Biblioteka
Mësimi 135: Hebrenjve 1–4


Mësimi 135

Hebrenjve 1–4

Hyrje

Pali u dha mësim shenjtorëve rreth natyrës së vërtetë të Jezu Krishtit. Ai u dha gjithashtu mësim atyre për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për disa nga bekimet që vijnë si rrjedhojë e Shlyerjes. Pali tregoi përvojën e izraelitëve të lashtë që u endën në shkretëtirë, për t’u mësuar shenjtorëve atë që duhet të bënin për të hyrë në prehjen e Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hebrenjve 1

Pali jep mësim rreth natyrës së Jezu Krishtit

Lexojini skenarët vijues me zë të lartë:

  1. Një e re është e lodhur nga të qenit gjithnjë “vajza e mirë” ngaqë nuk merr pjesë me miqtë e saj në disa prej veprimtarive të tyre. Ajo po mendon t’i ulë pak standardet e saj që të jetë pjesë e grupit.

  2. Një i ri që po shërben në një mision kohëplotë, kupton se puna misionare është më e vështirë nga sa e priste dhe po mendon të kthehet në shtëpi.

  • Çfarë kanë të përbashkët këta skenarë?

  • Cilat janë disa arsye për të cilat njerëzit mund të mendojnë të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për të bërë atë që ata e dinë se është e drejtë?

Paraqiteni shkurtimisht librin e Hebrenjve duke shpjeguar që nën trysninë e pikëllimeve të ndryshme, disa judenj të kthyer në besim (të përmendur si hebrenj) po largoheshin nga mbledhjet e Kishës dhe po ktheheshin te siguria e përkohshme e adhurimit tradicional judeas, i cili nuk përfshinte një besim në Jezu Krishtin (shih Hebrenjve 10:25, 38–39). Pali e shkroi këtë letër për t’i nxitur këta anëtarë të Kishës që të qëndronin besnikë ndaj Jezu Krishtit.

Ftojini studentët që ndërsa e studiojnë [librin e] Hebrenjve, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të qëndrojnë besnikë ndaj Krishtit [edhe] kur mund të ndihen sikur duan të dorëzohen.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Hebrenjve 1:1–3, 10, duke kërkuar doktrinat që u mësoi Pali shenjtorëve judeas për Jezu Krishtin.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të shkruajnë në tabelë të vërtetat që gjetën. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që në tabelë të shkruhen thënie të ngjashme me të vërtetat vijuese:

Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën (shih Hebrenjve 1:2, 10).

Jezu Krishti flet për Atin (shih Hebrenjve 1:2).

Jezu Krishti është trashëgimtari i Atit (shih Hebrenjve 1:2).

Jezu Krishti është vula e Atit (shih Hebrenjve 1:3).

Jezu Krishti i mban të gjitha me fjalën e fuqisë së Tij (shih Hebrenjve 1:3).

Jezu Krishti i pastron mëkatet tona (shih Hebrenjve 1:3).

Jezu Krishti mbretëron në anën e djathtë të Atit (shih Hebrenjve 1:3).

Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza ‘vula e Atit’ do të thotë që Jezu Krishti si fizikisht edhe shpirtërisht personifikon Atin Qiellor dhe ka të njëjtin karakter hyjnor si Ai, dhe fraza “i mba[n] të gjitha me fjalën e fuqisë së tij” tregon se Jezu Krishti është i plotfuqishëm.

  • Si mund ta ndihmojë njohja e këtyre të vërtetave dikë që po has vështirësi për të qëndruar besnik ndaj Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij?

Ftojini studentët të përsiatin se cila prej këtyre të vërtetave mund të jetë e dobishme për ta nëse tundohen të heqin dorë nga bërja e vullnetit të Zotit.

Shpjegoni se një temë në librin e Hebrenjve është epërsia e Jezu Krishtit. Për shembull, te Hebrenjve 1:4–14, Pali tregoi se Jezu Krishti është më i madh se engjëjt. Në kapitujt vijues, ai vazhdoi të tregonte përsosurinë dhe epërsinë e Krishtit.

  • Në ç’mënyrë njohuria se Jezu Krishti është më i madh se të gjitha gjërat mund ta ndihmojë dikë që po has vështirësi për t’i qëndruar Atij besnik?

Nxitini studentët të vazhdojnë ta kërkojnë këtë temë ndërsa studiojnë pjesën e mbetur të Hebrenjve.

Hebrenjve 2

Pali jep mësim se Jezu Krishti është Realizuesi i shpëtimit tonë

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh mënyrën se si e zgjedhin një kapiten [realizues] ose një udhëheqës në ekipet apo grupet e ndryshme ku ata mund të marrin pjesë (për shembull, në atletikë, debate, dramatizime apo klubet e shkollës).

  • Çfarë cilësish kërkoni kur zgjidhni një kapiten apo udhëheqës?

