Biblioteka
Mësimi 113: 2 Korintasve 1–3


Mësimi 113

2 Korintasve 1–3

Hyrje

Pali u shkroi shenjtorëve në Korint dhe u shpjegoi mënyrën se si ata do të mund t’i ngushëllonin të tjerët. Ai gjithashtu i këshilloi ata që ta falnin një mëkatar, i cili kishte qenë në bashkësinë e tyre. Pali u mësoi shenjtorëve se nëse ktheheshin te Zoti, ata do të bëheshin më shumë si Perëndia.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 1

Pali u mëson shenjtorëve korintas se si t’i ngushëllojnë të tjerët

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur dikush që ata njohin përjetoi një sprovë të vështirë ose një vuajtje [të madhe].

  • Çfarë bëtë ju për ta ndihmuar atë?

  • A keni dëshiruar ndonjëherë ta ngushëllonit dikë gjatë një sprove, por nuk dinit se si ta bënit?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 1, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë për të ditur mënyrën se si t’i ngushëllojnë të tjerët në sprovat dhe vuajtjet e tyre.

Shpjegoni se pasi Pali shkroi 1 Korintasve, në Efes shpërtheu një trazirë si kundërpërgjigje ndaj mësimeve të tij. (Shih Veprat e Apostujve 19:23–41. Shënim: Azia ishte një krahinë romake në Turqinë e ditëve të sotme.) Pali u largua nga Efesi dhe shkoi në Maqedoni, ku Titi i solli lajmin se letra e mëparshme e Palit ishte pritur mirë nga shenjtorët në Korint. Pali mësoi gjithashtu se shenjtorët po përjetonin mundime dhe se disa mësues të rremë në Korint po prishnin doktrinën e vërtetë të Krishtit. Pali e shkroi 2 Korintasve për t’i ngushëlluar shenjtorët dhe për të trajtuar problemet që ishin shkaktuar nga këta mësues të rremë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 2 Korintasve 1:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve rreth mundimeve të tyre.

  • Çfarë u tha Pali shenjtorëve rreth Perëndisë në vargun 3, që mund t’i ketë ngushëlluar ata në mundimet e tyre?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 4 rreth asaj që mund të bëjmë kur ne marrim ngushëllimin e Atit Qiellor? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Kur Ati Qiellor na ngushëllon në mundimet tona, ne aftësohemi për t’i ndihmuar të tjerët të marrin ngushëllimin e Tij.)

  • Si ju ka ndihmuar marrja e ngushëllimit të Perëndisë gjatë një sprove për ta ndihmuar dikë tjetër të marrë ngushëllimin e Tij? (Merrni parasysh që të tregoni një nga përvojat tuaja, ndërkohë që studentët mendohen për përvojat e tyre.)

Përmblidheni 2 Korintasve 1:6–8, duke shpjeguar se Pali u tregoi shenjtorëve në Korint rreth mundimeve të mëdha e kërcënuese për jetën që kishin përjetuar ai dhe shokët e tij ndërsa predikonin ungjillin në Efes.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 1:9–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që e ndihmoi Palin dhe shokët e tij gjatë sprovave të tyre.

  • Çfarë e ndihmoi Palin dhe shokët e tij gjatë sprovave të tyre?

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktoni në vargun 11 rreth mënyrës se si mund t’i ndihmojmë të tjerët që janë duke përjetuar sprova? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Lutjet tona mund t’i ndihmojnë ata që po përjetojnë sprova.)

  • Si mund ta ndihmojnë lutjet tona dikë që po përjeton sprova?

  • Si ju kanë ndihmuar lutjet e të tjerëve gjatë një sprove që keni përjetuar?

Përmblidheni 2 Korintasve 1:12–24, duke shpjeguar se Pali gëzohej për ata, të cilët i kishin pranuar këshillat që ai u kishte dhënë në letrën e tij të parë. Në vargjet 15–20 Pali iu përgjigj atyre që gjetën gabime tek ai, kur ai i ndryshoi planet e tij për t’i vizituar ata. Disa nga kritikët e Palit me sa duket thoshin që për shkak se Pali i ndryshoi planet e udhëtimit, ata nuk mund t’i mirëbesonin më atij ose mësimeve të tij. Pali shpalli se mesazhi i ungjillit ishte i vërtetë, pavarësisht nga ndryshimi i planeve të tij.

2 Korintasve 2

Pali i nxit shenjtorët në Korint që ta falin mëkatarin

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur një person i lëndoi ose i fyeu ata apo dikë që ata duan.

  • Përse mund të jetë e vështirë ta falësh atë person?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 2, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të dinë përse është e rëndësishme që t’i falin të gjithë njerëzit.

Kujtojuni studentëve se në letrën e parë të Palit drejtuar korintasve, ai i kishte qortuar ata për mosbindjen e tyre dhe mungesën e besimit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 2:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali shpresonte se shenjtorët në Korint do të kuptonin nga qortimi i tij.

  • Sipas vargut 4, çfarë donte Pali që shenjtorët të dinin rreth arsyes përse i qortoi ata?

  • Në ç’mënyrë është qortimi apo korrigjimi një provë e dashurisë së dikujt për ne?

