Biblioteka
Mësimi 66: Gjoni 7


Mësimi 66

Gjoni 7

Hyrje

Jezusi mori pjesë në Festën e Tabernakujve në Jerusalem. Ai shkoi në tempull dhe u dha mësim njerëzve atje se si mund të merrnin dëshmi që mësimet e Tij ishin nga Perëndia, Ati. Ngaqë njerëzit po grindeshin rreth asaj se kush ishte Jezusi, Ai i përdori shëmbëlltyrat e ujit dhe të dritës që të dëshmonte për hyjnishmërinë e Tij. Ai gjithashtu u dha mësim atyre rreth Frymës së Shenjtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 7:1–13

Jezusi merr pjesë në Festën e Tabernakujve

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: A kishte Jezusi vëllezër e motra?

Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes. Nëse është e nevojshme, ndihmojini studentët të kuptojnë se Jozefi e Maria patën fëmijë që u lindën pas Jezusit dhe të cilët do të ishin rritur në të njëjtën vatër familjare me Të. Megjithatë, ngaqë Jezu Krishti ishte biri i mirëfilltë i Marisë dhe Perëndisë, Atit, jo i Jozefit, këta individë ishin thjeshtër dhe thjeshtra të Jezusit (shih Mateu 13:55–56).

  • Si mendoni se do të kishte qenë e ngjashme të rriteshit në të njëjtën shtëpi me Jezusin?

  • A mendoni se do të ishte më e lehtë të besonit tek Ai, në qoftë se do të ishit rritur me Të? Përse po ose përse jo?

Vini në dukje se te Gjoni 7 ne mësojmë se si disa nga “vëllezërit” e Jezusit (Gjoni 7:3, 5) e panë Atë. Termi vëllezërit ndoshta i drejtohet thjeshtërve të Jezusit, megjithëse ai term mund të përfshijë edhe të afërm të tjerë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë Gjonin 7:1–5.

  • Çfarë mësojmë nga vargu 5 rreth vëllezërve të Jezusit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek–Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

“Një dëshmi për hyjnishmërinë e Krishtit dhe për fuqinë shpëtuese të ungjillit të Tij nuk jepet në mënyrë të vetvetishme për shkak të marrëdhënies familjare.

… Edhe pse ishin rritur në të njëjtën vatër familjare dhe u rritën nën ndikimin e mirë të Jozefit e Marisë, edhe pse ata ishin të vetëdijshëm për mësimet, shërbesën dhe mrekullitë e Jezusit vetë, prapëseprapë këta të afërm të Tij deri më tani nuk e kishin pranuar Atë si Mesian. Megjithatë, ata të gjithë, mesa duket, u kthyen në besim më vonë (Veprat e Apostujve 1:14)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:437).

  • Si është e mundur që disa nga anëtarët e vetë familjes së Jezusit nuk e besuan Atë, megjithëse ishin të vetëdijshëm për mësimet dhe mrekullitë e Tij?

Vini në dukje se Gjoni 7 shënon ngjarje që ndodhën kur Festa e Tabernakujve po mbahej në Jerusalem (shih Gjoni 7:2). Gjatë kësaj feste tetëditore, e konsideruar të ishte festa “më e madhe dhe më e gëzueshme nga të gjitha” (Bible Dictionary, “Feasts”), shumë judenj udhëtonin për në Jerusalem që të përkujtonin bekimet e Perëndisë për fëmijët e Izraelit kur banuan në shkretëtirë, duke jetuar në kasolle të bëra vetë ose në tabernakuj, pas çlirimit të tyre nga skllavëria në Egjipt (shih Levitiku 23:39–43). Judenjtë gjithashtu festonin dhe jepnin falënderime për të vjelat vjetore të frutave dhe të korrat vjetore të drithërave (shih Eksodi 23:16).

  • Sipas vargjeve 3–4, çfarë donin vëllezërit e Jezusit që Ai të bënte?

Përmblidheni Gjonin 7:6–10 duke shpjeguar se Jezusi vendosi ta vononte vajtjen në ftesë, por Ai i nxiti vëllezërit e Tij të shkonin. Pasi festa kishte filluar, Jezusi atëherë shkoi në fshehtësi – duke e ditur që disa nga udhëheqësit judeas në Jerusalem dëshironin ta vrisnin, por që koha e Tij për të vdekur nuk kishte ardhur ende.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 7:11–13.

  • Çfarë po thonin rreth Jezusit njerëz të ndryshëm në Jerusalem?

