Biblioteka
Mësimi 112: 1 Korintasve 15:30–16:24


Mësimi 112

1 Korintasve 15:30–16:24

Hyrje

Pali vazhdoi t’i jepte mësim shenjtorëve në Korint për Ringjalljen. Ai u gëzua në fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen. Pali i nxiti gjithashtu anëtarët e Kishës në Korint që të jepnin dhurime për shenjtorët e varfër në Jeruzalem.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 15:30–52

Pali jep mësim për Ringjalljen

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Si mund të zgjedhin njerëzit të jetojnë, nëse nuk do të besonin se do të jetonin sërish pasi të vdisnin?

Në fillim të orës mësimore, ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes së shkruar në tabelë.

Përmblidheni 1 Korintasve 15:30–34, duke shpjeguar se Pali u kërkoi shenjtorëve korintas (disa prej të cilëve besonin gabimisht se nuk do të kishte ringjallje) që të merrnin parasysh përse dikush që besonte te Jezu Krishti do të duronte përndjekje dhe do të rrezikonte vdekjen, nëse nuk do të kishte ringjallje të të vdekurve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që sugjeroi Pali lidhur me qëndrimin që mund të kenë disa njerëz nëse nuk do të kishte ringjallje të të vdekurve.

  • Sipas vargut 32, çfarë sugjeroi Pali për qëndrimin që mund të mbajnë disa njerëz nëse nuk besojnë në Ringjallje?

  • Meqenëse Ringjallja është e vërtetë, përse ky qëndrim mund të jetë i rrezikshëm për t’u mbajtur?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë pjesën e mbetur të 1 Korintasve 15, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të kuptojnë se si të paturit njohuri për Ringjalljen mund të ndikojë në zgjedhjet e tyre në vdekshmëri. (Shënim: Kur të vërtetat të përcaktohen, shkruajini ato të tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjet që mund të kenë njerëzit për Ringjalljen. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Përmblidheni 1 Korintasve 15:36–38, duke shpjeguar se Pali ndihmoi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duke përdorur një farë për të përfaqësuar trupin e vdekshëm, i cili pas vdekjes dhe varrimit në tokë do të ngrihet në Ringjallje.

Paraqitni (ose vizatoni në tabelë) figurat e diellit, të hënës dhe të disa yjeve.

Pamja
vizatim, dielli, hëna, yjet
  • Nga këndvështrimi ynë këtu në tokë, si krahasohet drita e diellit me dritën e hënës?

  • Si krahasohet drita e hënës me dritën e yjeve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:39–42. Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 40 thotë: “Dhe ka trupa çelestialë dhe trupa terrestialë dhe trupa telestialë; por tjetër është lavdia e trupave çelestialë, tjetër e trupave terrestialë dhe tjetër e trupave telestialë”. Vëreni klasën t’ju ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përdori Pali shkëlqimin e diellit, të hënës dhe të yjeve për të shpjeguar ndryshimet në trupat e ringjallur. Shpjegoni se në këtë kontekst, fjala lavdi mund t’i referohet dritës, shkëlqimit ose shndritjes.

  • Me çfarë e krahasoi Pali lavdinë e diellit, të hënës dhe të yjeve? (Lavdinë e trupave të ringjallur.)

  • Çfarë mund të na mësojnë këto ndryshime në dritë ose lavdi rreth trupave të ringjallur? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ka shkallë të ndryshme të lavdisë për trupat e ringjallur.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith. Vëreni klasën të mbajë vesh për mënyrën se si do të ndryshojnë nga njëri-tjetri lavditë e ndryshme të trupave të ringjallur. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se kur Presidenti Smith iu referua “trupave çelestialë”, ai nënkuptonte ata që marrin shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale (shih DeB 131:1–4).

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Në ringjallje do të ketë lloje të ndryshme të trupave; ata nuk do të jenë të gjithë njëlloj. Trupi që merr një njeri do të përcaktojë vendin e tij paskëtaj. Do të ketë trupa çelestialë, trupa terrestrialë dhe trupa telestialë. …

… Disa do të marrin trupa çelestialë me të gjitha fuqitë e ekzaltimit dhe të rritjes së përjetshme. Këta trupa do të shkëlqejnë si dielli ashtu siç shkëlqen Shpëtimtari ynë. … Ata që hyjnë në mbretërinë terrestriale do të kenë trupa terrestrialë dhe ata nuk do të shkëlqejnë si dielli, por ata do të jenë më të lavdishëm sesa trupat e atyre që marrin lavdinë telestiale” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:286, 287).

