Biblioteka
Mësimi 122: Efesianëve 4


Mësimi 122

Efesianëve 4

Hyrje

Pali dha mësim se Zoti e ka themeluar Kishën e Tij dhe ka thirrur udhëheqës qoftë për t’i përsosur si dhe për t’i bashkuar shenjtorët. Ai i nxiti gjithashtu anëtarët e Kishës që t’i zhvishnin sjelljet e tyre të vjetra dhe të jetonin atë që e dinin se ishte e vërtetë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Efesianëve 4:1–16

Pali jep mësim për rëndësinë e Kishës së Jezu Krishtit

Ftojini studentët të marrin parasysh dy skenarët vijues:

  1. Në shkollë, mësuesi juaj i kërkon klasës të shprehin këndvështrimet e tyre për një temë kontradiktore. Ndërsa studentët shprehin mendimet e tyre, ju kuptoni se shumica e tyre përkrahin një qëndrim që është i ndryshëm nga mësimet e Kishës.

  2. Ligjvënësit në shtetin tuaj kanë bërë të ligjshme sjellje që udhëheqësit e Kishës ju kanë mësuar se janë të gabuara.

  • Përse situata si këto mund të jenë të vështira për një anëtar të Kishës?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Efesianëve 4:1–16, të kërkojnë një të vërtetë rreth mënyrës se si mund ta dinë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në një botë që po i ndryshon vlerat dhe bindjet.

Kujtojuni studentëve se në këtë letër Pali mund t’u ketë shkruar anëtarëve të rinj të Kishës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:1–6. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Pali dha mësim për Kishën dhe doktrinën e saj.

  • Çfarë dha mësim Pali për Kishën dhe doktrinën e saj?

  • Si mendoni ju, çfarë nënkuptoi Pali kur ai dha mësim se ka “një Zot …, një besim … [dhe] një pagëzim”? (vargu 5). (Në kohën e Palit, siç edhe në tonën, ka vetëm një Kishë të vërtetë të Jezu Krishtit mbi tokë [shih DeB 1:30].)

Përmblidheni Efesianëve 4:7–10, duke shpjeguar se Pali dha mësim se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne të gjithëve na është dhënë dhurata e hirit të Tij. Ai gjithashtu dha mësim se Krishti i ka dhënë njerëzimit dhunti të tjera.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i dha Kishës. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë i dha Zoti Kishës?

Shpjegoni se titujt e detyrave të priftërisë në Kishë sot, mund të mos jenë të njëjta me titujt e përdorur në kohën e Palit dhe, Kisha e hershme mund të mos ketë pasur çdo thirrje që Kisha ka sot. Për shembull, Profeti Jozef Smith dha mësim se një “ungjilltar është një Patriark” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2009], f. 145). Edhe një pastor është një bari ose dikush që e udhëheq tufën – një përshkrim i duhur i peshkopëve, presidentëve të degëve, presidentëve të kunjeve dhe presidentëve të distrikteve të kohëve moderne.

Shkruajeni fjalinë e paplotë vijuese në tabelë: Zoti i ka thirrur apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të ndihmojnë …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Zoti i dha Kishës apostuj, profetë dhe udhëheqës të tjerë.

  • Për çfarë qëllimi i dha Zoti apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës për Kishën e Tij? (Shtoni për përsosjen e shenjtorëve te thënia në tabelë.)

  • Në ç’mënyra na ndihmojnë apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të na përsosin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:14. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një arsye tjetër përse Zoti i dha Kishës së Tij apostuj, profetë dhe udhëheqës të tjerë.

  • Për çfarë arsye tjetër i dha Zoti këta udhëheqës për anëtarët e Kishës? (Shtoni në tabelë dhe t’i mbrojnë ata nga doktrina e rreme në mënyrë që e gjithë e vërteta të jetë si vijon: Zoti i ka thirrur apostujt, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të ndihmojnë në përsosjen e shenjtorëve dhe t’i mbrojnë ata nga doktrina e rreme.)

Pamja
barkë në ujëra plot dallgë

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë shëmbëlltyrën në vargun 14, paraqitni një figurë të një barke në mes të ujërave plot dallgë. Ju ose një student mund të vizatoni në tabelë një figurë të një barke në ujëra plot dallgë.

  • Çfarë mund t’i ndodhë një barke që lëkundet në ujëra gjatë stuhive të fuqishme?

Drejtojuni skenarëve të paraqitur në fillim të mësimit.

