë vetë. Jepini secilit grup një zar me gjashtë faqe dhe një laps. (Nëse zaret nuk janë të gjindshme, ju mund të vendosni në një zarf ose kuti tjetër gjashtë copa të vogla letre, të emërtuara nga 1 deri në 6.) Secilit student do t’i duhet gjithashtu një fletë letre bosh. Vëreni secilin grup të studentëve të ulen pranë [njëri-tjetrit] rreth një tavoline apo në formë rrethi. Ftojini ata t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te fragmenti i shkrimit të shenjtë që ju do të dëshironit ta mësonin përmendsh. Shpjegoni se qëllimi i veprimtarisë është që të jeni personi i parë në grup që do ta shkruani të plotë fragmentin. Megjithatë, studentët duhet të përdorin atë laps që i është dhënë çdo grupi. Një person kualifikohet që ta përdorë lapsin duke e hedhur zarin te 1-shi (ose duke përzgjedhur copën e letrës me numrin 1). Ftojini anëtarët e secilit grup që ta hedhin zarin me radhë (ose të marrin një copë letre dhe më pas ta kthejnë përsëri [në zarf]). Kur një studenti i bie 1-shi, ai person e merr lapsin dhe fillon t’i shkruajë fjalët e vargut në letrën e vet, duke e thënë çdo fjalë me zë të lartë. Ndërkohë, të tjerët në grup e hedhin zarin me radhë. Kur një studenti tjetër në grup i bie 1-shi, ai person e merr lapsin nga shkruesi i mëparshëm dhe fillon të shkruajë vargun në letrën e vet ndërkohë që thotë fjalët. Shkruesi i mëparshëm i bashkohet pjesës tjetër të grupit për të hedhur zarin. Kur studentëve u takon lapsi dhe e kanë shkruar tashmë një pjesë të vargut, ata duhet ta lexojnë me zë të lartë atë pjesë përpara se të shkruajnë më tepër nga vargu. (Kjo siguron përsëritjen, që do t’i ndihmojë studentët ta mësojnë vargun përmendsh.) Veprimtaria përfundon kur një student nga secili grup e ka shkruar të plotë fragmentin e shkrimit të shenjtë.

Kërkojini klasës që pas veprimtarisë ta përsëritë vargun njëzëri.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 17:15–16. “Dhe një nga ata… ra përmbys … duke e falënderuar”

Presidenti Gordon B. Hinkli foli për rëndësinë e mirënjohjes:

“Zakoni i të thënit faleminderit është treguesi i një burri dhe një gruaje të edukuar. …

… Lëreni shpirtin e falënderimit t’i udhëheqë dhe bekojë ditët dhe netët tuaja. Punoni për këtë. Ju do të zbuloni se do t’ju japë rezultate të mrekullueshme” (“A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Ensign, janar 2001, f. 4, ose Liahona, prill 2001, f. 32).

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim se si ne duhet të shprehim mirënjohje:

“Mirënjohja është më e thellë sesa falënderimet. Falënderimi është fillimi i mirënjohjes. Mirënjohja është përmbushja e falënderimit. Falënderimi mund të përbëhet thjesht nga fjalë. Mirënjohja tregohet me vepra” (“The Meaning of Thanksgiving”, Improvement Era, nëntor 1964, f. 914).

Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 17:21. “Mbretëria e Perëndisë ju ka ardhur tashmë”

Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon rreth “mbretëri[së së] Perëndisë”:

“Disa thonë se mbretëria e Perëndisë nuk ishte vendosur në tokë deri në ditën e Rrëshajëve dhe se Gjon [Pagëzori] nuk predikoi pagëzimin e pendimit për heqjen e mëkateve; por unë them, në emër të Zotit, se mbretëria e Perëndisë ishte vendosur në tokë që nga ditët e Adamit deri në kohën e tashme. Kurdoherë që ka pasur në tokë një njeri të drejtë të cilit Perëndia i ka zbuluar fjalën e Tij dhe i ka dhënë fuqi dhe autoritet për të administruar në emrin e Tij, … aty është mbretëria e Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 86).