Biblioteka
Mësimi 22: Mateu 19–20


Mësimi 22

Mateu 19–20

Hyrje

Jezu Krishti dha mësim për shenjtërinë e martesës. Ai theksoi rëndësinë e zgjedhjes së jetës së përjetshme mbi pasurinë e botës dhe dha mësim shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht. Jezusi gjithashtu profetizoi për vdekjen e Tij dhe u mësoi dishepujve të Tij që t’u shërbenin të tjerëve.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 19:1–12

Shpëtimtari jep mësim për shenjtërinë e martesës

Pamja
çift të rinjsh të sapomartuar

Paraqitni një fotografi të një çifti të martuar të lumtur që është vulosur në tempull. Vini në dukje që doktrina e Zotit lidhur me martesën dhe divorcin ndryshon nga shumë prej bindjeve të botës.

  • Cilat janë disa prej bindjeve të botës për martesën dhe divorcin? (Kujdes: Shmangni kalimin shumë kohë në tema të afërta me to të tilla si martesa brenda të njëjtës gjini, që mund të marrin kohë nga parime të tjera të rëndësishme në mësimin e sotëm.)

Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 19:1–12 të kërkojnë mësimet e Zotit për martesën e divorcin dhe të marrin parasysh rëndësinë e këtyre mësimeve për ta.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:1–3. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që farisenjtë i bënë Jezusit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni që fraza “ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo” (Mateu 19:3) i referohet një burri që e ndan gruan e tij për çfarëdolloj arsyeje, edhe nëse është e parëndësishme ose egoiste.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:4–6 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Shpëtimtari për martesën dhe divorcin.

  • Çfarë të vërtetash për martesën mësojmë nga përgjigjja e Shpëtimtarit ndaj farisenjve? (Studentët mund të përcaktojnë disa të vërteta, por sigurohuni të theksoni që martesa midis një burri dhe një gruaje është një marrëdhënie e shenjtë e krijuar dhe e vendosur nga Perëndia.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:7 dhe vëreni klasën të kërkojë një pyetje tjetër që farisenjtë i bënë Shpëtimtarit.

  • Çfarë pyetjeje i bënë farisenjtë Shpëtimtarit?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:8–9 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Shpëtimtarit.

  • Sipas Shpëtimtarit, përse e lejoi Moisiu divorcin mes izraelitëve? (Për shkak të ngurtësisë së zemrave të njerëzve.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ky mësim lidhet me kohën tonë, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Lloji i martesës që kërkohet për ekzaltim – e përjetshme në kohëzgjatje dhe hyjnore në cilësi – nuk e pranon divorcin. Në tempujt e Zotit, çiftet martohen për gjithë përjetësinë. Por disa martesa nuk përparojnë drejt atij ideali. Për shkak të ‘ngurtësisë së zemrave [tona]’ [Mateu 19:8], Zoti tani nuk i imponon pasojat e standardit çelestial. Ai i lejon personat e divorcuar të martohen përsëri pa njollën e imoralitetit të specifikuar në ligjin më të lartë” (“Divorce”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 70; [“Divorci”, Konferenca e Përgjithshme, Prill 2007 (nr. artikulli 02368101), f. 83]).

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të japin dëshmitë e tyre që Perëndia e krijoi dhe e vendosi martesën si një marrëdhënie të shenjtë midis një burri dhe një gruaje.

Mateu 19:13–30; 20:1–16

Jezusi jep mësim për jetën e përjetshme dhe jep shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht

Ftojeni një student të dalë përpara klasës. I thoni studentit se nëse ai ose ajo mund të bëjë 10 pompa, ai ose ajo do të marrë një shpërblim të vogël (të tillë si dhjetë copa të vogla ëmbëlsirash). Pasi studenti të bëjë 10 pompa, jepini atij apo asaj shpërblimin dhe pastaj kërkoni një vullnetar tjetër. Kërkojini studentit të dytë që të bëjë një pompë dhe pastaj pyeteni klasën se çfarë shpërblimi mendojnë ata se duhet të marrë ky student dhe përse. Ftojini dy studentët të kthehen në vendet e tyre. Vëreni në dijeni klasën se më vonë gjatë mësimit, studenti i dytë do të marrë një shpërblim në bazë të asaj që klasa mëson nga shkrimet e shenjta.

