Biblioteka
Mësimi 37: Marku 6


Mësimi 37

Marku 6

Hyrje

Jezusi nuk u pranua në qytetin e Tij të lindjes në Nazaret. Ai i dërgoi të Dymbëdhjetë Apostujt që të predikonin ungjillin. Gjon Pagëzori u vra me urdhër të Herod Antipës. Jezusi ushqeu mrekullisht një turmë me më shumë se pesë mijë njerëz, eci mbi ujë, fashiti një furtunë dhe shëroi të sëmurët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 6:1–29

Jezusi nuk pranohet në Nazaret dhe dërgon Të Dymbëdhjetët; ritregohet vdekja e Gjon Pagëzorit

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët të mendojnë rreth herës së fundit që ata ndien trysni për të bërë diçka që e dinin se nuk ishte e drejtë.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë (kjo thënie gjendet te “Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 37):

“Individët që veprojnë gabim duan që ju të bashkoheni me ta, sepse ata ndihen më rehat në atë që po bëjnë kur e bëjnë edhe të tjerët” (Riçard G. Skot).

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si të tjerët mund të përpiqen t’ju vënë nën trysni për të bërë diçka që ju e dini se është e gabuar?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 6, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë të shmangin nënshtrimin ndaj trysnisë negative të bashkëmoshatarëve.

Përmblidheni Markun 6:1–16, duke shpjeguar se Jezusi predikoi në qytetin e tij të lindjes në Nazaret. Megjithatë, për shkak të mosbesimit të njerëzve, Ai nuk kreu shumë mrekulli midis tyre. Ndërkohë që ishte atje, Jezusi i dërgoi të Dymbëdhjetë Apostujt dy e nga dy që të predikonin ungjillin. Ndërsa predikonin ungjillin, ata dëbuan djaj dhe shëruan të sëmurë. Kur Herodi dëgjoi për mrekullitë e shumta që kryente Jezusi, ai pati frikë se mos Gjon Pagëzori ishte ngritur nga të vdekurit dhe po i kryente këto mrekulli.

Shpjegoni se Marku 6:17–29 jep një rrëfim të asaj që i kishte ndodhur Gjon Pagëzorit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Markun 6:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Herodi i kishte bërë Gjon Pagëzorit.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë i kishte bërë Herodi Gjonit dhe përse?

Shpjegoni se Herodi i përmendur në këto vargje është Herod Antipa, i cili qeveriste krahinat e Galilesë dhe të Pereas pas vdekjes së babait të tij, Herodit të Madh. Herod Antipa ishte ndarë nga gruaja e tij dhe ishte martuar me Herodiadën, gruan e vëllai të tij, Filipit. Ky veprim ishte një shkelje e dukshme e ligjit judeas (shih Levitiku 18:16) dhe Gjon Pagëzori e kishte dënuar atë haptazi. Kundërshtimi i Gjonit ndaj kësaj martese e zemëroi Herodiadën, kështu që Herodi e burgosi Gjonin për ta qetësuar atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 6:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Herodiada donte të bënte me Gjon Pagëzorin.

  • Çfarë donte të bënte Herodiada me Gjon Pagëzorin?

  • Përse ajo nuk mund ta vriste atë? (Për shkak se Herodi kishte frikë nga Gjoni dhe e dinte se ai ishte një njeri i Perëndisë; shih edhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Marku 6:21 [te Marku 6:20, poshtëshënimi b në variantin shdm të Biblës në anglisht] për mënyrën se si ndihej Herodi rreth Gjon Pagëzorit.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 6:21–29. Ftojeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Herodi i bëri Gjon Pagëzorit.

  • Sipas vargut 26, si u ndie Herodi që e vrau Gjon Pagëzorin?

  • Përse Herodi bëri që Gjon Pagëzorit t’i pritej koka edhe pse e dinte që ishte e gabuar dhe nuk donte ta bënte atë? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “për respekt të të ftuarve”, e cila tregon se Herodi shqetësohej për mendimin e atyre që ishin ulur me të.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga zgjedhjet e Herodit rreth asaj që ndodh kur ne përpiqemi t’u pëlqejmë të tjerëve në vend që të bëjmë atë që është e drejtë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur kërkojmë që t’u pëlqejmë të tjerëve në vend që të bëjmë atë që ne e dimë se është e drejtë, kjo mund të na çojë në zgjedhje të gabuara, pikëllim dhe keqardhje.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë, vendosini ata në grupe me nga dy deri në katër vetë dhe u kërkoni atyre të sjellin disa shembuj të situatave, në të cilat të rinjtë duhet të zgjedhin midis të kërkuarit që t’u pëlqejnë të tjerëve dhe të bërit e asaj që ata e dinë se është e drejtë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilin grup që të raportojë. Ndërsa ata përgjigjen, shkruajini disa nga shembujt e tyre në tabelë.

