Biblioteka
Mësimi 15: Mateu 13:1–23


Mësimi 15

Mateu 13:1–23

Hyrje

Ndërsa Shpëtimtari ishte në Galile, një turmë e madhe erdhi tek Ai. Shpëtimtari i mësoi njerëzit duke përdorur shëmbëlltyra, duke filluar me shëmbëlltyrën e mbjellësit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 13:1–17

Shpëtimtari fillon të japë mësim me shëmbëlltyra

Tregojuni studentëve një enë të vogël të mbushur me dhé.

  • Cilat janë disa karakteristika të tokës pjellore? Po të tokës që nuk është pjellore?

Shpjegoni se te Mateu 13:1–23, ne lexojmë se Shpëtimtari i krahasoi llojet e ndryshme të tokës me shkallët e çiltërsisë apo aftësisë pranuese shpirtërore të zemrave të njerëzve. Ftojini studentët që ndërsa i studiojnë këto vargje, të marrin parasysh se cila nga llojet e tokave është më e ngjashme me gjendjen aktuale të zemrës së tyre.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 13:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si Jezusi e mësoi turmën në Galile.

  • Si e mësoi Jezusi turmën? (Me shëmbëlltyra.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje dy paragrafët e parë te pjesa “Shëmbëlltyrë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 175].

  • Çfarë është një shëmbëlltyrë?

Shpjegoni se një shëmbëlltyrë është “një tregim i thjeshtë i përdorur për të ilustruar dhe mësuar një të vërtetë ose parim shpirtëror. Një shëmbëlltyrë bazohet në krahasimin e një objekti ose ngjarjeje të zakonshme me një të vërtetë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”, [f. 175], scriptures.lds.org).

  • Sipas Mateut 13:3, për çfarë ishte shëmbëlltyra e Shpëtimtarit? (Shpjegoni që të mbjellësh do të thotë të përhapësh ose mbjellësh farën.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 13:4–9. Ftojeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar katër llojet e tokave në të cilat ranë farat e mbjellësit.

  • Në çfarë lloj tokash ranë farat e mbjellësit?

Pamja
ilustrime të bimëve në shkëmbinj, tokë

Vizatoni në tabelë ilustrime që përshkruajnë katër llojet e tokave dhe ftojini studentët të bëjnë vizatime të ngjashme në fletoret e tyre të klasës ose në letrat që ju siguroni për ta.

Shpjegoni që përgjatë rrugës është një shteg afër fushave që bëhet më i ngjeshur kur njerëzit ecin në të. Fortësia e tokës përgjatë rrugës i pengon farat të zënë rrënjë në tokë. Gurishtat janë sipërfaqe shkëmbore të mbuluara nga një shtresë e hollë toke. Ndonëse farat mund të zënë rrënjë të cekëta, shkëmbi që shtrihet pak nën sipërfaqe i pengon rrënjët të shkojnë më thellë. Toka me ferra është tokë pjellore, por ferrat i largojnë bimët duke u hequr atyre dritën, ujin dhe lëndët e nevojshme ushqyese. Toka e mirë është truall pjellor me thellësi të mjaftueshme për rrënjë të shëndetshme.

Përmblidheni Mateun 13:10–13 duke shpjeguar se dishepujt e Shpëtimtarit e pyetën Atë për arsyen përse Ai jepte mësim me shëmbëlltyra. Shpëtimtari shpjegoi se shëmbëlltyrat ua zbulonin të fshehtat apo të vërtetat e mbretërisë së qiejve atyre që ishin gati t’i pranonin ato, duke ua fshehur ndërkohë kuptimin atyre që ishin shpirtërisht të papërgatitur (shih New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 45).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 13:14–15 dhe vëreni klasën të kërkojë se çfarë i pengonte njerëzit që t’i kuptonin të vërtetat që jepte mësim Shpëtimtari.

  • Çfarë tha Shpëtimtari se i pengonte njerëzit që t’i shikonin, dëgjonin dhe kuptonin të vërtetat që Ai jepte mësim? (Shpjegoni që fraza “zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme” do të thotë se zemrat e njerëzve ishin bërë të ngurta dhe të ftohta.)

Në tabelë, pranë vizatimit të tokës përgjatë rrugës, shkruani thënien e paplotë vijuese: Nëse i ngurtësojmë zemrat tona, atëherë …

  • Sipas vargut 15, çfarë bekimesh mund të humbasim nëse i ngurtësojmë zemrat tona? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të përcjellë parimin vijues: Nëse i ngurtësojmë zemrat tona, atëherë ne nuk do ta kuptojmë fjalën e Perëndisë, nuk do të kthehemi në besim te Shpëtimtari e shërohemi prej Tij.)

  • Çfarë do të thotë të kthehesh në besim te Shpëtimtari e shërohesh? (Të ndryshohemi dhe pastrohemi nëpërmjet Shlyerjes së Tij në mënyrë të atillë që bindjet, zemra dhe jeta jonë janë në harmoni me vullnetin e Atit Qiellor dhe ne lirohemi nga barra e mëkatit.)

