Biblioteka
Mësimi 103: 1 Korintasve 1–2


Mësimi 103

1 Korintasve 1–2

Hyrje

Pasi mësoi për problemet që po përjetonin anëtarët e Kishës në Korint, Pali u shkroi këtyre anëtarëve dhe u bëri thirrje që ta eliminonin grindjen dhe të bëheshin të bashkuar. Ai gjithashtu shpjegoi se Perëndia i thërret të dobëtit dhe të përulurit për të predikuar ungjillin e Tij dhe se gjërat e Perëndisë mund të dihen e të kuptohen vetëm nëpërmjet Shpirtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 1:1–16

Pali u shkruan shenjtorëve në Korint dhe u bën thirrje që ta eliminojnë grindjen dhe të jenë të bashkuar

Tregojini klasës një fotografi të një familjeje, një ekipi sportiv dhe një grupi miqsh (ose shkruani në tabelë fjalët familje, ekip sportiv, grup miqsh).

  • Çfarë mund të shkaktojë përçarje dhe grindje në secilin prej këtyre grupeve?

  • Si mund të ndikojnë përçarje dhe grindje të tilla në një familje, ekip apo grup miqsh?

  • Si mund të ndikojnë në Kishë përçarje dhe grindje të tilla midis anëtarëve të Kishës?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 1, të kërkojnë një të vërtetë rreth përçarjeve dhe grindjeve që Pali ua mësoi shenjtorëve në Korint.

Ftojini studentët të shkojnë te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” që gjendet tek Udhëzuesi i Shkrimeve të Shenjta dhe të gjejnë Korintin në hartë.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, Pali mori rrugëtimin drejt një qyteti të quajtur Korint, ku ai predikoi ungjillin. Në atë kohë u pagëzuan shumë njerëz (shih Veprat e Apostujve 18:1–18). Më vonë, ndërkohë që Pali po predikonte në Efes, ai mësoi se midis anëtarëve të Kishës në Korint kishin dalë probleme për shkak të disa të kthyerve në besim, të cilët po u ktheheshin bindjeve dhe zakoneve të hershme të adhurimit të idhujve. Pali u shkroi anëtarëve të Kishës në Korint për t’i forcuar ata dhe për t’u kujtuar zotimin e tyre për t’i shërbyer Zotit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 1:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si iu drejtua Pali anëtarëve të Kishës në Korint.

  • Si iu drejtua Pali anëtarëve të Kishës në Korint?

  • Sipas vargut 1, çfarë pozicioni kishte Pali në Kishë?

Përmblidheni 1 Korintasve 1:3–9, duke shpjeguar që Pali u tha shenjtorëve në Korint se ai e falënderonte Perëndinë në emër të tyre për hirin që ata kishin marrë nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili i kishte bekuar në çdo mënyrë. Vini në dukje se kur Pali iu drejtua shenjtorëve, ai përdori një gjuhë që tregonte se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë qenie më vete (shih vargun 3).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 1:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i nxiti shenjtorët korintas të bënin.

  • Sipas 1 Korintasve 1:10, çfarë pret Zoti që ne si anëtarë të Kishës të bëjmë? (Duke përdorur fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Zoti pret nga ne si shenjtorë që të jemi të bashkuar dhe t’i eliminojmë përçarjet dhe grindjet.)

  • Çfarë mund të bëjmë ne si anëtarë të Kishës për t’i eliminuar përçarjet dhe grindjet në familjet tona? Në lagjet tona? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Çfarë bekimesh mund të marrim ne nga të qenit të bashkuar dhe nga eliminimi i grindjeve?

  • Kur jeni bekuar si pasojë e të qenit të bashkuar si klasë, kuorum, ose lagje apo degë?

Drejtojini studentët te përgjigjet e shkruara në tabelë dhe nxitini ata që të përzgjedhin një mënyrë se si t’i eliminojnë përçarjet e grindjet dhe të vënë një synim për ta zbatuar atë.

Përmblidheni 1 Korintasve 1:12–16, duke shpjeguar se shenjtorët në Korint po ndaheshin në grupe, në bazë të personit që i kishte pagëzuar ata. Grindja filloi të shtohet sepse ata besonin se pozicioni i tyre në Kishë përcaktohej nga rëndësia e personit që i kishte pagëzuar ata.