  • Në ç’mënyrë mund të ngjasojë një barkë që lëkundet në ujëra plot dallgë me dikë që “lëkund[et] dhe … transport[ohet]” (vargu 14) nga erërat e ndryshueshme të mësimeve të rreme dhe opinioneve publike?

  • Në ç’mënyrë i ndihmojnë pasuesit e Perëndisë mësimet e apostujve, profetëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës që të lundrojnë në këto ujëra të trazuara dhe të kthehen shëndoshë e mirë tek Ati Qiellor?

Shkruajini në tabelë thirrjet e Kishës sa më poshtë: apostuj, profetë, patriarkë, peshkopë dhe mësues. Ftojini studentët të zgjedhin dy nga thirrjet dhe të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si një udhëheqës që e mban atë thirrje, i ka ndihmuar ata të përmirësohen ose të rriten shpirtërisht apo i ka ndihmuar t’i mbrojë ata nga doktrina e rreme dhe mashtrimi. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë një nga përvojat për të cilën shkruan.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:15–16. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën sipas së cilës udhëheqësit tanë të Kishës duhet të na i mësojnë të vërtetat e ungjillit.

  • Si duhet të na i mësojnë ne udhëheqësit tanë të Kishës të vërtetat e ungjillit?

Efesianëve 4:17–32

Pali i nxit shenjtorët ta zhveshin të ligën dhe të bëhen një njeri i ri nëpërmjet Jezu Krishtit

Sillni në klasë një pallto ose xhaketë të përditshme (parapëlqehet një që është veshur tej mase ose e konsumuar). Gjithashtu, nëse është e mundur, sillni një pallto ose xhaketë që do të ishte e përshtatshme për t’u veshur në një ngjarje të këndshme. (Nëse parapëlqeni, ju mund të sillni një këmishë të përditshme dhe një këmishë të bukur. Sigurohuni që të dyja këmishat të jenë mjaftueshëm të mëdha që një student ta veshë sipër rrobave të tij ose të saj.) Ftojeni një student/e të vijë përpara klasës dhe ta veshë pallton e përditshme. Kërkojini studentit/es të rrotullohet përpara klasës dhe t’ia tregojë pallton klasës. Më pas, kërkojini atij ose asaj ta heqë pallton e përditshme dhe më pas të veshë pallton më të bukur dhe t’ia tregojë atë klasës. Falënderojeni studentin/en dhe ftojeni atë ta heqë pallton e të ulet.

  • Cila nga këto dy pallto do të ishte më e përshtatshme për një ngjarje të këndshme?

Kujtojuni studentëve se Pali mund t’iu jetë drejtuar të kthyerve të rinj në besim të Kishës. Ftojini studentët të kërkojnë ndërsa studiojnë Efesianëve 4:17–32 për mënyrën se si Pali e përdori metaforën e zhveshjes së diçkaje dhe veshjes së diçkaje tjetër, për t’u mësuar këtyre të kthyerve të rinj në besim atë që duhej të bënin si dishepuj të Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:17–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të johebrenjve që nuk ishin bashkuar me Kishën.

  • Si e përshkroi Pali gjendjen shpirtërore të johebrenjve të tjerë?

  • Cila tha Pali se ishte arsyeja përse johebrenjtë e tjerë ishin në këtë gjendje shpirtërore?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 4:21–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i kishte ndihmuar anëtarët e Kishës të bëheshin ndryshe nga njerëzit e tjerë.

  • Sipas vargut 21, çfarë i kishte ndihmuar anëtarët e Kishës të bëheshin ndryshe nga njerëzit e tjerë?

Drejtojuni studentit/es që veshi dy palltot dhe pyeteni klasën se çfarë duhet të bënte ai/ajo student/e përpara se të mund ta vishte xhaketën ose pallton më të bukur.

  • Çfarë u tha Pali anëtarëve të Kishës që të “zhvish[nin]”? (vargu 22.) (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se fjala e përkthyer si sjellje shpesh i referohet qëndrimit të dikujt në tërësi.)

  • Çfarë do të thotë të “visheni me njeriun e ri”? (vargu 24.) (Të lindesh rishtas [shih Mosia 27:25] dhe ta jetosh përditë me zell ungjillin e Jezu Krishtit.)

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga këto vargje rreth dishepujve të Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Dishepujt e Jezu Krishtit e zhveshin njeriun e vjetër, sjelljet mëkatare dhe vishen me njeriun e ri, sjelljet e drejta.)