  • Në ç’mënyra keni parë që nënshtrimi ndaj këtyre trysnive, ashtu si në këto shembuj, sjell pikëllim dhe keqardhje?

  • Kur e keni parë dikë të zgjedhë të bëjë atë që është e drejtë, në vend që të kërkojë t’u pëlqejë të tjerëve?

  • Çfarë mund të na ndihmojë të zgjedhim të bëjmë atë që ne e dimë se është e drejtë, në vend që të përpiqemi t’u pëlqejmë të tjerëve?

Ftojini studentët të përsiatin mbi javën e ardhshme dhe të përcaktojnë situata të mundshme, në të cilat atyre mund t’u duhet të zgjedhin midis asaj që t’u pëlqejnë të tjerëve dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Nxitini ata të planifikojnë se si do të reagojnë ndaj kësaj trysnie nëse do ta përjetojnë atë.

Marku 6:30–44

Jezusi ushqen mrekullisht më shumë se pesë mijë njerëz

Ftojini studentët të marrin parasysh situatën vijuese: Një misionar/e i/e sapothirrur është shumë i/e nervozuar për të shkuar në misionin e tij apo të saj. Ky njeri nuk është një folës/e i/e mirë dhe ka vështirësi në mjedise shoqërore.

  • Çfarë do t’i thoshit këtij/kësaj misionari/eje të ri/e?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 6:30–44, të kërkojnë një parim, i cili mund ta ndihmojë këtë misionar/e të ri/e dhe të gjithë ne kur ndihemi të papërshtatshëm për të bërë atë që Zoti ka kërkuar prej nesh.

Përmblidheni Markun 6:30–33, duke shpjeguar se Dymbëdhjetë Apostujt u kthyen nga predikimi i ungjillit dhe i raportuan Jezusit atë që kishin bërë dhe kishin dhënë mësim. Jezusi dhe Dymbëdhjetë Apostujt hipën në një barkë që të udhëtonin për te një vend ku ata të mund të ishin vetëm dhe të çlodheshin. Megjithatë, njerëz nga disa qytete aty pranë shkuan atje ku do të zbriste Jezusi dhe po e prisnin kur Ai mbërriti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 6:34, dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si reagoi Shpëtimtari ndaj turmës.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë fraza “ishin si delet pa bari”?

Shpjegoni se pasi e mësoi turmën gjatë gjithë ditës, Shpëtimtari kreu një mrekulli të madhe. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë mrekulli, grupojini ata në dyshe dhe jepini secilës dyshe një kopje të fletushkës vijuese. Ftojeni secilën dyshe që të lexojnë së bashku Markun 6:35–44 dhe Mateun 14:18, dhe më pas t’i numërojnë ngjarjet në fletushkë në rendin kronologjik.

Në vend që t’i vini studentët ta lexojnë këtë rrëfim në shkrimet e shenjta, ju mund të shfaqni videon “The Feeding of the 5,000” [“Të Ushqyerit e 5.000 Njerëzve”] (2:52) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit] dhe u kërkoni studentëve që t’i numërojnë ngjarjet në fletushkë në rendin kronologjik bazuar në atë që shohin në video. Kjo video gjendet në LDS.org.

Pamja
fletushkë, Të Ushqyerit e 5.000 Njerëzve

Të Ushqyerit e 5.000 Njerëzve

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 37

  • ____ Shpëtimtari e shumëfishoi atë që sollën dishepujt, duke e plotësuar dhe tejkaluar atë që nevojitej.

  • ____ Dishepujt thanë se ata kishin pesë bukë dhe dy peshq.

  • ____ Dishepujt sugjeruan që t’i dërgonin njerëzit për të blerë ushqim.

  • ____ Shpëtimtari pyeti se çfarë mund të siguronin dishepujt.

  • ____ Shpëtimtari u tha dishepujve që t’u jepnin njerëzve ushqim.

  • ____ Turma nuk kishte asgjë për të ngrënë.

  • ____ Shpëtimtari u kërkoi dishepujve që t’i jepnin Atij atë që kishin.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta plotësuar këtë veprimtari, rishikojini përgjigjet si klasë. (Rendi i saktë i përgjigjeve është 7, 5, 2, 4, 3, 1 ,6.)

  • Sa njerëz u ushqyen? (Shpjegoni se teksti grek i Markut 6:44 qartëson se fraza “pesë mijë burra” do të thotë pesë mijë burra në moshë. Pra, numri i atyre që u ushqyen ka gjasa të ketë qenë më i madh, duke marrë parasysh se ishin të pranishëm edhe gra e fëmijë [shih edhe Mateun 14:21].)

