Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Marku 10–Lluka 4 (Njësia 9)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Marku 10Lluka 4 (Njësia 9)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Markun 10Llukën 4 (njësia 9) nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Marku 10–16)

Kur studentët studiuan për ftesën e Shpëtimtarit që fëmijët e vegjël të vinin tek Ai, ata mësuan se kur ne e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël, ne do të jemi të përgatitur të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Kur lexuan rreth këshillës së Jezu Krishtit për të riun pasanik, ata mësuan që për shkak se Ai na do, Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që na mungon në përpjekjet tona për ta ndjekur Atë, dhe nëse e pyesim Zotin, Ai do të na mësojë atë që ne kemi nevojë të bëjmë për të trashëguar jetën e përjetshme. Rrëfimi i së vesë që dha dy monedhat e saj dhe ai i Maries që e vajosi Shpëtimtarin, i ndihmoi studentët të mësojnë që nëse jemi të gatshëm t’i japim Zotit gjithçka që kemi, Ai do ta pranojë ofertën tonë, edhe nëse ajo duket e vogël në krahasim me atë të të tjerëve dhe se Shpëtimtari kënaqet kur ne i japim Atij më të mirën tonë.

Dita 2 (Lluka 1)

Në këtë mësim, studentët mësuan rreth premtimit të engjëllit Gabriel se Zakaria dhe Elizabeta do të kishin një djalë. Ata gjithashtu mësuan se Gabrieli i tha Maries se ajo do të ishte nëna e Birit të Perëndisë. Nga këto shkrime të shenjta, studentët mësuan të vërtetën vijuese: Fjalët e Zotit të thëna nëpërmjet shërbëtorit të Tij do të përmbushen në kohën e tyre. Jezu Krishti Është Biri i Perëndisë, Atit. Me Perëndinë asgjë s’është e pamundur. Nëse ne përpiqemi me besnikëri t’i përmbushim rolet që Zoti ka për ne, Ai mund të bëjë gjëra të mëdha në jetën tonë.

Dita 3 (Lluka 2)

Kur studentët studiuan rreth lindjes së Jezu Krishtit, ata mësuan që për shkak se Shpëtimtari u lind në tokë, ne mund të përjetojmë gëzim të madh. Ata gjithashtu mësuan se kur ne ia vëmë veshin udhëzimeve hyjnore, ne mund të marrim dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, dhe kur ne marrin dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, ne do të duam ta ndajmë dëshminë tonë me të tjerët. Kur studentët studiuan për rininë e Jezusit, ata mësuan se ne mund ta ndjekim shembullin e Jezusit duke fituar dituri dhe duke u rritur fizikisht, shpirtërisht dhe nga ana shoqërore.

Dita 4 (Lluka 3–4)

Në këtë mësim studentët mësuan rreth Gjon Pagëzorit dhe pagëzimit të Jezu Krishtit. Ata gjithashtu mësuan rreth shpalljes së Jezusit në Nazaret se Ai ishte Mesia. Nga këto rrëfime, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Jezu Krishti ndan të drejtët nga të ligjtë. Jezusi është Mesia, i cili u dërgua për të shëruar zemërthyerit dhe për të çliruar ata që janë të robëruar shpirtërisht. Kur ne e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti, ne mund t’i shohim mrekullitë të ndodhin.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë pak nga ajo që vuajti Jezu Krishti si pjesë e Shlyerjes së Tij. Përveç kësaj, studentët do të arrijnë të kuptojnë disa nga arsyet përse Shpëtimtari vuajti për ne.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 14:10–16:20

Jezusi e fillon Shlyerjen e Tij kur Ai vuan në Gjetseman për mëkatet tona; Ai tradhtohet nga Judë Iskarioti dhe sillet përpara udhëheqësve judenj

Kërkojuni studentëve të përsiatin në heshtje rreth pyetjeve vijuese:

  • A keni ndier ndonjëherë se askush nuk ju kupton ju ose atë që po kaloni?

  • A keni ndier ndonjëherë se nuk mund të faleni për mëkatet tuaja të kaluara?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 14, të kërkojnë të vërteta të cilat mund ta ndihmojnë dikë që mund t’i ketë këto ndjenja.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 14:32–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit.

  • Si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit?

Pasi studentët të përgjigjen, shkruani frazat vijuese në tabelë: e zuri frika, ankthi, thellësisht i trishtuar.

Shpjegoni se këto fraza i referohen vuajtjes që Jezu Krishti përjetoi si pjesë e Shlyerjes së Tij.

  • Çfarë na mësojnë këto fraza rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezusi vuajti dhe u trishtua në kopshtin e Gjetsemanit.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë doktrinë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Nil L. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Në Gjetseman, Jezusi i përvuajtur filloi të kishte ‘frik[ë]’ (Marku 14:33), ose në greqisht, të ishte ‘i tmerruar’ dhe ‘i befasuar’.

