Biblioteka
Mësimi 144: 1 Pjetër 1–2


Mësimi 144

1 Pjetër 1–2

Hyrje

Pjetri shkroi për ta forcuar besimin e shenjtorëve, ndërkohë që ata po përjetonin një përndjekje të madhe nga Perandoria Romake. Ai theksoi se ata ishin shëlbuar nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit dhe u kujtoi atyre trashëgiminë e tyre hyjnore si një popull i fituar i Perëndisë. Pjetri i udhëzoi shenjtorët që ta lëvdonin Perëndinë midis njerëzve dhe ta duronin vuajtjen ashtu siç bëri Jezu Krishti.

Shënim: Shih “Përgatitja paraprake” në anë të faqes që të përgatiteni për mësimin 149.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Pjetër 1

Pjetri u jep mësim shenjtorëve për trashëgiminë e tyre të mundshme dhe domosdoshmërinë e provave

Pamja
shkrirësi nga derdhet metali i shkrirë

Paraqitni ose vizatoni një figurë të një shkrirësi, dhe shpjegoni se një shkrirës është një mbajtëse në të cilën rafinohen metalet apo substancat e tjera, që nënkupton se ato nxehen dhe shkrihen me qëllim që t’u hiqen papastërtitë dhe ta forcojnë produktin përfundimtar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Teksa udhëtoj anembanë Kishës, i shoh anëtarët tek sprovohen në shkrirësin e pikëllimeve” (“Hyrum Smith: ‘Firm As the Pillars of Heaven’”, Ensign, nëntor 1995, f. 9).

  • Çfarë mendoni se nënkuptonte Plaku Ballard me termin “shkrirësi [i] pikëllimeve”? (Provat sfiduese ose fatkeqësitë e jetës.)

Shpjegoni se Pjetri e shkroi Letrën e tij të Parë për t’i forcuar dhe për t’u dhënë kurajë shenjtorëve ndërkohë që kalonin në shkrirësin e pikëllimeve. Shpjegoni se deri rreth vitit 64 ps.K., pothuaj në kohën kur Pjetri e shkroi këtë letër, qeveria romake shfaqi një tolerancë të përgjithshme ndaj krishterimit. Në korrik të atij viti, një zjarr shkatërroi një pjesë të madhe të Romës. Disa romakë të njohur akuzuan të krishterët për vënien e zjarrit. Kjo çoi në një përndjekje të madhe ndaj të krishterëve kudo në perandorinë romake. Disa prej keqtrajtimeve të përjetuara nga të krishterët erdhën nga miqtë dhe fqinjët e tyre të dikurshëm.

Ftojini studentët që ndërsa e studiojnë 1 Pjetrin 1–2, të kërkojnë të vërteta që mund të na ndihmojnë për të qëndruar besnikë kur sprovohemi në shkrirësin tonë të pikëllimeve.

Përmblidheni 1 Pjetrin 1:1–2, duke shpjeguar se Pjetri i përshëndeti shenjtorët në krahinat romake të Azisë së Vogël (Turqia e ditëve të sotme) dhe u kujtoi atyre se ata ishin një popull i zgjedhur, duke nënkuptuar se ata u zgjodhën për të marrë bekime të veçanta ndërsa jetonin besnikërisht.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 1:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri u kujtoi shenjtorëve rreth asaj që kishte bërë Krishti dhe për bekimet e ardhshme që u ishin premtuar shenjtorëve.

  • Çfarë bekimesh të ardhshme do të merrnin shenjtorët nëse do të qëndronin besnikë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 1:6, dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si iu përgjigjën shenjtorët premtimit për këto bekime të ardhshme. Shpjegoni se fjala provavargun 6 i referohet sprovave dhe pikëllimeve (shih poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Si iu përgjigjën shenjtorët premtimit për këto bekime të ardhshme? (Ata u gëzuan së tepërmi.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargjet 3–6? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Megjithëse përjetojmë prova, ne mund të gëzohemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe në bekimet e ardhshme që Perëndia ka premtuar të na japë.)

  • Në ç’mënyrë na ndihmon mbajtja mend e bekimeve të ardhshme që Perëndia ka premtuar të na japë, që të gëzohemi edhe kur përjetojmë prova?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 1:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri dha mësim rreth provës së besimit të shenjtorëve.

  • Sipas 1 Pjetrit 1:7, me çfarë e krahasoi Pjetri besimin e provuar apo të sprovuar të shenjtorëve?

