Biblioteka
Hyrje te Letra e Dytë e Apostullit Pal drejtuar Korintasve


Hyrje te Letra e Dytë e Apostullit Pal drejtuar Korintasve

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Dytë e Palit drejtuar Korintasve spikat për temat e saj të ngushëllimit mes vuajtjes, të forcës mes dobësisë (siç ilustrohet nga vetë Pali) dhe të dallimit të mësuesve të vërtetë nga ata që janë të rremë. Shembulli dhe mësimet e Palit të shënuara te 2 Korintasve mund t’i frymëzojnë studentët të qëndrojnë të vërtetë dhe besnikë ndaj besëlidhjeve të përjetshme që kanë bërë me Perëndinë, Atin e Amshuar, pavarësisht nga rrethanat ose pasojat.

Kush e shkroi këtë libër?

Pali e shkroi Letrën e Dytë drejtuar Korintasve (shih 2 Korintasve 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Pak pasi Pali shkroi 1 Korintasve, në Efes u krijua një trazirë për t’i kundërshtuar mësimet e tij (shih Veprat e Apostujve 19:23–41) dhe ai u nis për në Maqedoni (shih Veprat e Apostujve 20:1; 2 Korintasve 2:13; 7:5). Me sa duket, ndërkohë që ishte në Maqedoni, ai shkroi 2 Korintasve, me gjasa rreth viteve 55–57 ps.K. (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Pauline Epistles” [“Letra të Palit”]; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, scriptures.lds.org).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Libri i 2 Korintasve u shkrua për anëtarët e Kishës në Korint. Ndërkohë që Pali ishte në Maqedoni gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, Titi i solli lajmin nga Korinti se një letër, të cilën ai e kishte dërguar më përpara, qe pritur mirë nga shenjtorët atje (shih 2 Korintasve 7:6–13). Dega në Korint po përparonte, por Pali mësoi gjithashtu se mësues të rremë atje po i prishnin doktrinat e pastra të Krishtit. Diku [në periudhën] pas vizitës fillestare të Palit në Korint dhe me të ngjarë pas një vizite të dytë, (2 Korintasve 1:15–16), kur Pali duket t’i ketë qortuar disa prej shenjtorëve (shih 2 Korintasve 2:1; 12:21), [disa] predikues nga zona e Jeruzalemit kishin ardhur në Korint dhe kishin filluar t’u mësonin shenjtorëve se ata duhej të përvetësonin praktikat judease, gjë që binte në kundërshtim me mësimet e Palit. Pjesa më e madhe e 2 Korintasve trajton problemet e shkaktuara nga këta mësues të rremë.

Letra e Palit iu drejtua si atyre që dëshironin më shumë nga fjala e tij (shih 2 Korintasve 1–9) edhe atyre që ishin ngurrues për ta pranuar mësimdhënien e tij (shih 2 Korintasve 10–13). Në përgjithësi, teksti i 2 Korintasve zbulon disa nga qëllimet e kësaj letre:

  1. Për t’u shprehur mirënjohje dhe për t’i forcuar shenjtorët, të cilët i ishin përgjigjur me mirëdashje letrës së tij të mëparshme

  2. Për t’i paralajmëruar ndaj mësuesve të rremë, të cilët i prishnin doktrinat e pastra të Krishtit

  3. Për të mbrojtur karakterin dhe autoritetin e tij vetjak si një Apostull i Jezu Krishtit (shih 2 Korintasve 10–13)

  4. Për t’i nxitur shenjtorët korintas që t’i jepnin një ofertë bujare financiare shenjtorëve të varfër në Jeruzalem (shih 2 Korintasve 8–9)

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ndërkohë që shumë nga letrat e Palit përqendrohen te doktrina, pjesa më e madhe e kësaj letre nxjerr në pah marrëdhënien e Palit me shenjtorët korintas dhe dashurinë e shqetësimin e tij për ta. Megjithëse Pali qe i vendosur për t’i kundërshtuar kritikuesit, në gjithë 2 Korintasve ne e shohim atë si një udhëheqës të butë priftërie, duke u kujdesur për lumturinë dhe mirëqenien e shenjtorëve. Pali tregoi edhe disa hollësi autobiografike të jetës së tij dhe shkroi për “gjemb[in] [e tij] në mish” (2 Korintasve 12:7).

Në një përvojë të shenjtë të shënuar te 2 Korintasve 12:2–4, Pali e përshkroi veten e tij si “një njeri në Krishtin” i cili “u rrëmbye gjer në të tretin qiell”, ku ai pa dhe dëgjoi gjëra të patregueshme. Ky vegim, i marrë së bashku me thënien e tij të mëparshme doktrinore lidhur me ndryshimet në lavdinë e trupave të ringjallur (shih 1 Korintasve 15:35–44), mund të shihet si një krahasim biblik me vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76.

Përmbledhje

2 Korintasve 1–5 Pali dëshmon se Perëndia i ngushëllon fëmijët e Tij në të gjitha mundimet e tyre. Ai i sfidon shenjtorët që ta duan dhe ta falin njëri-tjetrin. Ungjilli dhe punët e Shpirtit të Zotit janë më të lavdishme se sa germa e ligjit të Moisiut. Pali u jep zemër lexuesve të tij në çastet e tyre të fatkeqësisë dhe u kujton atyre natyrën e përjetshme të dashurisë e lavdisë së Perëndisë. Ai i ndihmon lexuesit që të kuptojnë nevojën e tyre për t’u pajtuar me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

2 Korintasve 6–13 Ndërsa përballet me kritika dhe kundërshtim nga mësuesit e rremë, Pali e mbron sinqeritetin e tij si një shërbëtor i Zotit dhe i fton lexuesit e tij që të veçohen nga bota. Ai jep mësim rreth “trishtimi[t] sipas Perëndisë” (shih 2 Korintasve 7:10). Pali i falënderon shenjtorët korintas për ndihmën e tyre ndaj të varfërve në Jeruzalem dhe i nxit që të vazhdojnë të japin bujarisht. Ai flet fuqishëm kundër “apostuj[ve] të rremë” (2 Korintasve 11:13). Pali lëvdohet në Zotin dhe tregon hollësi biografike të mundimeve dhe besimit të tij në Jezu Krisht. Ai shkruan vegimin e tij për qiellin e tretë. Pali i fton shenjtorët që ta analizojnë vetveten dhe ta provojnë veten e tyre besnikë.