Biblioteka
Mësimi 107: 1 Korintasve 9–10


Mësimi 107

1 Korintasve 9–10

Hyrje

Pali trajtoi shqetësimet e shenjtorëve korintas rreth përdorimit të burimeve të Kishës për të siguruar për nevojat e tij materiale. Ai shpjegoi se qëllimi i predikimit të tij ishte që t’i sillte shpëtim fëmijëve të Perëndisë. Ai i këshilloi ata që ta shmangnin mëkatin si edhe fyerjen e të tjerëve për bindjet e tyre fetare.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 9

Pali e predikon ungjillin në mënyrë që ai dhe dëgjuesit e tij të mund të shpëtohen

Sillni në klasë një orë me zile dhe mbajeni atë të fshehur nga studentët. Kurdiseni zilen që të bjerë fill pasi ju të filloni mësimdhënien.

Për ta filluar mësimin, ftojini studentët që të përfytyrojnë se si mund të jetë jeta e përjetshme. Ftojini ata që të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta përse jeta e përjetshme është diçka që ata e dëshirojnë. Ju mund t’i ftoni disa studentë që t’ia lexojnë klasës atë që shkruan.

Pranë fundit të kësaj veprimtarie, ora me zile duhet të bjerë. Kur kjo të ndodhë, kërkojini një studenti që ta gjejë atë dhe ta fikë.

  • Si u ndiet kur e dëgjuat atë tingull?

Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse e kanë pasur ndonjëherë të vështirë të zgjohen edhe kur kishin vënë orën me zile, dhe si rrjedhojë, humbën diçka të rëndësishme. Ftojini disa studentë që të tregojnë [përvoja].

Shpjegoni se ashtu si vështirësia për t’u zgjuar nga një orë me zile mund të bëjë që ne t’i humbasim gjërat e rëndësishme apo të mos i arrijmë ato, dështimi për t’u “zgjuar” në jetë dhe për të ndryshuar sjellje specifike mund të bëjë që të mos ia dalim mbanë për të marrë gjënë më të rëndësishme nga të gjitha, jetën e përjetshme.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 9, të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë të dinë se si të sigurohen se do ta marrin jetën e përjetshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese të 1 Korintasve 9:1–21:

Pali iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të shenjtorëve korintas. Ai shkroi se ndonëse do të ishte plotësisht i shfajësuar po të mbështetej për çështje materiale nga anëtarët e Kishës, ai nuk kishte qenë i varur prej tyre për shpenzimet e jetesës. Pali shpjegoi se duke iu përshtatur rrethanave të ndryshme pa i rrezikuar standardet e ungjillit, ai kishte qenë në gjendje t’i ndihmonte judenjtë, johebrenjtë dhe çdokënd tjetër që ishte i dobët në ungjill që ta pranonte ungjillin.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 9:17. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e predikoi Pali ungjillin. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “një detyrë që më është besuar” i referohet përmbushjes nga ana e Palit të porosisë apo përgjegjësisë së tij për të predikuar ungjillin.

  • Si e predikoi Pali ungjillin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 9:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Pali e predikoi ungjillin vullnetarisht.

  • Përse Pali e predikoi ungjillin vullnetarisht?

Ftojeni një student/e që përfshihet rregullisht në një program ushtrimi gjithëpërfshirës (ndoshta një muzikant/e ose atlet/e) që të vijë përpara klasës. Bëjini studentit/es pyetjet vijuese:

  • Si është programi juaj i ushtrimit?

  • A keni pasur ndonjë rast kur ju u ushtruat apo u stërvitët për një ngjarje ose synim të veçantë? Si ju nxiti të punuarit drejt një synimi të veçantë?

Falënderojeni studentin/en dhe ftojeni atë të ulet.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 9:24–25. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar garën e atletikës që përdori Pali për t’u dhënë mësim shenjtorëve korintas.

  • Cilës garë atletike iu referua Pali?

  • Çfarë cilësie apo veçorie tha Pali se duhej të kishin vrapuesit me qëllim që të ishin të suksesshëm? (Shpjegoni se ta “kontrollo[sh] veten në të gjitha” do të thotë të ushtrosh vetëpërmbajtje).

