Biblioteka
Mësimi 134: Filemonit


Mësimi 134

Filemonit

Hyrje

Pali e përgëzoi Filemonin për besimin e tij dhe dashurinë e tij për Shpëtimtarin dhe bashkanëtarët e Kishës. Pali e këshilloi Filemonin ta pranonte sërish skllavin e tij të arratisur, Onesimin, si vëlla në ungjill.

Sugjerime për Mësimdhënien

Filemonit 1

Pali e këshillon Filemonin ta pranonte sërish skllavin e tij të arratisur, Onesimin, si vëlla në ungjill

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë të rinjtë në lagjen ose degën e tyre. Vini në pah se si anëtarë të Kishës, ne kemi mundësinë të ndërveprojmë nga afër me njerëz që janë të ndryshëm nga ne.

  • Si ndryshojnë nga njëri-tjetri të rinjtë në lagjen apo degën tuaj? (Kujtojuni studentëve të flasin me respekt për njëri-tjetrin.)

Vini në dukje se si anëtarë të Kishës, ne shpesh ndeshemi me njerëz të rinj. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur një person i ri i bashkohet lagjes ose degës së tyre.

  • Çfarë sfidash shoqërore mund të përjetojë dikush kur bashkohet me Kishën ose shpërngulet në një lagje apo degë të re? (Nëse ndonjë student është bashkuar me Kishën ose është shpërngulur në një lagje apo degë të re vitet e fundit, ftojeni atë të përshkruajë çfarëdo sfide shoqërore që përjetoi.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Si i trajtoni anëtarët e Kishës që sillen ndryshe, kanë interesa të ndryshme apo i përkasin një grupi shoqëror të ndryshëm nga i juaji?

  • Si i trajtoni anëtarët e rinj të lagjes apo degës suaj?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Letrën e Palit drejtuar Filemonit, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i udhërrëfejë ata në ndërveprimet e tyre me bashkanëtarët e Kishës.

Shpjegoni se Pali ishte në burg kur ai i shkroi Filemonit, i cili me gjasë ishte një i kthyer grek në besim në Kishë. Përmblidheni Filemonit 1:1–3 duke shpjeguar se Pali e filloi letrën e tij duke përshëndetur Filemonin dhe të tjerët, përfshirë bashkësinë që mblidhej në shtëpinë e Filemonit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filemonit 1:4–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Pali e lavdëroi Filemonin. Shpjegoni se në këtë kontekst fjala bashkësi i referohet pjesëmarrjes dhe anëtarësisë (shih vargu 6, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]) dhe fraza “të bëhet e frytshme” do të thotë të bëhet vepruese ose të ketë ndikim (shih vargun 6, poshtëshënimi b [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

  • Përse Pali e lavdëroi Filemonin? (Për shkak të besimit të Filemonit dhe dashurisë së tij për Shpëtimtarin dhe bashkanëtarët e tij të Kishës. Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se kur Pali tha se “zemrat e shenjtorëve [ishin] përtëri[rë]” [vargu 7], ai nënkuptonte se zemrat e tyre ishin ngazëllyer nga Filemoni.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë informacionin vijues rreth një situate që Pali trajtoi në këtë letër:

Filemoni kishte një shërbëtor, ose skllav, të quajtur Onesim, i cili ishte arratisur dhe mund të ketë vjedhur diçka nga Filemoni (shih Filemonit 1:18). Skllavëria nuk shihej si diçka e keqe në kulturën e krishterë judease në Dhiatën e Re dhe përkrahej nga ligji romak. Ndëshkimet për arratisjen e skllevërve përfshinin rrahjen e ashpër, damkosjen në ballë ose edhe vdekjen. Pasi ishte arratisur, Onesimi ishte ndeshur me Apostullin Pal.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filemonit 1:8–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke vërejtur se për çfarë iu lut ose i kërkoi Pali Filemonit që të bënte. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se në vargun 8, fjala urdhëroj do të thotë komandoj dhe fraza duhet të bësh do të thotë e duhur ose e përshtatshme.

