Biblioteka
Mësimi 116: 2 Korintasve 8–9


Mësimi 116

2 Korintasve 8–9

Hyrje

Pali u shkroi shenjtorëve në Korint, duke shpjeguar se anëtarët në Maqedoni u kishin dhënë bujarisht atyre që ishin në nevojë. Ai i nxiti gjithashtu shenjtorët korintas që të ndiqnin shembullin e Shpëtimtarit duke u dhënë të varfërve. Pali dha mësim për bekimet që u vijnë atyre, të cilët u japin me gëzim të varfërve.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 8

Pali i këshillon shenjtorët që të kujdesen për të varfrit

Shkruajeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (nga “A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 40) në tabelë përpara orës së mësimit, por lini një hapësirë bosh në vend të fjalës varfëri. Fillojeni mësimin duke e ftuar një student që ta lexojë thënien me zë të lartë.

“Gjatë gjithë historisë, varfëria ka qenë një nga sfidat më të mëdha dhe më të përhapura të njerëzimit. Barra e saj e natyrshme është zakonisht fizike, por dëmtimi shpirtëror dhe emocional që mund të sjellë, mund të jetë edhe më ligështues.”

Kërkojuni studentëve të gjejnë fjalën që mungon te thënia. Pastaj shkruani fjalën varfëri.

  • Çfarë është varfëria? (Gjendja e të paturit pak ose aspak para, të mira materiale ose mjete jetese.)

  • Përse varfëria mund të jetë një sfidë kaq e vështirë?

Nxitini studentët të mendojnë për individë që ata i njohin, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë ose përkrahje të çdo lloji, përfshirë atë fizike, emocionale, shoqërore apo shpirtërore. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 8–9, të kërkojnë të vërteta të cilat mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë dhe përmbushin rolin e tyre për t’i ndihmuar të tjerët që janë në nevojë.

Përmblidheni 2 Korintasve 8:1–8, duke shpjeguar që Pali u tha shenjtorëve korintas se anëtarët e Kishës në Maqedoni kishin dhënë bujarisht për t’i ndihmuar të varfrit në nevojat e tyre materiale. (Ju mund të doni që studentët ta gjejnë Korintin dhe Maqedoninë në Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Pali shpjegoi se anëtarët maqedonas e bënë këtë ngaqë dëshironin të bënin vullnetin e Perëndisë. Ai i nxiti shenjtorët korintas që ta ndiqnin këtë shembull, për të siguruar për nevojat e të tjerëve prej dashurisë së sinqertë.

Shkruajini në tabelë fjalët i pasur dhe i varfër.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 8:9, duke kërkuar atë që tha Pali se bëri Jezu Krishti për shenjtorët. Pas një kohe të mjaftueshme bëni pyetjet vijuese dhe renditini përgjigjet e studentëve në tabelë nën fjalët i pasur dhe i varfër.

  • Në ç’mënyra qe Jezu Krishti i pasur në jetën para lindjes? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon: Jezu Krishti qe i Parëlinduri i Atit në shpirt, madje përpara se të lindte në vdekshmëri. Jezu Krishti ishte një Perëndi, i cili qëndroi pranë Atit Qiellor në autoritet, fuqi dhe lavdi dhe krijoi shumë botë nën drejtimin e Atit.)

  • Në ç’mënyra Ai mund të jetë konsideruar i varfër gjatë kohës së Tij në vdekshmëri? (Ai e la pozitën e Tij të lavdisë për të lindur dhe për të jetuar në rrethana të përulura në tokë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 9 që ne “të bëhe[m]i të pasur me anë të varfërisë së [Shpëtimtarit]”? (Për shkak se Jezu Krishti zbriti nga froni i Tij i para lindjes dhe erdhi në tokë për të shërbyer, dha një shembull për ne dhe kreu Shlyerjen, ne mund t’i fitojmë pasuritë e jetës së përjetshme.)

Shpjegojuni studentëve se rreth një vit më parë, shenjtorët korintas ishin zotuar që t’u çonin një sasi të mirash shenjtorëve të varfër në Jude. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 8:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u këshilloi shenjtorëve në Korint të bënin.

  • Çfarë u këshilloi Pali shenjtorëve në Korint të bënin?

Shpjegoni që frazat “ta bëni” dhe “përfundojeni edhe bërjen” duan të thonë se Pali i këshilloi shenjtorët që ta përmbushnin zotimin e tyre të mëparshëm për t’u dhënë shenjtorëve të varfër atë që mundeshin, sikurse Shpëtimtari u kishte dhënë atyre pasuri të përjetshme.

  • Çfarë ndodh me secilin prej nesh kur arrijmë të kuptojmë gjithçka që Shpëtimtari na ka dhënë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne të arrijmë ta kuptojmë gjithçka që Shpëtimtari na ka dhënë, ne do të jemi më të gatshëm për t’iu dhënë nga pasuria jonë të tjerëve.)

