Biblioteka
Mësimi 102: Romakëve 12–16


Mësimi 102

Romakëve 12–16

Hyrje

Pali u mësoi anëtarëve në Romë që ta paraqitnin trupin e tyre si fli të gjallë te Perëndia dhe t’i bindeshin urdhërimeve të Perëndisë. Pali u mësoi gjithashtu shenjtorëve se si të ushqenin paqe kur krijoheshin mosmarrëveshje për shkak të parapëlqimeve vetjake. Kur e përfundoi këtë letër, Pali dha një paralajmërim ndaj atyre që kërkonin të mashtronin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Romakëve 12–13

Pali u mëson shenjtorëve që ta paraqesin trupin e tyre si fli të gjallë te Perëndia dhe t’i binden urdhërimeve të Perëndisë

Sillni në klasë dy enë me forma të ndryshme dhe një gotë ujë. Paraqitni ujin dhe njërën nga enët.

  • Nëse e hedh ujin në këtë enë, si do të ndryshojë forma e ujit? (Ajo do të përshtatet me formën e enës.)

Hidheni ujin në enë. Pastaj hidheni ujin në enën e dytë dhe vini në dukje se si uji përshtatet sërish me formën e enës.

Shpjegoni se në këtë demonstrim, uji përfaqëson njerëzit dhe enët përfaqësojnë bindje dhe praktika të ndryshme të botës.

  • Çfarë rreziqesh mund të vijnë nga përshtatja në mënyrë të vazhdueshme me bindjet dhe praktikat e botës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 12:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i nxiti anëtarët e Kishës në Romë të bënin.

  • Çfarë i nxiti Pali këta anëtarë të Kishës të bënin?

Shpjegoni se duke iu lutur anëtarëve të Kishës që ta jepnin trupin e tyre si “fli të gjallë” (vargu 1), Pali po bënte një krahasim me praktikën e flijimit të kafshëve në Dhiatën e Vjetër. Këto kafshë ishin oferta të përkushtuara për Perëndinë.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Pali kur shkroi: “ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë … te Perëndia”? (vargu 1). (Anëtarët e Kishës duhet t’ia përkushtojnë veten e tyre plotësisht Perëndisë duke hequr dorë nga dëshirat mëkatare.)

  • Bazuar në këshillën e Palit te vargjet 1–2, çfarë pret Perëndia nga ne? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia pret që ne t’ia përkushtojmë jetën tonë Atij dhe t’i ruhemi përshtatjes me botën. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Shpjegoni se gjatë gjithë letrës së Romakëve 12–13, Pali u mësoi anëtarëve të Kishës shumë parime që do t’i ndihmonin ata t’ia përkushtonin jetën e tyre Perëndisë dhe t’i ruheshin përshtatjes me botën. Për t’i ndihmuar studentët që të shqyrtojnë disa nga këto parime, ndajini studentët në grupe me nga tre veta. Jepini secilit student një fletë letre ku në krye të saj janë shkruar udhëzimet e mëposhtme. (Përpara orës mësimore, qarkojeni njërën prej tri referencave të shkrimit të shenjtë në secilën fletë. Sigurohuni që çdo student në secilin grup të marrë një fletë me një referencë të ndryshme të shkrimit të shenjtë të qarkuar.)

Pamja
fletushkë

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 102

Romakëve 12:9–16

Romakëve 12:17–21

Romakëve 13:8–13

  1. Lexoni fragmentin e qarkuar të shkrimit të shenjtë në krye të kësaj flete.

  2. Përzgjidhni një nga mësimet e Palit në vargjet që lexuat dhe shkruajeni atë në hapësirën poshtë. Gjithashtu shkruani se si të jetuarit e këtij mësimi mund të na ndihmojë t’ia përkushtojmë jetën tonë Perëndisë dhe t’i ruhemi përshtatjes me botën. (Nëse ju nuk jeni personi i parë që e merrni këtë fletë, ose shtoni mendimet tuaja për atë që shkruesit e mëparshëm kanë shkruar më poshtë ose shkruani rreth një mësimi tjetër [që gjendet] në vargjet e qarkuara.)

Shpjegojuni studentëve se ata do të kenë tre minuta për ta përfunduar veprimtarinë ashtu siç udhëzohet në fletën e tyre. Në fund të tre minutave, ftojini ata që t’ia kalojnë fletën e tyre një studenti tjetër në grupin e tyre. Përsëriteni këtë veprimtari në mënyrë që çdo student t’i lexojë dhe komentojë të tri fragmentet e shkrimit të shenjtë. Sigurohuni që studentët të marrin mbrapsht fletën e tyre origjinale.

