Biblioteka
Veprimtaritë e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë


Veprimtaritë e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Hyrje

Kjo nënndarje jep disa ide që mund t’i përdorni për t’i ndihmuar studentët të zotërojnë fragmente kyçe të shkrimit të shenjtë. Kur i ndihmoni dhe i nxitni studentët që t’i zhvillojnë këto aftësi, ju po i ndihmoni ata të bëhen të sigurt te vetvetja në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Studentët mund t’i përdorin këto aftësi zotëruese gjatë gjithë jetës së tyre për të gjetur, kuptuar, zbatuar e mësuar më mirë përmendsh fragmentet në shkrimet e shenjta. Idetë për mësimdhënie për secilin element të zotërimit të shkrimit të shenjtë renditen më poshtë. Përdorimi i një larmie të këtyre llojeve të veprimtarive mund t’i ndihmojë studentët që t’i zotërojnë më me sukses fragmentet e shkrimit të shenjtë.

Veprimtaritë që i Ndihmojnë Studentët të Gjejnë Vendndodhjen e Fragmenteve të Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Shenjimi i Fragmenteve

Shenjimi i fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë mund t’i ndihmojë studentët që t’i mbajnë mend këto fragmente dhe ta gjejnë më shpejt vendndodhjen. Merrni parasysh që t’i nxitni studentët t’i shenjojnë këto fragmente kyçe në shkrimet e tyre të shenjta në një mënyrë që i dallon nga fragmentet e tjera që shenjojnë.

Njohja e Librave

Mësimi përmendsh i emrave dhe i radhës së librave në Dhiatën e Re mund t’i ndihmojë studentët ta gjejnë më shpejt vendndodhjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Në vijim janë disa shembuj veprimtarish që mund t’i ndihmojnë studentët të familjarizohen me librat në Dhiatën e Re:

  • Gjeni Tabelën e Përmbajtjes – Ndihmojini studentët që të njihen me tabelën e përmbajtjes në Bibël për t’i ndihmuar ata të gjejnë librat në të cilët gjenden referencat e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Këndoni një Këngë – Zëvendësojini fjalët e një himni të njohur ose të një kënge të Fillores me emrat e librave të Dhiatës së Re. Mësojuani këngën studentëve tuaj (ose përdorni këngën “The Books in the New Testament” [Children’s Songbook, f. 116–117]). Vërini studentët ta këndojnë këtë këngë herë pas here gjatë gjithë vitit për t’i ndihmuar ata t’i kujtojnë emrat dhe renditjen e librave në Dhiatën e Re.

  • Përdorni Germat e Para – Shkruajini në tabelë germat e para të librave (M, M, Ll, Gj dhe kështu me radhë). Vërini studentët të ushtrohen duke i thënë emrat e librave që përputhen me secilën germë. Përsëriteni këtë veprimtari derisa ata të mund t’i thonë përmendsh emrat e librave.

  • Kërkimi i Librave – Thuajeni emrin e njërit prej librave në të cilin gjendet një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe vërini studentët t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te ndonjë faqe në atë libër. Mateni kohën që i duhet të gjithë klasës për të gjetur vendndodhjen e secilit prej librave. Kjo veprimtari mund të përsëritet për t’u mundësuar studentëve që të bëhen më të aftë në mbajtjen mend dhe gjetjen e vendndodhjes së librave te Dhiata e Re.

Mbajtja Mend e Referencave dhe e Përmbajtjes

Ndërsa studentët mësojnë vendndodhjen dhe përmbajtjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë ata të kujtojnë referencat e shkrimit të shenjtë sipas nevojës (shih Gjoni 14:26). Fjalë ose fraza kyçe, të tilla si “lindur nga uji dhe nga Fryma” (Gjoni 3:5) dhe “fryti i Frymës” (Galatasve 5:22–23), mund t’i ndihmojnë studentët që të kujtojnë përmbajtjen dhe mësimet doktrinore të secilit fragment. Metodat vijuese mund t’i ndihmojnë studentët për t’i lidhur referencat e zotërimit të shkrimit të shenjtë me përmbajtjen ose fjalët e tyre kyçe. (Ju mund të doni t’i ruani veprimtaritë që përfshijnë konkurrim, garë ose kronometrim për më vonë gjatë vitit, pasi studentët të kenë treguar që e dinë se ku ndodhen fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Veprimtari të tilla më pas do të ndihmojnë për ta përforcuar atë që kanë mësuar.)