1 Korintasve 1:17–31

Pali jep mësim se Perëndia thërret të dobëtit për të predikuar ungjillin e Tij

Shpjegoni se gjatë kohës së Palit, në Korint jetonin shumë grekë. Këta grekë i jepnin një vlerë të madhe ideve filozofike dhe diturisë së botës.

  • Përse dikush që i vlerëson filozofitë e botës mund ta ketë të vështirë ta pranojë ungjillin? (Ju mund të doni të lexoni 2 Nefin 9:28.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 1:17–31, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë të kuptojnë gabueshmërinë e diturisë së botës.

Ndajeni klasën në katër grupe. Caktojini secilit grup një prej referencave të shkrimit të shenjtë vijues: 1 Korintasve 1:17–18; 1 Korintasve 1:19–20; 1 Korintasve 1:21–22; dhe 1 Korintasve 1:23–24. Ftojini studentët t’i lexojnë këto vargje në grupet e tyre, duke kërkuar atë që tha Pali rreth diturisë së botës përkundrejt diturisë së Perëndisë. Shpjegoni që fraza “sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj” në vargun 17, sugjeron se Pali nuk u dërgua të krijonte një emër bazuar te numri i të kthyerve në besim që ai do të arrinte. Ju mund të doni të shpjegoni se frazat “dituria e të diturve” në vargun 19 dhe “dituri[a] e kësaj bote” në vargun 20 i referohen traditave të gabuara filozofike të kohës.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup të përmbledhë për klasën atë që Pali u mësoi shenjtorëve korintas për diturinë. Pasi të kenë folur të gjitha grupet, bëni pyetjen:

  • Si mendoni ju, përse jobesimtarët e konsideronin marrëzi mesazhin e Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 1:25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali për diturinë njerëzore në krahasim me diturinë e Perëndisë. Shpjegoni se Pali përdori frazat “marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit” dhe “dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit” për të përçuar diturinë dhe fuqinë absolute të Perëndisë. Perëndia nuk është i marrë, as nuk ka ndonjë dobësi.

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali për diturinë njerëzore në krahasim me diturinë e Perëndisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Dituria e Perëndisë është më e madhe se dituria njerëzore.)

  • Në çfarë mënyrash të kuptuarit e kësaj të vërtete mund të ndikojë në mënyrën se si dikush kërkon zgjidhje për problemet e tij ose të saj?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 1:26–27. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kë zgjedh Perëndia për ta predikuar ungjillin e Tij.

  • Kë zgjedh Perëndia për ta predikuar ungjillin e Tij?

  • Si mendoni ju, përse Perëndia zgjedh ata që bota i konsideron të marrë dhe të dobët për ta predikuar ungjillin e Tij?

1 Korintasve 2

Pali shpjegon mënyrën se si i mësojmë ne gjërat e Perëndisë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Në aeroplan u ula pranë një ateisti të deklaruar, i cili këmbëngulte me kaq rrëmbim për mosbesimin tij në Perëndi saqë unë i dëshmova atij. ‘E ke gabim’, i thashë, ‘ka një Perëndi. E di se Ai jeton!’

Ai kundërshtoi: ‘Ti nuk e di. Askush nuk e di këtë! Ti nuk mund ta dish atë!’ Kur [e pa] që nuk po dorëzohesha, ateisti, i cili ishte avokat, bëri ndoshta pyetjen më elementare mbi çështjen e dëshmisë. ‘Shumë mirë’, tha ai në një mënyrë thumbuese, mospërfillëse, ‘ti thua se e di. Më thuaj se si e di’.

Kur u orvata që t’i përgjigjesha, edhe pse kisha diploma akademike të avancuara, unë isha i pashpresë për ta kumtuar. …

Kur përdora fjalët Shpirt dhe dëshmi, ateisti u përgjigj: ‘Nuk e di për çfarë e ke fjalën’. Fjalët lutje, dallim, dhe besim ishin po ashtu të pakuptimta për të. ‘E shikon’, tha ai, ‘në të vërtetë ti nuk e di. Nëse do ta dije, do të ishte i aftë të më tregoje se si e di’.

Nuk … dija se çfarë të bëja” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 51).

  • Çfarë do t’i kishit thënë ateistit?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 2, të kërkojnë një të vërtetë që do t’i ndihmojë të dinë përse ky burrë nuk mund ta kuptonte Presidentin Paker dhe përse ata mund të kenë besim në njohurinë e tyre për çështje shpirtërore.