Përfytyroni Jehovain, Krijuesin e kësaj bote dhe të botëve të tjera, ‘i befasuar’! … Ai nuk e kishte provuar kurrë më parë personalisht procesin e hidhur dhe të vështirë të një shlyerjeje. Kështu, kur agonia arriti kulmin e saj, ajo ishte kaq e madhe, shumë më e madhe nga sa Ai, madje me intelektin e tij të pashoq, e kishte përfytyruar ndonjëherë! Nuk është çudi që u shfaq një engjëll për t’i dhënë forcë Atij! (Shih Lluka 22:43.)

Pesha e grumbulluar e të gjitha mëkateve tokësore – të kaluara, të tashme e të ardhshme – rëndoi mbi atë Shpirt të përsosur, të pamëkat e të ndjeshëm! Të gjitha dobësitë dhe sëmundjet tona janë gjithashtu, në një farë mënyre, një pjesë e asaj aritmetike të tmerrshme të Shlyerjes. (Shih Alma 7:11–12; Isaia 53:3–5; Mateu 8:17.) …

Në këtë moment kulmor, mos ndoshta Ai shpresonte për një dash shpëtues në kaçube? Nuk e di. Vuajtja e Tij – ashtu siç ishte, e pamasë e shumëzuar me pafundësi – shkaktoi klithmën e Tij pasuese që i doli nga shpirti në kryq dhe ishte një klithmë braktisjeje. (Shih Mateu 27:46.) …

Shlyerja e mrekullueshme dhe e lavdishme ishte veprimi kryesor i gjithë historisë njerëzore. Ishte faktori përcaktues nga i cili varej gjithçka tjetër që kishte rëndësi. Por varej nga nënshtrimi shpirtëror i Jezusit!” (“Willing to Submit”, Ensign, maj 1985, f. 72–73).

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 14:35–42. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se vuajtja e Jezusit ishte kaq e madhe saqë Ai pyeti nëse ishte e mundur që Ai të mos e provonte atë.)

Shkruajini frazën vijuese në tabelë: Jezu Krishti vuajti … kështu që Ai …

Shpjegoni se fragmente të tjera të shkrimit të shenjtë mund të na ndihmojnë të kuptojmë vuajtjen e Jezu Krishtit dhe përse Ai do të ishte i gatshëm të vuante për ne.

Shkruajini referencat vijuese në tabelë: Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini ata që t’i lexojnë vargjet së bashku, për të parë atë që vuajti Shpëtimtari dhe arsyen përse Ai vuajti. Kërkojini studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta mënyrën se si do ta plotësonin frazën e shkruar në tabelë, duke përdorur atë që mësuan te Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala ndihmoj te Alma 7:12 do të thotë të nxitosh të japësh lehtësim ose t’i shkosh në ndihmë dikujt.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të raportojnë se si e plotësuan frazën. Përgjigjet e tyre duhet të jenë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti vuajti dhembjet, vuajtjet, tundimet, sëmundjet, dobësitë dhe pikëllimet tona, kështu që Ai do të dinte se si të na ndihmonte. Jezu Krishti vuajti për mëkatet tona, kështu që Ai të mund t’i fshijë shkeljet tona. Kujtojuni studentëve se vuajtja e Shpëtimtarit për mëkatet e njerëzimit filloi në Gjetseman dhe vazhdoi e kulmoi me Kryqëzimin e Tij në kryq.

  • Si mund t’ju ndihmojë njohuria e asaj që vuajti Shpëtimtari dhe e arsyes përse Ai vuajti, të përballeni me sprovat, dhembjet dhe vuajtjet tuaja? (Shih DeB 45:3–5.)

  • Kur e keni ndier që Zoti ju ka ndihmuar në një rast dhembjeje, sëmundjeje ose trishtimi?

  • Çfarë ndjenjash keni përjetuar kur jeni penduar dhe i keni ndier mëkatet tuaja të fshihen (ose të hiqen) nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Përmblidheni Markun 14:43–16:20, duke shpjeguar se Jezusi u çua në një gjyq të paligjshëm përpara sinedrit (udhëheqësve judenj) dhe u dënua me vdekje. Pasi Shpëtimtari vdiq në kryq dhe u ringjall, Ai iu shfaq Apostujve të Tij dhe i dërgoi ata që të predikonin, duke u premtuar atyre se shenja do t’i ndiqnin ata që besojnë. (Shënim: Vdekja, varrosja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit u përfshinë më herët me hollësi kur studentët mësuan mbi Mateun 27–28.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Markun 16:15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar porosinë që Zoti i dha Apostujve të Tij.

  • Si mund të ndihmoni ju që ta përmbushni porosinë për t’ia predikuar ungjillin “mbarë botë[s]” sot dhe në të ardhmen?

Ju mund të doni të përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar sot.

Njësia Tjetër (Lluka 5:1–10:37)

Kërkojuni studentëve të përsiatin në qoftë se e kanë pyetur veten ndonjëherë nëse mund të falen për mëkatet e tyre. Shpjegoni që kur të studiojnë Llukën 5:1–10:37 javës që vjen, ata do të mësojnë rreth gatishmërisë së Shpëtimtarit për t’i falur mëkatet e tyre dhe atë që mund të bëjnë ata për t’u falur.