Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Lluka 5:1–10:37 (Njësia 10)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Lluka 5:1–10:37 (Njësia 10)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Llukën 5:1–10:37 (njësia 10), nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Lluka 5)

Nga rrëfimi i Shpëtimtarit kur e ftoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin që të ishin peshkatarë njerëzish, studentët mësuan që nëse ne bëjmë atë që Zoti na kërkon edhe kur nuk e kuptojmë arsyen, Ai mund të na japë bekime më të mëdha nga sa mund të kishim pritur. Dhe nga shërimi i lebrosit dhe i një të paralizuari, studentët mësuan se ndërsa ne ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai mund të na shërojë dhe se ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Shpëtimtari, në mënyrë që ata të mund të shërohen. Studentët mësuan gjithashtu se që ta pranojmë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, ne duhet të jemi të përulur dhe të gatshëm për të ndryshuar.

Dita 2 (Lluka 6:1–7:17)

Studentët zbuluan që nëse bëjmë gjëra të mira ndaj të tjerëve pa pritur ndonjë gjë në këmbim, shpërblimi ynë do të jetë i madh dhe ne do të jemi fëmijët e Më të Lartit, dhe se Ati Qiellor na bekon bujarisht kur u japim të tjerëve bujarisht. Ata mësuan gjithashtu të vërtetat vijuese: Duke ushtruar besim te Jezu Krishti, ne mund të ndihmojmë për të sjellë bekime në jetën e të tjerëve. Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke treguar dhembshuri për të tjerët dhe duke shërbyer ndaj nevojave të tyre të pashprehura.

Dita 3 (Lluka 7:18–50)

Në këtë mësim studentët mësuan se Gjon Pagëzori ishte profeti i parashuguruar që të përgatiste rrugën për Birin e Perëndisë dhe ta pagëzonte Atë. Nga historia e gruas që i lau këmbët e Shpëtimtarit me lotët e saj, studentët mësuan sa vijon: Kur ne e ushtrojmë besimin tonë duke treguar dashuri dhe përkushtim ndaj Zotit, ne mund ta përjetojmë faljen e Tij. Kur ne e marrim faljen e Zotit, ne mbushemi me dëshirën për ta dashur dhe për t’i shërbyer Atij edhe më shumë.

Dita 4 (Lluka 8:1–10:37)

Nga ky mësim studentët u nxitën që ta ndiqnin shembullin e Shpëtimtarit duke zgjedhur që t’i përgjigjen situatave ofenduese ose fyese me këmbëngulje dhe durim. Përveç kësaj, ata mësuan se që të jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, ne nuk duhet të lemë asgjë tjetër që të ketë përparësi mbi ndjekjen e Tij, dhe se që të marrim jetë të përjetshme, ne duhet ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë porsi vetveten.

Hyrje

Një doktor i ligjit e pyeti Shpëtimtarin: “Çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?” (Lluka 10:25). Idetë mësimdhënëse vijuese mund t’i ndihmojnë studentët të mësojnë se çfarë do të thotë ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë porsi vetveten.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 10:25–37

Jezusi jep mësim shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Njerëzit përreth nesh nuk janë të përkryer. Njerëzit bëjnë gjëra që na mërzitin, na zhgënjejnë dhe na zemërojnë. Në këtë jetë të vdekshme gjithmonë do të jetë në këtë mënyrë” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 77).

Ftojeni klasën të përsiatë nëse njohin dikë që bën gjëra që i mërzit, i zhgënjen apo i zemëron ata.

  • Përse mund të jetë e vështirë ta duash dikë që i bën këto gjëra?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 10:25–37, të kërkojnë të vërteta që mund t’i udhëheqin ata kur ndërveprojnë me individë që mund të jenë të vështirë për t’i dashur.

Kujtojuni studentëve se në studimin e tyre vetjak të Llukës 10, ata mësuan për një doktor të ligjit, i cili e pyeti Shpëtimtarin se si të trashëgonte jetën e përjetshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 10:26–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit. Pastaj kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjetën.

  • Çfarë parimi mësojmë nga këto vargje lidhur me atë që ne duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Për të marrë jetë të përjetshme ne duhet ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë porsi vetveten. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Çfarë do të thotë ta doni Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, forcën dhe mendjen tuaj?

Vini në dukje frazën “ta duam të afërmin tonë porsi vetveten” në tabelë. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë mund të nënkuptojë ta duam të afërmin tonë porsi vetveten, ftojini ata të renditin në tabelë gjërat që bëjnë gjatë një dite të zakonshme. (Gjërat mund të përfshijnë përgatitjen ditore, të ngrënit, fjetjen, bërjen e detyrave të shtëpisë e kështu me radhë.)

Pas përpilimit të një liste në tabelë, ftojini studentët të përsiatin se sa prej veprimtarive të tyre përqendrohen te vetja e tyre. (Ju mund t’u kërkoni atyre të përcaktojnë nëse çdo gjë në listë është për veten e tyre, për të tjerët apo për Perëndinë.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky ushtrim?

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund të jemi në gjendje të përqendrohemi më shpesh te mirëqenia e të tjerëve dhe të kërkojmë t’i duam ata po aq sa duam veten tonë?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta bëjmë këtë edhe gjatë veprimtarive që ne bëjmë për veten tonë? (Shembujt mund të përfshijnë që të hamë drekë me ata që duken të vetmuar, apo t’i përgëzojmë të tjerët gjatë veprimtarive tona shkollore.)

  • Si mendoni ju se mund të na ndihmojë të përparojmë drejt jetës së përjetshme, kur e duam Perëndinë dhe të afërmit tanë po aq sa duam veten tonë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 10:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen e dytë që doktori i ligjit i bëri Jezusit.