Vini në dukje se sikurse në kohën e Jezusit, ka opinione të ndryshme për Jezu Krishtin në kohën tonë. Disa njerëz e dinë dhe dëshmojnë se Ai është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Të tjerët besojnë tek Ai dhe shpresojnë që ungjilli i Tij është i vërtetë. Megjithatë, ka edhe njerëz që dyshojnë në hyjnishmërinë e Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e mësimeve të Tij. Ftojini studentët teksa vazhdojnë të studiojnë Gjonin 7, të kërkojnë për mënyrën se si mund të dimë që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe që mësimet e Tij janë të vërteta.

Gjoni 7:14–36

Jezusi u jep mësim judenjve në tempull

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 7:14–15. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që Jezusi bëri në tempull. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni që tempulli ishte vendi qendror i festimeve që ndodhnin gjatë Festës së Tabernakujve.

  • Çfarë bëri Jezusi?

  • Përse u mahnitën judenjtë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 7:16–18. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që Jezusi tha se njerëzit mund ta bënin me qëllim që të dinin nëse doktrina ose mësimet e Tij ishin të vërteta.

  • Sipas vargut 16, nga kush e mori Jezusi doktrinën që e dha mësim?

  • Si mund të dijë dikush që doktrina, të cilën Jezusi e dha mësim, është me të vërtetë nga Perëndia?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë rreth mënyrës se si mund të marrim një dëshmi për mësimet e dhëna nga Ati Qiellor? (Duke përdorur fjalët e veta, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse bëjmë vullnetin e Atit Qiellor, atëherë ne do të marrim dëshmi për doktrinën e Tij. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë fjalët te vargu 17 që e japin mësim këtë parim.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se si ky parim mund të zbatohet në jetën tonë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne marrim një dëshmi për parimet e ungjillit duke u përpjekur me bindje t’i jetojmë ato. … Një dëshmi për efektshmërinë e lutjes vjen nëpërmjet lutjes së përulur dhe të sinqertë. Një dëshmi për të dhjetën vjen duke e paguar të dhjetën” (“Lord, I Believe; Help Thou Mine Unbelief”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 22).

Edhe pse vetë vëllezërit e Tij nuk besuan fillimisht tek Ai, më vonë ata fituan dëshmi dhe u kthyen në besim (shih Veprat e Apostujve 1:14).

  • Si do t’i ndihmonte vëllezërit e Jezusit parimi i përcaktuar te Gjoni 7:17 që të fitonin dëshmi për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se kanë një shok ose shoqe që po has vështirësi me dëshminë e tij ose të saj për ungjillin.

  • Si mund ta përdornit parimin që e përcaktuam te Gjoni 7:17 për ta ndihmuar këtë shok ose shoqe?

Për t’i ndihmuar studentët të dëshmojnë për parimin që e përcaktuan më lart dhe të ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e tij, paraqitni thënien vijuese:

E di që është i vërtetë, sepse teksa e kam jetuar atë, unë kam .

Nxitini studentët ta përfundojnë thënien në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta duke shkruar rreth një urdhërimi ose parimi të ungjillit që kanë arritur ta dinë se është i vërtetë nëpërmjet përpjekjeve të tyre për ta jetuar atë.

Ftojini disa studentë që t’i thonë klasës atë që shkruan.

Ftojini studentët të shkruajnë një të vërtetë, urdhërim ose mësim të ungjillit, për të cilin do të donin të merrnin një dëshmi më të fortë. Ftojini ata gjithashtu të shkruajnë se çfarë do të bëjnë që të marrin një dëshmi më të madhe për këtë të vërtetë, urdhërim ose mësim, duke e zbatuar parimin që e mësuan te Gjoni 7:17.

Përmblidheni Gjonin 7:19–36 duke shpjeguar se Jezusi i qortoi udhëheqësit judeas për mohimin e mësimeve dhe të mrekullive të Tij dhe për përpjekjen për ta vrarë Atë. Shumë njerëz pyesnin veten nëse Ai ishte Mesia dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë dërguan ushtarë për ta kapur Atë.

Gjoni 7:37–53

Jezusi jep mësim rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë

Kërkojini një vullnetari që ka etje, të dalë përpara klasës. Jepini studentit/es një gotë bosh dhe pyeteni atë:

  • A do ta shuajë kjo etjen tënde?

  • Çfarë tjetër të duhet?

