Biblioteka
Hyrje te Letra e Apostullit Judë


Hyrje te Letra e Apostullit Judë

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Apostullit Judë përshkruan forcat e braktisjes që po vepronin në Kishën e hershme. Teksa studentët e studiojnë këtë letër, ata mund të mësojnë se si të dallojnë ata njerëz që kërkojnë t’i largojnë nga besimi dishepujt e Jezu Krishtit. Studentët mund të arrijnë ta ndiejnë gjithashtu rëndësinë e të luftuarit me zell për besimin dhe për të qëndruar të vërtetë ndaj tij.

Kush e shkroi këtë libër?

Autori i kësaj letre e përcakton veten si “Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit” (Judë 1:1). Tradicionalisht autori kuptohet të jetë Juda, gjysmëvëllai i Jezu Krishtit (shih Mateu 13:55; Marku 6:3; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Jude” [“Juda”]). Juda dukej qartë se ishte një anëtar i Kishës me vlerësim të lartë në Jerusalem dhe ai mund të ketë udhëtuar si misionar (shih Veprat e Apostujve 1:13–14; 1 Korintasve 9:5). Nuk ka ndonjë të dhënë se çfarë detyre priftërie mbante Juda, por vetë letra sugjeron se ai kishte një pozitë të një autoriteti, çka e kualifikonte atë që të shkruante letra këshille.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë se ku u shkrua Letra e Judës. Nëse autori i kësaj letre ka qenë vërtet Juda, vëllai i Jezusit, ka gjasa që të jetë shkruar midis viteve 40 dhe 80 ps.K.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Letra e Judës iu drejtua të krishterëve besnikë – “të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht” (Judë 1:1). Qëllimi i shpallur prej Judës, ishte t’i nxiste lexuesit e tij të “luftoni[n me zell] për besimin” kundër mësuesve të paperëndishëm, të cilët kishin hyrë në Kishë dhe po nxitnin sjellje të pamoralshme dhe mësime të rreme që mohonin Zotin Jezu Krisht (Judë 1:3).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ndonëse është një nga librat më të shkurtër në Dhiatën e Re, Letra e Judës përmban informacion që nuk gjendet në ndonjë vend tjetër në Bibël. Juda shkroi rreth “engjëj[ve] që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë” (vargu 6; shih edhe Abraham 3:26), për kundërshtimin midis Mikaelit dhe Luciferit mbi trupin e Moisiut (vargu 9), dhe për një profeci të Enokut rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (vargjet 14–15; shih edhe Moisiu 7:65–66).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti disa karakteristika të veçanta të Letrës së Judës:

“Në të gjithë Biblën, është vetëm letra e Judës që ruan për ne konceptin se paraekzistenca ishte gjendja jonë e parë dhe se engjëj të caktuar dështuan në kalimin e provave të saj.

Është tek ai ku kthehemi për diturinë tonë të paktë rreth grindjes midis Mikaelit dhe Luciferit lidhur me trupin e Moisiut.

Vetëm ai ka të shënuar profecinë e lavdishme të Enokut rreth Ardhjes së Dytë të Birit të Njeriut” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:415).

Fjalët e Judës janë të ashpra kundër atyre që e kundërshtuan Perëndinë dhe shërbëtorët e Tij, dhe kundër atyre që ishin duke praktikuar adhurime pagane të pamoralshme dhe që pretendonin se nuk kishin nevojë t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë, përfshirë ligjin e dëlirësisë. Juda përshkroi disa prej karakteristikave të këtyre individëve të korruptuar.

Përmbledhje

Judë 1 Juda u bën thirrje anëtarëve të Kishës të “lufto[jnë me zell] për besimin” (Judë 1:3). Ai shpjegon se njerëzit kishin depërtuar pa u kuptuar midis shenjtorëve dhe po përhapnin doktrina të rreme dhe po nxitnin praktika të liga. Juda paralajmëron për gjykimet që u vijnë atyre, të cilët largohen nga Perëndia. Juda i këshillon anëtarët e Kishës që ta ndërtojnë besimin e tyre dhe të “ruh[en] në dashurinë e Perëndisë” (Judë 1:21).