Përmblidheni 1 Korintasve 2:1–8, duke shpjeguar se Pali u tha shenjtorëve në Korint se ai nuk përdori diturinë e botës për t’i bindur ata për ungjillin. Ai u dha mësim atyre me anë të Shpirtit në mënyrë që ata të kishin besim në Perëndi. Pali u tha gjithashtu atyre se jobesimtarët nuk mund t’i kuptojnë misteret e Perëndisë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Korintasve 2:9–16. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Pali tha se disa njerëz mund t’i dinë dhe t’i kuptojnë “të thellat e Perëndisë” (vargu 10), ndërsa të tjerë nuk munden.

  • Sipas vargjeve 9–10, përse Pali dhe njerëzit e tjerë besnikë mund t’i kuptonin gjërat e Perëndisë?

  • Sipas vargut 14, përse disa njerëz nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat e Perëndisë?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: (Ne mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij.)

Referojuni rrëfimit të Presidentit Paker dhe shpjegoni se Presidenti Paker u ndie i frymëzuar për ta pyetur burrin e ulur pranë tij në aeroplan se çfarë shije ka kripa. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën tjetër të rrëfimit të Presidentit Paker:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Natyrisht, pas disa orvatjeve, ai nuk mundi ta shpjegonte atë. Ai nuk mundi ta përçonte vetëm me fjalë, një përvojë kaq të zakonshme siç është shija e kripës. Unë i dëshmova atij sërish dhe i thashë: ‘E di se ka një Perëndi. Ju u tallët me atë dëshmi dhe thatë që nëse e dija, unë do të mund t’jua tregoja saktësisht se si e di. Miku im, duke folur në mënyrë shpirtërore, unë e kam shijuar kripën. Unë jam në gjendje t’jua përçoj me fjalë se si më ka ardhur kjo njohuri, po aq sa ju jeni në gjendje të më thoni se çfarë shije ka kripa. Por unë ju them sërish se ka një Perëndi! Ai jeton! Dhe vetëm se ju nuk e dini, mos u përpiqni të më tregoni se unë nuk e di, sepse unë e di!’

Kur u ndamë, e dëgjova atë të pëshpëriste: ‘Nuk kam nevojë ta përdor fenë tuaj si patericë! Nuk kam nevojë për të’.

Që prej asaj përvoje e më tej, nuk kam qenë kurrë në siklet apo i turpëruar që nuk mund të shpjegoja vetëm me fjalë çdo gjë që unë e di në mënyrë shpirtërore” (“The Candle of the Lord”, f. 52).

Shkruani në tabelë fjalët Gjërat e Perëndisë dhe pyetini studentët se çfarë do të konsideroheshin si gjëra të Perëndisë që mund të dihen e kuptohen vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë.

  • Përse është e rëndësishme që ne të besojmë se mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij?

Drejtojini studentët te lista në tabelë dhe ftojini ata që të tregojnë një përvojë në të cilën ata arritën të dinin dhe të kuptonin nëpërmjet Shpirtit njërën prej këtyre gjërave të Perëndisë. Merreni parasysh të tregoni një përvojë tuajën.

Nxitini studentët të marrin në shqyrtim atë që mund të bëjnë për të kërkuar ndihmën e Shpirtit ndërsa përpiqen t’i dinë dhe t’i kuptojnë gjërat e Perëndisë.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e shpjeguara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 1:17–2:13. Dituria e botës

“Kur Pali foli kundër ‘dituri[s]ë [së] kësaj bote’ (1 Korintasve 1:20), ai po i referohej traditave të gabuara filozofike të kohës së tij dhe jo kërkimit të dobishëm për të mësuar dhe për t’u arsimuar, të cilat Zoti i nxit (shih Mateu 22:37; 2 Nefi 9:29; DeB 88:78–80). Pali i përdori vazhdimisht fjalët të diturve dhe dituria te 1 Korintasve 1:17–2:13 për t’iu referuar filozofive të botës dhe atyre që i përkrahnin ato. Idetë filozofike ishin rregullisht çështje të debateve publike. Pali e krahasoi diturinë e kufizuar njerëzore me mesazhin e fuqishëm të Birit të kryqëzuar të Perëndisë (shih 1 Korintasve 1:17–25). Pavarësisht nga ata që e përçmonin ungjillin, besimi i shenjtorëve nuk duhej të varej nga ‘dituri[a] e njerëzve, por [nga] fuqi[a] e Perëndisë’ (1 Korintasve 2:5).

