Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: 1 Korintasve 7–14 (Njësia 22)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Korintasve 7–14 (Njësia 22)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan 1 Korintasve 7–14 (njësia 22), nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (1 Korintasve 7–8)

Nga udhëzimet e Palit për anëtarët e martuar dhe beqarë të Kishës në Korint, studentët mësuan se intimiteti fizik midis bashkëshortit dhe bashkëshortes është i shuguruar nga Perëndia dhe se pasuesit besnikë të Jezu Krishtit kanë një ndikim shenjtërues te familjet e tyre. Studentët gjithashtu mësuan se ne mund të tregojmë dashuri hyjnore për të tjerët duke i shmangur veprimet që mund t’i bëjnë të tjerët të pengohen shpirtërisht.

Dita 2 (1 Korintasve 9–10)

Ndërsa studentët e vazhduan studimin e tyre të këshillave të Palit drejtuar shenjtorëve korintas, ata mësuan se që të marrim jetën e përjetshme, ne duhet të mësojmë të ushtrojmë vetëkontroll në të gjitha gjërat. Ata gjithashtu zbuluan se Perëndia do të na japë një mënyrë që t’i largohemi tundimit, por ne duhet të zgjedhim ta veçojmë veten tonë nga tundimi.

Dita 3 (1 Korintasve 11)

Studentët mësuan se në planin e Zotit, burrat dhe gratë nuk mund ta marrin jetën e përjetshme pa njëri-tjetrin. Ata gjithashtu mësuan se ata që e marrin sakramentin padenjësisht sjellin dënim dhe mallkim mbi veten e tyre. Prandaj, ne duhet ta analizojmë jetën tonë ndërsa marrim sakramentin.

Dita 4 (1 Korintasve 12–14)

Nga mësimet e Palit për dhuntitë e Shpirtit, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund të marrim një dëshmi vetjake se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Kur ne kërkojmë të marrim dhuntinë shpirtërore të dashurisë hyjnore, ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Dashuria hyjnore është dhuntia më e madhe e Shpirtit. Kur ne japim mësim dhe dëshmojmë me anë të frymëzimit, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të lartësohen e ngushëllohen.

Hyrje

Pali shkroi rreth dhuntive të shumta të Shpirtit. Ai e krahasoi Kishën me një trup fizik dhe shpjegoi se ashtu si trupi ka nevojë që çdo pjesë e tij të funksionojë siç duhet, çdo anëtar i Kishës mund t’i përdorë dhuntitë e Shpirtit për ta ndihmuar Kishën dhe për ta forcuar atë.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 12:1–11

Pali jep mësim rreth dhuntive frymërore

Paraqitni një figurë të gurit të mëposhtëm:

Pamja
gur, pavarësisht se kush je, luaje mirë rolin tënd

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë mbishkrimin në krye të gurit. Shpjegoni se ndërsa Presidenti Dejvid O. Mek-Kej po shërbente në një mision në Skoci, ai e pa këtë gur mbi portën e një ndërtese pranë kështjellës Stërling dhe u frymëzua nga mesazhi i tij (shih Francis M. Gibbons, David O. McKay: Apostle to the World, Prophet of God [1986], f. 45).

Shpjegoni se çdo simbol në të nëntë katrorët e gurit përfaqëson një vlerë numerike. Kërkojuni studentëve që të gjejnë vlerën numerike të secilës gdhendje. (Nga e majta në të djathtë, simbolet përfaqësojnë 5, 10, dhe 3 në rreshtin e parë; 4, 6, dhe 8 në rreshtin e mesit; dhe 9, 2, dhe 7 në rreshtin e fundit.)

  • Cila është shuma e tre numrave të paraqitur në rreshtin e parë? Po në rreshtin e mesit? Po në rreshtin e fundit?

