Biblioteka
Mësimi 45: Lluka 3–4


Mësimi 45

Lluka 3–4

Hyrje

Gjon Pagëzori predikon pendim dhe dëshmon për Mesian që po vjen. Jezu Krishti u pagëzua nga Gjoni dhe pastaj agjëroi në shkretëtirë për 40 ditë. Pasi udhëtoi për në Galile, Jezusi shpalli në Nazaret se Ai ishte Mesia. Populli i Nazaretit nuk e pranoi Atë dhe Ai shkoi në Kapernaum, ku shëroi të sëmurë dhe dëboi djaj.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 3:1–22

Gjon Pagëzori profetizon për Jezu Krishtin

Përpara orës mësimore, kërkojini një studenti të studiojë rrëfimin e Elias dhe të së vesë nga Sarepta te 1 Mbretërve 17:1–16, dhe një studenti tjetër të studiojë rrëfimin e Naamanit dhe të Eliseut te 2 Mbretërve 5:1–15. Shpjegoni se ata do të japin një përmbledhje të shkurtër të këtyre rrëfimeve më vonë gjatë mësimit. Kërkojuni atyre të theksojnë atë që bënë Naamani dhe e veja nga Sarepta për të treguar besimin e tyre, dhe të vënë në dukje se të dy ishin johebrenj (jo të shtëpisë së Izraelit).

Për ta filluar mësimin, kërkojuni studentëve të shkruajnë në një fletë letre rreth një rasti kur ata u ndien të veçuar ose të mënjanuar nga ata përreth tyre si rrjedhojë e të jetuarit të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit (sigurohuni që studentët të mos i shkruajnë emrat në fletët e tyre). Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’ju japin fletët e tyre. Lexojini me zë të lartë klasës disa nga përvojat.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 3:1–22, të kërkojnë një të vërtetë që mund të shpjegojë përse ata që e jetojnë ungjillin, me raste, mund të ndihen të veçuar nga të tjerët.

Shpjegoni se nën ligjin e Moisiut, prifti i lartë funksiononte si drejtuesi kryesues i Priftërisë Aarone dhe kreu politik i kombit të Izraelit. Megjithatë, në kohën e shërbesës së Shpëtimtarit, detyra e priftit të lartë ishte bërë e korruptuar. Në vend që të zgjidheshin nga Perënda, priftërinjtë e lartë zgjidheshin nga njerëzit, të tillë si Herodi dhe drejtues të tjerë romakë (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “High priest” [“Prift i lartë”]).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 3:2–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kujt i foli Perëndia në vend të priftërinjve të lartë.

  • Kujt i erdhi fjala e Zotit në vend të priftërinjve të lartë? (“Gjonit, birit të Zakarias”, gjithashtu i njohur si Gjon Pagëzori.)

  • Çfarë po jepte mësim Gjon Pagëzori?

Shpjegoni se në kohën e Gjonit, disa njerëz besonin që për shkak se ishin pasardhës të Abrahamit, ishin më të mirë ose duheshin më shumë nga Perëndia sesa joizraelitët. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 3:7–9, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Gjon Pagëzori u mësoi judenjve se duhej të bënin për t’i pëlqyer Perëndisë.

  • Çfarë i mësoi Gjoni judenjve se duhej të bënin për t’i pëlqyer Perëndisë? (Shpjegoni se “fryt[i]” është një simbol i rezultateve të zgjedhjeve që ne bëjmë.)

  • Sipas vargut 9, çfarë do t’u ndodhë atyre që nuk japin “fryt të mirë” apo nuk jetojnë me drejtësi?

Përmblidheni Llukën 3:10–15, duke shpjeguar se Gjoni u mësoi grupeve të veçanta të judenjve se si të jepnin fryt të mirë. Shërbesa e Gjonit ishte madhështore dhe disa menduan se ai mund të ishte Mesia.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 3:16–17 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që tha Gjoni se do të bënte Mesia kur Ai të vinte.

  • Çfarë tha Gjoni se do të bënte Mesia që do të vinte?

Shpjegoni se fraza “t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” (vargu 16), i referohet ndikimit pastrues dhe shenjtërues të marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej vargun 17, paraqitni një dorë kokrrash [gruri] ose guralecësh të vegjël dhe pak tallash ose copëza të vogla gazete. Përziejini kokrrat [e grurit] me tallashin së bashku dhe vendoseni përzierjen në një tabaka të cekët.

  • Si mund t’i ndajë dikush kokrrat [e grurit] nga tallashi?

Shpjegoni se pasi gruri korrej dhe shiej (kur drithi ndahej nga pjesa tjetër e bimës), drithi do të shoshitej. Shoshitja është një metodë e lashtë që përdoret për të ndarë kokrrat e grurit nga byku (lëvozhga e jashtme) dhe lëvorja. Një shoshitës do të përdorte një lopatë të madhe ose sfurk druri (e përkthyer në shkrimet e shenjta si një “lopatë”) për ta hedhur grurin e shirë në ajër. Flladi pastaj do ta largonte pjesën më të lehtë, bykun e padëshiruar dhe kokrrat më të rënda të grurit do të binin në një pirg në dyshemenë e shirjes.

