Biblioteka
Mësimi 40: Marku 9:30–50


Mësimi 40

Marku 9:30–50

Hyrje

Jezusi u tregoi dishepujve të Tij për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij të afërt dhe u mësoi atyre se kush do të jetë më i madhi në mbretërinë e Perëndisë. Ai paralajmëroi për pasojat e çuarjes së të tjerëve në mëkat dhe i udhëzoi dishepujt e Tij që ta veçonin veten e tyre nga ndikimet që do t’i çonin në mëkat.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 9:30–37

Jezusi parashikon vdekjen dhe Ringjalljen e Tij, dhe jep mësim se kush do të jetë më i madhi në mbretërinë e Perëndisë

Sillni në klasë një artikull që ka një aromë të fortë, të cilën studentët do ta njohin (të tillë si një portokall apo qepë të sapoprerë, ose bukë të freskët). Përpara orës mësimore, vendoseni artikullin në klasë pa u parë nga studentët.

Fillojeni mësimin duke i pyetur studentët nëse nuhatën një aromë të re kur hynë në klasë.

  • Për çfarë gjëje ju nxiti kjo aromë të mendonit apo të bënit sapo e dalluat atë?

Vini në dukje se ashtu si aroma mund të ndikojë te ne, [edhe] ne mund të ndikojmë te mendimet dhe sjelljet e të tjerëve. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta te Marku 9:30–50, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të marrin në shqyrtim ndikimin e tyre te përpjekjet e të tjerëve për ta ndjekur Shpëtimtarin si edhe ndikimin që të tjerët kanë tek ata.

Shpjegoni që pasi dëboi një frymë të ndyrë nga një i ri (shih Marku 9:17–29), Shpëtimtari udhëtoi përmes Galilesë me dishepujt e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjarjet për të cilat profetizoi Shpëtimtari.

  • Për çfarë ngjarjesh profetizoi Shpëtimtari?

Përmblidheni Markun 9:33–37, duke shpjeguar se kur Jezusi erdhi në Kapernaum, Ai u mësoi dishepujve të Tij se kush do të jetë më i madhi në mbretërinë e Perëndisë. Ai gjithashtu i udhëzoi ata që të pranonin në Kishë njerëz, të cilët e përulnin veten e tyre si fëmijë dhe e pranonin Atë (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Marku 9:34–35 [te Marku 9:37, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht]). (Shënim: Këto mësime do të diskutohen më në thellësi te mësimi mbi Markun 10.)

Marku 9:38–50

Jezusi paralajmëron kundër ndikimit të të tjerëve për të mëkatuar dhe mosveçimin e vetes nga ndikimet e liga

Ftojeni një student të lexojë Markun 9:38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar situatën që Apostulli Gjon i tregoi Shpëtimtarit.

  • Çfarë i raportoi Gjoni Shpëtimtarit?

Shpjegoni se Apostujt ia ndaluan këtij njeriu të dëbonte demonë, sepse ai nuk ishte një bashkudhëtar me të Dymbëdhjetë Apostujt. Megjithatë, Shpëtimtari u tha atyre të mos e ndalonin burrin (duke lënë të kuptohej se ai ishte një njeri i drejtë që kishte autoritet) dhe dha mësim se njerëzit që i ndihmojnë përfaqësuesit e Tij do të shpërblehen (shih Marku 9:39–41).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:42. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar paralajmërimin e Shpëtimtarit. Shpjegoni se në këtë kontekst, fjala skandalizoj do të thotë të ndikosh tek të tjerët që të pengohen, t’i çosh në udhë të gabuar apo të ndikosh te dikush që të mëkatojë apo ta braktisë besimin e tij ose të saj.

  • Cilin grup njerëzish paralajmëroi Shpëtimtari kundër ndikimit për të çuar në mëkat? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se “të vegj[lit] që besojnë në [Jezusin]” përfshijnë ata që janë të rinj në besim, të tillë si rinia dhe të sapokthyerit në besim, si edhe dishepujt e Tij të përulur, të besuar në çdo kohë.)