  • Cila ishte pyetja e dytë e doktorit të ligjit?

Përgatitini disa studentë që të dramatizojnë shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë te Lluka 10:30–35. Ftojeni një student që të jetë tregimtari dhe të tjerët të luajnë rolet e burrit të plagosur judeas, të dy vjedhësve, të priftit, të levitit dhe të samaritanit. (Nëse keni një klasë me vetëm pak studentë, ata mund të luajnë në disa role.) Ju mund të doni të siguroni disa objekte skene, të cilat mund të përfshijnë etiketa emrash, veshje të tjera që i hiqen burrit judeas, dy enë që përfaqësojnë vajin dhe verën, një karrige me rrota që të përfaqësojë bishën dhe dy monedha që të përfaqësojnë dy denarë. (Shënim: Ju mund të doni t’i përzgjidhni pjesëmarrësit dhe t’u jepni atyre udhëzime të veçanta përpara orës së mësimit, për t’u siguruar që interpretimi me role të jetë i efektshëm, i përshtatshëm dhe i sigurt.)

Ftojeni tregimtarin që të lexojë me zë të lartë Llukën 10:30–35, dhe u kërkoni atyre që marrin pjesë që ta interpretojnë shëmbëlltyrën. Vëreni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari rreth asaj se kush është i afërmi ynë. Pas interpretimit me role, ftojini studentët të kthehen në vendet e tyre.

  • Cili nga veprimet e samaritanit ju bën më shumë përshtypje?

Për ta ndihmuar klasën të kuptojë më mirë atë që mund të pritet nga një prift, një levit dhe një samaritan, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues:

Në ligjin e shkruar të Moisiut, priftërinjtë dhe levitët ishin caktuar [dhe të detyruar] që t’i shërbenin Perëndisë dhe bashkëqenieve të tyre, si në tempull dhe si mësues e si shembuj të ligjit të Perëndisë. Këta mbajtës të priftërisë ishin plotësisht të vetëdijshëm për urdhërimin “ta duash të afërmin tënd si veten tënde” (Levitiku 19:18). Në fakt, levitët ishin ngarkuar veçanërisht që t’i ndihmonin udhëtarët ekonomikisht dhe në mënyra të tjera (shih Levitiku 25:35–36). Në dallim, “samaritanët ishin pjesërisht izraelitë dhe pjesërisht johebrenj. Feja e tyre ishte një përzjerje e besimeve dhe praktikave judease dhe pagane. … Judenjtë kishin ushqyer [urrejtje] për samaritanët sepse samaritanët e kishin braktisur fenë izraelite” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Samaritanë”, scriptures.lds.org). Si judenjtë edhe samaritanët bënin një përpjekje të madhe për ta shmangur njëri-tjetrin.

  • Në shëmbëlltyrë, përse mund të jenë disi befasuese veprimet e priftit, levitit dhe samaritanit?

  • Çfarë arsyesh mund të kishte samaritani për të mos e ndihmuar judeun e plagosur?

  • Sipas Llukës 10:33, çfarë e nxiti samaritanin të vepronte kur e pa burrin e plagosur?

Vini në dukje se të kemi dhembshuri do të thotë të vëmë re nevojat apo sfidat e një personi tjetër dhe të ndiejmë dëshirë për të bërë çfarëdo që mundemi për ta ndihmuar atë person.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 10:36–37. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi më pas doktorit të ligjit.

  • Si i përgjigjet kjo shëmbëlltyrë pyetjes në vargun 29, “Po kush është i afërmi im?”

Ndihmojini studentët të kuptojnë se përdorimi nga ana e Shpëtimtarit të samaritanit në këtë shëmbëlltyrë sugjeron se i afërmi ynë nuk është thjesht dikush që jeton pranë nesh, por është çdo fëmijë i Atit Qiellor – përfshirë ata që ne e kemi më të vështirë për t’i dashur.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter:

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Ne kemi nevojë të kujtojmë që edhe pse miqtë i bëjmë vetë, fqinjët na i ka bërë Perëndia – kudo. Dashuria nuk duhet të ketë kufi. … Krishti tha: ‘Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?’ (Mateu 5:46)” (“The Lord’s Touchstone”, Ensign, nëntor 1986, f. 35).

  • Sipas Llukës 10:37, çfarë i mësoi Shpëtimtari doktorit të ligjit të bënte?

Ftojini studentët të marrin parasysh edhe një herë individët që i menduan më parë, të cilët ata mund ta kenë të vështirë t’i duan.

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i dashur dhe për të pasur dhembshuri ndaj atyre që ne e kemi të vështirë t’i duam?

  • Përsiatni për një rast kur ju ose dikush që ju njihni ndoqi këshillën e Shpëtimtarit për ta “d[ashur] … të afërmin t[uaj] porsi vetveten” (Lluka 10:27). Cili qe rezultati?

Dëshmoni për të vërtetat e shpjeguara në mësimin e sotëm. Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese dhe ftojini studentët ta plotësojnë atë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: Unë do ta ndjek shembullin e samaritanit të mirë duke …

Njësia Tjetër (Lluka 10:38–17:37)

Shpjegojuni studentëve se në njësinë e ardhshme ata do të studiojnë se si Jezusi i qortoi vazhdimisht farisenjtë, ngaqë përpiqeshin të dukeshin të drejtë, por nga brenda ishin egoistë. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se si ata mund të jenë më pak si farisenjtë dhe më shumë si ndjekësit e përulur të Krishtit. Ata do të studiojnë edhe disa shëmbëlltyra të tjera që dha Jezusi, përfshirë shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Kërkojuni atyre të vënë re atë që i ndodhi pasanikut, i cili ia përkushtoi jetën e tij fitimit të pasurive dhe shpërfilljes së të varfërve.