Jepuni studentëve kohë që t’i rishikojnë komentet në fletët e tyre. Ftojini disa studentë që të raportojnë mbi diçka që mësuan rreth mënyrës se si ne mund t’ia përkushtojmë jetën tonë Perëndisë dhe t’i ruhemi përshtatjes me botën.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 13:14. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Pali me frazën “vishuni me Zotin Jezu Krisht”?

  • Si mund të na ndihmojnë mësimet që kemi studiuar te Romakëve 12–13 për t’u bërë si Jezu Krishti? (Pasi studentët të përgjigjen, rishikojini të vërtetat e shkruara më parë në tabelë që të shprehin sa vijon: Nëse ia përkushtojmë jetën tonë Perëndisë dhe i ruhemi përshtatjes me botën, ne mund të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.)

  • Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkushtimit të jetës së dikujt ndaj Perëndisë dhe i ruajtjes nga përshtatja me botën?

  • Si mund të ruhemi nga përshtatja me standardet e botës? (Ju mund të doni të jepni disa shembuj të veçantë të tillë si respektimi i ditës së Shabatit, stili i veshjes ose ndoshta pikëpamjet mbi çështjet kulturore apo shoqërore që bien në kundërshtim me parimet e ungjillit.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth dikujt që ata e njohin, i/e cili/a përpiqet t’ia përkushtojë jetën e tij apo të saj Perëndisë dhe t’i ruhet përshtatjes me botën.

  • Për kë menduat? Përse?

  • Në çfarë mënyrash është bërë ky individ më shumë si Shpëtimtari?

Ftojini studentët që të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e klasës, një mënyrë se si ata mund t’ia përkushtojnë jetën e tyre Perëndisë dhe t’i ruhen përshtatjes me botën. Nxitini studentët ta zbatojnë atë që shkruan.

Romakëve 14:1–15:3

Pali i këshillon anëtarët e Kishës që t’i shmangin mosmarrëveshjet në çështjet e parapëlqimeve vetjake

Kërkojuni studentëve që t’i ngrenë duart e tyre lart nëse do t’i përgjigjeshin me “po” ndonjërës prej pyetjeve të mëposhtme. Ju mund t’i ndryshoni disa nga këto pyetje në mënyrë që ato të pasqyrojnë më mirë kulturën e vendit në të cilin jetoni. Nëse e bëni këtë, përzgjidhni shembuj që janë çështje të zgjedhjes vetjake, jo çështje të bindjes ndaj urdhërimeve të përcaktuara qartësisht. Përgjigjja ndaj të gjitha këtyre pyetjeve duhet të jetë “po”.

  • A është e pranueshme që një shenjtor i ditëve të mëvonshme 1) të ndjekë një regjim ushqimor vegjetarian? 2) të hajë çokollatë? 3) të veshë pantallona të shkurtra në publik? 4) të përdorë teknologjinë në ditën e Shabatit? 5) të marrë pjesë në kremtime festash që janë të rrënjosura në tradita të tjera fetare ose kulturore?

Shpjegoni që teksa disa sjellje kërkohen ose ndalohen qartësisht nga urdhërimet e Zotit, [sjellje] të tjera u lihen parapëlqimeve apo gjykimit të anëtarëve individualë të Kishës. Këto çështje mund të përfshijnë disa aspekte si zbavitjen, veshjen, regjimin ushqimor, respektimin e ditës së Shabatit dhe rregullat prindërore për fëmijët. Zoti ka dhënë standarde dhe urdhërime që t’i drejtojnë zgjedhjet tona në disa nga këto çështje, të tilla si veshjen e pantallonave të shkurtra që janë modeste, por disa vendime i lihen gjykimit vetjak. Anëtarët ndonjëherë mund t’i bazojnë te frymëzimi vendimet e tyre lidhur me aspekte të tilla, në varësi nga situatat ose nevojat e tyre të veçanta.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Romakëve 14:1–15:3, të kërkojnë të vërtetat që jep mësim Pali për mënyrën se si duhet t’i trajtojmë çështjet e parapëlqimeve vetjake në Kishë.

Përmblidheni Romakëve 14:1–5, duke shpjeguar se një çështje e parapëlqimit vetjak që hasën anëtarët e Kishës në kohën e Palit lidhej me regjimin ushqimor të një personi. Disa njerëz nuk i zbatonin kufizimet për regjimin ushqimor. Të tjerë përmbaheshin nga mishi dhe hanin vetëm perime si një vazhdimësi e ligjeve ushqimore të ligjit të Moisiut, edhe pse këto kufizime nuk ishin më të detyrueshme (shih vargun 2, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Përveç kësaj, disa anëtarë të Kishës zgjodhën të vazhdonin t’i respektonin zakonet, praktikat dhe festat judease.