  • Cila është kurora që nuk prishet së cilës iu referua Pali, e cila do të mbetet përgjithmonë? (Jeta e përjetshme.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 25 lidhur me atë që duhet të bëjmë për të marrë jetën e përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Për të marrë jetën e përjetshme, ne duhet të mësojmë të ushtrojmë vetëpërmbajtje në të gjitha gjërat. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Sigurohuni që studentët të kuptojnë gjithashtu se ndërkohë që vetëpërmbajtja është e nevojshme, jeta e përjetshme përfundimisht vjen vetëm “nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit” të Jezu Krishtit [2 Nefi 2:8] se sa vetëm nga vetëpërmbajtja jonë.)

  • Si mendoni ju, përse ushtrimi i vetëpërmbajtjes është i nevojshëm me qëllim që të merrni jetën e përjetshme?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 9:26–27. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pali vetë përpjekjet e tij për të ushtruar vetëpërmbajtje.

  • Sipas vargut 26, si i përshkroi Pali përpjekjet e tij për të marrë jetën e përjetshme? (I sigurt dhe pa e çuar dëm mundimin.)

  • Sipas vargut 27, çfarë mendoni ju se donte të thoshte Pali kur shkroi: “e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj”?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që donte të thoshte Pali, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Brigam Jang:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Ju mund ta trashëgoni jetën e përjetshme vetëm nëse dëshirat tuaja i nënshtrohen shpirtit që jeton brenda jush, atij shpirti që na u dha nga Ati ynë në Qiell. Dua të them, Ati i shpirtit tuaj, i atyre shpirtrave që i ka vendosur në këta tabernakuj. Tabernakulli duhet t’i nënshtrohet në mënyrë të përkryer shpirtit, ose trupi juaj nuk mund të ngrihet për ta trashëguar jetën e përjetshme. … Kërkoni me zell, derisa t’ia nënshtroni gjithçka ligjit të Krishtit. …

… Nëse shpirti i jepet trupit, [shpirti] prishet; por nëse trupi i jepet shpirtit [trupi] bëhet i kulluar dhe i shenjtë” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 204–205).

  • Cilat janë disa nga gjërat që ne mund të bëjmë për ta ndihmuar trupin tonë t’i jepet shpirtit tonë?

1 Korintasve 10

Pali i këshillon shenjtorët korintas që ta shmangin mëkatin dhe fyerjen e të tjerëve

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Një nga mitet e mëdha në jetë është kur [individët] mendojnë se janë të pamposhtur. Shumë njerëz mendojnë se ata janë [bërë] prej çeliku, mjaft të fortë për t’i bërë ballë çdo tundimi. Ata e mashtrojnë veten duke menduar: ‘Kjo s’mund të më ndodhë mua’” (“It Can’t Happen to Me”, Ensign, maj 2002, f. 46).

  • Në çfarë situatash njerëzit mund ta lejojnë veten e tyre të dalin zbuluar ndaj tundimit, duke menduar se janë mjaft të fortë për t’i bërë ballë atij? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Shpjegoni se Pali iu referua shembujve nga historia izraelite për t’i paralajmëruar shenjtorët korintas rreth tundimit dhe mëkatit. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 10:1–5. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar disa nga gjërat që përjetuan bijtë e Izraelit gjatë kohës së Moisiut, të cilat duhej t’i kishin bërë shpirtërisht të fortë.

  • Cilat janë disa nga gjërat që përjetuan bijtë e Izraelit, që duhet t’i kishin bërë shpirtërisht të fortë? (Ju mund të doni të vini në dukje se Pali e përcaktoi “Shkëmbi[n shpirtëror]” ose Jehovain, si Krishtin [shih edhe Ligji i Përtërirë 32:3–4]).

  • Sipas vargut 5, si u ndie Perëndia për sjelljen e shumë prej këtyre izraelitëve të lashtë?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Korintasve 10:6–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që donte Pali që shenjtorët korintas të mësonin nga shembulli i izraelitëve të lashtë.

  • Cili ishte synimi i Palit kur e tregoi shembullin e izraelitëve të lashtë? (Pali donte t’i paralajmëronte shenjtorët korintas, në mënyrë që ta shmangnin përsëritjen e mëkateve të izraelitëve të lashtë.)

Ftojeni klasën të qëndrojë në këmbë dhe të lexojë njëzëri me zë të lartë 1 Korintasve 10:12.

  • Si do ta përmblidhnit me fjalët tuaja mesazhin e Palit në vargun 12?

Ftojini studentët të ulen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 10:13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth tundimit.