Për ta ilustruar këtë koncept, paraqitni një lopatë dore (ju mund të përdorni letër të trashë, karton, ose letër të palosur nëse është e nevojshme). Ftojeni një student/e të vijë përpara klasës dhe kërkojini atij apo asaj ta tundë lopatën mbi kokrrat dhe tallashin. Ndërsa studenti/ja tund lopatën, shkundeni përzierjen me ngadalë në mënyrë që ajri që lëviz të fillojë të largojë tallashin ndërsa kokrrat bien sërish në tabaka. Ftojini studentët të ulen.

  • Çfarë përfaqësojnë gruri dhe byku? (Gruri përfaqëson të drejtët dhe byku përfaqëson të ligjtë.)

  • Sipas vargjeve 16–17, kush i ndan të drejtët nga të ligjtë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti i ndan të drejtët nga të ligjtë.)

  • Megjithëse ndarja përfundimtare e të drejtëve nga të ligjtë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, në çfarë mënyrash ndjekja e Jezu Krishtit dhe të jetuarit e ungjillit të Tij mund t’i bëjë dishepujt e Tij të veçohen nga të tjerët tani?

  • Përse ne kemi nevojë të kuptojmë se kërkimi për të ndjekur Jezu Krishtin dhe të jetuarit e ungjillit të Tij mund të na bëjë të jemi ose të ndihemi të veçuar nga të tjerët?

Përmblidheni Llukën 3:18–22, duke shpjeguar se Jezusi erdhi të pagëzohej nga Gjon Pagëzori. Më vonë, Gjon Pagëzori u fut në burg nga Herodi.

Lluka 3:23–38

Paraqitet prejardhja e Jezusit

Përmblidheni Llukën 3:23–38, duke shpjeguar se Lluka përfshiu një gjenealogji të Jezusit dhe dëshmoi se Jozefi ishte ati i [“hamendësuar”] (jo i vërtetë) i Jezusit, i cili ishte Biri i Perëndisë.

Lluka 4:1–13

Jezusi tundohet nga Satani në shkretëtirë

Shpjegoni se Lluka 4:1–13 përmban një rrëfim të Jezusit që agjëroi 40 ditë në shkretëtirë dhe nuk i pranoi tundimet e Satanit.

Lluka 4:14–30

Jezusi shpall se Ai është Mesia

Renditni në tabelë fjalët e thyer, i shtypur, i burgosur, i varfër dhe i verbër. Kërkojuni studentëve të përsiatin për një rast kur një ose më shumë nga këto fjalë mund të kenë përshkruar se si u ndien ata për veten e tyre. Ftojini ata që ndërsa studiojnë Llukën 4:14–30, të kërkojnë mënyrën se si mund të gjejnë lehtësim nga këto ndjenja.

Përmblidheni Llukën 4:14–17, duke shpjeguar se pasi Jezusi u kthye nga shkretëtira, Ai filloi të predikonte në sinagogat e Galilesë. Shpejt, Ai u kthye në qytetin e Tij të lindjes në Nazaret. Ndërsa ishte atje, Ai u ngrit në këmbë në një sinagogë dhe lexoi nga libri i Isaias.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 4:18–21, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Isaia rreth misionit hyjnor të Mesias.

  • Çfarë i dëshmoi Jezusi popullit të qytetit të Tij të lindjes në Nazaret? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë të vërtetën vijuese: Jezusi është Mesia, i cili u dërgua për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer dhe për të çliruar ata që janë shpirtërisht të burgosur.)

  • Çfarë përvojash keni pasur, që ju kanë treguar se Jezu Krishti vazhdon të na shërojë e të na çlirojë në kohën tonë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 4:22, dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si reagoi populli i Nazaretit ndaj shpalljes së hapur të Jezusit se Ai ishte Mesia i shumëpritur.

  • Si reaguan njerëzit ndaj shpalljes së Jezusit?

  • Bazuar në vargun 22, si mendoni ju, përse populli i Nazaretit e pati të vështirë ta besonte se Jezusi ishte Mesia?

Përmblidheni Llukën 4:23, duke shpjeguar që Jezusi e dinte se njerëzit në Nazaret do ta sfidonin atë që të vërtetonte se Ai ishte Mesia, duke i përsëritur mrekullitë që Ai kishte kryer në Kapernaum.