Ftojini studentët ta kopjojnë tabelën vijuese në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Njeriu i Vjetër

Njeriu i Ri

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojë bashkë me zë të lartë Efesianëve 4:25–32. Vërini ata t’i plotësojnë tabelat e tyre ndërsa lexojnë, duke renditur poshtë “Njeriu i Vjetër” gjërat që dishepujt e Krishtit duhet të “zhv[eshin]” (vargu 22) ose të “flak[in] larg” (vargu 31) dhe duke renditur poshtë “Njeriu i Ri” gjërat që dishepujt e Krishtit duhet të “v[eshin]” (vargu 24). Vini në pah Përkthimin prej Joseph Smith-it për Efesianëve 4:26, te poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht].

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilën dyshe të mendojë për një skenar që ilustron sjelljen e mundshme të dikujt që nuk e ka zhveshur natyrën e tij apo të saj mëkatare për një nga fushat që përshkroi Pali. Ftojeni secilën dyshe të mendojë gjithashtu për një skenar që ilustron se si po i njëjti person mund të veprojë nëse ai ose ajo do të vinte te Krishti dhe do të bëhej një person i ri. Pasi studentët të kenë pasur kohë të planifikojnë, ftojini disa dyshe të vijnë përpara klasës dhe të shpjegojnë skenarët e tyre. Pasi disa dyshe ta kenë dhënë paraqitjen e tyre, pyeteni klasën:

  • Si mund të jetë i ngjashëm një anëtar i Kishës që e di të vërtetën por që nuk po e jeton atë, me dikë që është i ftuar në një ngjarje të këndshme por nuk vesh rrobat e duhura?

  • Çfarë sfidash mund të hasim ne ndërsa përpiqemi ta zhveshim njeriun e vjetër, natyrën mëkatare dhe të bëhemi të rinj si dishepuj të Krishtit?

  • Përse është e rëndësishme për anëtarët e Kishës të kujtojnë se zhveshja e sjelljeve tona të vjetra dhe ndjekja e Jezu Krishtit në mënyrë të plotë, është një proces i vazhdueshëm dhe jo diçka që ndodh vetëm një herë?

Shpjegoni se për shumë njerëz, veshja e sjelljeve të reja të drejtësisë është po aq e thjeshtë sa bërja e ndryshimeve të vogla, si të qenët pak më i sjellshëm ose i duruar, zbatimi i një urdhërimi pak më plotësisht ose zhdukja e një zakoni të keq nga jeta jonë.

Dëshmoni për rëndësinë e zhveshjes së njeriut të vjetër, sjelljeve mëkatare dhe veshjen e sjelljeve të reja të drejtësisë. Ftojini studentët të shkruajnë një gjë që mund të bëjnë sot për t’i zhveshur sjelljet e tyre të vjetra dhe për ta ndjekur plotësisht Jezu Krishtin. Nxitini ata të veprojnë sipas asaj që shkruan.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Efesianëve 4:11–14

Për t’i ndihmuar studentët ta shpjegojnë doktrinën që u dha mësim tek Efesianëve 4:11–14, ftojini ata t’u drejtohen një shoku dhe të përdorin mësimet e Palit tek Efesianëve 4:11–14, për të shpjeguar përse Zoti e themeloi Kishën e Tij dhe thirri udhëheqës për të shërbyer në të. Më pas, ftojini studentët të shpjegojnë se si mund ta përdorin doktrinën tek Efesianëve 4:11–14 për të ndihmuar një shok/shoqe që beson se nuk është nevoja për një Kishë të organizuar.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Efesianëve 4:13. “Në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”

Ç’do të thotë të vish “në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13)? Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se i referohet “gjendjes së lavdisë dhe ekzaltimit që gëzon vetë Krishti. I gjithë plani i shpëtimit është hartuar që t’u mundësojë njerëzve të bëhen si Perëndia. Ata që marrin përsosuri të pafundme do të jenë si Krishti dhe ai është si Ati. (3 Nefi 28:10.) [Siç shpall Lectures on Faith (Leksione mbi Besimin)]: ‘Shpëtimi përbëhet nga lavdia, autoriteti, madhështia, fuqia dhe pushteti që zotëron Jehova, dhe nga asgjë tjetër; dhe asnjë qenie nuk mund ta zotërojë atë përveç vetë atij apo një të ngjashmi me të’. [Lectures on Faith (1985), f. 76.]

… Krishti ‘mori një plotësi të lavdisë së Atit; Dhe ai mori gjithë fuqinë, si në qiell, edhe në tokë, dhe lavdia e Atit ishte me të, sepse ai banoi në të.’ (D. e B. 93:16–17.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:511).