  • Çfarë dha mësim Pali rreth tundimit?

  • Nëse Perëndia nuk do të na lejojë që të tundohemi përtej aftësisë sonë për t’i bërë ballë, përse izraelitët e lashtë iu dhanë tundimit?

Shkruajeni fjalinë e paplotë vijuese në tabelë: Perëndia do të na japë një mënyrë që ne t’i shpëtojmë tundimit, por ne duhet …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 10:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve korintas të bënin.

  • Çfarë u mësoi Pali shenjtorëve korintas të bënin?

  • Çfarë na mëson vargu 14 rreth rolit tonë për t’i shpëtuar tundimit? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni të vërtetën në tabelë, në mënyrë që ajo të thotë: Perëndia do të na japë një mënyrë që ne t’i shpëtojmë tundimit, por ne duhet të zgjedhim ta veçojmë veten tonë nga tundimi.)

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Almën 13:28 në shkrimet e tyre të shenjta pranë 1 Korintasve 10:13–14. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 13:28. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ne mund të bëjmë për ta veçuar veten tonë nga tundimi.

  • Sipas Almës 13:28, çfarë mund të bëjmë ne që mund të na ndihmojë për ta veçuar veten tonë nga tundimi?

  • Si mund të na ndihmojnë përulja e vetvetes, kujdesi dhe lutja e vazhdueshme për ta veçuar veten tonë nga tundimi?

Ngrini lart një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë dhe u kërkoni studentëve që të shpjegojnë se si na ndihmon të jetuarit sipas standardeve të renditura në këtë broshurë që ta veçojmë veten tonë nga tundimi.

Shpjegoni që studentët mund të mos jenë gjithmonë në gjendje ta shmangin tundimin. Për shkak të kësaj, ne kemi nevojë të vendosim tani për mënyrën se si do të veprojmë përballë tundimit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Vendimet e drejta janë më të thjeshta për t’u marrë kur ne i marrim ato shumë më herët, duke pasur në mendje synime përfundimtare; kjo shmang ankthin e tepërt [gjatë çasteve të vendimit], kur ne jemi të lodhur dhe të tunduar së tepërmi. …

Zhvilloni vetëdisiplinën, në mënyrë që të mos ju duhet të vendosni dhe rivendosni gjithmonë atë që do të bëni kur të përballeni me po të njëjtin tundim vazhdimisht. Për disa gjëra ju duhet të vendosni vetëm një herë! …

Koha për të hequr dorë nga mënyrat e liga është përpara se ato të fillojnë. Sekreti i një jete të mirë qëndron te mbrojtja dhe parandalimi. Ata që dorëzohen ndaj së ligës janë zakonisht ata që e kanë vendosur veten e tyre në një pozitë të cenueshme” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 108–109).

Ndani dëshminë tuaj për parimet që studentët i përcaktuan sot. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se me cilat tundime hasin më tepër vështirësi. Ftojini ata të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Çfarë ndryshimesh mund të bëni për t’iu shmangur tundimit përpara se të përballeni ndonjëherë me të?

  • A jeni të gatshëm t’i bëni këto ndryshime?

Ftojini studentët të hartojnë një plan që ata do ta ndjekin për t’i shpëtuar tundimit. Nxitini ata të kërkojnë ndihmë nga Zoti nëpërmjet lutjes ndërsa punojnë për të realizuar planin e tyre.

Përmblidheni 1 Korintasve 10:15–33, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët korintas që t’i respektonin zakonet fetare të të tjerëve pa i vënë në rrezik zakonet e tyre, dhe e përsëriti sërish se ai po predikonte me qëllimin që t’i ndihmonte shumë njerëz të shpëtoheshin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 9:20–23. “E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë”

Çfarë donte të thoshte Pali kur ai tha se e “bër[i] veten [e tij] Jude” për t’i “fituar Judenjtë” (1 Korintasve 9:20); u bë si dikush që nuk ishte nën ligj, ose si një johebre, për t’i fituar johebrenjtë; dhe u bë si dikush që është i dobët për të “fituar të dobëtit”? (1 Korintasve 9:22). Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë shpjegim të dobishëm:

“Pali këtu thotë se ai e bëri veten e tij gjithçka për të gjithë, në përpjekje për t’i bërë ata që ta pranonin mesazhin e ungjillit; domethënë, ai e përshtati veten ndaj kushteve dhe rrethanave të të gjitha shtresave të njerëzve, si një mënyrë për ta tërhequr vëmendjen e tyre ndaj mësimeve dhe dëshmisë së tij. Dhe atëherë, që të mos hamendësohej se kjo përfshinte pranimin e doktrinave apo praktikave të tyre të rreme, ose që në ndonjë mënyrë përfshinte një ujdi midis ungjillit dhe sistemeve të rreme të adhurimit, ai nxitoi të shtonte se ai dhe të gjithë njerëzit duhet t’i binden ligjit të ungjillit që të shpëtohen” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:353).