Përmblidheni 2 Korintasve 2:5–6, duke shpjeguar se Pali shkroi për një anëtar të Kishës, i cili kishte mëkatuar ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës dhe u kishte shkaktuar pikëllim. Si rrjedhojë, Kisha e kishte disiplinuar këtë njeri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 2:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pali rreth mënyrës se si duhet ta trajtonin shenjtorët këtë njeri.

  • Si duhej ta trajtonin shenjtorët këtë njeri, i cili kishte shkaktuar kaq shumë pikëllim?

Shpjegoni që edhe pse ky njeri kishte mëkatuar, vlera e shpirtit të tij është e madhe në sytë e Perëndisë (shih DeB 18:10). Pali i këshilloi shenjtorët që ta falnin, ngushëllonin dhe ta donin këtë njeri për ta ndihmuar që të pendohej.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 2:9–11, duke kërkuar një arsye tjetër përse tha Pali se shenjtorët duhet t’i falin të tjerët.

  • Sipas asaj që Pali u mësoi shenjtorëve në vargun 11, cila është një arsye tjetër përse ne duhet t’i falim të tjerët? (Duke përdorur fjalët e veta, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëse nuk i falim të tjerët, Satani do të ketë epërsi mbi ne. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në vargun 11.)

Vini në dukje se të falësh të tjerët nuk do të thotë që mëkatari/ja nuk duhet të mbahet përgjegjës/e për veprimet e tij apo të saj. As nuk do të thotë se ne duhet ta vëmë veten tonë në situata, në të cilat njerëzit mund të vazhdojnë të na keqtrajtojnë. Përkundrazi, t’i falim të tjerët do të thotë t’i trajtojmë me dashuri ata që na kanë keqtrajtuar dhe të mos ushqejmë mëri ose zemërim ndaj tyre. Ne jemi urdhëruar që t’i falim të gjithë njerëzit. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, scriptures.lds.org; DeB 64:9–11.)

  • Si mendoni ju se Satani ka epërsi mbi ne kur nuk i falim të tjerët?

Dëshmoni për rëndësinë e faljes së të tjerëve. Kërkojuni studentëve që të mendojnë për dikë, të cilin ata duhet ta falin. Ftojini ata të vënë një synim për ta falur këtë person në mënyrë që Satani të mos ketë epërsi mbi ta.

Shpjegoni që te 2 Korintasve 2:14 ne lexojmë që Pali shkroi se ai e falënderonte Perëndinë, i cili “[e] bën[te] të ngadhnje[nte] gjithnjë në Krishtin”, madje edhe në kohë të vështira.

2 Korintasve 3

Pali u mëson shenjtorëve në Korint se ndërsa kthehen te Zoti, ata do të bëhen më shumë si Perëndia

Shpjegoni se gjatë mungesës së Palit në Korint, disa mësues të rremë filluan t’i kundërshtonin mësimet e Palit dhe u përpoqën që ta turpëronin Palin duke u thënë të kthyerve në besim se ata duhej të ndiqnin ende ligjin e Moisiut. Përmblidheni 2 Korintasve 3:1, duke shpjeguar se në përgjigje ndaj atyre që u përpoqën ta turpëronin atë, Pali i pyeti anëtarët në Korint në mënyrë retorike nëse ai duhej t’u jepte atyre një “let[ër] rekomandimi”, gjë e cila dëshmonte për karakterin e tij dhe ligjshmërinë e tij si një Apostull i vërtetë i Jezu Krishtit. (Shpjegoni se në kohën e Palit, të sapoardhurit në një bashkësi mbanin me vete letra rekomandimi. Këto letra i paraqitnin të sapoardhurit dhe vërtetonin se ishin njerëz me karakter të mirë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 3:2–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali tha se shërbente si letra e tij e rekomandimit.

  • Çfarë shërbente si letra e rekomandimit të Palit? (Jeta e ndryshuar e shenjtorëve ishte si një letër nga Vetë Krishti.)

  • Çfarë do të thotë fraza “e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit” në vargun 2? (Shumë njerëz do të arrinin ta njihnin së pari Kishën dhe të gjykonin për vërtetësinë e saj nëpërmjet sjelljes dhe shembujve vetjakë të anëtarëve të Kishës.)

Vini në dukje frazën “jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi” në vargun 3 dhe shpjegoni se në kohën e Moisiut, urdhërimet ishin shkruar mbi rrasa guri. Pali u mësoi shenjtorëve korintas se urdhërimet ishin shkruar në zemrat e tyre nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Përmblidheni 2 Korintasve 3:5–13, duke shpjeguar që Pali arsyetoi se nëse ligji i vjetër i Moisiut, i cili duhej të hiqej, ishte në vetvete i lavdishëm, atëherë lavdia e besëlidhjes së përjetshme të ungjillit është edhe më e madhe. Pali u kujtoi shenjtorëve në Korint se Moisiu kishte një vel në fytyrën e tij kur ai zbriti pasi foli me Zotin në malin Sinai, sepse fëmijët e Izraelit kishin frikë nga lavdia që rrezatonte nga fytyra e tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 3:14–15 dhe vëreni klasën ta ndjekë, për të parë se si i krahasoi Pali izraelitët, të cilët patën frikë nga lavdia që rrezatonte nga fytyra e Moisiut, me judenjtë në kohën e tij.