Paraqitni një burim uji, të tillë si një shishe ose një broke të mbushur me ujë. Mbusheni gotën me ujë dhe ftojeni studentin/en të pijë. Më pas kërkojini studentit/es të kthehet te vendi i tij ose i saj.

Ngrijeni brokën ose shishen e ujit që e përdorët për ta mbushur gotën e studentit. Shpjegoni se gjatë secilës prej të tetë ditëve të Festës së Tabernakujve, një prift i caktuar nxirrte ujë nga pellgu i Siloamit me një broke të artë dhe e derdhte ujin në enën e argjendtë në bazamentin e altarit të tempullit. Në ditën e fundit të Festës së Tabernakujve, kur prifti e kishte bërë këtë gjë, Jezusi u ngrit në këmbë dhe u ofroi një ftesë njerëzve. (Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:446.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 7:37. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i ftoi njerëzit ta bënin pasi Ai u shfaq në tempull në ditën e tetë dhe të fundit të festës.

  • Çfarë i ftoi Shpëtimtari njerëzit të bënin?

  • Duke marrë parasysh nxjerrjen dhe derdhjen e ujit, të kryer nga prifti në këtë ditë të festës, si mendoni, përse Jezusi do ta bënte këtë ftesë pikërisht në këtë kohë?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse vijmë te Jezu Krishti dhe besojmë në Të …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 7:38–39, duke përfshirë Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it] të Gjonit 7:39 që gjendet në Biblën në anglisht te vargu 39, shënimi b në fund të faqes. Ftojini studentët të kërkojnë premtimin që Jezusi ua bëri atyre që vijnë tek Ai dhe besojnë në Të.

Shpjegoni se fraza “nga brendësia e tij” sugjeron që uji i gjallë do të jetë brenda besimtarit dhe do të rrjedhë prej tij, në vend që të dalë nga një burim i jashtëm.

  • Sipas vargut 39, çfarë përfaqësonte uji i gjallë për të cilin foli Shpëtimtari?

Shpjegoni se “për njëfarë arsyeje që nuk shpjegohet tërësisht në shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë nuk veproi në plotësi mes judenjve gjatë viteve të qëndrimit të Jezusit në vdekshmëri (Gjoni 7:39; 16:7)” (Bible Dictionary, “Holy Ghost”). Ndërkohë që dhurata e Frymës së Shenjtë nuk do të jepej në atë periudhë ungjillore deri pasi Shpëtimtari të përlëvdohej duke e përmbushur misionin e Tij në vdekshmëri, fuqia e Frymës së Shenjtë ishte në dispozicion për t’i ndihmuar njerëzit që të merrnin dëshmi për të vërtetat që dhanë mësim Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij.

  • Nisur nga mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 7:37–39, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse vijmë te Jezu Krishti dhe besojmë në Të, atëherë ne do të mbushemi me Frymën e Shenjtë.)

Shpjegoni se ata njerëz që mbushen me Frymën e Shenjtë, janë në gjendje t’i ndikojnë të tjerët për mirë. Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur ata u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe, si rrjedhim, ishin në gjendje ta ndikonin dikë tjetër për mirë. Ftojini disa studentë të tregojnë për përvojat e tyre.

Përmblidheni Gjonin 7:40–53 duke shpjeguar që krerët e priftërinjve dhe farisenjtë sërish dëshiruan që Jezusi të arrestohej. Nikodemi, fariseu që kishte ardhur te Shpëtimtari natën (shih Gjoni 3:1–2), doli në mbrojte të Shpëtimtarit dhe i kujtoi farisenjtë e tjerë si ai vetë dhe krerët e priftërinjve se vetë ligji i tyre nuk do ta lejonte një individ të dënohej derisa t’i jepej mundësi për t’u dëgjuar.

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët i përcaktuan në studimin e tyre të Gjonit 7.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 7:3. Cilët janë “vëllezërit” e Jezu Krishtit?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ofroi shpjegimin vijues rreth “vëllezër[ve]” të Jezu Krishtit:

“Referencë e shpeshtë, e veçantë është bërë për bijtë e Jozefit dhe Marisë si ‘vëllezërit’ e Jezusit, edhe pse faktikisht ata ishin thjeshtrit e tij. (Mateu 12:46; 13:55; Gjoni 2:12; Veprat e Apostujve 1:14; 1 Korintasve 9:5.) Edhe pse ishin rritur në të njëjtën vatër familjare dhe u rritën nën ndikimin e mirë të Jozefit e Marisë, edhe pse ata ishin të vetëdijshëm për mësimet, shërbesën dhe mrekullitë e Jezusit vetë, prapëseprapë këta të afërm të Tij deri më tani nuk e kishin pranuar Atë si Mesian. Megjithatë, ata të gjithë, mesa duket, u kthyen në besim më vonë (Veprat e Apostujve 1:14); njëri prej tyre, i përcaktuar nga Pali si ‘Jakobi, vëllai [i] Zotit’ (Galatasve 1:19), do të shërbente në apostullimin e shenjtë; dhe një tjetër, Juda, që e quan veten e tij, ‘Juda, … vëllai i Jakobit’ (Juda 1), shkroi letrën e Judës” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:437).

