Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Efesianëve


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Efesianëve

Përse të studiohet ky libër?

“Efesianëve është një letër për të gjithë botën, për judeun dhe johebreun, për bashkëshortin dhe bashkëshorten, për prindin dhe fëmijën, për zotërinë dhe shërbëtorin. Ishte mendja dhe vullneti i Perëndisë në kohën e Palit; është zëri i frymëzimit në kohën tonë; është një letër thirrjeje dhe zbatueshmërie gjithëpërfshirëse.

… Ajo përmban disa nga shkrimet më të mira të Palit dhe është një dokument që ka të bëjë me parimet bazë, me ungjillin e Perëndisë në të gjithë lavdinë e tij shpëtuese” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:489).

Studimi i Letrës drejtuar Efesianëve mund t’i frymëzojë studentët për t’i vënë mënjanë gjërat e kësaj bote dhe mund t’i ndihmojë ata të rriten shpirtërisht dhe të mësojnë që t’i përkasin më plotësisht unitetit dhe anëtarësisë në Kishë.

Kush e shkroi këtë libër?

Apostulli Pal e shkroi Letrën drejtuar Efesianëve (shih Efesianëve 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Pali tha se ishte një i burgosur gjatë kohës që shkroi Letrën drejtuar Efesianëve (shih Efesianëve 3:1; 4:1; 6:20). Efesianëve mund të jetë shkruar gjatë burgimit të parë të Palit në Romë, rreth viteve 60–62 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org). Gjatë kësaj kohe, Pali po mbahej në arrest shtëpie, por ai kishte lirinë të priste vizitorë dhe ta jepte mësim ungjillin (shih Veprat e Apostujve 28:16–31).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Në Variantin e Mbretit Xhejms të Biblës [në anglisht], tek Efesianëve 1:1 thuhet se Letra drejtuar Efesianëve i kushtohet “shenjtorëve që janë në Efes”. Sidoqoftë, dorëshkrimet e hershme të efesianëve nuk i përmbajnë fjalët “që janë në Efes”. Kjo sugjeron mundësinë se Pali mund të mos e ketë shkruar letrën veçanërisht për efesianët por për një sërë bashkësish të shenjtorëve, përfshirë edhe ata në Efes. Efesi shërbente si epiqendra e Palit gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar (shih Veprat e Apostujve 19:9–10; 20:31), dhe ai pati një përzemërsi të madhe për këta njerëz (shih Veprat e Apostujve 20:17, 34–38).

Në këtë letër, Pali iu drejtua anëtarëve johebrenj të Kishës (shih Efesianëve 2:11), të cilët ndofta ishin të kthyer së fundi në besim (shih Efesianëve 1:15). Ai u shkroi atyre që tashmë ishin anëtarë, për t’i ndihmuar në rritjen e shpirtshmërisë dhe dëshmive. Qëllimet e tij kryesore ishin t’i ndihmonte këta të kthyer në besim ta rritnin njohurinë e tyre shpirtërore për Perëndinë dhe Kishën (shih Efesianëve 1:15–18; 3:14–19); të nxiste unitetin, veçanërisht midis shenjtorëve johebrenj dhe judeas (shih Efesianëve 2:11–22; 4:1–16; 5:19–6:9) dhe t’u jepte kurajë shenjtorëve që t’i bënin ballë fuqive të së ligës (shih Efesianëve 4:17–5:18; 6:10–18). Shumë shenjtorë në Efes po jetonin një jetë mjaftueshëm të drejtë aq sa për t’u vulosur për jetë të përjetshme (shih Efesianëve 1:13; Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 2:493–494).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Efesianëve përmban shumë mësime dhe ide që janë të njohura për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, përfshirë parashugurimin, periudhën e plotësisë së kohërave, Frymën e Shenjtë të Premtimit, rëndësinë e profetëve dhe apostujve, idenë e një Kishe të vërtetë e të bashkuar dhe detyrat, thirrjet dhe funksionet e ndryshme brenda organizimit të Kishës. Kjo letër përmban gjithashtu disa nga mësimet më sublime për familjen që gjenden kudo në shkrimet e shenjta.

Përmbledhje

Efesianëve 1:1–4:16 Pali shkruan për parashugurimin e shenjtorëve për të marrë ungjillin; periudhën e plotësisë së kohërave; vulosjen nga Fryma e Shenjtë e Premtimit; shpëtimin me anë të hirit; njësimin e shenjtorëve johebrenj dhe judeas në Kishë; një Zot, një besim, një pagëzim; qëllimin e Kishës; dhe organizimin e Kishës mbi themelin e profetëve dhe apostujve, me Jezu Krishtin si vetë gurin e qoshes. Pali jep mësim se Perëndia do t’i mbledhë të gjitha gjërat bashkë në Krishtin në periudhën e plotësisë së kohërave.

Efesianëve 4:17–6:24 Pali i nxit shenjtorët që ta zbatojnë doktrinën e vërtetë në jetën e tyre të përditshme. Ai i nxit ata ta zhveshin njeriun e vjetër (mëkatet e tyre të mëparshme) dhe ta veshin njeriun e ri që bëhen nëpërmjet Krishtit. Ai u jep këshilla bashkëshorteve, bashkëshortëve, fëmijëve, prindërve, shërbëtorëve, zotërinjve dhe bashkësive. Ai i nxit shenjtorët të “v[eshin] gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11).