Shpjegoni se shuma e tre numrave të paraqitur në çdo rresht, kolonë apo vijë diagonale në këtë gur del 18. Një arsye përse këto gdhendje mund të jenë përfshirë me frazën “Pavarësisht Se Kush Je, Luaje Mirë Rolin Tënd” është që nëse ndonjëra nga këto gdhendje do të vendosej ndryshe ose vlera e saj do të ndryshonte, [vlera] e rreshtave dhe kolonave nuk do të dilte më 18 në çdo drejtim.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 12, të marrin parasysh se në ç’mënyrë ne si anëtarë të Kishës jemi si gdhendjet mbi gur.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 12:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse na janë dhënë dhuntitë e Shpirtit. (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se “për dobinë e përbashkët” do të thotë për të mirën e përbashkët të të gjithë shenjtorëve.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Apostulli Pal rreth arsyes përse dhuntitë e Shpirtit u jepen fëmijëve të Atit Qiellor? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Dhuntitë e Shpirtit janë dhënë për dobinë e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 12:8–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dhuntitë frymërore që përmendi Pali.

Ftojini disa studentë të raportojnë dhuntitë frymërore që ata zbuluan dhe kuptimin e secilës dhunti. Sipas nevojës, shpjegoni se “fjalë diturie” (vargu 8) i referohet gjykimit të mirë dhe zbatimit të duhur të njohurisë; “fjalë njohurie” (vargu 8) i referohet njohurisë për Perëndinë dhe ligjeve të Tij; “të dallojë frymërat” (vargu 9) i referohet njohjes së të vërtetës dhe të pavërtetës, dhe dallimit të së mirës e së keqes tek të tjerët; dhe “larmi gjuhësh” (vargu 10) i referohet aftësisë për të folur në gjuhë të huaja ose të panjohura.

  • Ç’dobi mund t’i sjellin këto dhunti frymërore fëmijëve të Perëndisë?

Vini në dukje se dhuntitë frymërore të përmendura veçanërisht në shkrimet e shenjta janë vetëm disa nga dhuntitë e shumta që ne mund të marrim nëpërmjet Shpirtit.

  • Çfarë dhuntish të tjera mund të na vijnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

  • Çfarë dhuntish frymërore keni vënë re te pjesëtarët e familjes, miqtë dhe shokët/shoqet e klasës?

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i zbuluar dhuntitë tona frymërore? (T’i kërkojmë Atit Qiellor për to në lutje dhe të marrim e të studiojmë bekimin tonë patriarkal.)

Ftojini studentët të përsiatin mbi dhuntitë frymërore që u janë dhënë atyre dhe mënyrën se si mund të përfitojnë prej tyre dhe se si t’i përdorin ato në dobi të të tjerëve.

1 Korintasve 12:12–31

Dhuntitë e Shpirtit janë dhënë për të bekuar të gjithë anëtarësinë e Kishës

Kërkojuni katër studentëve të vijnë pranë tabelës. Pa e lënë pjesën tjetër të klasës që të dëgjojë, caktojini secilit prej këtyre studentëve një nga fjalët vijuese: këmbë, dorë, vesh dhe sy. Udhëzojeni secilin/ën student/e që të vizatojë në tabelë një figurë të fjalës së tij apo të saj dhe kërkojini klasës të gjejë se çfarë po vizaton secili/a student/e. Pasi klasa të gjejë me saktësi secilin vizatim, ftojini studentët që të kthehen në vendet e tyre. Kërkojini klasës të marrë parasysh se si këmbët, duart, veshët dhe sytë ndihmojnë në funksionin që kryen trupi.

  • A keni lënduar ndonjëherë një pjesë së vogël të trupit, të tillë si një gisht, dhëmb ose gisht këmbe? Ç’ndikim pati ky lëndim i vogël në punët e thjeshta të përditshme?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 12:12–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se me kë e krahasoi Pali trupin dhe pjesët e tij.

  • Me kë e krahasoi Pali trupin dhe pjesët e tij? (Kishën e Jezu Krishtit dhe anëtarët e saj.)