  • Referencat dhe Fjalët Kyçe – Nxitini studentët t’i mësojnë përmendsh referencat dhe fjalët kyçe të secilit fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë, të renditura në kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. (Kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë mund të porositen në internet tek adresa store.lds.org. Ju gjithashtu mund t’i vini studentët të krijojnë vetë grupin e tyre të kartave të zotërimit të shkrimit të shenjtë.) Jepuni studentëve kohë që t’i studiojnë kartat me një partner dhe më pas t’i bëjnë pyetje njëri-tjetrit. Nxitini studentët të jenë krijues në mënyrat se si studiojnë së bashku dhe i bëjnë pyetje njëri-tjetrit. Ndërsa bëhen më të zotë me fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju mund t’i ftoni ata të përdorin të dhëna orientuese që përfshijnë kontekstin ose zbatimin e doktrinave dhe parimeve nga fragmentet. Personi, të cilit i bëhen pyetjet, mund të përgjigjet me gojë ose me shkrim.

  • Kartat e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë – Kjo veprimtari mund të përdoret për të paraqitur ose për të përsëritur një grup fragmentesh të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përzgjidhni një numër kartash të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe përgatituni që t’i shpërndani mes studentëve tuaj. (Sigurohuni që të keni kopje të shumta të secilës kartë në mënyrë që më shumë se një student të marrë të njëjtin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të keni mjaft karta që secili student të ketë dy ose tre fragmente të ndryshme.) Shpërndajani ato klasës. Jepuni kohë studentëve që t’i studiojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, referencën, fjalët kyçe, thënien e kontekstit, doktrinën ose parimin dhe idetë për zbatim në secilën kartë. Thoni disa të dhëna orientuese nga kartat (për shembull, fjalët nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë ose fjalët kyçe, kontekstin, doktrinën apo parimin, ose zbatimin). Studentët që e kanë kartën shoqëruese, duhet të ngrihen dhe të thonë me zë të lartë referencën e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Kërkimi i Shkrimit të Shenjtë – Përdorni të dhëna orientuese për t’i ndihmuar studentët të ushtrohen në gjetjen me shpejtësi të fragmenteve në shkrimet e tyre të shenjta. Si të dhëna orientuese, ju mund të përdorni fjalë kyçe, thënie të kontekstit, doktrina e parime dhe ide për zbatim nga kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju gjithashtu mund të krijoni vetë të dhënat tuaja orientuese. Veprimtaritë e kërkimit të shkrimit të shenjtë, në të cilat studentët konkurrojnë për të gjetur fragmente, mund t’i ndihmojnë ata që të përfshihen në mënyrë vepruese në të mësuarin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kur i përdorni veprimtaritë e kërkimit të shkrimit të shenjtë për të ndihmuar për zotërimin e shkrimit të shenjtë, bëjeni në një mënyrë që nuk shkakton që të lëndohen ndjenjat apo të fyhet Shpirti. Ndihmojini studentët ta shmangin trajtimin e shkrimeve të tyre të shenjta pa nderim ose të qenit konkurrues në mënyrë të tepruar. Gjithashtu merrni parasysh t’i vini studentët të konkurrojnë kundrejt një standardi në vend të njëri-tjetrit. Për shembull, studentët mund të konkurrojnë kundër mësuesit, ose mund t’i vini të konkurrojnë për të parë nëse një përqindje e caktuar e klasës mund ta gjejë një fragment të veçantë në një sasi të caktuar kohe.