Sqaroni se te Hebrenjve 2, Pali u shpjegoi judenjve të kthyer në besim më shumë për natyrën dhe identitetin e Jezu Krishtit, që t’i ndihmonte ata të kuptonin përse duhej të vazhdonin ta ndiqnin Jezu Krishtin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 2:10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e quajti Pali Jezu Krishtin.

  • Realizuesi [/kapiteni] i kujt është Jezu Krishti? (Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti është Realizuesi i shpëtimit tonë.)

  • Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti Realizuesi i shpëtimit tonë?

Ndajini studentët në dyshe dhe caktojeni një student të lexojë Hebrenjve 2:8–13 dhe studentin tjetër të lexojë Hebrenjve 2:14–18. Ftojini studentët të kërkojnë frazat që përshkruajnë arsyen përse Shpëtimtari u cilësua për të qenë Realizuesi i shpëtimit tonë. (Shpjegoni se fraza “për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit” në vargun 17 do të thotë se Krishti u shlye për mëkatet tona, duke na lejuar që të pajtohemi apo të hyjmë në një marrëdhënie të harmonishme me Atin Qiellor.)

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që t’u tregojnë partnerëve të tyre atë që gjetën. Më pas, pyeteni klasën:

  • Sipas vargut 9, çfarë bëri Jezu Krishti për të gjithë njerëzit?

  • Sipas vargut 14, kë mposhti Shpëtimtari nëpërmjet Shlyerjes së Tij?

Vini në dukje se Pali jo vetëm që iu referua Shpëtimtarit si Realizuesi i shpëtimit tonë, por ai gjithashtu e quajti Atë “i mëshirshëm e kryeprift [prift i lartë] besnik” (vargu 17). Pali e krahasoi Jezu Krishtin me një prift të lartë judeas, ngaqë prifti i lartë shikohej si ndërmjetës midis njerëzve dhe Perëndisë.

  • Sipas vargut 17, çfarë i krijoi mundësi Jezusit që të ishte një prift i lartë kaq i mëshirshëm dhe besnik?

  • Sipas vargut 18, përse Shpëtimtari është në gjendje të na vijë në ndihmë (përkrahë)? (Shih edhe Alma 7:11–13.)

Shpjegoni se te Hebrenjve 4:14–16 Pali dha ide shtesë për mësimet e tij lidhur me mënyrën se si Shpëtimtari është një prift i lartë i mëshirshëm dhe besnik. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë këto vargje. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që e bën Jezu Krishtin një prift të lartë kaq të madhërishëm. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Bazuar në atë që mësuat prej Hebrenjve 2:14–18 dhe 4:14–16, përse Jezu Krishti është në gjendje të na kuptojë në mënyrë të përsosur dhe t’i vijë keq për të gjitha dobësitë dhe papërsosuritë tona? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Për shkak se Jezu Krishti vuajti dhe u tundua në të gjitha gjërat, Ai na kupton në mënyrë të përsosur dhe mund të na ndihmojë në kohë nevoje. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Sipas Hebrenjve 4:16, çfarë mund të na ndihmojë të bëjmë të kuptuarit e kësaj të vërtete?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të vijmë me guxim te froni i hirit?

Ftojini studentët të shprehin ndjenjat e tyre për mënyrën se si mund t’i ndihmojnë të vërtetat te Hebrenjve 2, që të jenë të sigurt në vendimin e tyre për ta ndjekur Jezu Krishtin si udhëheqësin e tyre.

Hebrenjve 3–4

Pali jep mësim mbi mënyrën se si mund të hyjmë në prehjen e Zotit

Ftojini studentët të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e klasës diçka që u shkakton atyre ankth apo shqetësim tokësor ose shpirtëror.

  • Si mund të gjejmë paqe dhe prehje nga këto dhe burime të tjera të trazirës e ankthit?

Kujtojuni studentëve se shenjtorët judeas po përjetonin përndjekje ngaqë po e jetonin ungjillin. Shpjegoni se te Hebrenjve 3 dhe 4, Pali iu referua një përvoje nga Dhiata e Vjetër për t’u mësuar shenjtorëve mënyrën se si të gjenin prehje në këtë jetë dhe në tjetrën.

Shpjegoni që pasi u liruan nga Egjipti, njerëzit e Izraelit të lashtë e provokuan zemërimin e Zotit dhe si rrjedhojë, nuk u lejuan të hynin në prehjen e Zotit (shih Numrat 14; Jakobi [LiM] 1:7–8; Alma 12:33–37; 13:6, 12–13, 28–29). Ftojini studentët ta shenjojnë frazën “prehjen time” te Hebrenjve 3:11.

