Biblioteka
Mësimi 110: 1 Korintasve 13–14


Mësimi 110

1 Korintasve 13–14

Hyrje

Pali dha mësim mbi rëndësinë e dashurisë hyjnore. Ai i këshilloi shenjtorët korintas që ta merrnin dhe të rendnin pas dashurisë hyjnore dhe të kërkonin dhunti të tjera frymërore. Pali dha mësim se dhuntia e profecisë është më e madhe se dhuntia e gjuhëve dhe u jepet anëtarëve të Kishës në mënyrë që ata të mund t’i forcojnë të tjerët shpirtërisht.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 13

Pali jep mësim për rëndësinë e të paturit dashuri hyjnore

Përpara orës mësimore, shkruajini skenarët vijues në tabelë ose jepuni studentëve kopje të tyre. Ftojeni një student ta lexojë secilin skenar me zë të lartë dhe u kërkoni studentëve të marrin parasysh nëse ndonjë nga këto thënie i përshkruan ata.

  1. Ju shpesh bezdiseni dhe mërziteni nga sjellja e një vëllai apo motre.

  2. Një shok i klasës është i pasjellshëm me ju, prandaj ju ndiheni i shfajësuar që t’ia ktheni në mënyrë të pahijshme.

  3. Ju ndiheni ziliqar për talentet dhe arritjet e shokut/shoqes suaj.

  4. Nganjëherë ju e keni të lehtë të bëni thashetheme dhe të flisni keq për të tjerët në kuorumin tuaj të priftërisë apo në klasën e Të Rejave.

  • Çfarë ndikimesh të dëmshme mund të vijnë si pasojë e mbajtjes së këtyre qëndrimeve dhe sjelljeve?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 13, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të shmangin qëndrime dhe sjellje, të cilat mund ta prishin lumturinë vetjake dhe marrëdhëniet me të tjerët.

Kujtojuni studentëve se shenjtorët në Korint po silleshin në mënyra që çuan në grindje dhe përçarje në Kishë. Në letrën e tij, Pali dha mësim se dhuntitë frymërore jepen për dobinë e të gjithëve dhe për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që t’i shërbejnë dhe ta forcojnë njëri-tjetrin. Pali i këshilloi shenjtorët që të kërkonin “dhuntitë më të mira” (shih 1 Korintasve 12:7–31).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 13:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një cilësi dhe dhunti të Shpirtit që Pali e lëvdoi së tepërmi.

  • Cilën cilësi dhe dhunti të Shpirtit Pali e lëvdoi së tepërmi? (Dashurinë hyjnore.)

Shpjegoni se “[dashuria hyjnore është] lloji më i lartë, më fisnik, më i fuqishëm, i dashurisë, jo thjesht pëlqim” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dashuri Hyjnore”).

  • Si i përshkroi Pali ata që nuk kanë dashuri hyjnore, pavarësisht se kanë dhunti të tjera frymërore?

Shpjegoni se frazat “bronz që kumbon” dhe “cimbali që tingëllon” në vargun 1, i referohen instrumenteve që krijojnë tinguj të lartë ose vringëllima. Në kontekstin e vargut 1, këto fraza mund të nënkuptojnë thënien e fjalëve që bëhen boshe ose të pakuptimta kur folësi nuk nxitet nga dashuria hyjnore.

  • Si mendoni ju, përse ne nuk jemi asgjë nëse nuk kemi dashuri hyjnore?

  • Si është e mundur që dikush mund të japë gjithë pasuritë e tij ose të saj për të ushqyer të varfrit apo të vdesë me vullnet të lirë për të vërtetën dhe prapë të mos ketë dashuri hyjnore? (Shpjegoni se dashuria hyjnore është më shumë se sa një vepër bujarie dhe më shumë se sa të vdesësh për të vërtetën.)

Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë:

Çka Dashuria Hyjnore Është ose Bën

Çka Dashuria Hyjnore Nuk Është ose Nuk Bën

Shpjegoni se Pali i përshkroi cilësitë dhe karakteristikat e dashurisë hyjnore për t’i ndihmuar shenjtorët korintas që ta kuptonin më mirë këtë dhunti. Ndajini studentët në dyshe. Ftojini studentët të lexojnë 1 Korintasve 13:4–8 me partnerët e tyre, duke kërkuar përshkrimin e Palit për dashurinë hyjnore.

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të vijnë në dërrasë dhe t’i shkruajnë përshkrimet e Palit për dashurinë hyjnore nën titullin e duhur në tabelë. Ashtu siç nevojitet, ndihmojini studentët ta kuptojnë çdo përshkrim.

  • Kush përputhet me përshkrimin e të gjitha këtyre cilësive të dashurisë hyjnore? (Jezu Krishti.)

Kujtojuni studentëve që profeti Mormon dha mësim se “dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Shpjegoni se dashuria hyjnore mund të përshkruhet në dy mënyra të rëndësishme: 1) Dashuria e Krishtit për ne dhe 2) dashuria jonë si e Krishtit për të tjerët. Kërkojuni studentëve të zgjedhin disa përshkrime të dashurisë hyjnore nga lista në dërrasë dhe t’i shpjegojnë klasës se si ato janë përshkrime të mira të Jezu Krishtit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 8 që “dashuria nuk ligështohet kurrë”?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Dashuria e vërtetë hyjnore … shfaqet përsosmërisht dhe tërësisht te dashuria e pashtershme, themelore dhe shlyese e Krishtit për ne. … Është ajo dashuri hyjnore – dashuria e Tij e pastër për ne – pa të cilën ne nuk do të ishim asgjë, do të ishim të pashpresë, më të mjeruarit nga të gjithë burrat e gratë. …

Jeta ka pjesën e vet të frikave dhe dështimeve. Ndonjëherë gjërat dështojnë. Ndonjëherë njerëzit na lënë në baltë, ose ekonomitë apo bizneset, apo qeveritë na lënë në baltë. Por një gjë në kohë ose përjetësi nuk na lë në baltë – dashuria e pastër e Krishtit” (Christ and the New Covenant [1997], f. 337).

  • Si mund të jetë e dobishme të kujtuarit se dashuria e pastër e Jezu Krishtit nuk do të dështojë kurrë?

  • Bazuar në ato që kemi mësuar nga 1 Korintasve 13:4–8, çfarë na ndodh kur ne marrin dhuntinë e dashurisë hyjnore? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që të jetë e qartë se kur ne kërkojmë të marrim dhuntinë frymërore të dashurisë hyjnore, ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.) Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Përmblidheni 1 Korintasve 13:9–12, duke shpjeguar që Pali dha mësim rreth arsyes përse dhuntitë frymërore të njohurisë dhe profecisë përfundimisht do të zhdukeshin. Pali vërejti se njohuria e vënë në dispozicion në këtë jetë është e paplotë dhe se ne do të marrim një njohuri të përsosur në përjetësi.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 13:13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar tre dhuntitë e Shpirtit që Pali dha mësim se do të mbeteshin, çka do të thotë se do të zgjasnin ose do të qëndronin të pandryshueshme. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë dha mësim Pali se është dhuntia më e madhe frymërore? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Dashuria hyjnore është dhuntia më e madhe e Shpirtit. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Cila është marrëdhënia midis besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore? (Besimi çon te shpresa dhe shpresa çon te dashuria hyjnore.)

  • Bazuar në ato që kemi mësuar te 1 Korintasve 13, si mendoni ju, përse dashuria hyjnore është dhuntia më e madhe e Shpirtit?

Vini në dukje këshillën e Palit te 1 Korintasve 14:1 për të “kërk[uar] dashurinë [hyjnore]”.