Përmblidheni Mateun 19:13–27 duke shpjeguar se Jezusi i nxiti pasuesit e Tij që të kërkonin jetën e përjetshme në vend të pasurisë tokësore. Pjetri pyeti se çfarë do të merrnin dishepujt për shkak se kishin hequr dorë nga pasuritë e tyre tokësore për të ndjekur Shpëtimtarin. (Shënim: Ngjarjet e diskutuara në këto vargje do të jepen mësim me hollësi në mësimin për Markun 10.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:28–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit.

  • Sipas vargut 29, çfarë do të trashëgojë kushdo që braktis gjithçka për të ndjekur Shpëtimtarin?

Shpjegoni se Shpëtimtari atëherë u mësoi dishepujve të Tij një shëmbëlltyrë për t’i ndihmuar të kuptonin dëshirën e Atit Qiellor për t’i dhënë të gjithë fëmijëve të Tij mundësinë për të marrë jetën e përjetshme. Në këtë shëmbëlltyrë, një njeri pajton me mëditje punëtorë në kohë të ndryshme gjatë ditës për të punuar në vreshtin e tij. Një ditë normale pune në kohët e Dhiatës së Re do të ishte nga afërsisht ora 6:00 e mëngjesit deri në 6:00 të pasdites, me kohëzgjatje pak të ndryshuara në stinë të ndryshme të vitit.

Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë ose jepuani atë studentëve si fletushkë:

Punëtorët (Koha e Fillimit)

Paga që Ranë Dakord

Orët që Punuan

Shuma e Paguar

Herët në mëngjes (6:00)

Ora e 3-të (9:00)

Ora e 6-të (12:00)

Ora e 9-të (15:00)

Ora e 11-të (17:00)

Ftojini studentët të punojnë në grupe të vogla. Vërini ata ta lexojnë Mateun 20:1–7 në grupet e tyre të vogla duke kërkuar se për sa kohë punoi secili grup i punëtorëve dhe pagën për të cilën ranë dakord. (“Një denar” i referohet parasë, që ishte një monedhë romake pak a shumë e barabartë me rrogën e një punëtori për një ditë.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë në dërrasë dhe të plotësojnë dy kolonat e para të tabelës (ose ftojini që t’i plotësojnë ato në kopjet që u keni dhënë).

  • Kush mendoni se duhet të paguhet më shumë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:8–10 dhe vëreni klasën të kërkojë pagesën që mori secili grup i punëtorëve.

  • Çfarë pagese mori secili grup i punëtorëve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani 1 denar në secilën kuti në kolonën e emërtuar “Shuma e Paguar”.)

  • Nëse do të ishit mes punëtorëve që punuan gjithë ditën, çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur kur të merrnit të njëjtin shpërblim si ata që punuan vetëm një orë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:11–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që i thanë ata që punuan gjithë ditën zotit të vreshtit dhe atë që ai iu përgjigj atyre.

  • Cila ishte ankesa e atyre që kishin punuar gjithë ditën?

  • Çfarë tha zoti i vreshtit si përgjigje?

  • Si kishte qenë zoti i vreshtit i drejtë (ose i ndershëm) me ata që kishin punuar gjithë ditën?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një të vërtetë nga kjo shëmbëlltyrë, shpjegoni që rroga prej një denari mund të përfaqësojë jetën e përhershme ose të përjetshme, siç përmendet te Mateu 19:29. Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që …

  • Nëse shpërblimi në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson jetën e përjetshme, çfarë mund të përfaqësojë puna? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por sigurohuni të theksoni se puna në këtë shëmbëlltyrë mund të përfaqësojë bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë. Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni si vijon të vërtetën në tabelë: Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që zgjedhin të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta me Të.)

Vini në dukje që kjo e vërtetë na ndihmon të kuptojmë mëshirën e Atit Qiellor për individët që nuk i bëjnë apo i mbajnë besëlidhjet herët në jetë dhe për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë atë derisa pasi vdesin (shih DeB 137:7–8).