  • Çfarë i kërkoi Pali Filemonit që të bënte?

  • Nëse do të kishit qenë në pozitën e Filemonit, çfarë mund të kishit menduar ose ndier kur ta merrnit kërkesën e Palit?

Vini në pah frazën “që më lindi në prangat e mia” (vargu 10). Shpjegoni se një kuptim i foljes lind është t’i japësh jetë dikujt.

  • Çfarë mendoni se nënkuptoi Pali me këtë frazë? (Ndërkohë që Pali ishte në burg, ai e kishte ndihmuar Onesimin të niste një jetë të re si pasues i Jezu Krishtit.)

Përmblidheni Filemonit 1:13–14 duke shpjeguar se Pali donte ta kishte Onesimin me vete, në mënyrë që Onesimi të mund ta ndihmonte atë, por Pali nuk donte ta bënte këtë pa pëlqimin e Filemonit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filemonit 1:15–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se në ç’mënyrë e nxiti Pali Filemonin që ta shihte marrëdhënien e tij me Onesimin, të kthyerin e ri në besim.

  • Sipas vargut 16, në ç’mënyrë duhet ta shihte Pali Onesimin?

  • Përse mund të ketë qenë e vështirë për Filemonin që ta shihte Onesimin si një “vëlla të dashur”? (Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë se ata u përkisnin klasave të ndryshme shoqërore dhe ekonomike dhe se Onesimi mund të ketë gabuar në lidhje me Filemonin sipas zakoneve të kohës.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 16 rreth marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin për shkak të ungjillit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne jemi vëllezër e motra në ungjill. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Çfarë na bën neve vëllezër e motra në ungjill?

Nëse është e nevojshme, shpjegoni se ne jemi të gjithë fëmijë shpirtëror të Atit Qiellor (shih Hebrenjve 12:9) dhe si rrjedhojë të gjithë janë vëllezër e motra. Përveç kësaj, nëpërmjet ordinancave të pagëzimit dhe konfirmimit, ushtrimit të vazhdueshëm të besimit në Jezu Krisht, bindjes dhe pendimit të pareshtur, ne rilindemi shpirtërisht. Në këtë mënyrë, ne bëhemi bij dhe bija të Jezu Krishtit (shih Mosia 5:7) dhe, si rrjedhim, vëllezër dhe motra në familjen e Tij të besëlidhjes. Pavarësisht nga gjinia, mosha, formimi kulturor apo gjendja jonë shoqërore, ne bëhemi të barabartë në mbretërinë e Perëndisë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball. Kërkojini klasës të dëgjojë se si e vërteta që sapo përcaktuan mund të ndikojë në mënyrën se si ne e trajtojmë njëri-tjetrin, veçanërisht anëtarët e rinj të Kishës.

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Unë jam ndier gjithnjë i ngritur moralisht kur kam lexuar letrën e shkurtër të Palit drejtuar Filemonit; ajo na mëson një parim dhe një frymë lidhur me vëllazërinë në ungjill. …

Është një frymëzim dhe gëzim të shohësh po këtë frymë në punë në mbarë Kishën, t’i shohësh anëtarët të përqafohen e të ndihmojnë dhe t’i përkrahin e të luten për ata që hyjnë përditë në mbretërinë e Zotit tonë. Vazhdoni ta ndihmoni njëri-tjetrin – dhe shumë të tjerë që do të hyjnë në Kishë. Mirëpritini ata e duajini dhe shoqërojini ata.

Trishtueshëm, ka pasur ngjarje të rastësishme ku disa midis nesh nuk kanë vepruar kështu, tregime të disave që i kanë refuzuar ata që Zoti i ka pranuar me anë të pagëzimit. Nëse Zoti ‘as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër’ (Hebrenjve 2:11), si rrjedhim, le … t’i kapim vëllezërit dhe motrat tona për dore e t’i ngremë ata moralisht brenda rrethit tonë të kujdesit dhe dashurisë” (“Always a Convert Church: Some Lessons to Learn and Apply This Year”, Ensign, shtator 1975, f. 4).