  • Çfarë mund të bëjmë ne që të “kërko[jmë]” ose marrim dhuntinë e dashurisë hyjnore?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Mormoni i mësoi popullit të tij të bënte për të marrë dhuratën e dashurisë hyjnore. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Në ç’mënyrë të paturit e dashurisë hyjnore i përmirëson marrëdhëniet tona me familjen, miqtë dhe bashkëmoshatarët?

  • A mund të përshkruani një rast kur ju e keni parë dashurinë hyjnore në mënyrën se si dikush ju trajtoi juve apo të tjerët? (Merreni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fleta letrash se cilat përshkrime të dashurisë hyjnore ata mendojnë se janë më të vështira për ta dhe përse. Nxitini studentët të shkruajnë një synim lidhur me atë që do të bëjnë për të vazhduar kërkimin [e tyre] që të marrin më shumë dashuri hyjnore. Ftojini studentët që ta vendosin atë diku, ku ata do ta shohin shpesh dhe do të kujtohen për synimin e tyre.

1 Korintasve 14

Pali jep mësim se dhuntia e profecisë është më e madhe se sa dhuntia e gjuhëve

Sillni artikuj në klasë që mund të përdoren për të ndërtuar një kullë, të tilla si kallëpe, kuti, karta ose libra. Ftojeni një student të përdorë artikujt që ju sollët për të ndërtuar një kullë sa më të lartë që të jetë e mundur brenda një minute. Më pas, ftojeni studentin që të ulet. Vërini studentët që të lexojnë në heshtje 1 Korintasve 14:1–3, duke kërkuar atë fjalë në këto vargje që lidhet me të treguarin e mënyrës se si ngrihet një kullë.

  • Cila fjalë te vargu 3 lidhet me ngritjen e një kulle? (Ndërtoj. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se ndërtoj do të thotë të “ngresh”, sikurse të forcosh apo përmirësosh shpirtërisht.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 14, të kërkojnë një parim që do t’i ndihmojë të dinë se si mund t’i ndërtojnë të tjerët.

Shpjegoni se Pali iu drejtua anëtarëve të Kishës në Korint, të cilët po përjetonin dhuntinë e gjuhëve ose aftësinë për të folur në gjuhë të tjera. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 14:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë dhunti frymërore që Pali i këshilloi shenjtorët se ishte më mirë që të kërkonin.

  • Cilën dhunti të Shpirtit Pali i këshilloi shenjtorët të dëshironin dhe të kërkonin?

Shpjegoni se “një profeci përbëhet nga fjalë ose shkrime të frymëzuara në mënyrë hyjnore, që një njeri i merr nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë. Dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë (Zbulesa 19:10). Kur një njeri profetizon, ai flet ose shkruan atë që Perëndia dëshiron që ai të dijë, për të mirën e tij ose të të tjerëve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profeci, Profetizoj”, scriptures.lds.org).

Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: profeci = të japësh mësim dhe të dëshmosh me anë të frymëzimit

  • Sipas vargut 3, në ç’mënyrë të dhënit mësim dhe të dëshmuarit me anë të frymëzimit na ndihmon që t’i bekojmë të tjerët? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ndërsa japim mësim dhe dëshmojmë me anë të frymëzimit, ne mund të ndihmojmë për t’i ndërtuar dhe ngushëlluar të tjerët.)

  • Si jeni ndërtuar dhe ngushëlluar nga mësimet dhe dëshmia e frymëzuar e një personi tjetër?

Përmblidheni 1 Korintasve 14:4–30, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët korintas rreth dhuntisë së të folurit në gjuhë. Pali paralajmëroi se nëse nuk përdorej siç duhet, dhuntia e gjuhëve do të reshtte së ndërtuari Kishën dhe do t’i shpërqendronte anëtarët nga kërkimi i dhuntive më të dobishme frymërore.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 14:31, 33, 40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën që u dha Pali shenjtorëve rreth të bërit profeci.

