Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Filemonit


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Filemonit

Përse të studiohet ky libër?

Letra drejtuar Filemonit përmban këshilla vetjake nga Pali lidhur me situatën e skllavit të Filemonit, Onesimin. Ndërsa studentët e studiojnë këtë letër, ata mund të mësojnë se kur njerëzit bashkohen me Kishën e Jezu Krishtit, ata bëhen vëllezër e motra në ungjill (shih Filemonit 1:16). Studentët gjithashtu mund të arrijnë të kuptojnë rëndësinë e detyrës që kanë dishepujt e Jezu Krishtit për t’u dhënë mëshirë dhe falje të tjerëve (shih Filemonit 1:16–17).

Kush e shkroi këtë libër?

Pali e shkroi Letrën drejtuar Filemonit (shih Filemonit 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Letra drejtuar Filemonit u shkrua nga Pali gjatë burgimit të parë të Apostullit në Romë, rreth viteve 60–62 ps.K. (shih Filemonit 1:1, 9; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

“[Kjo] është një letër personale rreth Onesimit, një skllavi që e kishte grabitur pronarin e tij, Filemonin, dhe ishte larguar për në Romë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100). Me gjasë Filemoni ishte një grek i kthyer në besim dhe ishte banor i Kolosit (shih Kolosianëve 4:9). Ai lejoi që bashkësia e Kishës të mblidhej në shtëpinë e tij (shih Filemonit 1:2, 5). Pasi u arratis, Onesimi u bashkua me Kishën dhe u bë “vëlla [i] dashur … në Zotin” (Filemonit 1:16; shih Filemonit 1:10–12).

Pali i shkroi Filemonit për ta nxitur atë që ta pranonte Onesimin sërish si vëlla në ungjill, pa sjellë mbi të ndëshkimet e rënda që merrnin zakonisht skllevërit e arratisur (shih Filemonit 1:17). Pali madje ofroi të shlyente çfarëdo humbje financiare që Onesimi kishte shkaktuar të binte mbi Filemonin (shih Filemonit 1:18–19).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Filemonit është letra më e shkurtër dhe ndoshta më vetjakja nga letrat e Palit. Është një letër drejtuar një individi në mënyrë private; si e tillë, ajo nuk përfshin shumë përmbajtje doktrinore. Sidoqoftë, përgjërimi i Palit ndaj Filemonit për t’u pajtuar me skllavin Onesim, ilustron se si doktrinat e ungjillit zbatohen në jetën e përditshme – në këtë rast, duke treguar se marrëdhënia jonë me Jezu Krishtin na sjell në një marrëdhënie familjare me të gjithë pasuesit e tjerë të Krishtit dhe nxjerr në pah rëndësinë e mëshirës dhe faljes.

Përmbledhje

Filemonit 1 Pali e përgëzon Filemonin për dashurinë që kishte treguar për shenjtorët. Pali i thotë Filemonit se skllavi i tij i arratisur, Onesimi, ishte kthyer në besim në ungjill. Pali i kërkon Filemonit ta pranojë sërish Onesimin si vëlla në Zotin. Pali ofron t’i shpaguajë Filemonit çfarëdo humbje financiare që Onesimi kishte shkaktuar të binte mbi të.