  • Si do të ndryshojnë nga njëri-tjetri lavditë e ndryshme të trupave të ringjallur?

Emërtojeni vizatimin e diellit në tabelë me fjalën Çelestiali, hënën me Terrestriali dhe yjet me Telestiali. Nën secilin vizatim ose figurë, bëni një skicim të thjeshtë të një trupi, me trupin çelestial që të duket sikur ka më shumë lavdi se ai terrestrial dhe trupi terrestrial të duket sikur ka më shumë lavdi se ai telestial.

Pamja
vizatim, dielli, hëna, yjet, figura me kontur
  • Sipas Presidentit Smith, çfarë do të përcaktojë trupi ose lavdia që merr një njeri në Ringjallje?

  • Sipas Presidentit Smith, çfarë do të fitojnë ata që marrin trupa çelestialë në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale si pjesë të lavdisë së tyre që nuk do ta marrin ata me trupa jo çelestialë? (Shkruani Fuqitë e ekzaltimit dhe të rritjes së përjetshme nën vizatimin e trupit çelestial.)

Shpjegoni se “fuqitë e ekzaltimit” përfshin aftësinë për të jetuar llojin e jetës që bën Perëndia dhe “rritja e përjetshme” është aftësia që të vazhdojmë të kemi fëmijë në përjetësi. Këto bekime janë në dispozicion vetëm për ata që ekzaltohen në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale (shih DeB 131:1–4; 132:19–20).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që ne duhet të bëjmë për të marrë një trup çelestial në Ringjallje, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:21–22. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që duhet të bëjmë për të marrë një trup çelestial.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë një trup çelestial? (Shpjegoni se t’i “qëndro[sh] ligjit të … mbretëri[së] çelestiale” [vargu 22] do të thotë të marrësh të gjitha ordinancat dhe të bësh e të mbash të gjitha besëlidhjet e nevojshme për të hyrë në mbretërinë çelestiale.)

  • Si mund të ndikojë njohuria për lavdinë dhe bekimet që janë në dispozicion vetëm për qeniet e ringjallura në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale në zgjedhjet e një individi në vdekshmëri?

Përmblidheni 1 Korintasve 15:42–52, duke shpjeguar që Pali sqaroi më tej se si do të ishte një trup i ringjallur. Ai iu referua një trupi të vdekshëm si “natyror” (vargjet 44, 46) e të prishur, dhe një trupi të ringjallur si “frymëror” (vargjet 44, 46) e të “paprisshëm” (vargu 52), duke nënkuptuar të pavdekshëm ose jo të nënshtruar ndaj vdekjes.

1 Korintasve 15:53–58

Pali gëzohet në fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:53. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar doktrinën që Pali dha mësim rreth gjendjes së trupit tonë kur ne të ringjallemi.

  • Sipas vargut 53, cila do të jetë gjendja e trupit tonë pas Ringjalljes? (Studentët duhet të përcaktojnë një doktrinë të ngjashme me sa vijon: Ne do të ringjallemi në një gjendje të paprishur dhe të pavdekshme.)

  • Në ç’mënyra do të jetë i paprishur trupi ynë i ringjallur? (Ai nuk do t’i nënshtrohet më kalbjes ose vdekjes.)

  • Si mund të ndikojë në vendimet që ne marrim në vdekshmëri njohuria se gjithsecili prej nesh do ta ketë trupin të ringjallur dhe do të përjetojë shkallën përkatëse të lavdisë për përjetësi?

Për t’i përgatitur studentët që të studiojnë pjesën e mbetur të Letrës së Parë të Palit drejtuar Korintasve, ftojini ata që të ngrenë dorën nëse janë pickuar ndonjëherë nga një insekt.