  • Çfarë këshille i dha Pali shenjtorëve rreth të bërit profeci? (Të gjithë, si meshkujt dhe femrat, mund të profetizojnë ose të japin mësim e të dëshmojnë. Kjo duhet të bëhet me rregull, një e nga një.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth Kishës së Jezu Krishtit? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Në Kishën e Jezu Krishtit, të gjitha gjërat duhet të bëhen me rregull.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të gjitha gjërat në Kishë të bëhen në rendin e duhur?

Shpjegoni që shkrimet e Palit te 1 Korintasve 14:34–35 japin një shembull të mënyrës se si ai i udhëzoi shenjtorët në Korint që të mbanin rregull në Kishë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 14:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi anëtarëve të Kishës në Korint. Ftojini studentët të raportojnë për ato që gjejnë.

Shpjegoni se është e vështirë të kuptosh qëllimin e këshillës së Palit, duke qenë se ai në mënyrë të hapur nuk i ndalonte gratë të luteshin ose të flisnin në mbledhjet e Kishës (shih 1 Korintasve 11:5). Përkthimi prej Joseph Smith-it e zëvendëson fjalën flasinvargjet 34 dhe 35 me rregull. Ky ndryshim i fjalës sugjeron mundësinë se Pali po përpiqej të korrigjonte një situatë në të cilën disa gra korintase ose ishin të padisiplinuara gjatë shërbesës së adhurimit ose po kërkonin në mënyrë të papërshtatshme që të merrnin përgjegjësinë për të udhëhequr në vend që t’i mbështetnin dhe ndiqnin udhëheqësit e priftërisë (shih New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 380).

Përfundojeni mësimin duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna mësim te 1 Korintasve 13–14.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 13:1–3. Dashuria hyjnore është më tepër se sa të jesh bujar

Plaku Brus C. Hejfën, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim sa vijon rreth dashurisë hyjnore:

“Është pothuajse e pamundur të shërbesh me dashuri hyjnore – madje të ‘krishterë’ – pa zhvilluar një karakter të rrënjosur thellë dhe të qëndrueshëm si të Krishtit. Pali e kuptoi këtë kur dha paralajmërimin për dikë, i cili jep gjithë të mirat për të ushqyer të varfrit, pa patur dashuri të vërtetë hyjnore. … Ne mund të japim pa dashuri, por nuk mund të duam pa dhënë. Nëse marrëdhënia jonë vertikale me Perëndinë është e plotë, atëherë, me anë të frytit të asaj marrëdhënieje, marrëdhënia horizontale me bashkëqeniet tona do të jetë gjithashtu e plotë. Atëherë ne veprojmë me dashuri hyjnore ndaj të tjerëve, jo thjesht sepse mendojmë se duhet, por sepse kjo është mënyra se si jemi” (The Broken Heart: Applying the Atonement to Life’s Experiences [1989], f. 196–197).

1 Korintasve 13:4–7. Dashuria hyjnore

Siç shënohet te 1 Korintasve 13:4–5, Pali përshkroi cilësi të ndryshme të dashurisë hyjnore; me fjalë të tjera, njerëzit që kanë dashuri hyjnore bëjnë gjërat dhe kanë karakteristikat që ai përshkroi. Fraza “është e durueshme” përshkruan dikë që i përballon me durim sprovat. “Nuk ka smirë” përshkruan dikë që nuk është ziliqar për të tjerët. “Nuk vë në dukje” përshkruan dikë që nuk mburret. “Nuk krekoset” përshkruan cilësinë e të qenit i përulur. “Nuk sillet në mënyrë të pahijshme” përshkruan dikë që nuk është i pasjellshëm ose i patakt. “Nuk kërkon të sajat” përshkruan cilësinë e vendosjes së Perëndisë dhe të të tjerëve përpara vetes. “Nuk pezmatohet” përshkruan dikë që nuk inatoset lehtësisht. “I beson të gjitha” përshkruan dikë që e pranon të gjithë të vërtetën.