  • Kërkimi i Ngjarjes – Jepni të dhëna orientuese duke krijuar skenarë që paraqesin lidhjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë me jetën e përditshme. Për shembull, si një e dhënë kyçe për Mateun 28:19–20 ose Filipianëve 4:13, ju mund të thoni: “Danieli i përmbush kërkesat për të shërbyer në një mision dhe mendon se është detyra e tij e priftërisë që ta bëjë këtë gjë, por shqetësohet se ai nuk ka njohuri të mjaftueshme për ta dhënë mësim ungjillin siç duhet. Ai shqetësohet gjithashtu se do të jetë e vështirë për të që t’u flasë të panjohurve. Teksa lutet për siguri, atij i kujtohet se, pasi Jezu Krishti u ringjall, Ai i caktoi Apostujt e Tij që të ‘shko[jnë] … dhe [mësojnë] të gjithë popujt’ dhe që Zoti do të ishte gjithmonë me ta. Danieli gjithashtu mendoi fjalët e Palit: ‘Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon’.” Ndërsa studentët dëgjojnë skenarët, vërini që të gjejnë në shkrimet e tyre të shenjta fragmentet përkatëse të zotërimit të shkrimit të shenjtë.

  • Teste me Alternativa dhe Detyra Kontrolli – Jepuni studentëve mundësi për ta vënë në provë aftësinë e tyre për të kujtuar fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Të dhënat orientuese mund të përfshijnë fjalë kyçe ose referenca të shkrimit të shenjtë, citate nga fragmentet ose skenarë që ilustrojnë të vërtetat e dhëna mësim te fragmentet. Testet me alternativa dhe detyrat e kontrollit mund të jepen me gojë, në tabelë ose në letër. Pasi studentët ta kenë bërë testin me alternativa apo detyrën e kontrollit, merrni parasysh të vini në dyshe studentë që kanë rezultat të lartë me studentë që kanë rezultat më të ulët. Studenti me rezultat të lartë mund të veprojë si mësues për ta ndihmuar studentin me rezultat më të ulët që të studiojë e të përmirësohet. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, dyshja gjithashtu mund të vendosë një synim për të arritur një rezultat më të lartë së bashku në provimin e ardhshëm. Merrni parasysh të krijoni një skicë ose tabelë njoftimesh për të paraqitur synimet e studentëve dhe për të vënë në dukje përparimin e tyre.

Veprimtaritë që i Ndihmojnë Studentët t’i Kuptojnë Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Përkufizimi i Fjalëve dhe Frazave

Përkufizimi i fjalëve dhe frazave në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë (ose të ndihmuarit e studentëve për t’i përkufizuar ato) do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë domethënien e të gjithë fragmentit. Kur përkufizime të tilla janë të rëndësishme për t’i kuptuar doktrinat dhe parimet në një fragment, ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë këto përkufizime në shkrimet e tyre të shenjta. Përsëritini kuptimet e fjalëve dhe frazave ndërsa përsëritni fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Përcaktimi i Kontekstit

Përcaktimi i kontekstit të një fragmenti të shkrimit të shenjtë mund t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë domethënien e fragmentit. Konteksti përfshin informacion lidhur me cilin person po i flet cilit person dhe përse, rrethanat (historike, kulturore dhe gjeografike) të fragmentit dhe pyetjen ose situatën nga doli përmbajtja e fragmentit të shkrimit të shenjtë. Për shembull, mësimet e dhëna nga Zoti te Gjoni 3:5 janë pjesë e një bashkëbisedimi midis Jezu Krishtit dhe një fariseu simpatizues të quajtur Nikodem, i cili kishte ardhur te Shpëtimtari natën për ta pyetur rreth doktrinës së Tij. Zoti i tha Nikodemit se, nëse nuk jemi të “rilindur”, ne “nuk mund ta shoh[im] mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:3). I pështjelluar, Nikodemi pyeti se si një plak mund të rilindej. Gjoni 3:5 përmban përgjigjen e Zotit për pyetjen e Nikodemit. Njohja e këtij informacioni mund t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më qartë se për cilat pyetje po fliste Zoti, kur Ai shpalli se “kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”. Ndërsa jepni mësimet që përfshijnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, theksojeni kontekstin që i rrethon ato fragmente. Veprimtari shtesë si ajo në vijim gjithashtu mund t’i ndihmojnë studentët për t’i kuptuar këto fragmente kyçe:

  • Përcaktoni Kontekstin – Shkruani titujt në vijim në krye të tabelës: Folësi, Dëgjuesi, Qëllimi dhe Kuptime të Tjera të Dobishme. Ndajini studentët në grupe dhe caktojini secilit grup një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ftojini që të zbulojnë kontekstin e fragmenteve të caktuara atyre duke dalluar informacionin që përputhet me titujt në tabelë. Vërini t’i shkruajnë në tabelë ato që gjetën. Më pas, kërkojini secilit grup që të shpjegojë kontekstin e fragmenteve të caktuara atyre dhe se si ky informacion ndikon në të kuptuarin prej tyre të të vërtetave në secilin fragment. Për t’i shtuar një përmasë tjetër kësaj veprimtarie, ju mund të doni ta sfidoni klasën që të gjejë referencat e zotërimit të shkrimit të shenjtë bazuar në përshkrimet në tabelë, përpara se secili grup të shpjegojë atë që ka shkruar.

Analizimi

Analizimi përfshin përcaktimin e doktrinave dhe parimeve që gjenden në fragmentet e shkrimit të shenjtë. Ai gjithashtu përfshin të ndihmuarit e studentëve për ta kuptuar se si këto të vërteta janë domethënëse për ta. Kjo mund të çojë në një zbatim më të thellë të doktrinave dhe parimeve në jetën e tyre. Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë studentët t’i analizojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Shkruani të Dhëna Orientuese – Ndërsa studentët njihen më shumë me fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ftojini që të krijojnë pyetje, skenarë ose të dhëna të tjera orientuese, të cilat ilustrojnë doktrina dhe parime të dhëna mësim te fragmentet. Këto mund të përdoren për t’i bërë test klasës.

Shpjegimi

Vënia e studentëve për të shpjeguar fragmente të shkrimit të shenjtë e thellon kuptueshmërinë e tyre dhe e përmirëson aftësinë e tyre për t’i dhënë mësim doktrinat e parimet nga shkrimet e shenjta. Në vijim janë dy metoda që mund t’i ndihmojnë studentët të mësojnë se si t’i shpjegojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Fjalë dhe Fraza Kyçe – Ftojini studentët të lexojnë më vete të njëjtin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të përcaktojnë një fjalë ose frazë që e mendojnë si veçanërisht të rëndësishme për kuptimin e fragmentit. Më pas, ftojeni një student/e t’ia lexojë fragmentin klasës dhe ta vendosë theksin te fjala apo fraza që ai apo ajo ka zgjedhur. Kërkojini studentit/es të shpjegojë se përse ajo fjalë apo frazë është e rëndësishme për ta kuptuar fragmentin. Ftojini disa studentë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Studentët mund të zgjedhin fjalë ose fraza të ndryshme për të njëjtin fragment. Ndërsa anëtarët e klasës i dëgjojnë këto pikëpamje të ndryshme, ata mund të fitojnë kuptueshmëri më të thellë për fragmentin.

  • Përgatitni një Kohë Shpirtërore – Jepuni studentëve mundësi t’i përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë ndërsa përgatiten për kohën shpirtërore dhe e paraqesin atë në fillim të orës mësimore. Ndihmojini që të përgatiten ta përmbledhin kontekstin, t’i shpjegojnë doktrinat dhe parimet, të tregojnë përvoja ose shembuj domethënës dhe të dëshmojnë për doktrinat dhe parimet te fragmentet. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët të marrin parasysh të përdorin një mësim me objekt për të shpjeguar idetë te fragmentet.