  • Në çfarë mënyrash besimi i provuar mund të jetë si ari? (Besimi që është provuar, ashtu sikurse ari, është i çmuar. Sidoqoftë, besimi është më i çmuar nga ari sepse ari “prishet” [vargu 7], ndërkohë që besimi në Jezu Krisht çon drejt shpëtimit [shih vargun 9], i cili është i përjetshëm. Përveç kësaj, ari përmirësohet nga zjarri. Në mënyrë të ngjashme, besimi ynë në Jezu Krisht sprovohet dhe përmirësohet kur ne i durojmë provat me besnikëri. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili shpjegoi mënyrën se si ne mund të qëndrojmë të paepur dhe të palëvizshëm gjatë një prove të besimit:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Si vazhdoni ju të jeni të ‘paepur dhe të palëvizshëm’ [Alma 1:25] gjatë një prove besimi? Zhytuni pikërisht në gjërat që ju ndihmuan të zhvilloni bërthamën tuaj të besimit: ju ushtroni besim te Krishti, ju luteni, ju mendoheni thellë për shkrimet e shenjta, ju pendoheni, ju zbatoni urdhërimet dhe ju u shërbeni të tjerëve.

Kur përballeni me një provë të besimit – çfarëdo që të bëni, mos iu largoni Kishës! T’i largohesh mbretërisë së Perëndisë gjatë një prove besimi, është si të lësh sigurinë e një vendstrehimi për stuhi pikërisht kur shfaqet uragani” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 40).

  • Çfarë na nxiti Plaku Andersen të bëjmë gjatë provave të besimit tonë?

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ne t’i bëjmë këto gjëra kur besimi ynë sprovohet?

Vini në dukje se disa prej shenjtorëve të cilëve Pali u shkroi mund të jenë tunduar ta braktisnin besimin e tyre ndërsa përjetonin përndjekje fetare. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Pjetrin 1:13–17, duke kërkuar porositë që dha Pjetri për t’i ndihmuar shenjtorët që t’i duronin provat e tyre me besnikëri. Merreni parasysh që t’i ftoni studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë i nxiti Pjetri shenjtorët të bënin?

  • Si mund t’i kenë ndihmuar ata këshillat e Pjetrit për t’i duruar provat e tyre me besnikëri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 1:18–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat shtesë që Pjetri u mësoi shenjtorëve për t’i ndihmuar ata që t’i duronin provat e tyre me besnikëri në vend që ta braktisnin besimin e tyre.

  • Çfarë të vërtetash u mësoi Pjetri shenjtorëve në këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një ose më shumë nga të vërtetat vijuese: Ne shëlbehemi nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit. Për shkak se Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë, Ai mund ta jepte Veten e Tij si një flijim të përsosur për ne. Jezu Krishti u parashugurua për të qenë Shëlbuesi ynë.)

  • Si mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët të kujtuarit e këtyre të vërtetave për t’i duruar provat e tyre me besnikëri?

Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë rëndësinë e të vërtetave që kanë përcaktuar te 1 Pjetri 1, ftojini të mendojnë për një rast kur ata ose dikush që ata njohin zgjodhi ta duronte një provë me besim në Jezu Krisht. Kërkojuni disa studentëve që t’ia tregojnë klasës përvojat e tyre.

Nxitini studentët të përsiatin rreth asaj që do të bëjnë për të qëndruar besnikë kur sprovohen në shkrirësin e pikëllimeve.

Përmblidheni 1 Pjetrin 1:22–25, duke shpjeguar se Pjetri i nxiti shenjtorët që ta donin njëri-tjetrin dhe të mbanin mend se ata ishin ringjizur me anë të përqafimit të fjalës së Perëndisë, e cila mbetet përgjithmonë.

1 Pjetër 2:1–12

Pjetri vë theksin te përgjegjësitë e shenjtorëve

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si anëtarët e Kishës janë të ndryshëm nga bota?

  • Cilat janë disa nga sfidat që mund të hasim ngaqë jemi të ndryshëm?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Pjetrin 2, të kërkojnë një parim që do ta forcojë dëshirën e tyre për të qenë të ndryshëm nga bota si anëtarë të Kishës së Zotit.

Përmblidheni 1 Pjetrin 2:1–8, duke shpjeguar që Pjetri dha mësim se shenjtorët janë si gurë të gjallë dhe se Jezu Krishti është si një gur qosheje apo themel për besnikët. Por për ata që janë të pabindur, Ai është një “gur pengese dhe shkëmb skandali” (vargu 7), duke nënkuptuar se ata pengohen prej Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 2:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pjetri shenjtorët besnikë.

  • Si i përshkroi Pjetri shenjtorët besnikë?

Vini në dukje se fjala i fituarvargun 9 u përkthye nga një fjalë greke që do të thotë të blihesh ose të ruhesh dhe përputhet me një fjalë hebraike te Eksodi 19:5, që tregon se populli i besëlidhjes i Perëndisë përbën një zotërim të veçantë apo një thesar të çmuar për Të (shih 1 Pjetër 2:9, poshtëshënimin f [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Si mund t’i kenë ndihmuar shenjtorët fjalët që përdori Pjetri për t’i përshkruar ata në vargjet 9–10, që të merrnin zemër ndërkohë që përjetonin përndjekje fetare?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 2:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri iu përgjërua shenjtorëve të bënin si populli i fituar i Zotit. Shpjegoni se Pjetri mund t’i ketë quajtur shenjtorët “të huaj” dhe “shtegtarë”, ose ngaqë ata jetonin midis njerëzve që ishin ndryshe nga shenjtorët nga pikëpamja kulturore dhe fetare, ose ngaqë ata ishin larg shtëpisë së tyre qiellore, duke jetuar përkohësisht si të vdekshëm.

