Biblioteka
Hyrje te Letra e Dytë e Gjonit


Hyrje te Letra e Dytë e Gjonit

Përse të studiohet ky libër?

Në Letrën e tij të Dytë, Gjoni shprehu shqetësimin lidhur me ndikimet braktisëse në Kishë. Në të njëjtën kohë, ai shprehu gjithashtu gëzim për anëtarët e Kishës, të cilët kishin qëndruar të fortë dhe besnikë ndaj ungjillit (shih 2 Gjon 1:4). Këto fjalë ilustrojnë gëzimin dhe mirënjohjen që udhëheqësit e Kishës ndiejnë për ata që qëndrojnë besnikë ndaj Zotit. Teksa studentët studiojnë 2 Gjonin, ata mund të forcohen nga fjalët kujtuese të Gjonit për ta dashur njëri-tjetrin, për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë dhe për të qëndruar me besnikëri në doktrinën e Krishtit.

Kush e shkroi këtë libër?

Autori e përcaktoi veten si “plaku” (2 Gjon 1:1) dhe tradita thotë se Gjoni, një nga Dymbëdhjetë Apostujt e parë, e shkroi këtë letër (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “John, Epistles of” [“Gjoni, Letra të”]).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Nuk dihet me saktësi se kur dhe ku u shkrua 2 Gjoni.

Në qoftë se tradita lidhur me banimin e Gjonit për një kohë të gjatë në Efes është e saktë, ai mund ta ketë shkruar letrën prej andej midis viteve 70 dhe 100 ps.K.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Letra e Dytë e Gjonit iu shkrua “zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj” (2 Gjon 1:1). Nuk dihet nëse Gjoni po i drejtohej familjes së tij, apo ndonjë grupi tjetër të veçantë njerëzish, apo nëse po i fliste Kishës në bashkësi me gjuhë figurative.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi se 2 dhe 3 Gjoni mund të jenë letra që Gjoni ua shkroi anëtarëve të familjes së vetë atij (shih Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:409–410, f. 412–414).

Një mundësi tjetër është se “zonj[a e] zgjedhur” në të vërtetë i referohet një bashkësie të krishterësh (shih 2 Gjon 1:13). Fjala greke për kishë është e gjinisë femërore dhe ishte e zakontë që Kisha të personifikohej si grua (shih Efesianëve 5:25–27, 32; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:1–3, 7 [në shtojcën e kombinimit tresh]; Zbulesa 19:7–8).

Për sa i përket 1 Gjonit, Gjoni me sa duket e shkroi këtë letër për t’iu përgjigjur mësimeve të rreme se Jezu Krishti nuk erdhi vërtet në tokë në mish. Ai shpjegoi se anëtarët që jepnin mësim se Krishti nuk kishte një trup fizik, nuk duhej të mirëpriteshin në shtëpitë e tyre, apo në bashkësi (shih 2 Gjon 1:7–10).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Në këtë letër Gjoni paralajmëroi për mësuesit e rremë, të cilët kishin hyrë në Kishë. Ai i këshilloi anëtarët e Kishës të mos ua vinin veshin këtyre individëve dhe të mos shoqëroheshin me ta.

Përmbledhje

2 Gjon 1 Gjoni i kujton Kishës urdhërimin që ta duan njëri-tjetrin. Ai paralajmëron për mësuesit e rremë dhe mashtruesit brenda Kishës dhe i këshillon anëtarët e Kishës që të mos i lejojnë ata të qëndrojnë në bashkësitë e tyre.