Biblioteka
Hyrje tek Ungjilli Sipas Llukës


Hyrje tek Ungjilli Sipas Llukës

Përse të studiohet ky libër?

Libri i Llukës jep një dëshmi shtesë të shumë të vërtetave të shënuara nga Mateu e Marku dhe përfshin edhe një përmbajtje të veçantë. Ungjilli i Llukës mund ta thellojë të kuptuarit e studentëve për mësimet e Jezu Krishtit dhe mund t’i ndihmojë ata që ta vlerësojnë më plotësisht dashurinë dhe dhembshurinë e Tij për gjithë njerëzimin, ashtu siç u shfaq gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme.

Kush e shkroi këtë libër?

Lluka është autori i këtij Ungjilli. Ai ishte mjek (shih Kolosianëve 4:14) dhe “një lajmëtar i Jezu Krishtit” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Lluka 1:1 [te Lluka 1:1, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Lluka ishte një prej “bashkëpunëtorë[ve]” të Palit (Filemonit 1:24) dhe shoku misionar i Palit (shih 2 Timoteut 4:11). Lluka shkroi edhe librin e Veprave të Apostujve (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Luke” [“Lluka”]).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Megjithëse nuk dihet saktësisht se kur Lluka e shkroi Ungjillin e tij, ka gjasa që ai të jetë shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të parë ps. K. Burimet e Llukës ishin njerëz, të cilët “ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë” (Lluka 1:2) të shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit dhe të Ringjalljes së Tij. Ne nuk e dimë se ku u shkrua Ungjilli i Llukës.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Lluka kishte për qëllim që Ungjilli i tij të lexohej kryesisht nga një audiencë johebrease dhe ai e paraqiti Jezu Krishtin si Shpëtimtarin, si të judenjve dhe të johebrenjve. Lluka ia drejtoi veçanërisht ungjillin e tij “Teofil[it]” (Lluka 1:3), i cili në greqisht do të thotë “mik i Perëndisë” ose “i dashur nga Perëndia” (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Theophilus” [“Teofil”]). Është e dukshme që Teofili kishte marrë udhëzime të mëparshme lidhur me jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit (shih Lluka 1:4). Lluka shpresonte që të jepte udhëzime të mëtejshme duke dhënë një rrëfim sistematik të misionit dhe shërbesës së Shpëtimtarit. Ai donte për ata që e lexonin dëshminë e tij, të “nj[ihnin] vërtetësinë” (Lluka 1:4) e Birit të Perëndisë – dhembshurinë, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Llukës është ungjilli më i gjatë nga të katër ungjijtë dhe libri më i gjatë në Dhiatën e Re. Disa prej historive më të njohura të krishterimit janë të veçanta për Ungjillin e Llukës: rrethanat e lindjes së Gjon Pagëzorit (shih Lluka 1:5–25, 57–80); tregimi tradicional i Krishtlindjes (shih Lluka 2:1–20); historia e Jezusit si një djalë 12-vjeçar në tempull (shih Lluka 2:41–52); shëmbëlltyra të tilla si ajo e samaritanit të mirë (shih Lluka 10:30–37), e djalit plangprishës (shih Lluka 15:11–32), dhe e pasanikut e Llazarit (shih Lluka 16:19–31); historia e dhjetë lebrosëve (shih Lluka 17:11–19); dhe rrëfimi i Zotit të ringjallur që ecën përkrah dishepujve të tij rrugës për në Emaus (shih Lluka 24:13–32).

Tipare të tjera të veçanta janë përfshirja në librin e Llukës të mësimeve të Gjon Pagëzorit, të cilat nuk gjenden në Ungjijtë e tjerë (shih Lluka 3:10–14); theksi i tij te shpirti plot lutje i Jezu Krishtit (shih Lluka 3:21; 5:16; 9:18, 28–29; 11:1); dhe përfshirja nga ana e tij e thirrjes, trajnimit dhe punëve misionare të Të Shtatëdhjetëve (shih Lluka 10:1–22). Për më tepër, Lluka është i vetmi shkrues ungjilli që shënoi se Shpëtimtari derdhi gjakun e Tij në Gjetseman dhe se një engjëll i shërbeu Atij (shih Lluka 22:43–44).

Për shkak se Ungjilli i Llukës fillon dhe përfundon në tempull, ai tregon gjithashtu rëndësinë e tempullit si një vendndodhje kryesore në marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzimin (shih Lluka 1:9; 24:53).

Përmbledhje

Lluka 1–3 Parashikohen lindja dhe misioni i Gjon Pagëzorit, dhe ai i Jezu Krishtit. Dëshmitarët dëshmojnë se foshnja Jezus është Mesia. Në moshën 12-vjeçare, Jezu Krishti jep mësim në tempull. Gjon Pagëzori predikon pendim dhe e pagëzon Jezu Krishtin. Lluka shënon një gjenealogji të Jezu Krishtit.

Lluka 4–8 Jezu Krishti tundohet në shkretëtirë. Në Nazaret, Ai e shpall Veten e Tij si Mesia dhe nuk pranohet. Jezu Krishti zgjedh Dymbëdhjetë Apostuj dhe u jep mësim dishepujve të Tij. Ai fal mëkate dhe kryen shumë mrekulli.

Lluka 9–14 Të Dymbëdhjetë Apostujt dërgohen për të predikuar dhe për të shëruar. Jezu Krishti ushqen pesë mijë njerëz dhe shpërfytyrohet në një mal. Ai i thërret Të Shtatëdhjetët dhe i dërgon ata që të japin mësim. Jezu Krishti jep mësim rreth dishepullimit, hipokrizisë dhe gjykimit. Ai tregon shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë.

Lluka 15–17 Jezu Krishti jep mësim me shëmbëlltyra. Ai jep mësim rreth shkeljeve, besimit dhe faljes. Ai shëron dhjetë lebrosë dhe jep mësim për Ardhjen e Tij të Dytë.

Lluka 18–22 Jezu Krishti vazhdon të japë mësim me shëmbëlltyra. Ai shëron një njeri të verbër dhe mëson Zakeun. Ai hyn në mënyrë ngadhnjyese në Jeruzalem, vajton për qytetin dhe pastron tempullin. Jezu Krishti parashikon shkatërrimin e Jeruzalemit dhe flet për shenjat që do të paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë. Ai paraqet sakramentin, i mëson Apostujt e Tij dhe vuan në Gjetseman. A tradhtohet, arrestohet, përqeshet, goditet dhe merret në pyetje.

Lluka 23–24 Jezu Krishti gjykohet përpara Pilatit dhe Herodit, kryqëzohet dhe varroset. Engjëjt në varr dhe dy dishepuj rrugës për në Emaus dëshmojnë se Jezu Krishti është ringjallur. Shpëtimtari u shfaqet dishepujve të tij në Jeruzalem, u premton Apostujve të Tij se atyre do t’u jepet fuqi nga Perëndia dhe ngjitet në qiell.