1 Korintasve 13:8. Dhuntitë e profecisë, të gjuhëve dhe të njohurisë do të “pushojnë” dhe do të “shfuqizohe[n]”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përse dhuntia e profecisë dhe ajo e gjuhëve përfundimisht do të pushojnë dhe përse dhuntia e njohurisë do të shfuqizohet:

“A do të pushojnë dhuntitë e Shpirtit? A do të vijë dita kur shenjtorët nuk do t’i zotërojnë më dhuntitë e profecisë dhe të gjuhëve? Ose dhuntinë e njohurisë? Po, në kuptimin që këto do të përpihen në diçka më të madhe, dhe nuk do të nevojiten më në ditën e përsosur. Kur shenjtorët t’i dinë të gjitha gjuhët, askush nuk do të jetë në gjendje të flasë në një gjuhë të panjohur. Kur shenjtorët të bëhen si Perëndia dhe t’i dinë të gjitha gjërat – të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen – nuk do të ketë nevojë ose rast që të profetizojnë për të ardhmen” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:380).

1 Korintasve 14:1. “Kërkoni dashurinë”

Plaku Robert J. Uiten, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:

“Ashtu si besimi, dashuria si e Krishtit është një dhunti e Shpirtit, që jepet e bazuar mbi parimet e drejtësisë vetjake dhe në përputhje me nivelin tonë të bindjes ndaj ligjeve mbi të cilat ajo bazohet. Ashtu si edhe besimi, dashuria duhet të ushtrohet që të shtohet” (“True Followers”, Ensign, maj 1999, f. 30).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim:

“Dashuria hyjnore, ‘dashuria e pastër e Krishtit’ (Moroni 7:47), nuk është një veprim, por një konditë ose gjendje. Dashuria hyjnore arrihet nëpërmjet një serie veprash që çojnë në kthimin në besim. Dashuria hyjnore është ajo çka një njeri bëhet” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34).

1 Korintasve 14:1–3. Dhuntia e profecisë

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi dallimin midis anëtarëve të Kishës që e kanë dhuntinë shpirtërore të profecisë dhe atyre që janë thirrur për të shërbyer në një detyrë profetike:

“Lidhur me kuptimin që përdoret, kur flasim për dhuntitë shpirtërore, një profet është një njeri që dëshmon për Jezu Krishtin, që i jep mësim fjalët e Perëndisë dhe e këshillon popullin e Perëndisë. Sipas kuptimit të shkrimeve të shenjta, të profetizosh do të thotë shumë më tepër se sa të parashikosh të ardhmen. …

Është e rëndësishme që ne të kuptojmë dallimin midis një profeti, që e ka dhuntinë shpirtërore të profecisë, dhe atij profeti që ka detyrën profetike” (“Spiritual Gifts”, Ensign, shtator 1986, f. 71)

1 Korintasve 14. “Sepse ai që flet në një gjuhë tjetër”

“Apostujt dhe të tjerët folën në ‘gjuhë të tjera’ në ditën e Rrëshajave (Veprat e Apostujve 2:4–8). Në këtë rast, dhuntia e gjuhëve u shfaq nëpërmjet shërbëtorëve të Perëndisë që e dhanë mësim ungjillin në gjuhë që diheshin nga dëgjuesit, por që nuk diheshin nga folësit (shih komentin për Veprat e Apostujve 2:5–11). Një shfaqje tjetër e dhuntisë së gjuhëve ndodh kur një person nxitet nga Shpirti për të folur në një gjuhë që është e panjohur si për folësin apo dhe për dëgjuesin (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 2:383)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 379).

Për më tepër informacion rreth porosive të rëndësishme lidhur me qëllimin dhe përdorimin e dhuntisë së gjuhëve, shihni Robert D. Hejls, “Gifts of the Spirit”, Ensign, shkurt 2002, f. 14–15.