  • Çfarë problemesh mendoni se mund të jenë shfaqur brenda Kishës ndërsa anëtarët merrnin vendime të ndryshme vetjake për këto çështje?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Romakëve 14:3, duke kërkuar atë që parapëlqimet vetjake në regjimin ushqimor mund t’i kenë shtyrë disa anëtarë të Kishës të bënin.

  • Çfarë problemesh po përjetonin anëtarët e Kishës? (Disa anëtarë të Kishës po i përçmonin dhe gjykonin anëtarët e tjerë, zgjedhjet e të cilëve ishin të ndryshme nga zgjedhjet e tyre.)

  • Si mendoni ju, përse do të ketë ndodhur kjo?

Shkruani në tabelë referencën vijuese të shkrimit të shenjtë: Romakëve 14:10–13, 15, 21. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga këto vargje. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi anëtarëve të Kishës të mos bënin në këtë çështje të parapëlqimit vetjak. Pasi një student ta ketë lexuar vargun 15, shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu thotë: “Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të ushqimit tënd, ti nuk ecën më sipas dashurisë nëse ha. Prandaj mos e shkatërro atë me ushqimin tënd, atë për të cilin Krishti vdiq”.

  • Bazuar në atë që dha mësim Pali te vargu 13, çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth asaj nga e cila duhet të ruhemi për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta, ne duhet të ruhemi nga gjykimi për zgjedhjet e të tjerëve.)

  • Përse është problem kur anëtarët e Kishës i përçmojnë ose i dënojnë anëtarët e tjerë të Kishës që bëjnë zgjedhje të ndryshme për çështje kur asnjë urdhërim nuk e kërkon apo nuk e ndalon një sjellje të caktuar?

Vini në dukje frazën “mos i vini gur pengese ose skandal” në vargun 13. Shpjegoni se kjo i referohet ndikimit [që mund të kemi] tek dikush tjetër për ta penguar shpirtërisht ose për ta bërë të dështojë në përpjekjet e tij apo të saj që të besojë te Jezu Krishti dhe ta jetojë ungjillin e Tij.

  • Si mund të ndikojë tek të tjerët ngrënia e disa ushqimeve nga ana e anëtarëve të Kishës që të pengohen ose të bien shpirtërisht?

  • Çfarë i këshilloi Pali anëtarët e Kishës të bënin nëse zgjedhja e tyre vetjake e ushqimit mund ta dëmtonte shpirtërisht dikë tjetër? (Pali i këshilloi shenjtorët që të ishin të kujdesshëm ndaj ndikimit që kishin praktikat e tyre vetjake tek të tjerët dhe të ishin të gatshëm që të hiqnin dorë nga ato veprime që mund të ndikonin tek të tjerët për t’u penguar shpirtërisht.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga udhëzimet e Palit lidhur me veprimet tona për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta, ne duhet të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si zgjedhjet tona ndikojnë tek të tjerët. Shënim: Një e vërtetë e ngjashme do të diskutohet më në thellësi te 1 Korintasve 8.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 14:19. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Pali i nxiti anëtarët e Kishës të ndiqnin.

  • Si mund të ndikojë ndjekja e këshillës së Palit lidhur me çështjet e parapëlqimit vetjak në paqen dhe lartësimin që anëtarët e Kishës përjetojnë së bashku?

Kujtojuni studentëve çështjet e parapëlqimeve vetjake të renditura më parë. Kërkojuni studentëve që të përshkruajnë mënyrën se si mund ta ndjekin anëtarët e Kishës këshillën e Palit në çështje të tilla si këto.

Romakëve 15:4–16:27

Pali e përfundon letrën e tij drejtuar romakëve

Shpjegoni që ndërsa Pali po i afrohej fundit të letrës së tij, ai dha këshilla shtesë për anëtarët e Kishës në Romë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 15:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth arsyes përse u shkruan shkrimet e shenjta.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 4 rreth arsyes përse u shkruan shkrimet e shenjta? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Shkrimet e shenjta u shkruan për të na mësuar dhe për të na dhënë shpresë.)

Shpjegoni që Pali më pas e ilustroi këtë të vërtetë duke cituar disa shkrime të shenjta të Dhiatës së Vjetër për t’i bindur shenjtorët se puna misionare midis johebrenjve ishte në përputhje me planin e Perëndisë (shih Romakëve 15:9–12).