Shkruajini në tabelë referencat e shkrimeve të shenjta dhe pyetjet vijuese:

1 Korintasve 12:15–22, 25–30

Në çfarë mënyrash e krahasoi Pali trupin me Kishën?

Ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta. Kërkojini çdo grupi që të lexojnë së bashku 1 Korintasve 12:15–22, 25–31, duke kërkuar mënyrat se si Pali i krahasoi anëtarët e Kishës me pjesë të trupit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të kërkojnë atë që Pali dha mësim rreth trupit dhe pjesëve të tij, përpara se të përcaktoni mënyrën se si i lidhi ai pjesët e trupit me anëtarët e Kishës. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Si mendoni ju, përse Pali diskutoi për rolet e anëtarëve të Kishës si individë menjëherë pasi shkroi për dhuntitë frymërore?

  • Çfarë shqetësimesh mund të kenë anëtarët e Kishës sot që mund të zgjidhen me anë të mësimeve të Palit, ku anëtarët e Kishës krahason me pjesë të trupit?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga krahasimi i Palit të anëtarëve të Kishës me pjesë të trupit? (Studentët mund të japin një larmi parimesh, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne i përdorim dhuntitë tona frymërore të veçanta për t’u shërbyer të tjerëve, ne mund ta forcojmë Kishën. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Referojuni figurës së gurit të paraqitur në fillim të mësimit.

  • Në ç’mënyrë ne si anëtarë të Kishës jemi si gdhendjet e ndryshme mbi këtë gur? (Secili prej nesh është i veçantë dhe ne luajmë një rol të rëndësishëm kudo që Zoti na thërret. Kur ne i ndërthurim dhuntitë dhe aftësitë tona për t’i shërbyer Zotit, e gjithë Kisha bekohet. Ajo që ne bëjmë ka rëndësi dhe mund të ndihmojë në përmbushjen e punës së Kishës.)

  • Si e keni parë ju familjen tuaj; një klasë seminari, të Shkollës së të Dielës, të Të Rejave ose të priftërisë; apo një lagje ose një degë të forcuar me anë të dhuntive frymërore të anëtarëve të saj?

Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi mënyrën se si ata mund t’i përdorin dhuntitë shpirtërore për ta forcuar Kishën dhe për ta bekuar jetën e të tjerëve. Nxirrni në pah këshillën e Palit të shënuar te 1 Korintasve 12:31 për të “kërk[uar] me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira”. (Shpjegoni se kërkoni në këtë varg do të thotë “kërkoni me zemër të zjarrtë” [1 Korintasve 12:31, poshtëshënimi a [në variantin shdm të Biblës në anglisht].)

  • Çfarë mund të bëjmë ne për të kërkuar me zemër të zjarrtë “dhuntitë më të mira” të Shpirtit (shih edhe DeB 46:8–9)?

Shprehni dëshminë dhe mirënjohjen tuaj për dhuntitë frymërore dhe nxitini studentët që t’i kërkojnë me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, dhe t’i përdorin ato për t’u shërbyer të tjerëve dhe për ta forcuar Kishën.

Njësia Tjetër (1 Korintasve 152 Korintasve 7)

Vërini studentët të shqyrtojnë pyetjet vijuese ndërsa studiojnë njësinë tjetër: Përse Apostulli Pal e përmendi pagëzimin për të vdekurit? Kush do të ringjallet? Çfarë lavdie e pret një qenie të ringjallur? A do të kenë të njëjtën lavdi të gjitha qeniet e ringjallura? Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj që u jep atyre shpresë, veçanërisht kur përjetojnë pikëllime, dështime ose tragjedi. Shpjegoni se në njësinë tjetër ata do të mësojnë doktrina e parime nga mësimet e Palit drejtuar shenjtorëve korintas, të cilat mund t’u sjellin paqe dhe shpresë.