Vini në dukje që përpara se ta kryente këtë mrekulli, Shpëtimtari u kërkoi më parë dishepujve të Tij që t’i jepnin Atij të pesë bukët dhe dy peshqit – të cilat qenë gjithçka që ata kishin.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo mrekulli rreth asaj që mund të bëjë Shpëtimtari kur ne i japim Atij gjithçka që kemi? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne i japim Shpëtimtarit gjithçka që kemi, Ai mund ta lartësojë ofertën tonë për të arritur qëllimet e Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, kujtojuni atyre situatën e misionarit/es të/së sapothirrur, të nervozuar, të përmendur më herët.

  • Pavarësisht nga dobësitë e këtij të riu apo kësaj të reje, çfarë mund t’i kërkojë Shpëtimtari këtij/kësaj misionari/misionareje që t’i sjellë Atij? (Shpëtimtari i fton të gjithë ata që kërkojnë t’i përmbushin qëllimet e Tij, që t’i japin Atij të gjitha dëshirat, aftësitë, talentet, zotësinë, pikat e forta, dhuntitë dhe përpjekjet e tyre [shih Omni 1:26; 2 Nefi 25:29].)

  • Cili do të ishte rezultati nëse ky/kjo misionar/e do t’i jepte Shpëtimtarit gjithçka që ai ose ajo kishte?

  • Cilat janë disa situata të tjera që mund të hasë një anëtar i ri i Kishës, në të cilat njohja e këtij parimi do të ishte e dobishme?

Ftojini studentët të përsiatin dhe të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si Zoti i ka lartësuar përpjekjet e tyre, për t’u mundësuar atyre të bëjnë atë që Ai u ka kërkuar atyre. Merrni parasysh t’i ftoni disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që ata shkruan, nëse ndihen rehat për ta bërë këtë.

Jepni dëshminë tuaj se kur ne i japim Shpëtimtarit gjithçka që kemi, Ai mund ta lartësojë ofertën tonë për të arritur qëllimet e Tij. Nxitini studentët ta zbatojnë këtë parim në jetën e tyre.

Marku 6:45–56

Jezusi ecën mbi ujë dhe shëron të sëmurët

Përmblidheni Markun 6:45–56, duke shpjeguar që pasi Jezusi ushqeu pesë mijë njerëz, Ai i udhëzoi dishepujt e Tij që të hipnin në një barkë dhe të lundronin në anën tjetër të detit të Galilesë. Pastaj Ai i largoi turmat. Gjatë natës u ngrit një furtunë dhe Shpëtimtari pa nga mali se si dishepujt e Tij po mundoheshin, por nuk po përparonin në udhëtimin e tyre. Atëherë Ai shkoi tek ata duke ecur mbi ujë, furtuna u fashit dhe ata mbërritën të sigurt në anën tjetër të detit të Galilesë.

  • Në këtë rast, në ç’mënyrë fuqia e Zotit u mundësoi dishepujve të kryenin atë që Ai u kishte udhëzuar atyre të bënin?

Merrni parasysh ta përfundoni mësimin duke i ftuar studentët që janë të gatshëm, të tregojnë ndjenjat apo dëshminë e tyre për të vërtetat e diskutuara sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 6:26. “Për respekt të të ftuarve”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha disa ide që mund t’i ndihmojnë të rinjtë t’u bëjnë ballë trysnive negative të bashkëmoshatarëve:

“Ju nuk mund t’i pëlqeni Perëndisë pa e mërzitur Satanin, prandaj ju do të keni trysni nga ata që ai i tundon të veprojnë gabim. Individët që veprojnë gabim duan që ju të bashkoheni me ta, sepse ata ndihen më rehat në atë që po bëjnë kur e bëjnë edhe të tjerët. Ata mund të duan edhe të përfitojnë prej jush. Është e natyrshme të duash të pranohesh nga bashkëmoshatarët, të jesh pjesë e një grupi – disa madje u bashkohen bandave për shkak të asaj dëshire që t’i përkasin diçkaje, por ata humbasin lirinë e tyre dhe disa humbasin jetën e tyre. Një nga gjërat që e keni më të vështirë për ta dalluar, është se sa të fortë jeni vërtet tashmë dhe se si të tjerët në heshtje ju respektojnë. Ne kemi besim të madh te ju. Ju nuk duhet t’i rrezikoni standardet tuaja që të pranoheni nga miq të mirë. Sa më të bindur të jeni, sa më shumë të qëndroni për parime të vërteta, aq më shumë Zoti mund t’ju ndihmojë ta mposhtni tundimin. Ju mund t’i ndihmoni edhe të tjerët sepse ata do ta ndiejnë forcën tuaj. Vërini në dijeni për standardet tuaja duke i jetuar ato vazhdimisht. Përgjigjjuni pyetjeve rreth parimeve tuaja kur ju pyeteni, por shmangeni të qenit moralist. E di nga përvoja vetjake që kjo funksionon.