Gjoni 7:17. “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e Tij”

Motra Boni L. Oskarson, e presidencës së përgjithshme të Të Rejave, dha mësim:

“Ndonjëherë përpiqemi ta bëjmë këtë së prapthi. Për shembull, ne mund të shfaqim këtë qasje: Unë do të jem e lumtur ta jetoj ligjin e të dhjetës, por së pari duhet të di nëse është i vërtetë. Ndoshta lutemi madje që të fitojmë një dëshmi për ligjin e të dhjetës dhe shpresojmë që Zoti do të na bekojë me atë dëshmi përpara se të kemi plotësuar ndonjëherë një mandat të së dhjetës. Vetëm se nuk funksionon në këtë mënyrë. Zoti pret nga ne që të ushtrojmë besim. Ne duhet të paguajmë rregullisht një të dhjetë të plotë dhe të ndershme në mënyrë që të fitojmë dëshmi për të dhjetën. Po i njëjti model zbatohet për të gjitha parimet e ungjillit qoftë ai ligji i dëlirësisë, parimi i thjeshtësisë, Fjala e Urtësisë, apo ligji i agjërimit” (“Kthehuni në Besim”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 77).

Gjoni 7:38–39. “Uji i gjallë”

“Te Gjoni 7:39, ne lexojmë një koment shpjegues nga Gjoni, duke shpjeguar se ‘uji i gjallë’ që Shpëtimtari e përmendi te Gjoni 7:38, i drejtohet Frymës së Shenjtë, misioni kryesor i të cilit është të dëshmojë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Gjuha figurative e Shpëtimtarit për ‘ujin e gjallë’ u nxor nga një traditë e gjatë izraelite që uji përfaqësonte të vërteta të rëndësishme shpirtërore. Në klimën e thatë të Lindjes së Afërme të lashtësisë, prania e ujit ishte jetike për të mbijetuar dhe mungesa e ujit e bënte atë si një burim të vlefshëm, ashtu edhe një simbol të fuqishëm. Zoti e shpëtoi Izraelin në Horeb kur Moisiu në mënyrë të mrekullueshme nxori ujë nga një shkëmb (shih Eksodi 17; Numrat 20). Profetët e Dhiatës së Vjetër, Isaia, Jeremia dhe Ezekieli e përdorën ujin si një simbol për Shpirtin e Zotit, përkujdesin hyjnor dhe fuqinë shëruese (shih Isaia 41:17–18; 58:11; Jeremia 2:13; Ezekieli 47:1–12).

Premtimi i Shpëtimtarit se ata që do të besonin në Të në një kohë të ardhshme, do ta kishin ‘ujin e gjallë’ brenda tyre, pasqyroi faktin që ‘Fryma e Shenjtë … nuk ishte dhënë ende’ (Gjoni 7:39). Për njëfarë arsyeje që nuk shpjegohet tërësisht në shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë nuk veproi në plotësi mes judenjve gjatë viteve të qëndrimit të Jezusit në vdekshmëri (Gjoni 7:39; 16:7). Thëniet për efektin që Fryma e Shenjtë nuk erdhi deri pasi Jezusi u ringjall, duhet t’i drejtohen nga nevoja vetëm asaj periudhe të caktuar ungjillore, sepse është tepër e qartë që Fryma e Shenjtë ishte vepruese në periudhat e mëparshme ungjillore. Për më tepër, ajo i drejtohet vetëm dhuratës së Frymës së Shenjtë që nuk ishte e pranishme, përderisa fuqia e Frymës së Shenjtë ishte vepruese gjatë shërbesave të Gjon Pagëzorit dhe Jezusit; përndryshe askush nuk do të kishte marrë dëshmi për të vërtetat që këta burra dhanë mësim (Mateu 16:16–17; shih edhe 1 Korintasve 12:3)’ (Bible Dictionary, ‘Holy Ghost’)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 224).