Vini në dukje se Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë të hysh në prehjen e Zotit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Mek-Konki dhe kërkojuni studentëve të mbajnë vesh se çfarë do të thotë të hysh në prehjen e Zotit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Shenjtorët e vërtetë hyjnë në prehjen e Zotit ndërkohë që janë në këtë jetë dhe, duke u mbështetur tek e vërteta, ata vazhdojnë në atë gjendje të bekuar derisa të prehen me Zotin në qiell. … Prehje e Zotit, për sa u takon të vdekshmëve, do të thotë të marrësh një njohuri të përsosur të karakterit hyjnor të punës së madhërishme të ditëve të mëvonshme. … Prehje e Zotit, në përjetësi, do të thotë të trashëgosh jetë të përjetshme, të marrësh plotësinë e lavdisë së Zotit. (D. e B. 84:24.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 633).

  • Çfarë do të thotë për ne të hyjmë në prehjen e Zotit në këtë jetë? [Po] pasi të vdesim?

Lexoni me zë të lartë Hebrenjve 4:1 dhe vërini studentët t’ju ndjekin, duke kërkuar atë që e shqetësonte Palin se disa anëtarë të Kishës nuk do të arrinin të bënin.

  • Cili ishte shqetësimi i Palit? (Që disa anëtarë të Kishës nuk do të arrinin të hynin në prehjen e Zotit.)

Shkruani në tabelë shkrimet e shenjta vijuese: Hebrenjve 3:7–8; 12–15, 18–19; 4:2–3, 6–7, 11. Vëreni klasën t’i lexojë në heshtje këto vargje, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth mënyrës se si ne mund të hyjmë në prehjen e Zotit. (Nxitini studentët të lexojnë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 4:3 tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.) Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë fraza “në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit” (Hebrenjve 3:14)?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë “mos jini zemërgur”? (Hebrenjve 3:15; 4:7). (Ta mbani zemrën të hapur, të gatshme e të bindur ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij.)

  • Çfarë dha mësim Pali rreth mënyrës se si të hyjmë në prehjen e Zotit? (Nga përgjigjet e studentëve, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse qëndrojmë besnikë ndaj Shpëtimtarit dhe nuk e ngurtësojmë zemrën tonë, ne do të hyjmë në prehjen e Zotit.)

  • Si na përgatit që të hyjmë në prehjen e Zotit mbajtja e zemrës sonë të hapur ndaj qëllimit dhe planit të Perëndisë për ne?

  • Si mund të bekohemi në këtë jetë kur kërkojmë të hyjmë në prehjen e Zotit?

Kërkojuni studentëve që të përsiatin mbi mënyrën se si të qenit besnik ndaj Shpëtimtarit dhe mbajtjes së zemrës të hapur ndaj Tij, i ka ndihmuar ata që të gjejnë prehje pavarësisht nga problemet apo shqetësimet që mund të jenë duke përjetuar. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.

Ftojini studentët të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për të qëndruar besnikë ndaj Jezu Krishtit dhe për ta mbajtur zemrën e tyre të hapur ndaj Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Hebrenjve 1:3. Jezu Krishti është “vula” e Atit të Tij

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim sa vijon rreth shëmbëllimit të Jezu Krishtit:

“Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, është ‘vula’ e qenies së Atit të Tij (Hebrenjve 1:3). Ai eci në tokë si një qenie njerëzore, si një njeri i përsosur dhe tha, në përgjigje të një pyetjeje që iu bë Atij: ‘Kush më ka parë mua, ka parë Atin’ (Gjoni 14:9). Kjo gjë e vetme duhet ta zgjidhë problemin për të kënaqur çdo mendje të vëmendshme, nderuese. Përfundimi është i padiskutueshëm, që, në qoftë se Biri i Perëndisë është vula (domethënë, në ngjashmërinë) e qenies së Atit të Tij, atëherë Ati i Tij është në formën e njeriut; sepse ajo ishte forma e Birit të Perëndisë, jo vetëm gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, por përpara lindjes së Tij në vdekshmëri dhe pas ringjalljes së Tij. Ishte në këtë formë që Ati dhe Biri, si dy personazhe, iu shfaqën Jozef Smithit, kur, si një djalosh katërmbëdhjetëvjeçar, ai mori vegimin e tij të parë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 334).

Hebrenjve 4:4, 10. Dita e Shabatit është shenja dhe simboli i prehjes së Zotit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Dita e Shabatit është shenja dhe simboli i prehjes së Zotit. Ata që kanë hyrë në prehjen e ungjillit e mbajnë Ditën e Shabatit të shenjtë, si pjesë e sjelljes së tyre të drejtë dhe e adhurimit të vërtetë. Atë ditë ata prehen nga punët e tyre tokësore, ashtu siç bëri Perëndia nga punët e tij krijuese, si një shenjë dhe dëshmi se ata kanë hyrë në prehjen e Zotit në këtë jetë, se kanë dëshmi për ungjillin dhe mezi e presin atë prehje të Zotit, ‘prehje e cila është plotësia e lavdisë së tij’ paskëtaj. (D. e B. 84:24.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:151).