  • Sipas Presidentit Kimball, në ç’mënyrë duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin vëllezërit dhe motrat në ungjill?

Kujtojuni studentëve pyetjet që u ftuan të përsiatnin më herët në mësim lidhur me mënyrën se si ata i trajtojnë anëtarët e Kishës, të cilët janë të ndryshëm nga ata ose që janë të rinj në lagjen apo degën e tyre.

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se jemi vëllezër dhe motra në ungjill?

  • Kur keni parë ndokënd t’i trajtojë të tjerët si vëllezër dhe motra në ungjill?

Për t’i përgatitur studentët që të përcaktojnë një të vërtetë shtesë që ilustrohet në letrën e Palit drejtuar Filemonit, kërkojuni atyre të mendojnë për një rast kur dikush i ka ofenduar apo ka gabuar kundrejt tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filemonit 1:17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë e këshilloi Pali Filemonin që të bënte.

  • Çfarë e këshilloi Pali Filemonin që të bënte?

Shpjegoni se Pali po i kërkonte Filemonit që ta pranonte Onesimin në të njëjtën mënyrë që Filemoni do të kishte pranuar Palin. Po ta ndiqte këtë udhëzim, Filemoni do të hiqte dorë nga ndëshkimet e rënda që merrnin zakonisht skllevërit e arratisur.

  • Siç ilustrohet në udhëzimet e Palit drejtuar Filemonit, çfarë përgjegjësish kanë të gjithë dishepujt e Jezu Krishtit kundrejt atyre që i ofendojnë ose veprojnë padrejtësisht kundrejt tyre? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Dishepujt e Jezu Krishtit u japin mëshirë dhe falje të tjerëve. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Përse mund të jetë e vështirë nganjëherë t’u japësh mëshirë dhe falje të tjerëve?

Vini në pah se mëshira dhe falja që u jepet atyre që kanë vepruar padrejtësisht kundrejt nesh, nuk do të thotë medoemos t’i lejojmë ata t’i shmangin pasojat e veprimeve të tyre, as nuk do të thotë që të na kthehet menjëherë mirëbesimi ynë tek ata. Përkundrazi, do të thotë se ne tregojmë dhembshuri kundrejt të tjerëve dhe e lëmë të kalojë çdo fyerje, zemëratë apo lëndim që mund të jemi duke mbledhur. Në kohën e duhur, ne mund t’u lejojmë edhe atyre që kanë vepruar padrejtësisht ndaj nesh ta rifitojnë mirëbesimin tonë. Ndonëse t’i falësh të tjerët mund të jetë e vështirë, ne mund t’i lutemi Atit Qiellor për ndihmë dhe Ai do të na ndihmojë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Filemonit 1:18–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali ofroi të bënte në emër të Onesimit.

  • Çfarë ofroi Pali të bënte në emër të Onesimit? (T’i paguante Filemonit çfarëdo humbjeje financiare që ishte shkaktuar mbi të si rrjedhojë e veprave të Onesimit.)

  • Në ç’mënyrë përpjekjet e Palit në emër të Onesimit janë të ngjashme me veprimet e Shpëtimtarit në emrin tonë? (Sikurse Pali ndërhyri në emër të Onesimit, Jezu Krishti ndërhyn në emrin tonë dhe përgjërohet për kauzën tonë përpara Atit Qiellor [shih DeB 45:3–5]. Jezu Krishti e pagoi gjithashtu borxhin shpirtëror që i detyrohemi për mëkatet tona.)

  • Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë të kujtuarit se ç’ka bërë Jezu Krishti në emrin tonë për t’i dhënë mëshirë dhe falje të tjerëve?