  • Si do ta përshkruanit përvojën e të qenit i pickuar?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Korintasve 15:54–55, duke kërkuar atë që Pali tha se nuk ka më një gjemb.

  • Për çfarë e kishte fjalën Pali kur tha se nuk ka më një gjemb? (Vdekjen fizike.)

  • Në çfarë mënyrash vdekja fizike mund ketë një “gjemb” (vargu 55), ose mund të duket se po fiton mbi ne?

  • Në çfarë mënyrash vdekja fizike “u përpi në fitore” nëpërmjet Jezu Krishtit (vargu 54)?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Palit rreth arsyes përse vdekja fizike nuk ka më një gjemb të përhershëm apo ndonjë fitore mbi ne? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Vdekja fizike nuk fiton mbi ne, për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit.)

Shpjegoni që megjithëse Ringjallja e Jezu Krishtit e ka hequr gjembin që vjen nga vdekja fizike, ka një gjemb tjetër në vdekje që mund të mbetet ende. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:56. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë gjembin që mund të mbetet ende kur ne vdesim.

  • Çfarë gjembi mund të mbetet ende kur ne vdesim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:57–58. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se mund ta heqë gjembin e vdekjes që vjen nga mëkati.

  • Çfarë dha mësim Pali se mund ta heqë gjembin e vdekjes që vjen nga mëkati?

  • Sipas vargut 58, çfarë i ftoi Pali lexuesit e tij të bënin për shkak të fitores së Jezu Krishtit mbi vdekjen?

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga vargjet 56–58 rreth asaj që ne duhet të bëjmë për ta shmangur gjembin e vdekjes që vjen nga mëkati? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi të vendosur dhe të patundur për ta jetuar ungjillin, gjembi i vdekjes që vjen nga mëkati hiqet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

  • Çfarë do të thotë të jemi të qëndrueshëm dhe të patundur në të jetuarin e ungjillit?

  • Çfarë roli ka pendimi në të qenit të qëndrueshëm e të patundur?

Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë rëndësinë e të vërtetave që kanë mësuar, referojuni të vërtetave të renditura në tabelë dhe ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese: Çfarë të vërtetash keni mësuar për Ringjalljen, që mund t’ju ndihmojnë të keni dëshirë të jetoni me drejtësi? Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që shkruan.

Ftojini studentët të vënë një qëllim lidhur me diçka që mund të bëjnë sot për të qenë më të qëndrueshëm e të patundur në të jetuarin e ungjillit.

1 Korintasve 16

Pali organizon një mbledhje të parave për të varfrit që jetojnë në Jeruzalem

Përmblidheni 1 Korintasve 16:1–24, duke shpjeguar se Pali i udhëzoi shenjtorët korintas që të ndihmonin në përkujdesjen për të varfrit në Jeruzalem, të “qëndroni[n] të palëkund[ur] në besim” (vargu 13) dhe t’i bënin të gjitha gjërat “me dashuri” (vargu 14).

Dëshmoni për të vërtetat që studentët kanë përcaktuar në këtë mësim.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 15:40–42

Ftojini dy studentë që të dalin përpara klasës me shkrimet e tyre të shenjta. Kërkojuni atyre që të hiqen sikur ju jeni një kërkues dhe ata janë shokë misionarë që po ju mësojnë rreth planit të shpëtimit. Kërkojuni atyre të shpjegojnë atë që dinë rreth vdekjes dhe Ringjalljes, duke i përdorur të dyja fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë te 1 Korintasve 15 dhe ndonjë tjetër që mund të jetë i dobishëm. Kërkojini klasës të tregojë çdo gjë tjetër që ata mund të duan t’i shpjegojnë një kërkuesi rreth vdekjes dhe Ringjalljes.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 15:44–46. “Ringjallet trup frymëror”

Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim sa më poshtë për trupat e ringjallur:

“Ka një ndarje të shpirtit dhe të trupit gjatë kohës së vdekjes. Ringjallja do ta bashkojë sërish shpirtin me trupin, dhe trupi bëhet një trup frymëror, prej mishi dhe kockash, por i gjallëruar nga fryma në vend të gjakut. Prandaj, trupat tanë pas ringjalljes, të gjallëruar nga fryma, do të bëhen të pavdekshëm dhe nuk do të vdesin kurrë. Ky është kuptimi i thënieve të Palit se ‘ka trup natyror, ka edhe trup frymëror’, dhe ‘se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë’. Trupi natyror është mish dhe gjak, por i gjallëruar nga shpirti në vend të gjakut, ai mund dhe do të hyjë në mbretëri” (në Conference Report, prill 1969, f. 138).