Të Ndierit e Rëndësisë së Doktrinave dhe Parimeve

Ndihmojini studentët të kuptojnë dhe të fitojnë një dëshmi shpirtërore për doktrinat dhe parimet e dhëna mësim në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Një mësues i vërtetë, pasi ai [ose ajo] i ka dhënë mësim faktet [e ungjillit] … , i çon [studentët] një hap më tej për të fituar dëshminë shpirtërore dhe kuptueshmërinë në zemrat e tyre që shkaktojnë veprimin dhe bërjen” (“Teaching by Faith” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 1 shkurt 2002], f. 5, si.lds.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 92). Kur studentët e ndiejnë të vërtetën, rëndësinë dhe ngutshmërinë për një parim ose doktrinë nëpërmjet ndikimit të Shpirtit të Shenjtë, dëshira e tyre për ta zbatuar atë të vërtetë në jetën e tyre rritet. Mësuesit mund t’i ndihmojnë studentët që t’i ftojnë e ushqejnë këto ndjenja të Shpirtit të Shenjtë duke u dhënë atyre mundësi për të treguar përvoja që i kanë pasur me të jetuarin e parimeve të ungjillit që gjenden në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kjo do t’i ndihmojë studentët t’i kuptojnë më mirë të vërtetat që jepen mësim te fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, dhe do të sigurojë që këto të vërteta të shkruhen në zemrat e studentëve. Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë studentët ta ndiejnë rëndësinë e doktrinave dhe parimeve të dhëna mësim në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë:

  • Të Dëgjuarit e Fragmenteve të Shkrimit të Shenjtë – Ftojini studentët t’i mbajnë vesh fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë te bisedat dhe mësimet në kishë, në fjalimet e konferencave të përgjithshme dhe në diskutimet me familjen dhe miqtë. Herë pas here, ftojini studentët të raportojnë se cilat fragmente kanë dëgjuar, se si u përdorën fragmentet, çfarë të vërtetash u dhanë mësim dhe çfarë përvojash kanë pasur ata ose të tjerët me të vërtetat që u dhanë mësim. Kërkoni mundësi për të dëshmuar (dhe për t’i ftuar studentët të dëshmojnë) për të vërtetat e dhëna mësim nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Veprimtaritë që i Ndihmojnë Studentët t’i Zbatojnë Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Mësimdhënia

Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinat Bazë u krijuan bashkërisht dhe radhiten me qëllimin e përfitimit të studentëve. (Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë paraqiten përgjatë gjithë dokumentit të Doktrinave Bazë.) Kur studentët i mësojnë dhe i shprehin doktrinat dhe parimet e përmbajtura në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata gjithashtu do të mësojnë dhe do të shprehin Doktrinat Bazë. Dhe ndërsa studentët mësojnë të shprehin Doktrinat Bazë me vetë fjalët e tyre, ata mund të mbështeten te fragmentet e mësuara përmendsh të zotërimit të shkrimit të shenjtë për t’i ndihmuar ata. Dhënia e mundësisë studentëve për t’i dhënë mësim doktrinat dhe parimet e ungjillit duke përdorur fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë mund ta rritë besimin e tyre te vetja dhe te njohuria e tyre për shkrimet e shenjta. Kur studentët japin mësim dhe dëshmojnë për doktrinat dhe parimet që gjenden në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata gjithashtu mund t’i forcojnë dëshmitë e tyre. Nxitini studentët t’i përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për ta dhënë mësim dhe për ta shpjeguar ungjillin në klasë dhe në bisedat me miqtë, familjen dhe të tjerët.

  • Paraqitni një Mesazh – Caktoni studentë që të përgatitin biseda ose mësime prej tri deri në pesë minutash nisur nga fragmente të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kërkojuni atyre të përgatiten në klasë ose në shtëpi. Përveç fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ata mund të përdorin burime të tjera për t’i ndihmuar që të përgatiten, të tilla si kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë, Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin. Çdo bisedë ose mësim duhet të përfshijë një hyrje, fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë, një histori ose një shembull të parimit që po jepet mësim, dhe dëshminë e studentit. Studentët mund të dalin vullnetarë për t’i paraqitur mesazhet e tyre në klasë, në një mbrëmje familjare ose në kuorumet apo orët e tyre mësimore si pjesë të përpjekjeve të tyre me programet Detyra ndaj Perëndisë apo Përparimi Personal. Nëse studentët i paraqesin bisedat ose mësimet e tyre jashtë klase, merrni parasysh që t’i ftoni të raportojnë mbi përvojat e tyre.