Përmblidheni Mateun 13:16–17 duke shpjeguar që Jezusi i tha dishepujve të Tij se ata ishin të bekuar, sepse kishin sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Mateu 13:18–23

Shpëtimtari jep interpretimin e shëmbëlltyrës së mbjellësit

Drejtojuni përsëri vizatimit të tokës përgjatë rrugës në tabelë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 13:18–19. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë me të cilën Shpëtimtari e krahasoi farën, [tokën] përgjatë rrugës dhe zogjtë e përmendur te Mateu 13:4.

  • Çfarë përfaqëson fara? (Emërtojeni vizatimin e farës Fjala e Perëndisë.)

  • Çfarë lloj zemre përfaqëson [toka] përgjatë rrugës? (Emërtojeni vizatimin e tokës përgjatë rrugës Nuk e kupton të vërtetën [një zemër e ngurtësuar].)

  • Çfarë përfaqësojnë zogjtë? Kush është “i ligu”? (Emërtojeni vizatimin e zogjve Satani dhe shërbëtorët e tij.)

  • Si mund të na ndihmojnë mësimet e Shpëtimtarit mbi tokën përgjatë rrugës ta kuptojmë më tej parimin se nëse i ngurtësojmë zemrat tona, atëherë ne nuk do ta kuptojmë fjalën e Perëndisë, nuk do të kthehemi në besim te Shpëtimtari e shërohemi prej Tij?

Drejtojuni vizatimit të gurishtës në tabelë.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mateu 13:20–21 dhe Lluka 8:13. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar interpretimin e gurishtave prej Shpëtimtarit.

  • Çfarë përfaqësojnë bimët që u rritën në gurishta? (Emërtojeni vizatimin e bimëve në gurishta Dëshmi që nuk është e rrënjosur thellë.)

  • Çfarë përfaqëson nxehtësia e diellit? (Përmbi vizatimin e bimëve me rrënjë të cekëta, shkruani Vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet.)

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë pranë vizatimit të gurishtës: Përveçse nëse përpiqemi t’i thellojmë dëshmitë tona …

  • Bazuar tek ajo që mësuat nga Mateu 13:20–21 dhe Lluka 8:13, si do ta plotësonit këtë thënie? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, plotësojeni thënien në tabelë që të përcjellë parimin vijues: Përveçse nëse përpiqemi t’i thellojmë dëshmitë tona, ne mund të na mungojë forca e nevojshme për të duruar vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet.)

Drejtojuni vizatimit të tokës me ferra në tabelë. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 13:22 dhe të kërkojnë se çfarë përfaqësojnë ferrat.

  • Çfarë përfaqësojnë ferrat? (Emërtojeni vizatimin e ferrave Shqetësimet e botës.)

  • Cilët janë disa shembuj të “shqetësime[ve] [të] bot[ës]”? (Gjërat e botës, lakmia ose shpërqendrimet tokësore që na largojnë nga Perëndia.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky varg për atë që shqetësimet e kësaj bote mund t’i bëjnë besimit dhe dëshmisë sonë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë pranë vizatimit të tokës me ferra: Shqetësimet e botës mund të na shpërqendrojnë, heqin vëmendjen tonë nga Zoti dhe t’ia zënë frymën besimit dhe dëshmisë sonë për fjalën e Perëndisë.)

Drejtojuni vizatimit të tokës së mirë në tabelë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 13:23 dhe shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it për këtë varg sqaron se “e kuptoj” përkthehet më saktësisht “e kupton dhe duron”. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përfaqëson toka e mirë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e fjalës duron te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 13:21, vini në dukje se bimët në tokë të mirë iu nënshtruan të njëjtës nxehtësi dielli (që përfaqëson vuajtjet, përndjekjet dhe tundimet) si bimët e thara në gurishtë.

  • Si do ta përmblidhnit atë që përfaqëson toka e mirë? (Emërtojeni vizatimin e tokës së mirë Ai që e dëgjon dhe e kupton fjalën e Perëndisë dhe duron vuajtje, përndjekje dhe tundime.)

  • Bazuar në atë që mësuam te Mateu 13:15, çfarë mund të përfaqësojë fryti i përmendur te vargu 23? (Kthimin në besim te Jezu Krishti.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit rreth tokës së mirë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë pranë vizatimit të tokës së mirë: Kur e marrim fjalën e Perëndisë, e kuptojmë atë dhe durojmë vuajtje, përndjekje dhe tundime, ne do të kthehemi në besim te Shpëtimtari.)

Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë më tej parimet që kanë përcaktuar, ftojini katër studentë që secili të lexojë me zë të lartë një prej skenarëve vijues. Pasi të lexohet secili skenar, ftojeni klasën të shpjegojë se cilin parim ilustron skenari:

  1. Një i ri e kalon shumicën e kohës së tij duke studiuar në mënyrë që të mund të pranohet në një universitet me rëndësi. Kur nuk studion, ai është i zënë me punë. Ai i thotë vetes se nuk ka kohë të lexojë shkrimet e shenjta, të lutet ose të shkojë në kishë.

  2. Një të reje i pëlqente të merrte pjesë në kishë çdo të diel. Mirëpo, kur ajo u rrit, disa nga miqtë e saj filluan ta tallnin për shkak të standardeve të saj. Ajo ka filluar të shkelë disa prej urdhërimeve. Ajo nuk ndihet më rehat në kishë dhe e ka humbur dëshirën për të marrë pjesë.

  3. Një i ri shkon rregullisht në kishë, por rrallë merr pjesë [aktivisht] dhe nuk e hap zemrën e tij për ndikimin e Frymës së Shenjtë. Ai ka lexuar informacion në internet që sfidon doktrina të rëndësishme të Kishës dhe ai e vë në dyshim atë nëse ende beson në vërtetësinë e ungjillit.

  4. Një e re shkon në kishë dhe në heshtje lutet që të jetë e hapur ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Kur ajo merr nxitje, ajo vepron sipas tyre. Ajo ndihet pranë Zotit dhe është mirënjohëse për mënyrat në të cilat është frymëzuar për t’i kapërcyer tundimet.

Shpjegojuni studentëve që zemra, ashtu si toka, mund të ndryshojë dhe të përmirësohet. Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë ose ua jepni ato studentëve si fletushkë. Ftojini studentët t’i lexojnë dhe t’i diskutojnë pyetjet me një partner:

Çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar ose për ta mbajtur secilën lloj toke në mënyrë që të jetë një vend i favorshëm për të rritur bimë të shëndetshme, të frytshme?

Si mund ta krahasojmë përmirësimin e secilës tokë me atë që mund të bëjmë që të jemi më të hapur ndaj fjalës së Perëndisë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Si ju ka ndihmuar të përpjekurit për ta pranuar fjalën e Perëndisë dhe për ta kuptuar atë që të bëheni më thellësisht të kthyer në besim te Shpëtimtari?

Ftojini studentët të përsiatin se cila tokë përfaqëson më së miri gjendjen e zemrës se tyre pikërisht tani. Ftojini studentët të vënë një qëllim në lidhje me atë që do të bëjnë për ta pranuar dhe kuptuar më mirë fjalën e Perëndisë dhe për të duruar vuajtje, përndjekje dhe tundime. Nëse e lejon koha, ftojini studentët t’i shkruajnë qëllimet e tyre në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 13:3–8, 18–23. Shëmbëlltyra e mbjellësit

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha mësim për atë që mund të bëjmë për t’i përgatitur zemrat tona që të jenë më të hapura ndaj fjalës së Perëndisë:

“Që farat e besimit të mbijnë në jetën tonë, ne duhet t’i shmangemi pushtetit të Satanit.

Ne gjithashtu duhet të përgatitim farishtat tona vetjake të besimit. Për ta bërë këtë, ne duhet ta lërojmë tokën përmes lutjes së përulur të përditshme, duke kërkuar forcë dhe falje. Ne duhet ta lesojmë [shkoqim] tokën duke mposhtur ndjenjat tona të krenarisë. Ne duhet ta përgatitim farishtën duke i mbajtur urdhërimet sa më mirë që kemi aftësi” (“Of Seeds and Soils”, Ensign, nëntor 1999, f. 48).

Mateu 13:6, 21. “U fishk … sepse s’kishte rrënjë”

Drita e diellit është e nevojshme për një bimë që të rritet, por në qoftë se sistemi i rrënjëve të një bime nuk është i thellë, ajo dritë e diellit do ta fishkë dhe do ta shkatërrojë bimën. Në mënyrë të ngjashme, sprovat, përndjekja dhe kundërshtimi në fakt mund të na ndihmojnë të rritemi në qoftë se e lejojmë fjalën e Perëndisë të zhvillojë rrënjë të thella në zemrat tona; nëse jo, përvoja të tilla mund t’i bëjnë dëshmitë e brishta të thahen.

Mateu 13:21, 23. Të rrënjosur me vendosmëri në ungjill

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim rreth bekimeve të të pasurit të një dëshmie të rrënjosur me vendosmëri në ungjill:

“Po qe se rrënjët e dëshmisë tuaj nuk janë mbjellë me vendosmëri, do të jetë e vështirë për ju të përballoni talljet e atyre që vënë në dyshim besimin tuaj. Kur mbillet me vendosmëri, dëshmia juaj për ungjillin, për Shpëtimtarin, dhe për Atin tonë Qiellor do të ndikojë gjithçka bëni gjatë gjithë jetës tuaj” (“Paçi Kurajë”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 126).