  • Si mund të na nxitë të menduarit për dhuratat që na ka dhënë Shpëtimtari që t’u japim atyre në nevojë?

  • Çfarë dhuratash të veçanta ju ka dhënë Shpëtimtari, të cilat mund t’ju frymëzojnë për t’u dhënë të tjerëve?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me zë të lartë 2 Korintasve 8:12–15. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar një të vërtetë shtesë që Pali u mësoi njerëzve rreth rëndësisë së mbështetjes së njëri-tjetrit në mënyra materiale.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargjet 12–13? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia do që ne të jemi të gatshëm të japim edhe kur mund të mos kemi asgjë për të dhënë.)

Për ta ndihmuar klasën që të kuptojë këtë të vërtetë, ftojeni një student të lexojë më zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Të pasur apo të varfër, ne duhet të ‘bëjmë atë që mundemi’ kur të tjerët janë në nevojë” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” f. 41).

  • Çfarë mund të bëjmë ne për të tjerët nëse nuk kemi asgjë fizike për t’u dhënë atyre?

  • Sipas vargjeve 14–15, kush përfiton kur të gjithë shenjtorët u japin në mënyrë të vazhdueshme atyre në nevojë? (Kushdo që mund të ketë nevojë në çfarëdo çasti të dhënë.)

  • Në çfarë mënyrash përfiton gjithsecili kur të gjithë ne jemi të gatshëm të japim?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e këtyre të vërtetave dhe parimeve dhe të zbatimit të tyre, lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Holland. Ftojini studentët të mbajnë vesh për mënyrën se si Zoti mund të na ndihmojë të reagojmë me dhembshuri ndaj të varfërve.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Unë nuk e di saktësisht mënyrën se si secili prej jush duhet ta përmbushë detyrimin e tij ndaj atyre që nuk e ndihmojnë ose që nuk munden ta ndihmojnë gjithmonë vetveten. Por unë e di që Perëndia e di, dhe Ai do t’ju ndihmojë e do t’ju udhëheqë në veprime dhembshurie të të qenit dishepull, në qoftë se ju dëshironi e luteni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kërkoni mënyra për ta zbatuar një urdhërim që Ai na e ka dhënë në mënyrë të përsëritur” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” f. 41).

Nëse koha e lejon dhe ju keni mundësi, merreni parasysh që më mirë të shfaqni pjesë të videos nga fjalimi i Plakut Holland në konferencën e përgjithshme “A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” (0:00–7:04).

  • Çfarë tha Plaku Holland se duhet të bëjmë që të jemi gati për t’i ndihmuar të varfrit e nevojtarët?

  • Cilat janë disa nga mënyrat që ka vendosur Kisha, me anë të të cilave ne mund të ndihmojmë për të plotësuar nevojat e të varfërve? (Nëpërmjet ofertave të agjërimit, projekteve vendore të shërbimit dhe mundësive humanitare.)

Nxitini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një gjëje që planifikojnë të bëjnë, bazuar te ajo që Pali dha mësim për t’u dhënë të varfërve dhe nevojtarëve.

Përmblidheni 2 Korintasve 8:16–24, duke shpjeguar se Pali u foli shenjtorëve korintas rreth Titit dhe dy vëllezërve të tjerë, të cilët po dërgoheshin për të mbledhur ndihma bamirësie për shenjtorët në Jeruzalem. Pali foli për besimin e tij te shenjtorët korintas dhe shpjegoi se dhurimet e tyre bujare do të shërbenin si provë e dashurisë së tyre për të tjerët.

2 Korintasve 9

Pali jep mësim rreth bekimeve të të qenit një dhurues i sinqertë

Përmblidheni 2 Korintasve 9:1–5, duke shpjeguar se Pali vazhdoi t’i lavdëronte shenjtorët korintas. Ai u tha shenjtorëve se i kishte dërguar Titin dhe të tjerët për të pohuar gatishmërinë e tyre për të dhënë bujarisht.

Kërkojuni studentëve që të përsiatin nëse i kanë dhënë ndonjëherë diçka dikujt ose i kanë bërë dikujt një shërbim pa zemër.

  • Përse ndonjëherë është e vështirë që të jeni i gëzuar kur jepni nga koha, paratë tuaja dhe burime të tjera për t’i ndihmuar të tjerët?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 9:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar krahasimin që përdori Pali për t’u mësuar anëtarëve në Korint rreth të dhënit me bujari.

  • Çfarë do të thotë të mbjellësh? (Të mbjellësh fara.)

  • Me çfarë e krahasoi Pali mbjelljen? (Me dhënien ndaj të tjerëve.)

Ngrini lart disa fara frutash ose perimesh, apo paraqitni një figurë të disa prej tyre.

Pamja
fara
  • Kush janë mbjellësit në këtë krahasim? (Shenjtorët ose ne.)