  • Cili ishte paralajmërimi i Jezusit për ata që ndikojnë te dishepujt e Tij që të mëkatojnë? (Ai tha se do të ishte më mirë të vdesim se sa të provojmë vuajtjen e madhe dhe ndarjen nga Perëndia që ne do të përjetojmë nëse ndikojmë tek të tjerët që të mëkatojnë.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga paralajmërimi i Shpëtimtarit te vargu 42? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ndikojmë te njerëzit të cilët besojnë në Jezu Krisht që të mëkatojnë, ne do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë.)

  • Si mund të ndikojë dikush te njerëzit që besojnë në Jezu Krisht që të mëkatojnë?

Kujtojuni studentëve aromën në klasë dhe faktin se ashtu si edhe një aromë, ne kemi një ndikim pozitiv ose negativ tek të tjerët. Kërkojuni studentëve të përsiatin për ndikimin e tyre te njerëzit që besojnë në Jezu Krisht.

Për t’i përgatitur studentët që të përcaktojnë parimin e dhënë mësim nga Shpëtimtari, kërkojini një vullnetari/je që ka veshur këpucë me lidhëse të vijë përpara klasës. Udhëzojeni studentin/en ta zgjidhë dhe ta rilidhë njërën prej këpucëve të tij apo të saj vetëm me njërën dorë. Ndërsa studenti/ja përpiqet ta bëjë këtë, pyeteni klasën:

  • Çfarë sfidash do të përjetonit nëse do ta humbisnit njërën dorë?

  • Për çfarë do t’ia vlente ta humbisnit dorën tuaj?

Shpjegoni se heqja e vetëdijshme e një pjesë të trupit njihet si gjymtim dhe mund të kryhet nëse një pjesë e trupit dëmtohet, infektohet apo sëmuret rëndë. Megjithëse gjymtimi dhe shërimi pasues mund të jenë të dhimbshme dhe tronditëse, ky proces mund ta pengojë një infeksion nga përhapja në pjesën tjetër të trupit dhe shkaktimin e një dëmtimi të mëtejshëm ose vdekjen.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 9:43. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth asaj se kur do të ishte më mirë ta humbasësh njërën dorë sesa t’i mbash të dyja.

  • Kur do të ishte më mirë ta humbisnit njërën dorë sesa t’i mbanit të dyja?

  • A mendoni se ne duhet ta kuptojmë këtë mësim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të presim njërën dorë që na ka “skandaliz[uar]”, apo që ka ndikuar te ne për të mëkatuar? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni që Shpëtimtari nuk po thoshte se njerëzit duhet t’i presin me të vërtetë duart e tyre. Përkundrazi, Ai po përdorte një figurë letrare për të theksuar rëndësinë e asaj që po jepte mësim.)

Ftojeni një student/e të vizatojë në dërrasë figurën e një personi. Ndërsa studenti/ja është duke vizatuar, shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it të Markut 9:43–48 mund ta rritë kuptueshmërinë tonë për mësimet e Shpëtimtarit në këtë fragment. Në këto vargje, ne mësojmë se Shpëtimtari përdori dorën, këmbën dhe syrin për të simbolizuar ndikimet në jetën tonë që mund të na çojnë në mëkat. Udhëzojeni studentin/en, i/e cili/a po vizaton në tabelë që të qarkojë një dorë, një këmbë dhe një sy në figurën që ai ose ajo vizatoi. Pastaj ftojeni studentin/en që të kthehet në vendin e tij apo të saj.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:40–48 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë krahasoi Shpëtimtari me një dorë, një këmbë dhe një sy që e ka “skandaliz[uar]” dikë, ose që ka ndikuar te dikush për të mëkatuar. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala jetë te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:40–41, 43 i referohet jetës së përjetshme.

  • Sipas këtij përkthimi, çfarë përfaqësojnë dora, këmba dhe syri skandalizues? (Dora përfaqëson pjesëtarë të familjes sonë dhe miqtë, këmba përfaqëson njerëzit që ne i shohim si shembuj të mënyrës se si ne duhet të mendojmë e veprojmë, dhe syri përfaqëson udhëheqësit tanë.)