Asnjë njeri nuk ka për qëllim të bëjë gabime të rënda. Ato ndodhin kur ju i rrezikoni standardet tuaja për të qenë më i pranuar nga të tjerët. Jini ju i forti. Jini ju udhëheqësi. Zgjidhni miq të mirë dhe së bashku bëjini ballë trysnisë së bashkëmoshatarëve” (“Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 37).

Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim sa vijon rreth trysnisë së bashkëmoshatarëve:

“Përpjekja për t’u pëlqyer të tjerëve përpara se t’i pëlqejmë Perëndisë do të thotë t’i ndërrosh vendin urdhërimit të parë me të dytin (shih Mateu 22:37–39). Do të thotë të harrosh se nga cili drejtim i mbajmë sytë. Dhe prapëseprapë, ne të gjithë e kemi bërë atë gabim për shkak të frikës nga njerëzit. Tek Isaia, Zoti na paralajmëron: ‘Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit’ (Isaia 51:7; shih edhe 2 Nefi 8:7). Në ëndrrën e Lehit, kjo frikë u shkaktua nga gishti tallës i drejtuar prej ndërtesës së gjerë dhe të madhe, duke bërë që shumë njerëz të harronin se nga cili drejtim i mbanin sytë dhe të largoheshin nga pema ‘[të] turpërua[r]’ (shih 1 Nefi 8:25–28).

Kjo trysni e bashkëmoshatarëve përpiqet t’i ndryshojë qëndrimet e një personi, në mos sjelljen e tij, duke e bërë një njeri të ndihet fajtor pse i fyen të tjerët. Ne kërkojmë bashkëjetesë të respektueshme me ata që tregojnë me gisht, por kur kjo frikë nga njerëzit na tundon që ta shpërfillim mëkatin, ajo, sipas librit të Fjalëve të Urta, bëhet një ‘lak’ (shih Fjalët e Urta 29:25). Laku mund të maskohet mjeshtërisht për ta joshur anën tonë dashamirëse që ta tolerojë ose madje miratojë diçka që është dënuar nga Perëndia. Për njerëzit besimpakë, ai mund të jetë një pengesë madhore. Për shembull, disa misionarë të rinj e mbartin në terrenin e misionit këtë frikë nga njerëzit dhe nuk arrijnë t’ia raportojnë presidentit të tyre të misionit mosbindjen haptazi të një shoku, për shkak se nuk duan ta fyejnë shokun e tyre të pabindur. Vendime karakteri merren duke kujtuar renditjen e duhur të urdhërimit të parë dhe të dytë të madh (shih Mateu 22:37–39). Kur këta misionarë të pështjelluar ta kuptojnë se ata janë përgjegjës para Perëndisë dhe jo para shokut të tyre, kjo duhet t’iu japë guximin që ta ndërrojnë drejtimin nga i cili i mbajnë sytë” (“Nga Cili Drejtim i Mbani Sytë?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 9).

Marku 6:35–44. Të ushqyerit e pesë mijë njerëzve

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha mësim se fuqia e Shpëtimtarit për t’i shumuar bukët dhe peshqit tregon se Ai do t’i lartësojë përpjekjet tona besnike për të shërbyer në Kishën e Tij, edhe sikur ne të ndjejmë se përpjekjet tona janë të barabarta vetëm me pak bukë dhe disa peshq:

“Shumë njerëz të panjohur, me dhunti të barabarta vetëm me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël, i lartësojnë thirrjet e tyre [në Kishë] dhe shërbejnë pa kërkuar vëmendje apo famë, duke ushqyer me të vërtetë mijëra njerëz. … Këta janë qindra mijëra udhëheqësit dhe mësuesit në të gjitha organizatat ndihmëse dhe kuorumet e priftërisë, mësuesit e shtëpisë, mësueset vizitore të Shoqatës së Ndihmës. Këta janë peshkopët e shumtë të përulur në Kishë, disa pa një trajnim zyrtar, por shumë të lartësuar, gjithmonë duke mësuar, me një dëshirë të përulur për t’i shërbyer Zotit dhe njerëzve në lagjet e tyre. …

Një arsye madhore që kjo kishë është rritur që nga fillimet e saj të përulura deri në forcën e tanishme, është besnikëria dhe përkushtimi i miliona njerëzve të përulur e të përkushtuar që kanë vetëm pesë bukë dhe dy peshq të vegjël për të dhënë në shërbim të Mësuesit” (“Five Loaves and Two Fishes”, Ensign, maj 1994, f. 5, 6).