1 Korintasve 15:45, 49–53. “Njeriu i parë, Adami” dhe “Adami i fundit”

“Adami, ‘njeriu i parë’ (1 Korintasve 15:45; DeB 84:16), ishte i pari që mori një trup fizik. Jezu Krishti, ‘Adami i fundit’ ose ‘njeriu i dytë’ (1 Korintasve 15:45, 47), ishte i pari që u ngrit (ringjall) dhe mori një trup të lavdishëm (shih Gjoni 5:21; DeB 88:17). Veprimet e Adamit (me Rënien) dhe të Jezu Krishtit (me Shlyerjen dhe Ringjalljen) ishin të dyja të nevojshme për shpëtimin tonë (shih komentin për Romakëve 5:12–21)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 388).

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa më poshtë:

“Kërkohej një shlyerje e pafundme që të shëlbente Adamin, Evën dhe gjithë pasardhësit e tyre. Ajo shlyerje duhet t’i mundësojë trupit tonë fizik që të ringjallet dhe të shndërrohet [shih 1 Korintasve 15:51–53; 3 Nefi 28:8] në një formë pa gjak, jo më i prekur nga sëmundja, përkeqësimi ose vdekja” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

1 Korintasve 15:51–52. “Sa hap e mbyll sytë”

Te 1 Korintasve 15:51 ne lexojmë që Pali tha se ai do t’u tregonte shenjtorëve korintas një mister lidhur me Ringjalljen. Vite më parë, ndërkohë që u shkruante shenjtorëve në Thesalonik, Pali kishte dhënë mësim se kur të ndodhë Ringjallja e të vdekurve në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, të gjithë besnikët që do të jetojnë atëherë në tokë do të “rrëmbehe[n] … për të dalë përpara Zotit në ajër” (1 Thesalonikasve 4:17). Pali i shtoi një hollësi tjetër përshkrimit të ngjarjeve që lidhen me Ardhjen e Dytë, e cila shënohet te 1 Korintasve 15:52. Pali dha mësim se ata që janë gjallë kur të kthehet Jezu Krishti, do të vazhdojnë të jetojnë jetë të vdekshme, por nuk do të “[flenë]” (1 Korintasve 15:51) në varr kur të vdesin gjatë Mijëvjeçarit. Përkundrazi, ata do të ringjallen shpejt “sa hap e mbyll sytë” (1 Korintasve 15:52). (Shih edhe DeB 63:50–51.)

1 Korintasve 15:55. “O vdekje, ku është gjëmba jote?”

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Ringjallja e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë që ta heqim gjembin e vdekjes dhe të vuajtjes fizike:

“Dhurata e pavdekësisë për gjithë njerëzimin nëpërmjet vërtetësisë së Ringjalljes është një premtim kaq i fuqishëm, saqë gëzimi ynë për këto dhurata të mëdha dhe bujare duhet ta mundë çdo hidhërim, ta lehtësojë çdo pikëllim, ta mposhtë çdo gjendje të rënë shpirtërore, ta tretë çdo dëshpërim dhe ta zbutë çdo tragjedi” (“All Hell Is Moved” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 nëntor 1977], f. 7; speeches.byu.edu).

Presidenti Ezra Taft Benson dëshmoi për vërtetësinë e Ringjalljes dhe të nevojës sonë që të përgatitemi për të:

“Ringjallja përfundimtare e çdo shpirti që ka jetuar dhe ka vdekur në tokë është e sigurt, dhe pa dyshim, njeriu duhet të përgatitet më me kujdes për këtë ngjarje. Një ringjallje e lavdishme duhet të jetë synimi i çdo burri dhe gruaje, sepse ringjallja do të jetë e vërtetë” (“The Meaning of Easter”, Ensign, prill 1992, f. 2).