Ftojini studentët t’i hedhin një sy në heshtje Llukës 4:24–27, duke kërkuar dy rrëfime të Dhiatës së Vjetër, të cilave Shpëtimtari iu referua kur iu përgjigj popullit të Nazaretit. (Mund t’ju nevojitet të sqaroni se Elia i referohet Elias dhe Elize i referohet Elizeut.) Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

Kërkojuni dy studentëve që ju i ftuat më parë për t’i studiuar këto rrëfime, që t’i paraqesin tani përmbledhjet e tyre. Më pas, shpjegoni se Jezusi u mësoi atyre në Nazaret që megjithëse kishte të veja dhe lebrosë izraelitë, ishin dy joizraelitë (joheberenj) që i përjetuan mrekullitë.

  • Në ç’mënyra treguan besim Naamani dhe e veja nga Sarepta?

  • Si ishte i ndryshëm besimi i së vesë dhe Naamanit nga besimi i njerëzve në Nazaret?

Vini në dukje se Jezusi kreu shumë pak mrekulli në Nazaret ngaqë njerëzit përgjithësisht nuk kishin besim tek Ai (shih Mateu 13:54–58; Marku 6:1–6).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë rreth besimit kur ne i krahasojmë njerëzit në Nazaret me të venë dhe Naamanin? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne tregojmë besim te Jezu Krishti, ne mund t’i shohim mrekullitë të ndodhin.)

Kërkojuni studentëve të vijnë në tabelë dhe të bëjnë një listë të mënyrave se si ne mund të tregojmë besim se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Pasi studentët ta kenë plotësuar listën, pyetini:

  • Cilët janë [disa] shembuj të bekimeve apo mrekullive që vijnë vetëm kur ne veprojmë së pari me besim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 4:28–30 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si reaguan ndaj Jezusit ata që ishin në sinagogë. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Në çfarë mënyrash ky rrëfim ilustron mënyrën se si Jezu Krishti do t’i ndajë të ligjtë nga të drejtët? (Shih Lluka 3:17.)

Lluka 4:31–44

Jezusi dëbon djaj dhe shëron të sëmurët

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të lexojnë me zë të lartë me partnerët e tyre Llukën 4:31–44, dhe të kërkojnë bekimet që mori populli i Kapernaumit krahasuar me bekimet që mori populli i Nazaretit. Pasi të lexojnë, ftojini ata që t’i diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese me partnerët e tyre (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Si reaguan ndryshe njerëzit ndaj Jezusit në Kapernaum krahasuar me ata në Nazaret?

  • Çfarë bekimesh morën njerëzit në Kapernaum, krahasuar me bekimet e marra nga njerëzit në Nazaret?

  • Në ç’mënyrë e ilustrojnë këto rrëfime parimin se kur ne tregojmë besim te Jezu Krishti, ne mund t’i shohim mrekullitë të ndodhin?

Ftojini disa studentë që t’i ndajnë përgjigjet e dy pyetjeve të fundit me klasën.

Përfundojeni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe për bekimet që ju keni marrë kur keni treguar besim tek Ai. Kërkojuni studentëve që të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth disa mënyrave me anë të të cilave ata mund të tregojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Ftojini ata të vendosin një synim për t’i bërë gjërat që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 3:17. “[Ai do ta] mbledh[ë] grurin në hambarin e tij”

Një interpretim për hambarin ku do të mblidhet gruri ose të drejtët është se ai përfaqëson tempullin. Duke cituar një analogji të ngjashme (shih Alma 26:5) si ajo te Lluka 3:17, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha sa vijon:

“Hambarët janë tempujt e shenjtë. Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi: ‘Dallueshëm, kur pagëzojmë, sytë tanë duhet të vështrojnë ngultas përtej vaskës së pagëzimit drejt tempullit të shenjtë. Hambari i madhërishëm ku duhet të mblidhen duajt është tempulli i shenjtë’ (në John L. Hart, ‘Make Calling Focus of Your Mission’, Church News, 17 shtator 1994, f. 4). Ky udhëzim qartëson dhe thekson rëndësinë e ordinancave dhe të besëlidhjeve të shenjta të tempullit – që duajt të mos shkojnë kot” (“Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”,, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97).

Lluka 4:25–27. Naamani dhe e veja nga Sarepta

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha komentin vijues rreth besimit që u tregua nga e veja e Sareptës dhe Naamani, krahasuar me besimin e atyre që ishin në Nazaret në kohën e Jezusit:

“Atje ku ka besim, ka mrekulli; atje ku nuk ka besim, nuk bëhet mrekulli. Dhe nëse profetët e lashtë shkuan jashtë vathës së Izraelit për të gjetur ata që ishin të denjë për shërbesën e tyre, po ashtu Jezusi do të shkonte jashtë Nazaretit për të gjetur shpirtrat pranues që do të besonin në të dhe do të merrnin bekimet që ai erdhi për t’u dhënë. Nëse populli i Nazaretit dëshironte t’i shihte punët e mrekullueshme që ishin bërë diku tjetër, atëherë le ta pranonin Atë, i cili tashmë po predikonte në sinagogat e tyre, dhe ata gjithashtu do t’i merrnin bekimet e qiellit” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 2:26).