1 Korintasve 9:25. “Kontrollon veten në të gjitha”

Ndonjëherë është e vështirë ta kuptojmë përse Zoti na urdhëron që të ushtrojmë vetëpërmbajtje. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë shpjegim të dobishëm:

“Një jetë e drejtë kërkon disiplinë. Disiplina është ajo veçori që do t’ju japë forcën për të shmangur heqjen dorë prej asaj që e doni më shumë në jetë për diçka që mendoni se e doni tani” (“The Power of Righteousness”, Ensign, nëntor 1998, f. 69).

1 Korintasve 9:27. “E mundoj trupin tim dhe e nënshtroj”

Nënshtrimi i vazhdueshëm i trupit tonë ndaj kontrollit të shpirtit tonë është një nga sprovat më të mëdha të jetës në vdekshmëri. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Në botën para lindjes, përpara se ne të largoheshim nga prania e Atit Qiellor, Ai na paralajmëroi e këshilloi rreth përvojave të reja që do të kishim në vdekshmëri. Ne e dinim se do të kishim një trup fizik prej mishi dhe kockash. Duke mos qenë të vdekshëm më parë, ne nuk kishim përvojë me përballjen ndaj tundimeve të vdekshmërisë. Por Ati Qiellor e dinte dhe e kuptonte. Ai na vuri si detyrë që ta kontrollonim trupin tonë të vdekshëm dhe t’ia nënshtronim shpirtit tonë. Shpirtit tonë do t’i duhej që të kontrollonte tundimet fizike me të cilat do të përballej trupi ynë në një botë të përkohshme. Fuqia shpirtërore mbi ndikimin e Satanit na vjen me anë të zbatimit të urdhërimeve të Zotit tonë, Jezu Krishtit” (“Keeping Covenants”, Ensign, maj 1993, f. 6).

1 Korintasve 10:13. Largimi nga tundimi

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth nevojës që kanë të gjithë njerëzit për ta shmangur tundimin:

“Shumë njerëz mendojnë se ata janë … mjaft të fortë për t’i bërë ballë çdo tundimi. Ata e mashtrojnë veten duke menduar: ‘Kjo s’mund të më ndodhë mua’. … Ajo mund të na ndodhë në çdo çast. …

Dëgjova një herë një burrë që u thoshte djemve të tij: ‘Unë mund t’i jap makinës më në anë të rrugës se ju, ngaqë kam më shumë përvojë se ju’. Ai mendonte se kishte kontroll, por në të vërtetë po e mohonte. ‘Problemi me përdorimin e përvojës si një udhërrëfyes është se provimi përfundimtar shpesh vjen përpara dhe mësimi vjen më pas’ [Autori i panjohur, cituar në 1,911 Best Things Anybody Ever Said, përp. Robert Byrne (1988), f. 386]. Disa njerëz mendojnë se mosha dhe përvoja e tyre i aftëson më shumë për t’i bërë ballë tundimit. Kjo është një gënjeshtër.

“Më kujtohet që e dëgjova Presidentin J. Ruben Klark të Riun, të tregonte për një rast kur njëri prej fëmijëve të tij po dilte në një takim. Ai u kërkoi atyre të ktheheshin në shtëpi në një orë të caktuar. ‘E irrituar nga ai kujtues i vazhdueshëm, ngutës, [adoleshentja] tha: ‘Babi, si është puna, a nuk ke besim tek unë?’

‘Përgjigja e tij duhet ta ketë tronditur atë kur ai tha: ‘Jo, [bija] ime, nuk kam besim tek ty. Unë nuk i besoj as vetes sime’ [siç citohet nga Harold B. Lee, The Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams (1996), f. 629]” (“It Can’t Happen to Me”, Ensign, maj 2002, f. 46–47).