Ndajini studentët në grupe me nga tre ose katër veta (ose përfundojeni këtë veprimtari si klasë nëse nuk keni mjaftueshëm studentë që t’i ndani në grupe). Jepini secilit grup një kopje me udhëzimet vijuese si fletushkë:

Pamja
fletushkë

Filemonit 1

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 134

Diskutojini pyetjet vijuese së bashku në grupin tuaj. Në përgjigjet tuaja, sigurohuni që të mos tregoni ndonjë gjë që është tepër vetjake ose personale.

  • Kur iu është dashur juve, sikurse Filemonit, t’i jepnit mëshirë dhe falje dikujt tjetër? Si ia dolët që t’i jepnit mëshirë dhe falje këtij personi? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë?

  • Kur iu është dashur juve, sikurse Onesimit, të shpresonit se do të merrnit mëshirë dhe falje nga një person tjetër? Si e kërkuat mëshirën dhe faljen e këtij personi? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë?

  • Kur keni shërbyer ju, sikurse Pali, si ndërmjetës midis dikujt që po kërkonte falje dhe personit që duhej ta jepte faljen dhe mëshirën? Si arritët ta ndihmonit keqbërësin të merrte falje dhe personin e lënduar ta falte keqbërësin?

Pasi studentët t’i kenë diskutuar këto pyetje në grupet e tyre, ftojeni një student nga secili grup që ta ndajë me klasën përvojën e tij apo të saj në njërën nga këto situata ose përvojën e njërit nga anëtarët e grupit të tyre (me pëlqimin e anëtarit të grupit). (Një qasje e mundshme është t’i jepni çdo studenti një kopje të pyetjeve ose t’i shkruani pyetjet në tabelë dhe t’i ftoni studentët t’u përgjigjen njërës nga pyetjet në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që janë të gatshëm ta bëjnë këtë që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e klasës apo ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë mund të bëjnë që t’u japin mëshirë dhe falje të tjerëve. Nxitini studentët që ta vënë në zbatim atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Filemonit 1. Skllavëria

Kur i shkroi Filemonit që ta pranonte sërish skllavin e arratisur, Onesimin, Pali nuk komentoi drejtpërdrejt për sistemin e skllavërisë, i cili ishte pranuar gjerësisht në shoqërinë në të cilën jetonin. Sidoqoftë, Zoti ka shpallur në zbulesën bashkëkohore se “nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri” (DeB 101:79).

Kërkesa e Palit që Filemoni ta pranonte Onesimin “jo më si skllav” (Filemonit 1:16), mund të nënkuptojë se Pali dëshironte që Filemoni ta lironte Onesimin dhe më pas ta dërgonte sërish për ta ndihmuar Palin gjatë shërbesës (shih vargjet 13–14).

Filemonit 1:7, 12, 20. “Zemrat e shenjtorëve u përtërinë”

Fjala greke e përkthyer zemër i referohet një pjesëze të brendshme të dikujt. Është një referencë figurative e qendrës së ndjenjave, dhembshurisë dhe keqardhjes së një personi. Fjala zemër përdoret ndonjëherë në mënyrë të ngjashme.

Filemonit 1:11. “[Pa] vlerë” dhe “i vlefshëm”

Emri Onesim do të thotë i dobishëm ose “i vlefshëm” (vargu 11) (shih Arthur A. Rupprecht, “Philemon”, në The Expositor’s Bible Commentary, bot. Frank E. Gaebelein, 12 vëll. [1976–1992], 11:461). Onesimi mund të ketë qenë “[pa] vlerë” (vargu 11) për Filemonin, sepse Onesimi ishte arratisur dhe nuk mund t’i kryente detyrimet e tij ose ngaqë mund të ketë vjedhur diçka nga Filemoni kur u arratis (shih vargu 18). Sidoqoftë, Pali tha se Onesimi që nga ajo kohë ishte bërë “i vlefshëm” si për Filemonin dhe për Palin (vargu 11). Në rastin e Palit, Onesimi mund të ketë qenë i vlefshëm ngaqë ai mundi ta ndihmonte Palin ndërkohë që Pali ishte në burg (shih vargu 13).