  • Si i krahasoi Pali izraelitët, të cilët i kërkuan Moisiut të vinte një vel, me judenjtë në kohën e tij?

  • Çfarë mund të nënkuptojnë frazat “mendjet e tyre u errën” në vargun 14 dhe “[ata kishin] një vel … mbi zemrat e tyre” në vargun 15?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 3:16–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali premtoi se do ta hiqte velin e keqkuptimit nga zemrat dhe mendjet e njerëzve. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it e ndryshon frazën “kur Izraeli të kthehet te Zoti” në vargun 16 me “kur zemra të kthehet te Zoti” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, 2 Korintasve 3:16 [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it të 2 Korintasve 3:16, çfarë duhet të bënin njerëzit që t’u hiqej veli i keqkuptimit?

Shkruani në tabelë: Kur ne e kthejmë zemrën tonë te Zoti …

  • Sipas vargut 18, çfarë u ndodh atyre që kthehen te Zoti dhe u hiqet veli i keqkuptimit? (Shpjegoni se fraza “transformohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” i referohet ndryshimit gradual që ne marrim nëpërmjet Shpirtit, i cili na ndihmon të bëhemi më shumë si Perëndia.)

Plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që ajo të thotë: “Kur ne e kthejmë zemrën te Zoti, ne do të kemi Shpirtin, i cili do të na ndihmojë gradualisht të bëhemi më shumë si Perëndia”.

  • Çfarë mendoni se do të thotë t’i kthejmë zemrat tona te Jezu Krishti?

Ftojini studentët të gjejnë një minutë kohë për të renditur në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, mënyrat se si njerëzit mund t’i kthejnë zemrat e tyre te Jezu Krishti. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës listat e tyre.

Ftojini studentët të përsiatin mbi mënyrën se si i ka ndryshuar Shpirti ata ose dikë që ata njohin. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës përvojat e tyre.

Ftojini studentët të mendojnë se çfarë mund të bëjnë për t’u kthyer më shumë te Zoti. Kërkojuni atyre të vënë një synim për t’u kthyer te Zoti, në mënyrë që të mund të marrin Shpirtin dhe të bëhen më shumë si Perëndia.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Korintasve 2:1–4. Udhëheqësit e Kishës i qortojnë anëtarët e Kishës nga dashuria

Presidenti Brigam Jang shpjegoi arsyen përse ai i qortonte anëtarët e Kishës:

“Ka raste kur unë mund t’u dukem i ashpër shumë prej vëllezërve të mi. Ndonjëherë i qortoj; por e bëj sepse dua që ata të jetojnë në atë mënyrë që fuqia e Perëndisë, ashtu si një flakë zjarri, do të banojë brenda tyre dhe do të jetë përreth tyre” (Discourses of Brigham Young, përz. John A. Widtsoe [1954], f. 115).

2 Korintasve 2:5–11. Rëndësia e faljes së të tjerëve

Nga 2 Korintasve 2:5–11 ne krijojmë një ide për dashurinë dhe dhembshurinë e Palit. Ne nuk e dimë nëse shkelësi të cilit iu referua Pali është ai që përmendet te 1 Korintasve 5:1, ose një kundërvajtës tjetër – ndoshta një nga mësuesit e rremë në Korint, i cili e kishte kundërshtuar Palin dhe mësimet e tij. Pali i nxiti anëtarët e Kishës që ta falnin burrin dhe ta ngushëllonin atë në mënyrë që ai të “mos gëlltite[j] nga trishtimi i tepërt” (2 Korintasve 2:7).

2 Korintasve 3:1–2. Disa njerëz e gjykojnë Kishën nga shembujt e anëtarëve të saj

“Shumë njerëz kudo në botë kanë ndjenja dashamirëse ndaj Kishës për shkak të veprave dashamirëse dhe shërbimit që ata shohin tek shfaqet në jetën e anëtarëve të Kishës (shih 2 Korintasve 3:2).

Deklarata e Palit se anëtarët e Kishës janë si letra, ‘[të] lexuar[a] nga të gjithë njerëzit’ sugjeron se sjellja vetjake e anëtarëve të Kishës është mënyra nëpërmjet së cilës shumë njerëz do ta njohin në fillim Kishën dhe do të gjykojnë për vërtetësinë e saj. Ashtu si një tregtar gjykohet nga të mirat që shet, po ashtu Kisha – dhe ndonjëherë Jezu Krishti – gjykohet nga jeta që ne bëjmë. Plaku Brus R. Mek-Konki … dha mësim: ‘Sipas kuptimit themelor, ungjilli nuk shkruhet në rrasa guri apo në librat e shkrimeve të shenjta, por në trupat e personave besnikë dhe të bindur; pra, shenjtorët janë letra të gjalla të së vërtetës, libra, jetët e të cilëve janë të hapura që të lexohen nga të gjithë’ (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:414)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 395).