Emërtojini këto pjesë me interpretimet e tyre për figurën që studenti/ja vizatoi në tabelë.

  • Çfarë na mësoi Shpëtimtari të bëjmë me ndikimet e padrejta apo ndikimet që na çojnë në mëkat?

  • Në çfarë mënyrash mund të jetë i ngjashëm veçimi i vetes sonë nga ndikimet e padrejta me gjymtimin e një dore apo të një këmbe?

  • Çfarë mund të ndodhë nëse ne nuk e veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta? Përse?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Është më mirë ta veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta sesa të përfundojmë të veçuar nga Perëndia. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Uolter F. Gonzales, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të dëgjojë për ndikimet e tjera nga të cilat ne duhet ta veçojmë veten tonë.

Pamja
Plaku Uolter F. Gonzales

“Pra, si rrjedhojë, një prerje e tillë i referohet jo vetëm miqve, por ndaj çdo ndikimi të keq, të tilla si shfaqje televizive, faqe interneti, filma, literaturë, lojëra apo muzikë të papërshtatshme. Skalitja në shpirtin tonë e këtij parimi do të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë tundimit për t’u dhënë pas çdo ndikimi të keq” (“Sot Është Koha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 55).

  • Çfarë sfidash mund të përjetojmë kur e veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta?

  • Si mund ta dimë mënyrën e duhur për ta veçuar veten tonë nga ndikimet e padrejta?

Shpjegoni se veçimi i vetes sonë nga ndikimet e padrejta, nuk do të thotë që t’i trajtojmë të tjerët me vrazhdësi, t’i ndëshkojmë të tjerët apo të mos pranojmë të shoqërohemi me njerëz që nuk janë anëtarë besnikë të Kishës. Përkundrazi, ne duhet të veçohemi apo ta shmangim ndërveprimin me njerëzit, të cilët do të na çonin në mëkat. Megjithëse ne mund të mos jemi në gjendje ta heqim apo ta shmangim çdo ndikim që mund të na çojë në mëkat, Zoti do të na bekojë kur përpiqemi ta veçojmë veten tonë nga çdo ndikim i lig që mundemi dhe kur përpiqemi të zhvillojmë vetëdisiplinën për të shmangur ndikimet që nuk mund t’i largojmë plotësisht.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë, ftojini dy studentë të vijnë para klasës. Udhëzojeni çdo student që të lexojë me zë të lartë një nga skenarët e mëposhtëm dhe t’i bëjë klasës pyetjet shoqëruese. Ftojeni klasën t’i përgjigjet pyetjeve të bazuara në të vërtetën e përcaktuar te Marku 9:43–48.

Skenari 1. Unë kam miq, të cilët shpesh më nxitin të marr pjesë në veprimtari që i thyejnë urdhërimet e Perëndisë. Megjithatë, unë mendoj se mund të jem një ndikim për mirë nëse vazhdoj të kaloj kohë me ta.

  • A nuk do ta humbas aftësinë që të ndikoj për mirë te këta miq nëse e veçoj veten time prej tyre? Çfarë lloj marrëdhënie duhet të kem me ta?

  • Çfarë duhet të them dhe të bëj që ta veçoj veten time siç duhet nga këta miq?

Skenari 2. Unë kam qenë admirues i një grupi të njohur për disa vite. Nga muzika e tyre më e fundit dhe nga disa intervista, ata kanë nxitur sjellje dhe ide që i kundërshtojnë standardet dhe mësimet e Zotit.

  • Janë vetëm muzikë dhe fjalë, apo jo? Pra, cili është rreziku i vazhdimit të dëgjimit të muzikës së tyre dhe i ndjekjes së tyre në mediat shoqërore?

