Biblioteka
Hyrje te Letra e Parë e Apostullit Gjon


Hyrje te Letra e Parë e Apostullit Gjon

Përse të studiohet ky libër?

Në këtë letër Gjoni trajtoi përhapjen e rrezikshme të ndikimeve braktisëse në Kishë. Ai i paralajmëroi shenjtorët të mos e ndiqnin errësirën dhe të qëndronin në sigurinë e dritës së ungjillit. Studimi i 1 Gjonit mund t’i ndihmojë studentët të bëhen më dallues ndaj mësimeve të rreme rreth Jezu Krishtit dhe ndjekja e këshillës së Gjonit mund t’i ndihmojë ata të ruajnë shoqërim të ngushtë me Zotin ndërsa qëndrojnë në të vërtetën. Përveç këtyre, studimi i këtij libri mund t’i ndihmojë studentët që të arrijnë të kuptojnë dashurinë e madhe që Ati Qiellor ka për secilin prej fëmijëve të Tij, gjë të cilën e tregoi duke dhënë Birin e Tij, Jezu Krishtin si një flijim për të gjithë njerëzimin.

Kush e shkroi këtë libër?

“Në asnjërën prej këtyre tri letrave nuk e përmend shkruesi veten e tij me emër; por tradita ia cakton ato Gjonit”, njërit prej Dymbëdhjetë Apostujve të parë (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “John, Epistles of” [“Gjoni, Letra të”]).

Autori i Letrave të Gjonit ishte një dëshmitar okular i Shpëtimtarit të ringjallur, gjë e cila ishte sigurisht e vërtetë për Gjon Apostullin (shih 1 Gjon 1:1–4; 4:14).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Nuk dihet me saktësi se kur dhe ku u shkrua 1 Gjoni. Me gjasë ishte shkruar diku në periudhën e vonë të shekullit të parë ps.K.

Ndonëse Gjoni e kaloi periudhën më të hershme të jetës së tij në Palestinë, zona ishte armiqësore ndaj të krishterëve dhe judenjve pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe tempullit të tij në vitin 70 ps.K. Tradita pohon se Gjoni iku nga Palestina për të jetuar në Efes gjatë viteve të tij të mëvonshme. Nëse ka qenë kështu, Gjoni mund ta ketë shkruar letrën nga Efesi diku mes viteve 70 dhe 100 ps.K.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Publiku i 1 Gjonit nuk shprehet në mënyrë të qartë por nga shkrimet e tij duket që Gjoni u shkroi besimtarëve (shih 1 Gjon 1:3–4; 2:12–14), ndoshta atyre në Azinë e Vogël (Turqia e ditëve të sotme), ku disa burime historike thonë se Gjoni mund të ketë jetuar dhe shërbyer nga fundi i shekullit të parë ps.K.

Në këtë kohë, mësuesit e rremë kishin krijuar përçarje ose ndarje midis shenjtorëve në rajon (shih 1 Gjon 2:18–19, 22, 26; 4:1) dhe braktisja po përhapej në Kishë. Një filozofi e veçantë që po fitonte popullaritet, ishte docetizmi. Docetizmi ishte pjesë e një lëvizjeje të gjerë e njohur si gnosticizëm. Një mësim kyç në shumë forma të gnosticizmit ishte se shpirti qe plotësisht i mirë dhe materia, përfshirë edhe trupin fizik, ishte plotësisht e ligë.

Ndjekësit e gnosticizmit besonin se shpëtimi nuk arrihej duke qenë i lirë nga mëkati por, përkundrazi, duke e veçuar shpirtin nga materia, që do të thotë nga trupi fizik. Ata besonin gjithashtu se shpëtimi arrihej nëpërmjet njohurisë së veçantë (gnosis) në vend që të arrihej nëpërmjet besimit në Jezu Krisht.

Ndjekësit e docetizmit e mbitheksuan natyrën shpirtërore të Jezusit deri në pikën saqë e refuzuan idenë se Ai erdhi në tokë në formën e vërtetë fizike. Ata besonin se Perëndia ishte i padukshëm, i pavdekshëm, i gjithëdijshëm dhe pa materie dhe ata e konsideruan botën fizike dhe trupin fizik si të pavlerë dhe të lig. Prandaj, ata besonin se, meqë Jezusi ishte Biri hyjnor i Perëndisë, Ai nuk do të mund t’i provonte kufizimet e të qenit njerëzor. Sipas pikëpamjes së tyre, Jezu Krishti nuk u lind në të vërtetë në mish dhe Ai nuk mori një trup të prekshëm, nuk u gjakos, vuajti, vdiq apo u ngrit me një trup të ringjallur – Ai thjesht u duk sikur i bëri këto gjëra. Docetizëm vjen nga fjala greke dokeō, që do thotë “të dukesh” ose “të shfaqesh”.

Ndonëse 1 Gjoni i hedh poshtë këto mësime të rreme, ata këmbëngulën dhe depërtuan në anëtarësinë e Kishës. Këto dhe doktrina të tjera të rreme janë pjesë e asaj që çuan drejt Braktisjes së Madhe.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Si njëri prej apostujve të parë të Jezu Krishtit, Gjoni ishte një dëshmitar i veçantë i Shpëtimtarit të ringjallur. Gjoni e filloi këtë letër duke shpallur se ai e kishte parë, dëgjuar dhe e kishte prekur vetë Jezu Krishtin. Duke u zgjeruar në këtë dëshmi vetjake, Gjoni i ftoi lexuesit e tij të kishin “bashkësi … me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjon 1:3). Dashuria është lajtmotivi i Letrës së Parë të Gjonit. Gjoni theksoi se ata që thonë se e duan Perëndinë por nuk i duan ata përreth tyre, janë gënjeshtarë (shih 1 Gjon 4:20–21).

Përmbledhje

1 Gjon 1–3 Gjoni jep mësim se, nëpërmjet bindjes, ne mund të arrijmë ta njohim Perëndinë, të kemi shoqërimin e Tij dhe të bëhemi si Ai. Në ditët e fundit do të ngrihen antikrishtë. Dashuria e Shpëtimtarit për ne tregohet nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese.

1 Gjon 4–5 Gjoni i nxit shenjtorët të përcaktojnë nëse një mësues është prej Perëndisë. Perëndia është dashuri dhe, për shkak të dashurisë së Tij të madhe për ne, Ai dërgoi Birin e Tij të vuajë për ne. Ata që e duan Perëndinë, do të zbatojnë urdhërimet e Tij. Ata që besojnë në Jezu Krisht dhe kanë lindur nga Perëndia, do ta mundin botën.