Mesazhi i një Mesie të kryqëzuar ishte i vështirë që të pranohej si nga judenjtë edhe nga johebrenjtë. Në botën romake, kryqëzimi ishte një ndëshkim që rezervohej për kriminelët ose skllevërit dhe simbolizonte turp e disfatë. Ideja e dikujt që vuan dhe vdes si mëkëmbës, e më vonë kthehet në jetë, ishte ‘marrëzi’ për mendimtarët filozofë grekë (1 Korintasve 1:23). Për judenjtë, koncepti i të cilëve për Mesian solli pritshmëri për mbretërimin, fuqinë dhe fitoren, mesazhi se Mesia kishte vdekur në kryq ishte një ‘skandal’ dhe një ide e papranueshme (1 Korintasve 1:23)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 364).

1 Korintasve 1:18–29 “Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët”

“Ndërkohë që shumë judenj dhe johebrenj e refuzuan mesazhin e ungjillit si ‘marrëzi’ (1 Korintasve 1:18), Pali dha mësim se ‘marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit’ (1 Korintasve 1:19–25). Perëndia shpesh e kryen punën e Tij nëpërmjet individëve që bota mund t’i konsiderojë ‘të marrë’ ose ‘të dobët’ (shih DeB 35:13–14; 124:1). Te 1 Korintasve 1:28, ‘gjërat jo fisnike të botës’ – ata që janë të thjeshtë dhe të përulur – janë ata që Perëndia i zgjedh të kryejnë punën e Tij” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 364).

1 Korintasve 2:6–16. “Gjërat e Perëndisë” “gjykohen frymërisht”.

Për shkak se “gjërat … [e] Frymës së [Perëndisë]” mund të “gjykohen [vetëm] frymërisht” (1 Korintasve 2:14), ata që janë me mendje si të botës nuk mund t’i kuptojnë të vërtetat shpirtërore. Perëndia na ka dhënë një mënyrë për të marrë njohuri shpirtërore. Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

“Në botën e shkencës, metoda shkencore përdoret për të mësuar të vërtetën dhe për të thelluar njohurinë. Me kalimin e viteve, ajo ka qenë tepër e dobishme dhe na ka dhënë sasi të jashtëzakonshme njohurie shkencore dhe vazhdon të zmbrapsë velin e padijes rreth botës sonë fizike. Sidoqoftë, të mësuarit e gjërave shpirtërore kërkon një qasje të ndryshme nga të mësuarit e gjërave shkencore. Metoda dhe intelekti shkencor janë shumë të dobishme, por vetëm këto nuk do të sjellin kurrë njohuri shpirtërore.

Të mësuarit e gjërave shpirtërore përfshin intelektin, por nuk është i mjaftueshëm. Ne i mësojmë gjërat shpirtërore vetëm me anë të Shpirtit. …

… Përgjigjet për pyetjet shpirtërore u jepen atyre individëve që nuk e ngurtësojnë zemrën e tyre; që kërkojnë me besim, duke besuar se do të marrin dhe që i zbatojnë urdhërimet me zell. Edhe kur e ndjekim këtë model, ne nuk e kemi në dorë kohën se kur do të marrim përgjigje. Nganjëherë përgjigjet tona vijnë shpejt dhe nganjëherë duhet t’i vendosim pyetjet tona në një sirtar për njëfarë kohe dhe të mbështetemi në besimin tonë që është zhvilluar nga përgjigjet që i dimë njëmend” (“A Pattern for Learning Spiritual Things” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012], si.lds.org).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Metodat e përshkruara nga Zoti për marrjen e njohurisë së shenjtë janë shumë të ndryshme nga metodat e përdorura prej atyre që e marrin njohurinë vetëm me anë të studimit. Për shembull, një teknikë e shpeshtë e të mësuarit është debati ose diskutimi kundërshtues, një metodë me të cilën unë kam pasur një përvojë vetjake të konsiderueshme. Por në shkrimet e shenjta të lashta e moderne, Zoti na ka udhëzuar që ne nuk duhet të grindemi mbi pikat e doktrinës së tij. (Shih 3 Nefi 11:28–30; DeB 10:63.) … Të vërtetat dhe dëshmia për ungjillin merren nga Fryma e Shenjtë nëpërmjet studimit vetjak nderues dhe meditimit të qetë” (“Alternate Voices”, Ensign, maj 1989, f. 29).