Falënderojini vullnetarët për ndihmën e tyre dhe ftojini ata të kthehen në vendet e tyre. Pyeteni klasën:

  • Edhe pse veçimi i vetes sonë nga ndikimet që na çojnë në mëkat ndonjëherë mund të jetë i vështirë, çfarë mund të fitojmë ne nëpërmjet kësaj sakrifice? (Shumë bekime, duke përfshirë jetën e përjetshme.) Përse ky shpërblim ia vlen çdo sakrificë?

  • Kur keni zgjedhur juve apo dikush që ju njihni të veçoheni nga ndikimet e padrejta? (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë diçka që është tepër personale apo vetjake). Çfarë ishte e vështirë rreth veçimit nga ai ndikim? Çfarë bekimesh erdhën për shkak se e bëtë këtë?

Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse ka ndonjë ndikim në jetën e tyre që mund t’i çojë në mëkat. Ftojini ata të shkruajnë në fletoren e klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta se si do ta veçojnë veten e tyre nga këto ndikime.

Përmblidheni Markun 9:49–50, duke shpjeguar se Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij që të kishin marrëdhënie paqësore me njëri-tjetrin.

Përfundoni duke i nxitur studentët që të veprojnë ndaj çdo mbrese që morën gjatë këtij mësimi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 9:31. “Biri i njeriut”

“Biri i njeriut” është “një titull që Jezu Krishti e përdori kur foli për Veten e Tij (Lluka 9:22; 21:36). Ai nënkuptonte Birin e Njeriut të Shenjtërisë. Njeriu i Shenjtërisë është një prej emrave të Perëndisë, Atit. Kur Jezusi e quajti Veten e Tij, Biri i Njeriut, ishte një shpallje e hapur e marrëdhënies së Tij hyjnore me Atin. Ky titull gjendet shpesh te Ungjijtë. Zbulesa e ditëve të mëvonshme vërteton kuptimin e veçantë dhe shenjtërinë e këtij emri të Shpëtimtarit (DeB 45:39; 49:6, 22; 58:65; Moisiu 6:57)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Biri i Njeriut”, scriptures.lds.org).

Marku 9:38–40. Burri që dëbonte demonë në emër të Shpëtimtarit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Apostulli Gjon ishte i shqetësuar rreth burrit që dëbonte demonë në emër të Shpëtimtarit, ndoshta sepse njeriu “nuk ishte nga rrethi i brendshëm i dishepujve që udhëtonin, hanin, flinin dhe bisedonin vazhdimisht me Mësuesin. Lluka tha: ‘Nuk na ndjek’; që do të thotë, ai nuk është një nga bashkudhëtarët tanë. Por nga përgjigjja e Zotit, është e qartë se ai ishte një anëtar i mbretërisë, një administrator i ligjshëm, i cili po vepronte me autoritetin e priftërisë dhe fuqinë e besimit. Ose Gjoni nuk e njihte atë dhe si rrjedhojë mendonte gabimisht se ishte pa autoritet, ose Gjoni ende mendonte në mënyrë të gabuar se fuqia për të dëbuar demonë ishte e kufizuar tek Të Dymbëdhjetët dhe nuk përfshinte të gjithë mbajtësit besnikë të priftërisë. Ka mundësi se ai burrë që i dëbonte demonët ishte një i shtatëdhjetë. Nuk ka një dokument të Dhiatës së Re për thirrjen e kuorumit të parë të të shtatëdhjetëve, por kur Jezusi (në një kohë të mëvonshme) thirri në shërbesë kuorumin e dytë të të shtatëdhjetëve, ai shprehimisht u dha atyre fuqinë për të dëbuar demonë. (Lluka 10:1–20.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:417.)

“Përgjigjja e Shpëtimtarit ndaj Gjonit te Marku 9:40, e siguroi Gjonin dhe Të Dymbëdhjetët se burri ishte një dishepull me autoritet, edhe pse nuk ishte një Apostull” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 125).

