Biblioteka
Hyrje tek Ungjilli Sipas Mateut


Hyrje tek Ungjilli Sipas Mateut

Përse të studiohet ky libër?

Disa prej fragmenteve më të çmuara të Biblës gjenden në librin e Mateut, përfshirë Predikimin në Mal dhe shumë prej shëmbëlltyrave, mësimeve dhe mrekullive të Jezu Krishtit. Studimi i këtij libri mund t’i ndihmojë studentët të njihen me shërbesën dhe fjalët e Jezu Krishtit dhe mund të forcojë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin si Shpëtimtari i botës dhe Mesia i Premtuar për të cilin është folur nga të gjithë profetët e shenjtë.

Kush e shkroi këtë libër?

Mateu, i njohur edhe si Levi, biri i Alfeut, është autori i këtij libri. Ai ishte tagrambledhës apo vjelës taksash përpara se jeta e tij të ndryshonte përgjithmonë kur iu përgjigj ftesës së Jezu Krishtit për ta ndjekur Atë. (Shih Mateu 9:9; Marku 2:14; Lluka 5:27–28; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mateu”, f. 113–114.) Në vijim të kthimit të tij në besim, Mateu u bë një prej Dymbëdhjetë Apostujve të Shpëtimtarit (shih Mateu 10:2–4). Si Apostull, Mateu ishte dëshmitar okular i shumë prej ngjarjeve që përshkroi në analin e tij. Kjo përforcohet nga titulli i dhënë Ungjillit të tij te Përkthimi prej Joseph Smith-it: “Dëshmia e Shën Mateut”.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë saktësisht se kur u shkrua libri i Mateut, por ka të ngjarë se u shkrua në gjysmën e dytë të shekullit të parë pr.K. Ne nuk e dimë vendin ku e shkroi Mateu këtë libër.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Mateu duket se i ka shkruar një audience judease për të treguar që Jezu Krishti përmbushi profecitë e Dhiatës së Vjetër lidhur me Mesian (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mateu”, f. 113–114). Ndërsa Mateu rrëfeu jetën, fjalët dhe veprat e Jezu Krishtit, ai vazhdimisht iu referua profecive të Dhiatës së Vjetër dhe përdori frazën “që të përmbushej/për të përmbushur” (për shembull, shih Mateu 4:14; 8:17; 13:35; 21:4).

Në Ungjillin e tij, Mateu e përdori termin “Bir i Davidit” 12 herë si dëshmi se Jezu Krishti ishte trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Mbretit David dhe përmbushja e profecive mesianike. Gjenealogjia e Jezu Krishtit nga Mateu zbulon prejardhjen e Tij nga Davidi, Juda dhe Abrahami (shih Mateu 1:1–3), duke treguar të drejtën e Jezusit për të sunduar dhe rolin e Tij në plotësimin e premtimeve të Perëndisë për Izraelin.

Cilat janë disa veçori dalluese të këtij libri?

Ndonëse një sasi e madhe e materialit të Mateut gjendet edhe te Marku dhe Lluka, rreth 42 përqind e Ungjillit të Mateut është unik. Një temë kryesore te Mateu është që Jezu Krishti erdhi për të ngritur mbretërinë e Tij në tokë. Mateu e përmendi “mbretërinë e qiejve” dendur dhe ai është i vetmi autor ungjillor që ka përfshirë mësimet e Jezusit që përmendin “kishën” (shih Mateu 16:18; 18:17).

Ungjilli i Mateut na ndihmon gjithashtu të shikojmë ngjashmëritë ndërmjet shërbesës së Moisiut dhe të Jezu Krishtit. Për shembull, të dy u shpëtuan kur ishin foshnja nga përpjekjet e një mbreti për t’i vrarë (shih Eksodi 2:1–10; Mateu 2:13–18), të dy erdhën nga Egjipti, të dy e dhanë ligjin e Perëndisë në një mal (shih Eksodi 19–20; Mateu 5–7) dhe të dy erdhën për të çliruar popullin e tyre.

Përmbledhje

Mateu 1–4 Mateu jep gjenealogjinë dhe lindjen e Jezu Krishtit. Dijetarët kërkojnë Mbretin e Judenjve. I udhëhequr nga ëndrra, Jozefi e merr Marien dhe fëmijën Jezus për në Egjipt dhe më vonë në Nazaret. Gjon Pagëzori predikon ungjillin e pendimit dhe pagëzon Jezu Krishtin. Shpëtimtari tundohet në shkretëtirë. Ai fillon shërbesën e Tij në vdekshmëri duke dhënë mësim dhe duke shëruar.

Mateu 5–7 Jezu Krishti jep Predikimin në Mal.

Mateu 8–12 Shpëtimtari shëron një lebros, fashit stuhinë, dëbon demonë, ngre nga vdekja të bijën e Jairit dhe u jep shikimin të verbërve. Jezu Krishti u jep Dymbëdhjetë Apostujve autoritet për të vepruar siç ka vepruar Ai dhe i dërgon për të predikuar ungjillin. Jezusi shpall se Gjon Pagëzori është më shumë se profet. Shpëtimtari shëron në Shabat.

Mateu 13–15 Jezusi jep mësim duke përdorur shëmbëlltyra. Gjon Pagëzori ekzekutohet. Pas ushqyerjes së pesë mijë vetave, Jezusi dhe Pjetri ecin mbi detin e Galilesë. Skribët dhe farisenjtë i bëjnë pyetje Jezusit.

Mateu 16–18 Pasi Pjetri dëshmon se Jezusi është Mesia, Shpëtimtari tregon se Ai do t’ia jap çelësat e mbretërisë së Perëndisë Pjetrit dhe të Dymbëdhjetëve. Jezu Krishti shpërfytyrohet në mal, ku Pjetri, Jakobi dhe Gjoni marrin çelësat e priftërisë. Jezusi u jep udhëzime dishepujve të Tij për mënyrën se si ta udhëheqin Kishën dhe jep mësim që Perëndia nuk do të na falë nëse nuk i falim të tjerët.

Mateu 19–23 Shpëtimtari jep mësim për natyrën e përjetshme të martesës. Ai hyn në Jerusalem dhe pastron tempullin. Nëpërmjet përdorimit të shëmbëlltyrave, Jezusi vë në dukje qëllimet e liga të udhëheqësve judeas që e kundërshtojnë Atë. Ai vajton për shkatërrimin e ardhshëm të Jerusalemit.

Mateu 24–25; Joseph Smith—Mateu Jezu Krishti profetizon për shkatërrimin e Jerusalemit. Ai jep mësim për mënyrën se si pasuesit e Tij mund të përgatiten për kthimin e Tij.

Mateu 26–27 Jezusi ha vaktin e Pashkës me dishepujt e Tij dhe paraqet sakramentin. Ai vuan në Kopshtin e Gjetsemanit dhe tradhtohet, arrestohet, gjykohet para autoriteteve judease e romake dhe kryqëzohet. Ai vdes dhe varroset.

Mateu 28 Shpëtimtari i ringjallur i shfaqet dishepujve të Tij. Jezusi i porosit Apostujt ta çojnë ungjillin e Tij në të gjitha kombet.