Përmblidheni pjesën tjetër të Romakëve 15–16, duke shpjeguar se Pali e përfundoi letrën e tij duke përshkruar përpjekjet e veta për të predikuar ungjillin. Ai dha gjithashtu një paralajmërim rreth atyre që shkaktojnë përçarje, japin mësim doktrina të rreme dhe përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët (shih Romakëve 16:17–18).

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Romakëve 12:1. “Paraqi[teni] trupin tuaj si fli të gjallë”

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth llojit të flijimit që ne mund t’i japim Perëndisë:

“Ne ende urdhërohemi që të bëjmë flijime, por jo me anë të derdhjes së gjakut të kafshëve. Ndjenja jonë më e lartë e flijimit arrihet kur ne e bëjmë veten tonë më të shenjtë ose të shenjtëruar. Ne e bëjmë këtë me anë të bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Pra, ligjet e bindjes dhe të flijimit janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme. … Teksa ne pajtohemi me këto dhe urdhërime të tjera, diçka e mrekullueshme ndodh me ne. Ne bëhemi të disiplinuar! Ne bëhemi dishepuj! Ne bëhemi më të shenjtë dhe të shenjtëruar – ashtu si Zoti ynë!” (“Lessons from Eve”, Ensign, nëntor 1987, f. 88).

Romakëve 13:1–7. “T’i nënshtrohet pushteteve të sipërm”

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 13:1–7 tregon se thëniet e Palit në këto vargje zbatohen për të ndjekur jo vetëm autoritetet civile, por edhe autoritetet e Kishës. Për shembull, te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Romakëve 13:1, Profeti Jozef Smith shtoi fjalët “në kishë”: “Nuk ka pushtet në kishë veçse prej Perëndisë”.

Në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Romakëve 13:4, fjala “shpatë” u ndryshua në “shufër”. Dhe në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Romakëve 13:6, fjala “tatime” (taksë) u ndryshua në “përkushtimet tuaja”.

Këshilla e Palit për “t’i[u] nënshtr[uar] pushteteve të sipërm” (Romakëve 13:1) pasqyron parimin e nenit të dymbëdhjetë të besimit: “Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sundimtarëve dhe gjykatësve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjit”. Duke i përshkruar autoritetet civile si të “caktuar[a] nga Perëndia” dhe “shërbëtorë të Perëndisë” (Romakëve 13:1, 6), Pali e pranoi se të gjithë ata që kanë pozita pushteti janë përgjegjës ndaj Perëndisë dhe kanë pushtet për aq sa ua lejon Perëndia (shih Gjoni 19:11). Pali u kujtoi gjithashtu shenjtorëve se duke bërë vepra të mira, ata nuk duhej të kishin frikë nga pushteti i eprorëve ndaj të cilëve ishin nënshtruar. Përkundrazi, duke bërë “të mirën”, shenjtorët do të merrnin lavdërime nga eprorët (shih Romakëve 13:2–4).

Romakëve 14:1–15:3. Çështje për të cilat nuk janë dhënë urdhërime të veçanta

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se në vend që të japin mësim lidhur me rregulla të veçanta për disa çështje, udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës japin mësim doktrina e parime të ungjillit. Ai më pas tha sa vijon:

“Mësuesit … përgjithësisht duhet të heqin dorë nga të dhënit mësim të rregullave apo zbatimeve të veçanta. Për shembull, ata nuk do të jepnin mësim asnjë rregull për të përcaktuar se çfarë është një e dhjetë e plotë dhe ata nuk do të jepnin një listë të gjërave që duhen bërë dhe nuk duhen bërë për mbajtjen e ditës së Shabatit të shenjtë. Kur një mësues ka dhënë mësim doktrinën dhe parimet e lidhura me të nga shkrimet e shenjta dhe profetët e gjallë, zbatimi ose rregulla të tilla të veçanta janë përgjithësisht përgjegjësia e individëve dhe familjeve” (“Gospel Teaching”, Ensign, nëntor 1999, f. 79).

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, paralajmëroi për rreziqet kur e lejojmë përforcimin vetjak për parimet e ungjillit të bëhet pritshmëri për të tjerët:

“Nganjëherë, përforcimet dashamirëse të parimeve hyjnore – shumë vijnë prej burimeve të pafrymëzuara – i ngatërrojnë çështjet më tej, duke e holluar pastërtinë e së vërtetës hyjnore me shtesa të bëra nga njerëzit. Ideja e mirë e një individi – diçka që mund të funksionojë për të – zë rrënjë dhe bëhet pritshmëri. Dhe ngadalë, parime të përjetshme mund të humbasin në labirintin e ‘ideve të mira’” (“Dashuria e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 21).