Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 13:24–17:27 (Njësia 4)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 13:24–17:27 (Njësia 4)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve të cilat studentët i mësuan ndërsa studiuan Mateun 13:24–17:27 (njësia 4), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa prej këtyre doktrinave dhe parimeve. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 13:24–58)

Nga shëmbëlltyra e grurit dhe egjrës, studentët zbuluan se Zoti do t’i mbledhë të drejtët gjatë ditëve të fundit dhe më pas do t’i shkatërrojë të ligjtë në Ardhjen e Tij. Në shëmbëlltyra të tjera, ata mësuan për mbushjen e tërë tokës nga Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit dhe për bekimet e përjetshme që u vijnë atyre që sakrifikojnë për ta marrë ungjillin e Jezu Krishtit.

Dita 2 (Mateu 14)

Nga Mateu 14, studentët arritën të kuptonin se duke treguar dhembshuri për të tjerët edhe kur po përjetojmë pikëllim, ne ndjekim shembullin e Jezu Krishtit. Ata gjithashtu mësuan se në qoftë se ne kërkojmë ndihmën e Perëndisë kur besimi ynë dobësohet, Ai mund të na i heqë druajtjet dhe dyshimet tona.

Dita 3 (Mateu 15)

Nga udhëzimi i Shpëtimtarit për skribët dhe farisenjtë, studentët mësuan se në qoftë se ne dëshirojmë t’i afrohemi pranë Perëndisë, ne duhet t’i vendosim urdhërimet e Tij mbi çdo traditë e zakon që mund të kemi. Ata gjithashtu mësuan se nëse zgjedhim të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga ose të papërshtatshme, atëherë ato mendime e dëshira do të na ndotin, dhe se ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim bekime në përputhje me dëshirat tona të drejta.

Dita 4 (Mateu 16–17)

Në studimin që i bënë Mateut 16–17, studentët mësuan se Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi bazën e zbulesës nga Perëndia. Ata gjithashtu mësuan për çelësat e priftërisë që u dhanë në lashtësi dhe në kohën tonë që i lejojnë shërbëtorët e Zotit të administrojnë Kishën e Tij në tokë.

Hyrje

Jezu Krishti i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë që i kërkuan një shenjë të hyjnisë së Tij. Pjetri dha dëshmi se Jezusi është Krishti dhe iu premtuan çelësat e mbretërisë së qiejve. Idetë vijuese për mësimdhënie mund t’i ndihmojnë studentët ta kuptojnë se si t’i forcojnë dëshmitë e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 16:1–12

Farisenjtë dhe saducenjtë kërkojnë një shenjë nga Shpëtimtari

Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë sa vijon:

Nëpërmjet shfaqjes së një engjëlli

Nëpërmjet Frymës së Shenjtë

Nëpërmjet të besuarit të fjalëve të një shoku ose anëtari të familjes

Nëpërmjet dëshmimit të një mrekullie

Për ta filluar mësimin, kërkojuni studentëve të zgjedhin frazën në tabelë që përshkruan më mirë mënyrën se si do të donin të merrnin një dëshmi për ungjillin. Ftojini disa studentë të tregojnë se cilën frazë zgjodhën dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë.

Ftojini studentët që ndërsa e studiojnë Mateun 16 të kërkojnë të vërteta lidhur me mënyrën se si Zoti na ndihmon t’i marrim dhe forcojmë dëshmitë tona për ungjillin.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:1. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që farisenjtë dhe saducenjtë i kërkuan Jezusit.

  • Çfarë i kërkuan farisenjtë dhe saducenjtë Jezusit?

Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 16:2–4. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj farisenjve dhe saducenjve.

  • Çfarë shenje tha Zoti që do të jepte?

Shpjegoni se Jezusi po i referohej profetit të Dhiatës së Vjetër, Jona, i cili u gëlltit nga një “peshk [i] madh” (Jona 1:17). “Varrosja” e Jonas brenda dhe pastaj dalja nga barku i peshkut pas tri ditësh simbolizonin vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit nga varri ditën e tretë.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi shenjën e profetit Jona: “Varrosja e Jonas brenda dhe dalja nga ‘peshk[u] [i] madh’ (Jona 1:15–172) simbolizojnë vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 711–712).

  • Çfarë bëri Shpëtimtari pasi i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë?

  • Çfarë mund të mësojmë ne nga kjo përvojë për mënyrën e papërshtatshme të kërkimit të së vërtetës shpirtërore? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne nuk e marrim të vërtetën shpirtërore duke kërkuar shenja.)

Përmblidheni Mateun 16:5–12 duke shpjeguar se Shpëtimtari i paralajmëroi dishepujt e Tij për mësimet e rreme të farisenjve dhe saducenjve.

Mateu 16:13–20

Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe i premtohen çelësat e mbretërisë

Shpjegoni se pasi Jezusi i qortoi farisenjtë dhe saducenjtë ngaqë kërkuan një shenjë, Ai i mësoi dishepujt e Tij se si të merrnin një dëshmi për të vërtetën. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që bëri Jezusi dhe përgjigjen që dhanë dishepujt e Tij.

  • Çfarë pyetjeje i bëri Shpëtimtari dishepujve të Tij? Si u përgjigjën ata? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni që Elia dhe Jeremia janë profetët e Dhiatës së Vjetër Elija dhe Jeremia.)

  • Çfarë mund të na tregojë përgjigjja e tyre për masën në të cilën njerëzit e kuptuan se cili ishte Jezusi në këtë pikë të shërbesës së Tij?

Shënim: Në mësimin për ditën 4, studentët studiuan fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë Mateu 16:15–19. Merrni parasysh të kaloni disa minuta duke e përsëritur fragmentin me ta.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 16:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen e dytë që bëri Shpëtimtari.

  • Cila ishte pyetja e dytë që bëri Shpëtimtari? Si u përgjigj Pjetri?

  • Sipas vargut 17, si e dinte Pjetri që Jezusi është Biri i Perëndisë? (Vini në dukje që Ati Qiellor ia kishte zbuluar këtë të vërtetë atij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje për mënyrën se si mund të fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të dallojnë të vërtetën vijuese: Ne fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë.)

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne që të marrim një dëshmi nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë në vend të ndonjë mënyre tjetër?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë rolin e Frymës së Shenjtë në të ndihmuarin që ne të fitojmë një dëshmi për Shpëtimtarin, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Shpirti i Perëndisë, teksa i flet shpirtit të njeriut, ka fuqi ta japë të vërtetën me një ndikim e kuptueshmëri më të madhe se ç’mund të jepet e vërteta nga takimi vetjak edhe me qeniet qiellore. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë e vërteta endet deri në ind e në pejza të trupit që të mos mund të harrohet” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 187).

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta përgatitur veten tonë për të marrë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

  • Si arritët ju të merrnit dëshmi që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari juaj? Çfarë bëtë që të përgatiteshit për ta marrë atë dëshmi nga Fryma e Shenjtë?

Ftojini studentët të përsiatin për mënyrën se si mund t’i forcojnë dëshmitë e tyre ose për atë që mund t’ju duhet të bëjnë për të marrë dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nxitini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që marrin.

Njësia Tjetër (Mateu 18:1–22:26)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh një rast kur qe e vështirë për ta të falnin një person tjetër. Ftojini studentët të marrin parasysh pyetjet vijuese: Përse u ndiet i justifikuar në mos faljen e këtij personi? Përse duhet t’u falim të tjerëve shkeljet e tyre edhe nëse ndihemi të justifikuar për të mos i falur ata? Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje për këto pyetje, ndërsa vijojnë studimet e tyre në javën e ardhshme.