Marku 9:42. “Do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth paralajmërimit të Shpëtimtarit te Marku 9:42:

“Pak krime janë po aq të rënda dhe të liga si ajo e të dhënit mësim të doktrinës së rreme dhe të çuarjes së shpirtrave larg nga Perëndia dhe shpëtimi. … Nëse gëzimi i përjetshëm është shpërblimi që u jepet atyre të cilët e japin mësim të vërtetën dhe sjellin shpirtra në shpëtim, po ata që japin mësim doktrina të rreme dhe i çojnë shpirtrat në mallkim, a nuk do të marrin si shpërblimin e tyre brejtje të përjetshme të ndërgjegjes? (DeB 18:10–16.)

… Është më mirë të vdesësh dhe të të mohohen bekimet e ekzistencës së vazhdueshme në vdekshmëri sesa të jetosh dhe të largosh shpirtra nga e vërteta, duke marrë në këtë mënyrë mallkim të përjetshëm për veten tënde” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:420).

Marku 9:43–48. Veçimi i vetes sonë nga ndikimet që do të na çonin në mëkat

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth asaj se kur është e përshtatshme ta veçojmë veten tonë nga ata që do të na çonin në mëkat:

“Me cilët do të zgjidhni të shoqëroheni?

Ju do të shoqëroheni me shumë njerëz të mirë, të cilët gjithashtu besojnë te Perëndia. Qofshin ata judenj, katolikë, protestanë ose myslimanë, besimtarët e dinë se ka në fakt një të vërtetë absolute. …

Ndërsa ecni përgjatë udhëtimit të jetës, ju gjithashtu do të njiheni me njerëz që nuk besojnë në Perëndi. Shumë prej tyre ende nuk e kanë gjetur të vërtetën hyjnore dhe nuk dinë se ku ta kërkojnë atë. Por ju, rinia e lindjes fisnike, po vini për t’i shpëtuar. …

Ndërsa shoqëroheni me jobesimtarë, jini të vetëdijshëm se ka disa njerëz që mund të mos e kenë përzemër më të mirën për ju (shih DeB 1:16; 89:4). Menjëherë sapo e dalloni atë, largohuni prej tyre me të shpejtë dhe përfundimisht (shih 1 Timoteut 6:5–6, 11)” (“What Will You Choose?” Ensign, janar 2015, f. 33, ose Liahona, janar 2015, f. 21).

Marku 9:43–48. Të shkuarit “në Gehena … ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket”

Fjala Gehena te Marku 9:43, 45, 47 është një përkthim i fjalës gehenna, e cila është forma greke e fjalës hebraisht ge hinnom, që do të thotë “lugina e Hinomit”. Në këtë luginë të thellë, në anën jugore të Jeruzalemit “judenjtë idhujtarë i ofronin fëmijët e tyre [si flijime] ndaj [perëndisë pagane] Molokut (2 Kronikave 28:3; 33:6; Jeremia 7:31; 19:2–6)” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hell” [“Ferr”]). Pasi mbreti Josia i dha fund kësaj praktike, lugina “u përdor si një vend për djegien e mbetjeve të qytetit (2 Mbretërve 23:10) dhe në këtë mënyrë u bë simbol i vendit të mundimit (Mateu 5:22, 29–30; 10:28; 18:9; 23:15, 33; Marku 9:43, 45, 47; Lluka 12:5; Jakobi [Bibla] 3:6). Shprehjet për ‘Gehenën e zjarrit’ janë ndoshta për shkak të përshtypjes së krijuar në mendjet e njerëzve nga pamja e kësaj djegieje të vazhdueshme dhe janë simbolike të mundimit të atyre që me dashje nuk iu bindën Perëndisë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hell” [“Ferr”]).

Marku 9:44, 46 i referohet rebelëve që kanë një krimb që “nuk vdes”. Disa lloje krimbash brejnë mbeturinat. Krimbat parazitë futen në trupat e gjallë, duke shkaktuar sëmundje të ndryshme dhe dhembje të forta. Pra, krimbi që “nuk vdes” përfaqëson kujtimet dhe brejtjen e ndërgjegjes së rebelëve që do të vazhdojnë t’i brejnë ata dhe do t’i mundojnë në jetën e ardhshme.