  • Interpretimi me Role si Misionarë – Përgatitni një numër kartash me pyetje që mund t’i bëjë një kërkues, të cilat mund të marrin përgjigje me ndihmën e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë (për shembull: “Çfarë besojnë anëtarët e Kishës suaj rreth Jezu Krishtit?”). Ftoni dyshe studentësh që të vijnë përpara klasës për t’iu përgjigjur një pyetjeje të zgjedhur nga kartat. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si misionarët mund t’iu përgjigjen pyetjeve të ngjashme, ju mund të sugjeroni disa metoda të efektshme mësimdhënieje, të tilla si: 1) thënien e kontekstit të fragmentit të shkrimit të shenjtë, 2) shpjegimin e një doktrine ose parimi, 3) bërjen e pyetjeve për të zbuluar nëse ata, të cilëve po u japin mësim, e kuptojnë apo e besojnë atë që është dhënë mësim, 4) dhënien e përvojave dhe të dëshmisë dhe 5) të ftuarit e atyre që japin mësim për të vepruar në përputhje me të vërtetën që u dha mësim. Kërkojini klasës që të japë përshtypjet mbi atë që pëlqyen rreth mënyrës se si secila dyshe iu përgjigj pyetjes së tyre.

  • Dëshmoni – Ftojini studentët të shqyrtojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe të zgjedhin njërin që përmban një doktrinë ose parim për të cilin mund të dëshmojnë. Ftojini të dëshmojnë për të vërtetën që kanë përzgjedhur, dhe të ndajnë përvoja që i bënë të ishin në gjendje të dëshmonin për të. Ndërsa studentët japin dëshmitë e tyre, Fryma e Shenjtë do të pohojë të vërtetën e doktrinave ose parimeve për të cilat ata po dëshmojnë. Dëshmitë e tyre mund t’i frymëzojnë edhe të tjerët që të veprojnë me besim.

Shënim: Mundësitë për studentët që të ndajnë dëshmitë e tyre, duhet të jenë me dëshirë. Studentët asnjëherë nuk duhet të detyrohen që të japin dëshmi ose të detyrohen që të ndiejnë se duhet të shprehin njohuri që ata nuk i ndiejnë se i kanë. Përveç kësaj, disa studentë janë ngurrues në dhënien e dëshmive të tyre ngaqë gabimisht mendojnë se ata duhet ta fillojnë me: “Unë dua të jap dëshminë time…” ose që shprehja e dëshmisë nga ana e tyre duhet të shoqërohet me një shfaqje të emocionit. Ndihmojini studentët të kuptojnë se, kur dëshmojnë, ata thjesht mund të ndajnë doktrina ose parime që i dinë se janë të vërteta. Dhënia e dëshmisë mund të jetë aq e thjeshtë sa të thuash: “Unë besoj se kjo është e vërtetë”, ose “Unë e di se kjo është e vërtetë” apo “Unë e besoj këtë me të gjithë zemrën time”.

Vënia në Jetë

Sugjerimi i mënyrave se si studentët mund t’i zbatojnë doktrinat dhe parimet që përmbajnë fragmentet e shkrimit të shenjtë (ose të ftuarit e studentëve për të menduar për mënyra të tilla), u jep atyre mundësinë që të mësojnë duke ushtruar besim.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe fton mësimdhënien, fuqinë dëshmuese dhe dëshmimin pohues të Tij. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pasiv. Është nëpërmjet sinqeritetit dhe qëndrueshmërisë së veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, që ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar dhe për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64).

Jepuni studentëve mundësi të tregojnë dhe të dëshmojnë për përvojat që kanë pasur me zbatimin e doktrinave dhe parimeve. Në vijim është një mënyrë për t’i nxitur studentët që t’i zbatojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë në jetën e tyre:

  • Vendosni Synime – Bazuar te nënndarja mbi përdorimin e kartave të zotërimit të shkrimit të shenjtë, ftojini studentët të vendosin synime të posaçme për t’i vënë më mirë në jetë parimet që gjenden te fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Vërini që t’i shkruajnë synimet e tyre në një copë letër për ta pasur me vete si një kujtues. Kur të jetë e përshtatshme, ftojini studentët të raportojnë mbi arritjet e tyre.