  • Sipas vargut 11, çfarë tha Pjetri se duhet të bëjnë shenjtorët që të veçohen nga bota?

  • Sipas vargut 12, çfarë ndikimi tha Pjetri se mund të kishin shenjtorët tek të tjerët si populli i zgjedhur dhe i fituar i Perëndisë?

  • Çfarë të vërtete mësojmë nga Pjetri rreth asaj që Perëndia i thërret shenjtorët e Tij të bëjnë? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Perëndia i thërret shenjtorët e Tij që të jenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota, në mënyrë që të tjerët të mund ta shohin shembullin e tyre dhe ta lëvdojnë Atë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Motra Elen S. Dalton, e cila shërbeu si presidente e përgjithshme e organizatës së Të Rejave:

Pamja
Elen S. Dalton

“Nëse dëshironi të bëni një ndryshim në botë, ju duhet të jeni ndryshe nga bota” (“Tani Është Koha për t’u Ngritur e Shkëlqyer!” Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 124).

  • Në ç’mënyrë zgjedhja juaj për të qenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota, ka ndikuar tek të tjerët për mirë apo ka ndihmuar që t’i udhëheqë ata për te Perëndia?

Nxitini studentët të marrin në shqyrtim atë që mund të bëjnë më mirë për të qenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota në mënyrë që të mund të jenë një shembull. Ftojini ata të veprojnë sipas çdo mbrese që mund të marrin.

1 Pjetër 2:13–25

Pjetri i këshillon shenjtorët që ta durojnë vuajtjen ashtu siç bëri Shpëtimtari

Përmblidheni 1 Pjetrin 2:13–18, duke shpjeguar se Pjetri u mësoi shenjtorëve që t’u nënshtroheshin ligjeve dhe autoriteteve civile që i qeverisnin ata (përfshirë perandorit romak, i cili e nxiste përndjekjen ndaj tyre; shih edhe DeB 58:21–22). Ai u dha zemër atyre që po përjetonin vështirësi si shërbëtorë, që ta përballonin vuajtjen e tyre me durim dhe të mbanin mend se Perëndia ishte në dijeni të tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 2:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën e Pjetrit për shenjtorët mbi mënyrën se si duhet t’i duronin vuajtjet.

  • Cila ishte këshilla e Pjetrit për mënyrën se si shenjtorët duhet t’i duronin vuajtjet e tyre?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje 1 Pjetrin 2:21–25, duke kërkuar përshkrimin e Pjetrit mbi mënyrën se si iu përgjigj Jezu Krishti përndjekjes.

  • Si iu përgjigj Krishti përndjekjes?

  • Sipas vargut 21, cila është një arsye përse Shpëtimtari vuajti për ne?

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë nga vargjet 21–25 për durimin e provave? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i përballuar provat me durim.)

Jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe ftojini studentët të marrin në shqyrtim atë që mund të bëjnë më mirë për ta ndjekur shembullin e Tij në përballimin e provave me durim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Pjetër 1:6–8. “Që prova e besimit tuaj … të dalë për lëvdim, nder e lavdi”

Plaku Orson F. Uitni, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth asaj që mund të vijë si rrjedhojë e provave që vuajmë në këtë jetë:

“Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sfidë që përjetojmë nuk shkon dëm. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia. Gjithçka që vuajmë dhe gjithçka që durojmë, veçanërisht kur e përballojmë atë me durim, forcon karakterin tonë, pastron zemrën tonë, ngre shpirtin tonë dhe na bën më të butë e të dashur, më të denjë që të quhemi fëmijët e Perëndisë … dhe është nëpërmjet dhembjes dhe vuajtjes, rraskapitjes dhe mundimit, që e fitojmë edukimin të cilin erdhëm që ta marrim këtu dhe i cili do të na bëjë më shumë si Ati dhe Nëna jonë në qiell” (në Spencer W. Kimball, Faith Precedes the Miracle [1972], f. 98).

1 Pjetër 2:18–25. Jezu Krishti dha shembullin se si duhet ta durojmë vuajtjen

Plaku Aleksandër B. Morrison, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

“Pjetri, apostulli i madh, i cili vetë vuajti vdekjen e një martiri (shih Gjoni 21:18–19), e pranoi se merita hyjnore lidhet me durimin e vuajtjes për hir të Krishtit, por ajo pak lavdi na shtohet neve nëse vuajmë [si pasojë e] vetë mëkateve tona. Ai shkroi: ‘Është gjë e lavdërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrëngime duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë’. (1 Pjetër 2:19–20.) Kur durojmë vuajtje të pamerituara, ne zhvillojmë cilësi si të Krishtit të cilat e përsosin shpirtin tonë dhe na sjellin më pranë Tij” (Feed My Sheep: Leadership Ideas for Latter-day Shepherds [1992], f. 166).