  • Sipas vargut 7, si pret Zoti që ne të mbjellim ose të japim? (Me gëzim, jo pa zemër. Shih edhe Moroni 7:8.)

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse u japim me një zemër të gëzuar atyre që janë në nevojë …

  • Në ç’mënyrë të dhënit ndaj të tjerëve është si mbjellja e farave në një fushë?

  • Çfarë ndodh nëse ne mbjellim me kursim?

  • Çfarë ndodh nëse ne mbjellim me bollëk?

Plotësojeni parimin në tabelë në mënyrë që ajo të përçojë të vërtetën vijuese: Nëse ne u japim me një zemër të gëzuar atyre që janë në nevojë, Perëndia do të na bekojë bujarisht.

  • Në ç’mënyrë kur ne u japim të tjerëve me një sjellje të gëzuar, në të vërtetë mund të na bëjë që të marrim më tepër nga ç’kishim në fillim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 9:8–10. Vëreni klasën të kërkojë bekimet që Pali tha se do t’u vinin shenjtorëve nëse do të jepnin me një zemër të gëzuar.

  • Cilat janë disa nga frazat që përdori Pali, për të përshkruar bekimet që u jep Zoti atyre që japin me një zemër të gëzuar? (Përgjigjet mund të përfshijnë, “gjithë hiri të teprojë për ju” [vargu 8], “mjaft në çdo gjë” [vargu 8], “drejtësia e tij mbetet në përjetësi” [vargu 9] dhe “të rriten frytet e drejtësisë suaj” [vargu 10].)

Shpjegoni që këto fraza sugjerojnë se ne do ta marrim hirin e Zotit, i cili mund të përfshijë bekime materiale të mjaftueshme për nevojat tona.

  • Sipas vargut 10, kush është “ai që i jep farën mbjellësit”? (Zoti. Tregojeni farën sërish dhe shpjegoni se ne jemi në gjendje t’u japim të tjerëve vetëm sepse Zoti ka siguruar për ne së pari.)

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit se nga na vjen gjithçka që kemi, që të japim me gëzim?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 2 Korintasve 9:11–15. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth atyre shenjtorëve që japin dhe marrin me gëzim.

  • Sipas vargjeve 11–15, si ndihen rreth Perëndisë shenjtorët që japin dhe marrin bujarisht nga pasuria e njëri-tjetrit?

Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të marrin parasysh të shenjojnë çdo frazë mirënjohjeje që gjendet në këto vargje, të tilla si “duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë” (vargu 11), “një mbushulli falënderimesh ndaj Perëndisë” (vargu 12), “ata e përlëvdojnë Perëndinë” (vargu 13) dhe “le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme” (vargu 15).

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë të vërtetën vijuese në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargjeve 11–15: Kur ne e pranojmë bujarinë e Perëndisë për bekimet [që kemi], kjo mund të na ndihmojë të ndihemi mirënjohës ndaj Tij.

  • Kur jeni ndier mirënjohës ndaj Perëndisë pasi i keni kuptuar bekimet që Ai ju ka dërguar, ngaqë u shërbyet dhe u dhatë të tjerëve në një mënyrë të gëzueshme?

Dëshmoni për parimet dhe të vërtetat që studentët përcaktuan te 2 Korintasve 8–9.

Nxitini studentët që të marrin në shqyrtim mënyrat se si mund ta ndihmojnë dikë në nevojë këtë javë. Ftojini ata që të vendosin një synim për ta ndihmuar atë person.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Korintasve 8:9. “Duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju”

Për një shpjegim të denjimit madhështor të Jezu Krishtit në emrin tonë, shihni “The Condescension of God and of Man” [“Denjimi i Perëndisë dhe i Njeriut”] ([takim shpirtëror për Krishtlindje i Presidencës së Parë, 7 dhjetor, 2014], lds.org/broadcasts), nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

2 Korintasve 8:14. “Që të ketë barazi”

Në një sesion të përgjithshëm të priftërisë, Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, tregoi thënien vijuese, e cila gjen zbatim si për gratë edhe për burrat:

“Në këtë çast ka shumë anëtarë të Kishës që po vuajnë. Ata janë të uritur, me probleme financiare dhe duke luftuar me të gjitha llojet e vuajtjes fizike, emocionale dhe shpirtërore. Ata luten me gjithë energjinë e shpirtit të tyre për ndihmë, për lehtësim.

Vëllezër, ju lutem mos mendoni se kjo është përgjegjësia e tjetërkujt. Ajo është e imja dhe e juaja. Ne jemi të gjithë të rekrutuar. ‘Të gjithë’ do të thotë të gjithë – çdo mbajtës i priftërisë Aarone dhe Melkizedeke, i pasur dhe i varfër, në çdo komb. Në planin e Zotit, çdokush mund të japë diçka” (“Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 54).