Veprimtaritë që i Ndihmojnë Studentët t’i Mësojnë Përmendsh Fragmentet e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Mësimi Përmendsh

Mësimi përmendsh i fragmenteve të shkrimit të shenjtë mund ta thellojë të kuptuarin dhe ta rritë aftësinë e një studenti për ta dhënë mësim ungjillin. Kur studentët i mësojnë përmendsh shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund t’i kthejë në kujtesën e tyre fraza dhe ide në raste nevoje (shih Gjoni 14:26; DeB 11:21). Mbani mend që t’i përshtatni veprimtaritë e mësimit përmendsh në përputhje me aftësitë e studentëve tuaj.

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nxiti mësimin përmendsh të shkrimeve të shenjta kur tha:

“Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6).

Secila nga veprimtaritë vijuese mund të përsëritet disa ditë rresht në fillim ose në fund të orës mësimore për t’i ndihmuar studentët që të arrijnë të mbajturit mend për një kohë të gjatë:

  • Gara Njëfjalëshe – Sfidojeni klasën që të thotë një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë ku studentët njëri pas tjetrit të thonë nga një fjalë secili. Për shembull, kur i ndihmoni studentët të mësojnë përmendsh Mateun 5:14–16, studenti i parë do të thotë fjalën ju, studenti i dytë do të thotë jeni, studenti i tretë do të thotë drita e kështu me radhë derisa të plotësohet i gjithë vargu. Mateni kohën e klasës dhe jepuni atyre shumë mundësi që të përpiqen të arrijnë një kohë të synuar. Ndërsa e përsëritni këtë veprimtari, merrni parasysh të ndërroni renditjen e studentëve në mënyrë që atyre t’u duhet të thonë fjalë të ndryshme.

  • Shkronjat e Para – Shkruajini në tabelë shkronjat e para të secilës fjalë në një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Tregojini me gisht shkronjat ndërsa klasa e përsërit fragmentin me ju, duke i përdorur shkrimet e tyre të shenjta sipas nevojës. Përsëriteni këtë veprimtari derisa studentët të ndihen të sigurt në aftësinë e tyre për ta thënë fragmentin vetëm me ndihmën e shkronjave të para. Ju mund të doni t’i fshini disa prej shkronjave çdo herë që studentët e thonë me zë fragmentin. Kjo dalëngadalë do ta rritë sfidën derisa studentët të mund ta përsëritin fragmentin pa i përdorur shkronjat e para.

  • Gjëza Formuese me Shirita Letre – Shkruani, ose vërini studentët të shkruajnë, fjalët e një fragmenti të zotërimit të shkrimit të shenjtë në një copë letre gjatësore. Priteni letrën në shirita duke i lënë të paprekur rreshtat e shkrimit të shenjtë. Pritini më të vogla disa prej shiritave për të përfshirë në secilin prej tyre vetëm pak fjalë nga fragmenti. Përziejini shiritat e letrës dhe jepuani dysheve ose grupeve të vogla të studentëve. Sfidojini studentët që t’i rregullojnë shiritat e letrës në rendin e duhur, duke përdorur si udhëzues shkrimet e tyre të shenjta. Vërini që të ushtrohen derisa të mos u duhet më të përdorin shkrimet e tyre të shenjta. Pasi të kenë mbaruar, kërkojuni që ta thonë me zë të lartë fragmentin. Ju gjithashtu mund ta matni kohën që iu duhet studentëve për të parë se cili grup mund t’i vendosë më shpejt shiritat në renditjen e duhur. Ose ju mund ta matni kohën që i duhet të gjithë klasës për të parë se sa kohë u duhet të gjitha grupeve për ta plotësuar gjëzën formuese (kur grupet e para përfundojnë, lërini që të ndihmojnë grupet më të ngadalta).