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne të dimë që Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që zgjedhin të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta me Të, pavarësisht nga koha kur mund të ndodhë ajo?

Kujtojuni studentëve studentin e dytë që bëri vetëm një pompë dhe pyesni:

  • Çfarë shpërblimi mendoni se duhet të marrë ky student për bërjen e një pompe? (Jepini studentit të njëjtin shpërblim që i dhatë studentit që bëri 10 pompa.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:15–16. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë se si iu përgjigj zoti i vreshtit atyre që u ankuan për mirësinë e tij kundrejt punëtorëve të tjerë.

  • Çfarë mendoni që donte të thoshte zoti i vreshtit kur pyeti: “Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?” (vargu 15).

Shpjegoni se Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e parafrazoi këtë pyetjeje si vijon: “Përse duhet të jeni [ju] xhelozë për shkak se unë zgjedh të jem i mirë?” (“Punëtorët në Vresht”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 31).

  • Çfarë do të thotë te vargu 16 që “shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”? (Të jesh i thirrur do të thotë të jesh i ftuar për të marrë pjesë në punën e Atit Qiellor. Të jesh i zgjedhur do të thotë të marrësh bekimet e Tij – përfshirë bekimin e jetës së përjetshme.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 16? (Studentët mund të përcaktojnë një numër parimesh, përfshirë sa vijon: Nëse zgjedhim të jemi xhelozë për bekimet e Atit Qiellor për të tjerët, atëherë ne mund të humbasim bekimet që Ai dëshiron të na japë neve.)

Lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe ftojini studentët të përsiatin për mënyrën se si ata mund të tundohen për të qenë xhelozë për bekimet që Ati Qiellor u jep të tjerëve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Do të ketë kohë në jetën tonë kur dikush tjetër merr një bekim të papritur ose merr ndonjë vlerësim të veçantë. A mund të lutem bashkë me ju që të mos pezmatohemi – dhe sigurisht të mos ndihemi ziliqarë – kur bekime të mira i vijnë një personi tjetër? Ne nuk do të na zvogëlohet kur dikujt tjetri i shtohet. Ne nuk jemi në një garë kundër njëri-tjetrit, që të shohim se cili është më i pasuri, ose më i talentuari, ose më i bukuri apo madje më i bekuari. Gara në të cilën jemi me të vërtetë është ajo kundër mëkatit. …

… Lakmimi, varja e buzëve apo të kërkosh t’i bësh të tjerët më pak të lumtur nuk rrit pozitën tënde, dhe as të poshtërosh dikë nuk e përmirëson imazhin tënd. Kështu që, jini të mirë dhe jini mirënjohës që Perëndia është i mirë. Është një mënyrë e gëzuar për të jetuar” (“Punëtorët në Vresht”, f. 31, 32).

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët përcaktuan ndërsa studiuan shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë. Jepuni studentëve kohë ta plotësojnë thënien në fletoret tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: Bazuar tek ajo që kam mësuar nga kjo shëmbëlltyrë, unë do të …

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini t’i tregojnë klasës atë që shkruan disa studentë që ndihen rehat për ta bërë atë.

Mateu 20:17–34

Jezusi profetizoi për vetë vdekjen e Tij dhe u mësoi dishepujve të Tij që t’u shërbenin të tjerëve

Përmblidheni Mateun 20:17–34 duke shpjeguar se Shpëtimtari profetizoi që Ai do të tradhtohej dhe dënohej me vdekje kur të kthehej në Jerusalem. Ai i mësoi dishepujt e Tij që në vend që të luftonin për post e autoritet, ata duhej të ndiqnin shembullin e Tij dhe t’u shërbenin të tjerëve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 19:3–6. “Atë që Perëndia ka bashkuar”

Plaku F. Bartën Hauard, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se profetët e kanë dhënë mësim prej shumë kohësh rolin e martesës në planin e Perëndisë:

“Martesa e përjetshme është një parim i cili u vendos përpara themelimit të botës dhe u dha në këtë tokë përpara së të vinte vdekja në të. Adami dhe Eva iu dhanë njëri-tjetrit nga Perëndia në Kopshtin e Edenit përpara Rënies. Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë. Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi’ (Zanafilla 5:1–2; theksimi i shtuar).

Profetët na kanë mësuar vazhdimisht se elementi më i përsosur dhe më final i planit të madh të Perëndisë për bekimin e fëmijëve të Tij është martesa e përjetshme” (“Eternal Marriage”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 92).

Motra Xhuli B. Bek, e cila shërbeu si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim sa vijon për arsyen përse martesa është shuguruar nga Perëndia:

“Ne e dimë se në konfliktin e madh para-tokësor ne qëndronim në anën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të ruajtur potencialin tonë të përkatësisë në familjet e përjetshme. … Ne besojmë në formimin e familjeve të përjetshme. Kjo do të thotë se ne besojmë në martesën” (“Çfarë Bëjnë më Mirë Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: Qëndrojnë Fort e të Palëkundura”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 110).

Mateu 19:6–9. Divorci

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi në lidhje me ndikimin e divorcit te familjet:

“Ka shumë anëtarë të mirë të Kishës të cilët janë divorcuar. … E dimë se shumë nga ju janë viktima të pafajshme—anëtarë bashkëshortët/et e mëparshëm të të cilëve kanë thyer në vazhdimësi besëlidhjet e shenjta ose kanë braktisur ose refuzuar të kryejnë përgjegjësitë e martesës për një kohë të gjatë. …

… Të gjithë që kanë kaluar divorcin e njohin dhimbjen dhe kanë nevojë për fuqinë dhe shpresën shëruese që vjen nga Shlyerja. Ajo fuqi shëruese dhe ajo shpresë është atje për ata dhe fëmijët e tyre. …

… Ne nuk mund të kontrollojmë dhe nuk jemi përgjegjës për zgjedhjet e të tjerëve, madje edhe kur ato ndikojnë mbi ne me aq dhimbje. …

Çfarëdo qofshin pasojat dhe pavarësisht sa të vështira përvojat tuaja, ju keni premtimin se nuk do t’ju mohohen bekimet e marrëdhënieve të përjetshme familjare nëse e doni Zotin, i mbani urdhërimet e Tij dhe thjesht bëni më të mirën që mundeni” (“Divorce”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 70–71, 73; [“Divorci”, Konferenca e Përgjithshme Prill 2007 (nr. artikulli 02368101), f. 83, 85]).

Mateu 19:10–12. “Sepse ka eunukë”

Plaku Brus R Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se në lashtësi disa njerëz kishin bindjen e rreme se duhej të synohej një jetë beqarie:

“Me sa duket ata të cilët bëheshin vetë eunukë ishin burra të cilët në adhurimin e rremë pagan i kishin gjymtuar organet e veta riprodhuese me dashje me pritshmërinë se një gjë e tillë do e çonte përpara shpëtimin e tyre. Është e qartë se një gjë e tillë nuk ishte një kërkesë e vërtetë ungjillore në asnjë mënyrë. Nuk ka asgjë të tillë në ungjill si tredhje e qëllimshme; një ide e tillë shkel parimet e vërteta të krijimit të jetës dhe martesës çelestiale” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 241).

Mateu 20:1–16. Shëmbëlltyra e punëtorëve në vresht

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një mësim të rëndësishëm që duhet ta marrim nga shëmbëlltyra e punëtorëve në vresht:

“Ashtu si shëmbëlltyrat e tjera, kjo shëmbëlltyrë mund të na mësojë parime të ndryshme dhe të çmuara. Për qëllimet e kësaj bisede, mësimi i saj është që shpërblimi i Mësuesit në Gjykimin Përfundimtar nuk do të bazohet nga sa gjatë kemi punuar në vresht. Ne nuk e marrim shpërblimin qiellor duke i mbajtur sytë nga orët e punës. Ajo që është thelbësore është që punët tona në vendin e punës së Zotit na bënë që të bëheshim diçka. Për disa prej nesh, kjo kërkon një kohë më të gjatë sesa për të tjerë. Ajo që është e rëndësishme në fund është personi që jemi bërë nga punët tona” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34).